Cikël poetik nga Mustafa SPAHIU
BALADA PËR METUSH DAJKOCIN
– Në 30-vjetorin e vdekjes (1928-1986)
O, diell i arsimit – marathonomak – çatisur përpara,
– Me abetare çele sythat – kur nisi të na zhdukej fara!…
Ardhësit e zhgjebosur etnisë tonë donin t’i jepnin fund.
Si shqiponjë përballë stuhive u gjende qytet e katund.
Në atdheun e tkurrur, me afshin e zemrës i dashuruar –
As me ‘çlirimin’ e Kosovës – n’ofshamë i pangushlluar…
Herët grushtin e ngriti si rilindësit me këngët lirike, e –
Një gof shashtarie të rroku për bashkimin e trojeve etnike…
Marije Shllaku me tharm të bymur magjës të kishte ngjeshur,
Profesor Gjon Serreqi, flamurin kuqezi herët ta kish’ veshur.
– Tush[1], dëshmi besa jote, peng i ardhmërisë – fat i Prometheut,
Vizatove hartën etnike – mbi të ngule këmbën e Anteut, se –
Disa shqiptarë Shumadie nëpër gjemba kishin shkelur,
Ajme!, idetë e tua prej kokës tinzisht duke t’i vjedhur, dhe –
Qentë e tërbuar të shqerisë kur nuhatën erën e barotit,
Metush Dajkocit një ferku ia hodhën hekurat krye të motmotit.
Katandisur burgjeve ia shtuan torturat natë e ditë, varg e vi,
Udbashët e përbindshëm s’ngopeshin gjakun duke ia pi’…
Dhe asnjë fjalë goje s’ia nxorrën – mbetën të hakërruar;
As dhelpërisht dot s’ia dolën një sekond për ta përvetësuar…
Tetëmbëdhjetë vjetë burg të rëndë dhe katër në vetmi! –
Naçallnikët trandeshin n’ëndërr nga Metushi për trimëri…
Shqiptarët – të burgosurit e ndërgjegjës e quanin babazot,
Kryeideologu s’biente në krahët e pendimit, s’jepej dot…
Llapaqenve kur s’iu kërkoi mëshirë – Tush zemërshkëmbi,
– Kalanë e qëndresës as të alivanosur askush s’ia shëmbi.
– Njerëz, po se, them të vërtetën (mua) më plaçin sytë!
Atdhetar si Metush Dajkoci kombi ynë s’ka një të dytë…
Një gjakpirës i pamëshirshëm me këpucët speciale, oh –
Tushin e godiste kraharorit – shpirtin ia nxirrte ngadale!!!
Udbash kryemonstrumi Zymer Zymeri faqezi nga Deçani,
Ia shkurtoi jetën martirit – me lot zemre – qante vatani…
U shua vigani, iku kolosi – mëmëdheut dielloi parreshtur,
– Për veprat dhe modestinë – gjuha jonë nuk rri heshtur…
Zjarrmoi fjalë e artë skalitur me smilarët e rrezeve prore
Ta ngjatjetojmë tribunin tonë – shesheve nëpër përmendore…
[1] Të gjithë fëmijët e nipërit e Metush Krasniqit – Dajkoci, babain e tyre e kanë thirrur Aga Tush…
Në Vendlindje, e enjte, 19 tetor, 2006.
Në Shkup, e premte, 20/21 maj 2016
HASAN BEJ PRISHTINA
(1873 – 1933)
Deputet kryengritës, kryeministër dhe guximtar
Ideolog i pavarësisë – diell e mësues – për shkollarë…
– Për çlirimin e atdheut – shpirti i ndezur zjarr, dhe –
Me Ismail Qemalin – në shesh nderi – prijatar…
E ndiqnin përbindshat në çdo vend dhe grykë;
– Për liri turkoshakët i godaste me mykë…
Dhe Europës lanete se ndalte shtegtimin
Me rreze të arta – ëndërronte bashkimin.
Cuname kaptonte – sysopatë prente dredhira,
Të klikës së Serbisë – kuçedrave të pangira…
Hasan bej Prishtina – granit kur i pathyeshëm,
Me memorandume kancelarive i arsyeshëm…
Monarku tromaksej – tha – fjalën e mbramë:
“Hasani tagër të paguaj – domosdo i vramë!”
Duke ndjekur Ibrahim Çeloja – qenziu presparë,
Në Selanik e vrau pabesisht – Krezin shqiptarë.
