NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl.- Problemi Çam, shpëtimi i hebrenjve
Eugjen MERLIKA*/
Nacionalizmi shqiptar vazhdoi gjithmonë të shpresojë se dhe ato treva do t’i bashkoheshin Atdheut, por ajo mbeti vetëm një ëndërr. Arsyeja e kësaj mungese nuk gjindet as në Ditarin e Çianos dhe as në librin e Jakomonit. Na ndriçon këtë pikëpyetje diplomati Karlo Umiltà, në veprën e tij “Jugosllavia e Shqipëria”. Duke qenë emëruar Komisar i Lartë i Qeverisë italiane për krahinat e bashkëngjitura Shqipërisë, ai bën një udhëtim me një grup pune në të gjitha ato treva e, më së fundi, i dërgon një relacion Ministrisë së Jashtëme që, siç thotë ai, u muar për bazë prej asaj, për sa i përket Çamërisë e zonave të tjera t’Epirit.
“Sapo mbarova këtë detyrë, ndërsa Komisari i Lartë, Alizoti, kishte shkuar të merrte në dorëzim zyrën e tij në Kosovë e Dibër, Ministria e Jashtme më ngarkoi për të kryer një rreth vëzhgimesh në krahinën që quhej Çamëri e që duhej t’i bashkangjitej më vonë Shqipërisë, nën Komisariatin e Lartë të Xhemil Dinos….
Territori i ri paraqitej i varfër e i shkretë e në qytetin e Kosturit pata shpejt përshtypjen se nuk kishte as hije shqiptarësh….
Ata ishin maqedonas dhe donin të bënin pjesë në Shtetin maqedon, që do të mund të formohej me popullsi të tjera maqedone deri në Follorinë, Monastir (Bitolje) e Shkup (Skoplje). Nëse në fund të luftës Shteti maqedon nuk mund të krijohej, ata dëshironin të vazhdonin të bënin pjesë në Shtetin grek. Nëse dhe ajo nuk do të ishte e mundur, do të kishin mbetur me qejf nën administrimin dhe mbrojtjen italiane, por në asnjë rast nuk do t’i përshtateshin bashkimit me Shqipërinë, madje kundër një bashkimi të tillë, ishin gati për një kryengritje të përgjithshme….
Nga Kosturi u drejtuam për në Gravenè, një qytet i vogël, i banuar në shumicë nga maqedonë e grekë. Asnjë këmbë shqiptari. Dëshirat e tyre ishin të njëjta me ato të Kosturit…. Asnjë nuk donte të dëgjohej të flitej për Shqipërinë….
Mbas Grevenès morëm një lloj rruge sapo të hapur që na çoi rrëzë Pindit e prej andej… deri në Mecovo, qyteti më i rëndësishëm i gjithë territorit. Edhe këtu popullsia është e përzierë prej arumunësh dhe grekësh e më shumë se për bujq bëhet fjalë për barij e pylltarë. Nëpërmjet ushtarakëve tanë, munda të flas me shumëkryepleq fshatrash e me ndonjë kryetar bashkie. Aspiratat e tyre ishin të mbeteshin të bashkuar me Greqinë, mbasi të mbaronte lufta dhe pushtimi ynë ushtarak, për të cilin folën shumë mirë.
Për Shqipërinë as që bëhej fjalë, sepse ata e quanin një Vend të prapambetur e pa t’ardhme”.[1]
Duke vazhduar udhëtimin e tij në Janinë, Prevezë e Artë dhe në Çamëri, diplomati italian përsërit gjithmonë të njëjtat pohime. Arrin deri aty, saqë edhe në Delvinë e Sarandë “të gjithë ishin të një mendimi, të përjashtonin si të papërshtatëshëm zmadhimin e Shqipërisë drejt jugut, me bashkimin e territoreve të tjera, të banuara , pothuajse krejtësisht nga grekët. Edhe shqiptarët myslimanë ishin kundër bashkimit me çamët e racës dhe besimit të tyre. Nga ajo anë kufijtë shqiptarë ishin mirë ashtu siç ishin.
