Albspirit

Media/News/Publishing

GËZUAR DITËN E LINDJES, MJESHTËR PIRRO MANI!

Sot është një ditë e veçantë-14 Prill, Dita e Lindjes e regjisorit të madh të skenës shqiptare, Dekanit historik të regjisurës shqiptare (term i marrë hua nga mjeshtri Pëllumb Kulla). Sot, të ngujuar, ashtu si dhe Pirroja, duke pritur në dritare armikun e padukshëm, të kërcënuar nga virusi me kurorë, po mendoja se si mund ta uroja Mjeshtrin, përveçse përmes rrjeteve sociale dhe gazetës online?! SHUMË URIME MJESHTËR! Ta gëzosh Ditën e bukur të Lindjes!

I dashur Pirrro;

Ky i flamosur Koronavirus nuk na lejon që të vijmë me Vies Belliun dhe ta cikrojmë nga një gotë atje në shtëpinë tënde të bukur, në Harrison, duke biseduar e duke vështruar atë peisazh magjepës, të qendisur nga pranvera! Besoj se ju kujtohet mrekullimi i Mirush Kabashit nga ajo pamje kur ju vizitoi fluturimthi, nga që kohën nuk e kishte të mjaftë.

Të jesh i bindur Mjeshtër se 89 vjetorin do ta festojmë dyfish!

Epo gëzuar!

Si “dhuratë” në vend të luleve, po Ju nis shkrimin që i referohet atit Tuaj, Kosta Mani, bashkëshoqëruesit të Imzot Nolit, kur shkuan nga Amerika, me ëndrrën që të bënin Shqipërinë tonë të dhembshur. Ati Juaj mbeti honeve të nëntokës së Mathauzenit…. E di i dashur Pirro, Ati Juaj, ka mbetur pengu i jetës Tuaj, por ai ishte dhe shpëtimtari juaj në çastet më të vështira të Jetës!..Në fillim mendova ta shoqëroja urimin me shkrimin ”Na i nxefe shuplakat Gjeneral”, thirrja ngazëllyese e kosovarëve, kur në vitet ’70, në Prishtinë vutë në skenë Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, por ky shkrim për babain nuk e di pse më pëlqen më shumë…

***

PIRRO MANI, PENGU PËR TË ATIN, KOSTA MANI, SHOQËRUESIT TË FAN S. NOLIT

Inxhinieri Kosta Mani, babai i regjisorit, artistit Pirro Mani, vatrani që shoqëroi Fan S. Nolin në Tepelenë dhe Vlorë, u shua në kampin e vdekjes në Mathauzen, më 27 Janar 1945. Një histori tragjike. Inxhinier Kosta Mani la Amerikën për të projektuar e ndërtuar urat, rrugët, ndërtesat e Shqipërisë, u arrestua nga fashizmi, u burgos dhe u pushkatua po nga nazizmi, u shpall dëshmor dhe tradhëtar nga komunizmi….

Nga Dalip Greca

14 Prilli ishte ditëlindja e Pirro Manit, por, edhe në një ditë të shënuar si ajo e lindjes, Pirro Mani, mbreti i skenës shqiptare, gjenerali i regjisurës, i cilësuar si Stanislavski shqiptar, shfaq një peng. Është një peng, që po e shoqëron gjatë gjithë jetës. Edhe tani, kur festoi përvjetorin e lindjes, kërkesës për një intervistë për gazetën “Dielli”, ai i përgjigjet shkurtazi se për të është shkruar mjaft. Nuk ka mbetur gjë pa u thënë, por e ka një peng që e rëndon.

– Dua ta zbraz shpirtin nga brenga e tim eti. Më rëndon shumë ai peng. Më ka ndjekur edhe në skenë. E ke vënë re episodin e gurit të pendimit tek “Cuca…”? Është krijuar prej meje ai episod, duke patur në mendje fundin e babait tim, Kosta Mani. E kam mësuar vonë faktin, që ai dha shpirt duke mbajtë në shpinë pesha të rënda, ja, ashtu si guri i pendimit. I zbriste në shkallaren e një galerie si mijëra të tjerë në kampin e vdekjes së Mathauzenit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ma ka treguar ngjarjen një durrsak, që shpëtoi gjallë nga kampi i vdekjes dhe u riatdhesua…Ai ishte një nga ata që i shpëtuan ferrit të Mathauzenit.