O, Çelo horri, bastard që kur të polli nëna!
Në rrugën Çimisqi pse zbraze pesë të shtëna?!?
– Hasan bej Prishtina – Diell në përmendore…
Ti tradhtar i Prespës s’meriton as nevojtore.
E enjte, 3/5 shtator 2015, Vendlindje, Shkup
DAFINA E SHENJTË
Akrostik Musine Kokalarit, në 100-vjetorin e lindjes (1917-1983)
Muzë e muzave – hyjneshë pa kurorë,
U madhërove diturisht – me ninëza dielli! –
Safos i zbrisnin yjet për t’i dhënë polen qielli
Iliti lindjen e fëmijës ia ndal – mizorja dorë!
Nektari – kjo pije ta siguroi rinin’e përhershme,
E Bukura e Dheut tromaks Cerberin me zgjuarësi,
Kakusit – Ermira Velo – i kërkonte demokraci…
Orët “Doktoreshën e Letërsisë” e bën të përjetshme.
Kam 38 vjet që nuk di për familje – o çdo me thënë?!
Amanetet e panjohura flasin valixhes personale…
Luani i Nemeut e la beronjë – dot s’u bë nënë?!
Atropeja ia priste me gërshërë fijet e jetës,
Robiku ia fshiku rritën lules në male, dhe –
Idhulli adhurohet – me kultin e së vërtetës…
E shtunë/e diel, 18/19 fruer, MMXVII, në Dardani.
BARDI I FJALËS SË PAEPUR
– Në 100-vjetorin e lindjes së poetit Esad Mekuli (1916-1993)
Bard me diell në ballë – errësirës ndriçove,
Amanetin Tënd dhe gur’i truallit ta lëngëzon…
Cilësitë e shqiptarëve në vargje i madhërove –
Është pak “Për ty” Ndera e kombit “Jeta e re” – ngulmon!
Esad, or baba, çdo poet me djersë e ke rritur, e –
Sofrës arbërore këngën se ndale, lumë i heshtur,
Anës së anës kërkove – n’art për të na ngritur
Dashuri atërore na dhe me penë të parreshtur.
Me ninëza të përlotur asnjë shtrëngatë s’të trembi
Edhe Sezamin e bimësisë e hape ngadhnjimtar,
Kur të vërsuleshin, dot s’frikej zemërshkëmbi…
Urtinë dhe burrërinë ta lakmonte çdo zemëracar,
Lulet me pranverat për çdo përvjetor do amësojnë;
I falem madhështisë Sate – emërblertin e diellnojnë.
E hënë, 4 kallnor 2016, në vendlindje
VENDLINDJES PËRKUSHTIM
Lule më besnike – rrënjëthellë në bregore
Të gostitë me elikzir – dehesh me ngazëllim…
Rrugës së diellit Erosi me shigjetë harlisur prore,
Me fijet e Arianës pyjeve me dashuri në kërkim…
Do të ketë ëndrra – yll – magjinë dot s’ua gjeni…
Është strehë fshehtësie – dhimbje dhe përgjërim
Lotët e pasioneve të mia kurrë s’do t’i zhgënjeni,
Dhe qoftë Akili me kordhë do t’i kërkoj dyluftim.
Jam trishtil në fron – zërin simfoni – shpresëplot –
Urtësisht ndjell pranverë me zjarr për këngëtim…
– Nga konaqet e moçme s’shtegëtoi për jet’e mot.
Çurkajës së vargjeve tingujt jo s’kanë mbarim…
Në sythet e imazheve ti bija lirës ashtu si Orfeu
…për Euridikën me kurora lari teksa qe martuar…
Temida hyjnore për vendlindjen s’më gënjeu,
– Në kandar drejtësie lëkurën duke ma peshuar.
Me këngë e verë them: e dua at cep të mëmëdheut,
Me prehje e agmi frymëzimi për te këndova i pari…
Shpirtërisht i lidhur për truallin si këmb’e Anteut,
Mburrem me të nëse më ngjesin veshë gomari…
Do t’i dal Zot!, sikur të zotit qeni më i bindur,
Me trimëri të Herkulit – fuqishëm e përshëndes…
Si Asklepi njerëzit do t’i shëroja – këtu kam lindur,
Po të ringjallem si Adonis i them mirëmëngjes!
Në vendlindje, e mërkurë, 1/22 maj 2013.