Megjithë ankesat e Xhemil Dinos dhe të atyre si ai që ishin t’interesuar për projektin e rrezikshëm të Çamërisë, Qeveria jonë miratoi plotësisht përfundimet e mija dhe u arrit të bindej dhe Qeveria shqiptare për mungesën e leverdisë për të mbajtur në Shqipëri e jashtë saj një shqetësim në dobi të bashkimit, që tashmë nuk mund të sendërtohej në kundërshtim me opinionin e pothuaj gjithë popullsisë, që do të bëhej viktimë, pa dobi për askënd.
Për Çamërinë nuk u fol më dhe vetë Xhemil Dino u kthye nga Tirana në Romë pa bezdisur më Qeverinë tonë.”[2]
Këto ishin disa nga konsideratat e diplomatit Umiltà, që nuk shquhet për simpati karshi shqiptarëvet dhe përfaqësuesve të tyre politikë, sidomos për Mustafa Krujën dhe Eqerem Vlorën “ish diplomat turk e nacionalist i zjarrtë, jo më pak se Kryeministri i tij Kruja”[3]
Diplomati Umiltà që nuk më duket shumë bindës dhe objektiv në përfundimet e tij, në sajë të mungesës së personave të lartpërmendur në Qeverinë shqiptare, arriti t’a varrosë çështjen çame, duke menduar se i ka bërë mirë atyre popullsive. Ai, së bashku me një pjesë të mirë të ushtarakëve italianë, shquheshin për qëndrimin kundër shqiptar gjatë luftës, në territoret ku ishte vendosur ushtria italiane. Kjo ndodhte, sipas tij, sepse pakicat serbe e maqedonase ishin më të “emancipuara”, në kuptimin e botës femërore, se sa shqiptaret myslimane të Kosovës apo Dibrës. Kuptohet qartë se pse ushtarakët italianë, në sytë e Komisarit Umiltà, tjetërsonin dhe opinionet e popullsisë, duke e çuar atë në përfundime të gabuara e me aq pasoja të hidhura për çështjen tonë kombëtare.
“Ajo që ka dëmtuar më shumë forcimin e marredhënieve mes dy shteteve qe politika jashtazonisht autoritare e Qeverisë shqiptare që, fatkeqësisht u përpoq vazhdimisht të kundërshtonte këshillat e matura e t’arsyeshme që vinin nga Roma. Kur u formua Qeveria Libohova, e keqja ishte bërë dhe maturia arriti shumë vonë”.[4]
Ky ishte përfundimi i përfundimeve të analizës së diplomatit Umiltà, një akuzë e fortë kundrejt Qeverisë Kruja, që kishte në qendrën e veprimtarisë së saj çështjen kombëtare, në të gjitha shfaqjet dhe problemet e saj, një Qeveri që propaganda komuniste e kohës dhe historiografia, deri në ditët tona, vazhdon t’a quajë “bashkëpuntore”, “tradhëtare” e “vegël” e pushtuesit italian. Ajo Qeveri erdhi në fuqi më 3 dhjetor 1941 e pati një jetë prej 13 muajsh, deri më 4 janar 1943.
“Ministrat shqiptarë shëmbëllejnë me njëri tjetrin. Janë të gjithë të rinj, nuk them si moshë, por si shërbim. Janë të gjithë të veshur thjesht, pak t’ashpër, të pregatitur mirë teorikisht. E shkuara e tyre është pothuajse e njëjtë : kanë vuajtur për Vendin e tyre.. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore : bashkimi i Shqipërisë, autonomi e brëndëshme, mbrojtje e racës dhe pasurisë së saj kulturore, bashkëpunim me Italinë në bazën e të drejtave dhe detyrave të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë…
Komandon ministri shqiptar që, teorikisht, mundet edhe të mos kërkojë kurrë këshillën e këshilltarit. Këshilltari pret të pyetet për të dhënë mendimin e tij. Mbasi e ka dhënë atë nuk e imponon; ministri vendos nëse është apo jo rasti për t’a pranuar. Kështu thotë rendi juridik që rregullon marredhëniet mes ministrit e këshilltarit, pra, në praktikë marredhëniet mes Shqipërisë e Italisë”.[5]
Kjo është fotografia e Qeverisë Kruja, e bërë nga njëri ndër më të mëdhenjtë e gazetarisë botërore, shkrimtari e historiani Indro Montaneli. Besoj se nuk ka nevojë për asnjë koment, ndoshta është kuadri ideal për çfarëdo Qeveri, në çdo vend të botës, në çdo kohë. Dhe ja portreti i Kryetarit të Qeverisë, gjithënjë simbas Montanelit, në intervistën e botuar në “Corriere della Sera” të datës 21 maj 1942:
“Nuk e shihnja Merlika-Krujën prej dhjetë vjetësh dhe e gjeta pak të ndryshuar. Suksesi dhe nderimet kanë ndryshuar pak në karakterin dhe qëndrimet e jashtëme të këtij njeriu. Ai ishte veshur pak a shumë si dhjetë vjet më parë e nuk nxjerr në pah rëndësinë e tij me poza e fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë i matur e jep përshtypjen se çfarë thotë është e vërtetë….
Dua një Shqipëri të bashkuar brënda kufijve të saj natyrorë. Dua që kjo Shqipëri e bashkuar të zhvillojë jetën e saj në paqën e siguruar nga Roma. Ne jemi lidhur me Romën nga rrethana të pandryshueshme historike e gjeografike. Fakti që edhe ne jemi në luftë nuk rrjedh nga që kemi hequr dorë nga një politikë e jashtëme e pavarur, por nga se Shqipëria, për vetë pozitën e saj gjeografike, është e lidhur me fatin e Italisë”.[6]
Kjo është paraqitja e Kryeministrit shqiptar në opinionin publik italian, por portretin e tij, në një nga këndvështrimet më të rëndësishme të figurës, e plotëson vetë Mëkëmbësi i Mbretit, Jakomoni:
“Një shfaqje nga ana e Mustafa Krujës të asaj që ishte “burrnia” e tij, pra të aftësisë për të përballuar situata me guxim e zemërgjërësi, e pata pak mbas marrjes së funksionit si Kryetar i Qeverisë. Kishte shkuar tek ai Konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë dhe i kishte paraqitur një notë gojore, me të cilën Qeveria naziste kërkonte dorëzimin e më shumë se treqind hebrenjve që, të ikur nga Jugosllavia, kishin gjetur strehë në Shqipëri. Komanda ushtarake gjermane e Beogradit i kishte dhënë lajme të sakta mbi emrat e tyre dhe vëndet ku ishin strehuar në Kosovën shqiptare. Mustafa Kruja erdhi të më kërkojë lejën për t’i lënë të patrazuar në Shqipëri. Nuk kishte në të gjithë Vendin ushtarë gjermanë që të mund t’i njihnin. E quajtëm me vend që hebrenjtë e ikur të shpërnguleshin në krahinën e Gjirokastrës, që kufizohej me zonën greke, të pushtuar nga trupat italiane. Ata do të ishin paisur me një pashaportë shqiptare me emër të rremë e, aty ku do të kishte qenë e nevojshme, të ndihmoheshin materialisht. Këto masa do t’i premtonin Mustafa Krujës t’i përgjigjej, mbas pak ditësh, Konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë, se të gjitha kërkimet e bëra në Kosovë, sa i përket emrave të shënuara, kishin dalë të kota.
Nuk u njoftua zyrtarisht Roma për këtë gjë, por u njoftua privatisht për të Drejtori i përgjithshëm i çështjeve sekrete, Ministri i plotfuqishëm Vidau. Ai ishte njeri me zemër dhe me të merrnim masa, nëpërmjet përfaqësive tona jashtë shtetit, të furnizonim hebrenjtë gjermanë, çekë, polakë, hungarezë e rumunë me pasaporta shqiptare. Ata mund t’i shpëtonin kështu përndjekjeve racore, duke shkuar në Shqipëri.”[7]
Ky pohim i Mëkëmbësit të Mbretit italian në Shqipëri është një fletë nderi ndërkombëtare, jo vetëm për M. Krujën dhe Qeverinë e tij, por për gjithë Shqipërinë e banorët e saj. Me këto veprime Shqipëria vihet në rradhën e atyre pak Vendeve të Evropës së pushtuar nga nazifashistët, që nuk morën mbi vehte turpin e një krimi, nga më të shëmtuarit e më mizorët në historinë e botës, atë të Holokaustit. Shqipëria e vogël, në sajë të bijve të saj fisnikë, vuri mbi krye një kurorë, të cilën nuk patën guximin e meritën t’a kenë as popuj shumë më të mëdhenj, më të zhvilluar e më të fuqishëm. Ajo kurorë mbante emrin e humanizmit në shkallë eprore, e vlerave njerëzore të respektuara edhe në rrethanat më të errëta të historisë njerëzore. Në sajë të këtij gjesti, Shqipëria ballëlartë mes gërmadhave të përfundimit të luftës, kishte të drejtën e ligjëshme të kërkonte vendin e saj të nderit, në renditjen e fituesve moralë të tragjedisë më të madhe që kishte kaluar njerëzimi.
Ja si na e përshkruan një nga studjuesit më të pregatitur të historisë sonë, Z. Mergim Korça këtë episod të rrënjosur thellë në kujtesën e tij rinore:
“… Atëherë Mustafa Merlika Kruja i tha babait ( Dr. Xhevat Korça E.M.) se duhej të merrnin masa urgjente për t’u ardhur në ndihmë hebrenjve në Kosovë. I telefonuan Ministrit të Punëve të Brëndëshme z. Mark Gjomarkaj si edhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, z. Engjëll Çoba dhe e lanë të mblidheshin menjëherë në zyrën e Kryeministrit.
Mbas disa ditësh mësova se Mark Gjomarkaj kishte dërguar në krye të një ekipi të tërë prefektësh, nënprefektësh si edhe nëpunësish të besuar të Ministrisë së Brëndëshme, duke mobilizuar edhe të gjithë autobuzët e shoqërisë S.A.T.A., zotin Engjëll Çoba në Prishtinë si i plotfuqishëm të pajiste me dokumenta shqiptare si edhe me emra shqiptarë sa më shumë hebrenj që t’ishte e mundur e t’i transferonte në Shqipëri…”[8]
Por për shtatëdhjetë vjet, përfshirë këtu edhe tridhjetë prej tyre të demokracisë, kjo meritë e madhe e kombit, kjo meteorë e ndritëshme në qiellin e historisë së tij, nuk u zu në gojë, nuk u bë e njohur. Tridhjetë vitet e fundit ishin inercia e pesëdhjetë viteve të regjimit, që u mundua t’a varrosë në katakombet e harresës këtë monument të krenarisë kombëtare, shpëtimin e hebrenjve. Kjo ndodhte vetëm e vetëm sepse ai lidhej me emra si Ahmet Zogu, Mustafa Kruja, Mark Gjomarkaj, Xhevat Korça, Engjëll Çoba, Maliq Bushati, Kolë Bib Mirakaj, at Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Xhaferr Deva, Fiqiri Dine, Ibrahim Biçaku e sa e sa qeveritarë të tjerë të Shqipërisë etnike, në të gjitha nivelet, që nderuan me veprën e tyre emrin e saj e i lanë brezave t’ardhshëm krenarinë e të qënit bir i një populli që dhunës i kundërvu humanizmin e vërtetë.
(VIJON)
[1] Carlo Umiltà “Jugoslavia e Albania” F. 128-130
[2] Po aty F. 133-134
[3] Po aty F.147
[4] Po aty F. 169
[5] Francesco Jacomoni di San Savino “ La politica dell’Italia in Albania” F. 163
[6] Po aty F. 287
[7] Francesco Jacomoni di San Savino “La politica dell’Italia in Albania” F. 288-289
[8] Mërgim Korça “Histori të Pashkruara” F. 93