Dëshmia e prof. Lazër Radit për Dom Shtjefën Kurti
Nji pjesë e rinisë katolike dhe e nxansave të shkollës fillore të qytetit banim pjesë në korin e kishës, njifarë “scuola cantorum”, ku mësoheshin kangë kishtare, të cilat këndoheshin në meshat solemne dhe në të kremtet fetare.
Drejtues i atij kori ishte nji klerik me emën, i quejtun dom Shtjefën Kurti, i cili kishte zbritë me shërbye në qytetin e lindjes, mbasi kishte krye me sukses studimet e nalta fetare diku jashtë dhe qe shugurue prift.
***
Dom Shtjefni nuk qe thjesht nji prift që kish veshë veladonin me predikue fenë kristiane. Jo! Nën zhgunin e priftit qe atdhetari e kët ndjenjë, në kushtet e vështira kur po instalohej regjimi i Beogradit, ai do të shfaqej haptas dhe pa asnji rezervë si njeri i shqiptarizmës. Ashtu i ri dhe entuziast, as nëpërmend s’i shkonte se veprime të tilla shqiptarie ishin të dënueshme dhe mund ta paguente shtrenjtë edhe aty në Mbretninë e sllavëve të jugut.
Dom Shtjefni i ri, i posardhun prej studimeve jashtë Shqipnie, nisi me folë haptas për “fe e atdhe”. Shpesh, gjatë përgatitjeve të festave, ai na mblidhte e na shpjegonte se shpirti liridashës i shqiptarve ishte gjallë; se bjeshkët ishin përplot me luftëtarë lirie; se Azem e Shote Galica bashkë me qindra trima ishin veç nji shembull, se plumbat e shkjeve mundeshin edhe me na vra, po kurrë s’do mundeshin me na zhdukë e me na nënshtrue si popull. Ai na shpjegonte se serbët po kërkonin me na mohue gjitha të drejtat, e me na kthye në nji koloni të tyne. Ata e donin Kosovën veç për pasunitë dhe begatinë e saj, për asgja tjetër…
Krahas predikimit, dom Shtjefni ishte edhe nji mjeshtër i harmoniumit. Në kujtesën time ka mbetë e freskët mënyra si ai e shartonte fenë me shqiptarizmën, si mbrenda nji ligjërate mundeshe me gjetë edhe ungjillin edhe atdheun, dhe si në mbyllje të çdo kange fetare ai gjente mënyrën me i bashkangjitë kangën patriotike. Te ai njeri unë s’mbrrita kurrë me kuptue se ku mbaronte përkushtimi ndaj fesë e ku niste dashnia për atdhe. Nuk di pse shumëkujt prej atyne që ndiqnin predikimet e tij, u pëlqente me e quejtë: Boletini me veladon.
Çdo fillimdhjetori ishin përgatitjet e festës së Shën Kollit. Kori kishte punue për ditë me rradhë, kangën e mrekullueshme kushtue atij shenjtori:
Deadati djalë dishiri
kje grabitë e çue n’gurbet
vjen Shën Kolli prej Misiri
për hava e çon n’shpi t’vet…
E ndërsa kanga jehonte, ai na nxiste me këndue me pasion dhe me zà sa ma të plotë, duke na shpjegue se fati i Deadatit ishte si fati i fëmijve të Kosovës; të cilët Zoti përmes figurës së Shën Kollit, kërkonte jo vetëm ai, po të gjithë ne, që nji ditë të ktheheshim te familja te atdheu e të ndjeheshim ma në fund si në shpinë tonë…
Mbasi ndigjonim fjalën e tij, atëherë kanga merrte edhe ma tepër zjarr e kumbim.Të gjithë ishim të angazhuem me shpirt. Entuziazmi e vrulli na përfshinte të gjithëve e na bante me u ndje me flatra. Dy vargjet e fundit të kangës përsëriteshin disa herë, fillimisht me tone të lehta e të ambla, mandej gjithçka ngjitej drejt nji shpërthimi të fuqishëm koral, i cili na krijonte përshtypjen sikur nga çasti në çast do të binin krejt muret e kishës nga rezonanca në bllok e atij kori të ekzaltuem. Nuk di pse ndjenim nji vlim në shpirt, nji dëshirë që na rrëmbente të tanëve, nji emocion të papërshkrueshëm; nuk di pse midis Deadatit, heroit të Biblës dhe çdonjenit prej ne fëmijve aty, kishte diçka të ngjashme. Nuk di pse ne duhej të ishim “gyrbetçi në tokë tonë”, pse duhej të frikeshim për kangët tona, për festat tona, për gjuhën tonë, për traditat tona!?
Në pushim të provave, të gjithë bashkë me dom Shtjefnin në krye delnim në çardakun e kishës. E kur futeshim mbrendë na pyeste:
-A i mbyllët dyert djema?
Mbasi sigurohej vetë se në kishë s’mund të futej askush na thonte:
-E tash a nuk e ndërrojmë avazin; në vend të kangës së Shënkollit le t’u kthehemi kangëve tona.Kush nuk asht dakort le ta çojë dorën?
Po ku kishte dorë që çohej! Mbas asaj pyetje të gjitha duert tona ishin të këputuna.
Kur vendosej qetësia, ai niste me i ra harmoniumit, vegël të cilën e zotnonte mjeshtërisht. Mbas hymjes, i pari ishte ai që ia niste kangës. Mbas zanit të tij ngjitesh kori i zanave tonë. Nji hov i fuqishëm dukej sikur kërkonte me i shpërthye muret, po dora e dom Shtjefnit, me at lëvizjen karakteristike vazhdimisht i qetësonte shpirtnat tanë të trazuem.
“N’kambë pra nipat e Kastriotit
me lidh besë, me lidh besë
me lidhë besë me armët ngjeshë”
Eh, sa me qejf e sa me shpirt këndohej. Eh, si na vlonte gjaku e si na regëtinte zemrakur kanga mbrrinte kulmin. Entusiazëm djaloshar: vrulle të ndrydhuna, energji të gatshme me i dhanë flakë lirisë… Kishte romantizëm dhe mister aty midis nesh.Na dukej sikur ashtu në ilegalitet po banim nji punë të madhe e të vyeme; sikur prej atyne kangëve e prej shpirtit tonë mund të gatitej çlirimi i Kosovës së shtrenjtë prej bishave serbosllave.
Natyrisht dinakëria e autoriteteve serbe, përmes hafijesh përpiqesh me depërtue jo vetëm atje ku kishte organizime fetare e shoqnore, po edhe mbrenda familjeve shqiptare. Ata ishin të interesuem me marrë vesh gjithçka, e ma mbas me gjetë mënyra e mjete me i luftue dhe shkatërrue organizimet tona. Qe e pamundun që guximi dhe veprimtaria e dom Shtjefnit mos t’u shkonte në vesh autoriteteve serbe. Ai vetë s’kishte as ma të voglin dyshim se po i shtrëngohej laku për me e kapë me “presh në dorë” e me ia gjetë rrfanën dhe me e burgosë. Në k’si rastesh, kur veprimtaria intelektuale përbante nji “rrezik për të ardhmen e mbretnisë” nuk përdorej burgu, po metodat e vjetra bizantine të eleminimit fizik të kundërshtarëve.
Shpesh regjimi gjente njerëz të paguem, me vra e me zhdukë figurat ma të njoftuna e ma me reputacion në popull.
Autoritetet lokale serbe, milicia dhe xhandarmënia, prej kohësh ndiqnin me vëmendje aktivitetin e dom Shtjefën Kurtit. Përmes nji rrjeti informatorësh e kishin vu në shenjestër emnin e tij.
Kët ia tha nji ditë nji dashamir i tij, i cili jo vetëm e vuni në dijeni, po i kallzoi me hollësi pse jeta e tij ishte në rrezik.Po dom Shtjefni s’qe prej atyne që tremben e thyhen kollaj.Ai ishte i gatshëm me pague çfardolloj takse për lirinë e Kosovës, qoftë edhe jetën po ta lypte nevoja. Edhe pse e ndjente atmosferën e kërcënimit dhe survejimit, ai vazhdonte me programin e vet si të mos kuptonte asgja. Ne fëmijët që ishim në kontakt të përditshëm me të e shifnim fytyrën e tij që bahej përditë e ma e trishtë, e ma vrazhdë, po mbetej e paepun e burrnore. Nji ndjenjë dhimbjeje nisëm me ia lexue në sy. Shumë shpejt u mor vesh se ipeshkvia kishte vendosë transferimin e tij. Po dom Shtjefni, prift i ri, qe lidhë shpirtnisht me qytetin e tij të lindjes, qe lidhë me ne, nxansat e tij, dhe ai transferim i papritun nuk ishte i lehtë dhe as thjesht nji fjalë goje për të. Ndamja me dom Shtjefën Kurtin qe e dhimbshme.
Lotët e tij mbetën ndër faqet tona po edhe lotët tonë lanë nji shije të hidhët dhimbjeje në faqet e tij. Transferimi i ngjante nji braktisjeje. Ai qe i bindun se ne kishim nevojë për të, ashtu si edhe ai kishte mjaft nevojë për ne. E kët gja ai do ta vuente si askush tjetër: largimin pa kthim prej Prizrenit!
Kështu,nji ditë u nis me krye detyrën e priftit, me shërbye në vise të tjera, ku e kishte caktue kisha e tij…
Dom Shtjefni iku, po figura e tij mbeti mes nesh.Mbetën mes nesh kangët e tij, shpirti i tij atdhedashës. Ma vonë morëm vesh se dom Shtjefën Kurtin e kishin transferue në Rumani. Shumë shpejt do të niste edhe atje bashkëpunimin me shtypin e kolonisë shqiptare të Bukureshtit, ku botoi nji varg artikujsh të randsishëm, ku me fakte të gjalla paraqitesh gjendja e Kosovës dhe vuejtjet e popullit kosovar nën sundimin serb.
Artikujt e tij, nji pjesë e të cilëve u botuen në frengjisht, banë përshtypje të madhe në opinioni ndërkombëtar për ndriçimin e së vërtetës shqiptare.
Pionerët e atdhetarisë shqiptare, ndër të cilët ban pjesë edhe dom Shtjefën Kurti, kishin mundësi krejt të pakta e rreziqe tejet të mëdha në misionin e tyne. Ata shpesh paguenin edhe me jetë idealet e tyne kombtare. E megjithatë, pa u epun ata luftonin me mbajtë gjallë frymën e lirisë dhe atdhetarinë, shpirtin rrebel të shqiptarit dhe flakën e dijes: at flakë drite, të cilës i qenë turrë mija bulshi stuhie me e shue njiherë e përgjithmonë, po që kurrë nuk ia kishin me ia mbrritë!
*Marrë nga Libri “Mjegullnaja e nji kohe të largët. (Prizreni) Fq. 196 – 202.