Ja si e pat përshkruar ai ngjarjen, që i pat marrë jetën Kosta Manit:

“Babai i Pirros, ishte rebeluar. Nuk kishte pranuar Kosta të vazhdonte të ngrinte “gurin e turpit”, gurin e poshtërimit; pas tij vinte guri i varrit. Ushtarët gjermanë të kampit i dërgonin të burgosurit në një humnerë dhe i detyronin të ngrinin thasë apo gurë të mëdhenj mbi shpinë (si rrasë varri) dhe i shtrëngonin me pahir që t’i ngjiteshin të përpjetës. Motivi? Të mundoheshin. Dhe ata çapiteshin me shpirt ndër dhëmbë me shpresë e me gurin e rëndë mbi shpinë. Kosta e kishte imagjinuar veten edhe si Krishti, edhe si Sizifi në këtë ngjitje”,- ka shkruar në librin kushtuar Pirros, Josif Papagjoni.

Po përse duhej ta bënte sakrificën, kur, pas ngjitjes, do ta prisnin plumbat? – pyet Pirro më shumë veten, se sa të atin, apo mua që më ka përballë. Kosta Mani nuk e kishte ngritur “rrasën e varrit”, gurin e poshtërimit. Ata e grinë me plumba. Ai u masakrua më 1945, u shpall dëshmor, po në 1945, ndërsa komunistët e ripushkatuan më 1946, duke e ekzekutuar përsëdyti!

KUSH ISHTE INXHINIERI KOSTA MANI, I DIPLOMUAR NË INSTITUTIN M.I.T TË BOSTONIT?

Tregon Pirro:

– Babai im, Kosta Manim ka lindur në Korçë. Si shumë korçarë, emigroi herët në Amerikë. Ka qenë rreth të katërmbëdhjetave, kur mori rrugën e kurbetit. Krahas punës vazhdoi edhe studimet. Ka studiuar në Institutin e famshëm M.I.T. të Bostonit, ku kishte studiuar edhe mjeshtri i madh i fotografisë, Gjon Mili. Është diplomuar për inxhinieri-arkitekturë. Ishte pjesë e Vatrës. Si shumë idealistë të tjerë vatranë, e la Amerikën dhe u kthye në Shqipëri për të ringjallur vendin. Kishte në xhep diplomën e inxhinierit. Sa i mungonin Shqipërisë inxhinierë të tillë si Kosta Mani!

Në Shqipëri qe kthyer me Imzot Nolin dhe e kishte shoqëruar atë në udhëtimet, që kryezoti i shqiptarëve të Amerikës kishte bërë në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në Tepelenë dhe Gjirokastër. Këtë episod, Pirros ia pat treguar nëna e tij.

Pasi Fan Noli e la Shqipërinë, Kostë Mani nuk e ndoqi pas për t’u kthyer në SHBA. I tha Imzotit se Shqipëria kishte nevojë për inxhinierë dhe ai do të qëndronte. Vendimi ishte i prerë. Ati i shqiptarisë, Noli, i kishte dhënë bekimin. Dhe ai vazhdoi të punojë për disa kohë në Ministrinë e Punëve Botore. Kishte fatin që të punonte me një tjetër inxhinier të zot, me inxhinier Gjovalin Gjadri. Shqipëria ishte me fat, ngaqë ishin bashkë dy shkolla inxhinierike; ajo amerikane, ku ishte diplomuar Kosta Mani dhe ajo austriake, ku ishte diplomuar inxhinier Gjadri. Të dy ndërtuan ura, rrugë, vila, që i qëndruan kohës.

Pirro përhumbet në rrëfimin e tij:

– E mbaj mend mirë rrugën malore të Thethit. Babai më kishte marrë me vete. E kam në kujtesë bukurinë përrallore të Thethit. Ata punonin, unë vështroja bukuritë e egra të maleve dhe pastaj kthehesha i lodhur dhe i kënaqur në çadër. Qe kohë vere. Ishte e bukur natyra e atyre anëve.

Edhe Urën e Zogut, urën me harqe, e pat ndërtuar Gjadri me Kosta Manin. Pirro kujton se edhe atje i ati e pat marrë me vete shumë shpesh. Madje e mban mend të atin dhe Gjadrin me hartat përpara, tek ndiqnin projektin. Kosta Mani ishte kudo, ku ndërtohej. Kishte ndërtuar për vete edhe një shtëpi provizore në Tiranë, që priste ta modernizonte kur t’ia kishte ngenë.

Kosta Mani jepte edhe mësim në Shkollën Teknike të Fullcit. Jepte lëndën e Matematikës. Pirro kujton se i ati lexonte shumë libra. Në bibliotekën e tij ndodheshin libra të Balzakut, Stendalit, Dumas, Tolstoit e të shumë e shumë shkrimtarëve të tjerë me emër.

Kosta Mani ndërtoi edhe urën e Kardhiqit, në Gjirokastër. Kjo urë i dha një fatkeqësi dhe një dhuratë, që do ta kishte të shtrenjtë gjatë jetës së tij të shkurtër.

