Azgan Haklaj: Pranvera e lirisë në Iliadën shqiptare
Përvjetorët e kreshnikëve të bjeshkëve të Kosharës e maleve të Maznikut, kurorë lavdie e UÇK-së.
Male të përjetshme të qëndresës e krenarisë.
Skifterët e Haradinajve që sfiduan vdekjen për lirinë, në Panteonin e Kombit.
Misionarë të drejtësisë për t’i dhënë dimensionin e lirisë.
Nuk ka vend në hapsirën shqiptare që nga Tivari deri në Prevezë që nuk e njeh Epopenë e lavdishme të Dukagjinit dhe qëndresën e Haradinajve legjendarë.
Kam shkruar shpesh për betejat homerike të UÇK-së, për marsin e dhimbshëm, por të lavdishëm të Jasharajve dhe Haradinajve, për prillin e përgjakshëm të Koshares që shembi Murin e Berlinit mes shqiptarëve, por sot do të të flas për Kuartetin e Lirisë, Shkelzenin, Fatmirin, Luanin, Hasimin që ranë në betejën e përgjakshme në malet e Maznikut, 21 vite më parë dhe për vrasjen e çlirimtarit, luftëtarit të pamposhtur ndonëse i plagosur e sfidoi disa herë vdekjen në mejdanet për liri me zhupanët e Serbisë, pra për Enver Haradinaj.
Enveri u mbijetoj plagëve të lirisë, në betejat për çlirimin e Kosovës, i sherbeu Atdheut në TMK, por dora gjakatare e këputi në mes jetën e tij, në lule të rinisë me dt 15-të prill të vitit 2005.
Vrasje mizore e cilësoi Presidenti Rugova para 15-të vitesh.
Ditën e varrimit të tij e shpalli zi kombëtare.
Rugova e quajti vrasje barbare që kishte qëllim të destabilizonte Kosovën, vrasjen me pusi të pabesë të Enverit.
Vrasjen makabre të Enverit e ëenuan Kryeministri i Kosovës Kosumi, kryeministri i Shqiperisë Nano, partitë politike në Kosovë, i gjithë opinioni publik, mbarë shqiptaria, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare.
Ajo mendje diabolike e dorë kriminale kishte shpresuar që me këtë vrasje të realizonte një skenar ogurzi për Kosovën.
Dora kriminale e vrau në mënyrë të pamëshirshme djaloshin e luftës.
Vdekja e rrëmbeu përbindshëm në kthertrat e saj.
Jeta e tij ishte mjaft e shkurtër, por i mjaftoi për ta shkruar emrin me shkronja të arta në Panteonin e Kombit.
Ky kurth i kurdisur për të dëmtuar rëndë Kosovën u shkreh falë maturisë, qetësisë olimpike, vizionit, largpamësisë, misionarit të vazhdimësisë së sakrificës për Kosovën të burrështetasit Ramush Haradinaj nga fjala e tij mentare para më shumë se njëqindmijë pjesëmarrësve që kishin ardhur për të përcjellur Enverin për në banesën e fundit.
Citoj:
“Të gjithë ju të pranishëm sot këtu që keni ardhur nga mbarë trojet shqiptare për të ndarë me ne dhimbjen, vuajtjen tonë dhe për t’i dhënë lamtumirën vëllait tonë Enverit, birit të Kosovës, në emër të Familjes Haradinaj ju falenderoj të gjithëve.
Kjo mbledhje e jona sot përfshirë të gjithë ne, familjet e deshmorëve të luftës dhe ish luftëtarëve, të institucioneve të larta të Kosovës, institucioneve ndërkombëtare, gjithashtu vëllezërve tanë nga Shqipëria, Maqedonia, Presheva, Mali i ZI, Diaspora, përfaqësuesve të besimeve fetare dhe organizatave të tjera, është një ngushëllim shumë i madh për ne, familjen tonë.
Kjo që ndodhi ishte e papritur dhe e vështirë.
Mënyra me e mirë, rruga e duhur, me efektive për të mbrojtur jetën e qytetarëve tanë, për të mbrojtur Kosovën, për t’u siguruar se nuk do të këtë më dhimbje në Kosovë, për asnjë familje shqiptare, për të mbrojtur çdo qytetar të Kosovës është mbështetja e procesit politik në Kosovë”.