VALLJA E VRANJËS
– Valle popullore e moçme mbi 200 vite
Dasmave shqiptare kur luhet kjo valle, dhe –
Osman Taka me kordhë e deshi me afshin e trimit!
Vargu i valltarëve bëhet – Shqiponjë krahëmadhe –
Bien zurnatë orfejane – topa daullet e kushtrimit…
Vallja e Vranjës hidhet me takt stinëve përngaherë,
Tok me vendësit e rreptë – skifterët e Hashanisë, –
Plisat borë, tirqit ngjeshur – këmbët iu bëhen erë,
Ndezën si barut truallit mbi gjurmët e shqerisë.
Vallja e Vranjës në çdo dasmë paq përhirohet,
Heqësi i vallës prijatar rribë më rribë Kosovës,
Kjo bukuri e hijshme me nuset trimërohet, se –
Është simotër me “Shotën” dhe Vallën e Rugovës…
Me fajkonjtë e Vallës së Vranjës – gufllon zemra! –
Kërcejnë valltarët e zgjedhur, trimoshët e mirë, e –
Nga lëvizja e gjunit – rrufeshëm iu duket thembra,
Ujëvare magjepsin këngët – simfoni gjuhë e dëlirë.
Dhe Vallja e Vranjës i ka tiparet më burrërore
Qëndismën e folklortë populli ngaherë e mbëltoi…
Përkujtim’i lashtë – papandehur nëpër oborre;
As atje në kurbet Vallën e Vranjës kush se harroi…
Në vendlindje, maj 1996, në Dardani, shtator 2016.
QËNDRESA E VARGUT
“Kur lufton i vogli për emër të vet,
Edhe n’ja k’putësh duart, me zemër t’vret”
(Enver Gjerqeku, 1928-2008)
Qëndro vargu im në majë të gjilpërës
Qëndro vargu im para kalecëve të ferrit
Qëndro vargu im – turrju flakës së Luciferit
Qëndro vargu im gamile mbi prush të rërës
Qëndro vargu im kanionit më të vështirë
Qëndro vargu im pa ulë kokë gjer në këputje
Qëndro vargu im tempujve fare pa bërë lutje
Qëndro vargu im duke mos kërkuar mëshirë
Qëndro vargu im muzgjeve të pafund
Qëndro vargu im – shëro plagë të pashëruara
Qëndro vargu im – mos ik rrugëve të penduara
Qëndro vargu im me një mijë kuintalë mund
Qëndro vargu im më gjatë se trung ulliri
Qëndro vargu im krenar shtrezeve të fatësimit
Qëndro vargu im urisë së uritur të durimit
Qëndro vargu im – drithë – nën gurë mulliri
Qëndro vargu im me dhembje të sertë
Qëndro vargu im pafajshëm kur të vrasin me sy
Qëndro vargu im përballë shqotës jam me ty
Qëndro vargu im – prite rrufenë e mnertë
Qëndro vargu im nën damarët e lëkurës
Qëndro vargu im – duan të thyejnë me mëri
Qëndro vargu im hapësirës fluturo në liri
Qëndro vargu im – bëju qemer i çdo urës
Qëndro vargu im nofullave të hienës
Qëndro vargu im pa të mekur n’imazh lakmia
Qëndro vargu im kujdes e zezë është bukuria
Qëndro vargu im me durim Jobi barkut të balenës
Qëndro vargu im – para mallkimit ti hesht
Qëndro vargu im – thinja rrashtën ta gërmon
Qëndro vargu im kur urrejtja kocka thermon
Qëndro vargu im –i verbëri të ndrydh si plesht
Qëndro vargu im mos e shtang gjuhën pa nevojë
Qëndro vargu im nga truri e zemra ke lindur
Qëndro vargu im – kurrë i nënshtruar, i pabindur
Qëndro vargu im shpreshherë i vënë në peshojë
Qëndro vargu im më i urtë se Demosteni
Qëndro vargu im qëndresë shtigjeve të pakaluara
Qëndro vargu im i pathyer furtunave të tërbuara
Qëndro vargu im – fanar në dorë Diogjeni
Qëndro vargu im si lumë i palodhur prore
Qëndro vargu im delli i ballit – mbiu nga dheu
Qëndro vargu im – këmbëngulitur si Anteu
Qëndro vargu im nursyçelur në fjalën burrërore…
E diel, 5 prill 2015, në Shkup.