Tregon Pirro:- Gjatë punimeve për ndërtimin e urës, Kosta theu këmbën. Ku të gjente mjek në ato anë, ku nuk shkelte këmbë njeriu? E mbartën me mushkë dhe e çuan tek një mjeshtre popullore, që i kishte dalë nami si ortopede e rrallë. Mjeshtrja, (plaka thirrej Dade), jetonte në Stegopull të Gjirokastrës. Muskujt e Kostës sforcoheshin nën dhimbjet e shtrëngimeve të plakës, ndërsa sytë i ishin ngulë në bukurinë e rrallë të një vajze 15-16 vjeçare, mbesës së plakës Dade. Inxhinieri shëroi njëherësh këmbën dhe shpirtin. Vajza bjonde, zanë e shkuar zanës, me emrin e bukur Amali, do të bëhej “robinë” e inxhinier Kostës, i cili e kërkoi sakaq për grua. U martuan me Amalinë dhe lindën fëmijën e parë, Pirron, pastaj dhe dy vajzat, motrat e Pirros. Kosta, ndërkohë kishte blerë një truall 6 mijë m2, në rrugën “Shën Gjergji” në Tiranë, sot rruga”Ali Demi” dhe aty ndërtoi shtëpinë e tij, që Pirro e gëzon sot (edhe pse është në Amerikë shtëpia pret të zotin ende). Jeta ecte në rrjedhat e veta. Shpesh, Kosta bridhte nëpër Shqipëri, ku ndërtonte a projektonte. Merrte me vete edhe Pirron e vogël dhe e ushqente me dashuri për kombin, Atdheun e shtrenjtë, që duhej dashur, edhe kur ishte kockë e lëkurë. Në ditën e pushtimit fashist, Kosta u pushua nga puna dhe u arrestua me akuzën se kishte hedhur në erë urën e Limuthit, atë urë që e kishte bërë vetë. Kosta kishte shtetësi amerikane, urrente fashizmin dhe u trondit nga pushtimi i Shqipërisë. Dikur hapi një zyrë private në Tiranë, “Stika”, së bashku me inxhinierin Spiro Koleka. Ajo zyrë nisi projektet e ndërtimit të infrastrukturës së Tiranës; projektoi rrugë, sheshe, parqe, vila të bukura dy dhe tri katëshe. Kosta projektoi vilën e njohur mbi kodrat e Tiranës, “Baballarët e Teqesë” dhe vepra të tjera që i rezistuan kohës.

Pirro është i bindur se babai ka qenë antifashist në shpirt dhe si i tillë ishte zgjedhur edhe në Këshill. Madje, për reputacionin që gëzonte, u zgjodh edhe deputet i Korçës. Gazeta “Tomorri” e asaj kohe i kushtoi hapësirë në kronikën e vet fjalës së deputetit Kosta Mani:“Çamëria dhe Kosova janë pjesë të pandara të Shqipërisë”, deklaronte deputeti Kosta Mani.

Në kohën e Asamblesë Kombëtare, në kohën e pushtimit gjerman, si deputet ishte pjesë e saj. Por partizanët e qëlluan me top, duke e shpallur atë si “Asambleja tradhëtare”. Si shumë intelektualë të tjerë patriotë, Kostë Mani mendoi se Atdheut mund t’i shërbehej edhe nën pushtim. Por atë pjesëmarrje nuk ia falën komunistët.Ishte mblodhë qarkori dhe e përjashtoi Kostën nga Këshilli. Ishte kohë e çmendur. Komunistët e akuzojnë, fashistët e arrestojnë. Edhe gjermanët, po ashtu, e arrestojnë si njeri të rrezikshëm. Me kë ishte Kosta Mani? Ishte me Shqipërinë. Arrestimi në fundin e dhjetorit 1943 nga gjermanët ishte fatal. Nazistët e syrgjynosën në kampin famëkeq të Mathauzenit. Pirro kujton se, nëna, e cila kishte marrë vesh lajmin e largimit nga burgu dhe internimin jashtë Shqipërisë, i kishte shkuar në burg dhe i kishte dhënë një xhaketë, që të mos kishte ftohtë, nën astarin e së cilës kish qepur, nën një arnë, 40 napolona flori. T’i ketë për çdo rast, pat menduar nëna. Pirro atë kohë ishte fëmijë, 12 vjeç. E ka në kujtesë pamjen e trishtë. Të burgosurit i hipën në kamionë dhe i nisën në mëngjes herët. Imazhi i mbeti në mendje. Në shtëpi prisnin në ankth ndonjë lajm. Shenja e fundit e komunikimit ishte një telegram, që ishte nisë nga Kosta. Ishin vetëm tri fjalë: “Jemi në Manastir”! Asnjë lajm tjetër.