Në 15-të vjetorin e Enverit, Ramush Haradinaj shkruan:
“Në luftë sfidove disa herë vdekjen në fushëbetejë, por padrejtësisht të rrembeu në agun e lirisë. Ne vazhdojnë luftën për ti dhënë drejtësisë dimensionin e lirisë”.
Megjithëse kam qenë disa herë mysafir në familjen kreshnike Haradinaj, nuk kam pyetur se kush e ka pagëzuar me emrin e Shkëlzenit madhështor djaloshin trim të Kosovës.
Shkëlzen Haradinaj është një simbol i ri i qëndresës shqiptare, i cili luftoi 6-të vjet me stoicizëm titanik, me vitalitet të pashoq, me trimeri të rrallë në betejat e përgjakshme për çlirimin e Kosovës.
“Trim si zana” siç thotë populli”.
Ai rrjedh nga familja Haradinaj, e shquar për kontribut të madh patriotik brez pas brezi, e cila i dha luftës për liri 4 gjeneralë dhe tre deshmorë, dhe deshmorin 14-të vjeçarë Himen nga i njëjti trung, Kosovës simbolin e pamposhtur të qendresës, misionarin pa të dytë, De Golin shqiptar, ish Kryeministrin Ramush Haradinaj.
Shkëlzen Haradinaj është përfshirë qysh herët në UÇK, në ilegalitet që në vitin 1993 sëbashku me Luanin që ishte shtylla kurrizore e saj.
Shkëlzeni gjatë luftës mbante nofkën “Skifteri” dhe “Xeni”.
Populli thotë “Trimi i mirë me shokë shumë”.
Ai ishte mik me Adrian Krasniqin, Zahir Pajazitin, Rexhep Selimin, dajën e tij Lahi Brahimaj.
Por ai pati fatin si askush tjetër, të ketë në krah bashkëluftëtarë e shokë ideali, vëllezërit e tij trima Ramushin, Luanin, Enverin, Dautin Frasherin, Bacën e luftës Ilmiun dhe motrën e tij Meremen.
Shkëlzeni në gjashtë vjet luftë të pandërprerë demonstroi guxim të rrallë, trimëri të pashoqe, aksionist e guerilas i jashtëzakonshëm.
Ai ka një bilanc të madh luftërash fitimtare.
Çeta e tij gjatë luftës ilegale me aksionet e rrufeshme, të ngjashme me ato të Çerçiz Topullit dhe Azem Galicës u bë tmerri i armikut.
I goditi agresorët panderprerë, natën dhe ditën, në strofullën e tyre dhe i bëri t’u dridhet toka nën këmbë.
Sëbashku me njësitin e tij u tregua mjeshtër i pritave dhe aksioneve shkatërrimtare kundër armikut.
Veçojmë 29-të gushtin e vitit 1995-të ku u vranë dy policë serbë dhe u plagosën disa të tjerë, si dhe aksionet e 12-të shtatorit 1997-të dhe 27-të nëntor 1997-të ku vriten disa policë serbë.
Rënia heroike e Luanit me 6-të maj 1997-të nuk e ligshtoi, përkundrazi dhimbjen e ktheu në forcë.
Vetëm brenda një nate me shokët e tij ndërmori 22 aksione të armatosura kundër bazave militare serbe.
Me dt 24 Mars të vitit 1998 Shkëlzen Haradinaj dallohet si luftëtar i shkëlqyer përkrah vëllezërve, Ramushit, Dautit, Enverit, Frashërit Bacë IImiut, Bujarit, motrës Meremes.
Në këtë dyluftim të përgjakshëm mbetën në fushëbetejë Agron Mehmetaj, Gazmend Mehmetaj dhe Hime Haradinaj dhe u plagos Ramushi.
Ushtria serbe pësoi dëme të mëdha dhe u detyrua të terhiqet.
Më vonë në luftimet e zhvilluara në Baballoq, Shkëlzeni plagoset në nofull dhe në krahëror.
Pas plagosjes rëndë të Enverit dhe plagosjes së Dautit me dt 9-të gusht 1998-të, në frontin e Gramaçelit forcat serbe po i afroheshin shtabit në Gllogjan, Shkëlzeni shtrëngon plagët e vjetra dhe gjindet në ballë të frontit për ditë të tëra.
Ai është barrikadë e pathyeshme përballë kasandrave të njëpasnjëshme nga armiqtë dhe ishte faktori kryesorë i përballimit të ofensivës të Ushtrisë Serbe të shtatorit 1998-të.
Gjithmonë kryente me sukses detyrat e ngarkuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare.
Gjatë një aksioni gueril në prapavijë të armikut plagoset përsëri me dt 14-të nëntor 1998-të, në rrugën Deçan- Gjakovë ku u vranë 6-të policë serbë.
Falë zgjuarsisë dhe guximit të Shkëlzenit dhe luftëtarëve të Brigadës 131 ‘Jusuf Gervalla’ dhe Brigadës 134 u bënë digë e pakalueshme dhe e pathyeshme, varr për armikun.
Për 9-të ditë 9- 18 janar 1999 luftëtarët e lirisë qëndrojnë stoikisht duke e thyer keq Ushtrinë Serbe, e duke i detyruar të kthehen mbrapa.
Edhe në këtë betejë Shkëlzeni merr plagë të reja.
Shkëlzen Haradinaj shquhet në betejën e Pozharit historik zhvilluar me dt 27-të mars – 2 prill 1999-të, çka i detyroj forcat serbe të terhiqen dukë lënë dhjetëra të vrarë, mes tyre dhe oficerë të lartë.
Me dt 5 prill drejton operacionin e tërheqjes së 40-të të plagosurve.
Me dt 16-të prill në malet e Maznikut në një betejë të ashpër gjoks për gjoks, dhëmb për dhëmb me forcat serbe per të mbrojtur popullatën civile në Bardhaniq Shkëlzen Haradinaj ra heroikisht në Altarin e Atdheut së bashkua me shokët Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj, Hasim Halilaj.
Luftimet ishin të rrepta, në afërsi deri në 2 m.
Disa herë Shkëlzeni me shokë ua kthenin bombat e serbëve që hidhnin në drejtim të tyre.
Deri në qiell jehonte kënga e luftëtarëve të lirisë.
Këndonin dhe luftonin panderprerë.
Shkëlzenin më të fortë se shkëmbi, me madhështinë e bjeshkës që mban emrin e tij, nuk e rrëzoi plumbi i armikut që e mori në gjoks, por ashtu i plagosur si gladiator nuk ndalet, por vret nje polic serb.
Por kur e merr plumbi në ballë bie për të mbetur i pavdekshëm në përjetësi.
Bashkëluftëtarët e tij nuk besonin kurrë që mund të binte Shkëlzeni, siç nuk mund të rrëzohet Shkëlzeni madhështor nga asnjë lloj termeti, sado i madh të jetë ai.
Ai ra së bashku me bashkëluftëtarët e tij trima
Fatmirin, Luanin, Hasimin për të mbetur në panteonin e lirisë.
Kushurinjtë Nimanaj dhe Hasimi ishin pjesëmarrës në betejat e përgjakshme ku u shquan për sakrificë e vetmohim për të mposhtur ushtritë e shumta të serbëve.
Në këto beteja u plagosën disa herë dhe pa u shëruar plagët e vjetra merrnin plagë të reja.
Trimat e UÇK- së dilnin në fushë të mejdanit pa u tharë gjaku dhe pa u shëruar plagët e vjetra. Ata i shtrëngonin fort ato dhe në dylyftimet e ashpra që i prisnin plagoseshin përsëri, por nuk dorëzoheshim si Muji e Halili përballë krajlive serbe, si Gjergj Elez Alia përballë bajlozëve të detit, si spartanët e lashtë në Betejën e Termopileve që luftonin me thonjë e dhëmbë përballë ushtrive perse të Kserksit.
Ata luftuan për çlirim kombëtar e bashkim të trojeve etnike.
Shkëlzen Haradinaj u pagëzua me emrin e Shkëlzenit madhështor pa e ditur se në shekullin e 20- të, në betejën më të madhe të shqiptarëve do ta mbante me nder këtë emër dhe qëndroi i patundur si Mali i Shkëlzenit ku janë murosur Muji dhe Halili, e përballë tij në lëndinat e Koshares prehet Omeri, të Shkëlzenit ku flenë legjendat e kreshnikëve, ku lodrojnë zanat ku rrëzë tij u ndesh Gjergj Elez Alia me bajlozët e detit.
Ai mori fuqi prej tij si Anteu në mitologji.
Sot mbushen 21 vjet pa Shkëlzenin, Fatmirin, Luanin e Hasimin.
Dje u mbushen 15-të vite pa Enverin.
Sot mbushen 21 vite nga renia heroike në Rrasë -Koshare e Fadil Malokut, Xhevahir Çaush Nitajt, Zeki Xhevat Shulemanjes, Zekiri Musli Dardhishtës, Selver Kreziut, Ismet Mustafës në Betejën e Koshares, ku u thye kufiri shekullor ndërshqiptarë, ku u flijuan për lirinë dardane 114-të deshmorë.
Por ata me veprën e tyre ishin të gjallë në 21 -vjetorin e Epopesë së Jasharajve dhe Haradinajve.
Ata ishin krushq lirie në 12-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës e Kushtetutës së saj.
Vepra e tyre eshtë shkruar në shkronja të arta në historinë e re të Kombit Shqiptar.
Prilli i pranverës i larë me gjak, prilli i lulëkuqeve që mbin nga gjaku i tyre eshtë pranvera e lirisë e denjë për antologji.
Prilli i Koshares, prilli i Maznikut, do të jënë në Enciklopedinë Kombëtare përkrah betejës së Shtimes dhe Slivovës të organizuara nga Ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kundër ushtrive turke që filloi me 18-të prilli të vitit 1881, ku u luftua trup me trup e dhëmb për dhëmb për çlirim kombëtar nga Perandoria më e madhe e kohës.
Akti heroik i Mic Sokolit i cili i vuni gjoksin topit të sulltanit me dt 21 prill të vitit 1881 ka mbetur testament krenarie e patriotizmi në breza.
Bilbili i kengës shqipe Fatime Sokoli e ka përjetësuar në memorien e Kombit tonë kryeveprën legjendare të Mic Sokolit.
“Mic Sokoli yll ndër yje
Me gjoks topin e ka shqye”.
Pa u tharë gjaku i Micit dhe trimave të rënë në betejë populli u ka ngritur këngën e pavdekshme:
” n’Fushë të Kosovës është lidh jezeri ( mjegulla)
Haj medet ka mbetë shumë njeri
Mic Sokoli e Smajl Hyseni
A mi patë Zmajlin e Micin
Fyt me fyt me Dervishin”. (Dervish Pasha)
Apo kënga:
” Ali Ibra në vraç të zi
Po i shkon gjaku për zingji (zingji të kalit).
Se k’tu i thonë shqiptari”.
E për të vazhduar:
“Sef Kosharja i pari i fisit
Hije t’paska maja e lisit
Hije m’ka o shokët e mi
Kam dhanë jetën për liri”.
UÇK- ja e lavdishme e ripërtriu Epokën e Gjergj Kastriotit (Skenderbeut), arkitektit të Nëntorit të Parë të Shqitarëve.
E përtriu Epokën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Epokën e Hasan Prishtinës, Isa Boletinin, Ismail Qemalit, Ded Gjon Lulit, Bajram Currit, Idriz Seferit, autorëve të Nëntorit të Dytë.
UÇK- ja realizoi Nëntorin e Tretë.
Trimat e UÇK-së ranë në fushëbetejë me këngë dhe me betimin e bajmë vdekjen si me le.
“Për Kosovën jap dy jetë
Vdekjen time e vras vetë”.
Me aktet e tyre heroike e përsëritën historinë e përjetësuar në këngë.
“Çka kanë retë që po vetojnë
Dy dragoj sot po luftojnë
n’Kaçanik e në Caralevë
Isa Begu me Idriz Seferin”.
Shkelzen Haradinaj vlerësohet me të drejtë si një nga herojtë më të shquar të luftërave për liri të Kombit Shqiptar.
Mal i përjetshëm i krenarisë dhe i qëndresës shqiptare.
Kenga popullore e ka bërë të pavdekshëm sëbashku me Luanin.
“Se luani dhe Shkelzeni janë ba Diell janë ba Hanë,
dritë përmbi Gllogjan”.
Ata ranë për të mbetur kushtrim lirie për vazhdimin e misionit ndaj Kombit.
Zanat e bjeshkëve ku pushonin trimat u xhelozuan kur eshtrat e tyre u morën për tu prehur përgjithmonë në varrezat e Gllogjanit në gusht të vitit 1999-të.
Lavdi dëshmorëve të Kombit që dhanë jetën për Atdheun.
Lavdi.