E gjithë jeta e Kosta Manit, është një dramë me shumë mistere, një dramë e ankthshme me shumë akte, thotë i biri, Pirro Mani, për të cilin misteriet mbeten të pazbardhura ende edhe sot.

Hija e të atit dhe shpirti i tij peng nuk i janë ndarë Pirro Manit as këtu, në Sh.B.A.. Erdhën në Amerikë, u vendosën në Kolorado dhe më pas, në New York. Shpesh shëtisja me hijen e tim eti. Më dukej se do ta takoja diku….Edhe ai kishte qenë në Amerikë…

Më duket se Pirro po mediton….

Nuk ka hequr dorë nga gjurmimet për të gjetur të dhëna për të atin, që më parë nuk mund t’i siguronte. Mësoi se Kosta Mani nuk ishte i vetëm, kur e nisën në kampin e vdekjes. Ishin më shumë se 200 të burgosur. Një pjesë i dërguan në Prishtinë, pjesën tjetër në Mathauzen, ku i ra fati të shkonte edhe Kosta. Përmes kërkimeve me shoqatat amerikane-hebraike, u arrit të sigurohen të dhënat e munguara, përfshirë dhe kohën e vdekjes, 27 Janar 1945, vendin e  vrasjes dhe të dhëna të tjera…., madje, edhe numrin që mbante në uniformën e kampit të internimit.

…Lajmi fatal është mësuar pak muaj pas çlirimit të Shqipërisë. Në shtëpi kishte shkuar Spiro Koleka, që ka qenë ortak me Kostën në zyrën e projektimeve dhe ndërtimeve “Stika”. Spiro ishte inxhinier i ri asokohe dhe bashkëpunoi me Kostën, edhe për të fituar eksperiencë. Ai solli lajmin fatal në shtëpinë e Kostë Manit. Familja shpalli zinë dhe e qau Kostën.

U shpall dëshmor nga regjimi. Familjes iu dha edhe karta e dëshmorit, por drama e Kostë Manit nuk kishte të sosur. Ashtu si në kohën e italianëve, të gjermanëve, dhe të komunistëve, secili e pa si armik.

Pirro tregon:

– Më kujtohet se ka qenë një burrë me emrin Faruk, që jetonte në një barakë, diku aty ku ka qenë Ministria e Jashtme. Faruku ka qenë kampion boksi. Ai qe rritur në shtëpinë e Kosta Manit. Kujtoj se Faruku mbante dhe një pistoletë, ngaqë kishte qenë partizan…”

Pirro kujton se po vinte Faruku me nxitim dhe i thotë:

– Ç’po bën këtu? A e di se po i demaskojnë gratë e familjes Mani?!

Shkova me vrap. Agjitatorët komunistë ngrinin zërin në kupë të qiellit për armikun imagjinar. Dhe armiku paskish qenë Kosta Mani, që na qenkish shpallë “dëshmor me biografi të keqe”,  sepse paskish marrë pjesë në Asamblenë tradhëtare! Fronti Demokratik dhe partia nuk mund ta toleronin këtë tradhëti! Ultimatumi i demaskimit ishte i rreptë: Familja armike Mani duhej të largohej brenda shtatë ditëve nga Tirana! Nisën reprezaljet. Pirron dhe motrën Marikën i hoqën nga puna, ndërsa motrën tjetër, Mirelën, e pezulluan nga shkolla. Ua hoqën dhe triskat. Ishte hapur fjala se Kosta nuk ishte vrarë e se punonte si agjent në një shërbim perëndimor!

Pirro thotë se e pagoi rëndë faturën. Por, siç duket, dikur u bindën se të gjitha këto ishin fantazira. Vetë ata e vërtetuan se Kosta ishte ekzekutuar në Mathauzen. Mirëpo hija e dyshimit mbeti pezull e kurrë nuk u trajtua më si dëshmor. Jo vetëm kaq, por Kostës nuk iu përmend emri asnjëherë si një nga inxhinierët e parë të Shqipërisë, diplomuar në Sh.B.A.. Pirro ruan një dokument që ka emrat e inxhinierëve që kanë kontribuar në Shqipëri, ku emri i parë është ai i Kosta Manit, pastaj i dy inxhinierëve italianë, i Gjadrit dhe i të tjerëve.

Rehabilitimi i të birit të Kostës, Pirro Manit, ndodhi vonë. Fillimisht nuk i dhanë as të drejtë studimi. Kaluan dy vjet pasi mbaroi shkollën dhe nuk po i dilte e drejta e studimit. Madje mbaroi edhe ushtrinë e, më pas, e lejuan…/gazeta dielli/

Please follow and like us: