Dr. Besnik JAKAJ: Pandemia dhe sjellja jonë me të!
Së pari, dua të theksoj qasjen e qeverisë dhe të drejtueseve të sistemit shëndetësor, sigurisht të frymëzuar nga përfitimi politik, dolën me strategjinë e centralizimit të menaxhmit të virusit, por me një qëllim, që të kontrollohet informacioni dhe transparenca dhe u dha direktiva, menaxhimi do bëhet nga Urgjenca Kombëtare (127-ta) dhe Spitali Tnfektiv; kuptohet që drejtusit janë tanët, thjesht na duhet të rekrutojmë edhe disa specialistë me njëfarë emri në këtë fushë (për fatin e mirë apo të keq, ka pasur, ka, edhe do të ketë specialistë të tillë).
Specialistë që kanë pranuar, madje janë vënë në garë, kush t’i shërbejë më shumë pushtetit, edhe duke qenë të bindur që profesionalisht po bëjnë gabim, po dëmtojnë vendin e tyre dhe të ardhmen e brezave, vetëm që të përfitojnë diçka, qoftë edhe dritaren mediatike për të reklamuar aftësitë (që në fakt shfaqin herë pas here mediokritetin).
Kësisoi virusi “u mirëkontrollua” nga 127-ta.
Ndonëse janë me qindra dhe mijëra raste që kanë telefonuar pa fund tek 127 -ta, nuk kanë marrë asnjë lloj shërbimi mjekësor, madje madje asnjë lloj rekomandimi shëndetësor profesional, vetëm fjalinë fikse, rri në shtëpi, nuk ke Covid, ke grip!!!
Dhe me të drejtë…
Sepse në fakt, Urgjenca Kombëtare e ka të pamundur, me mjekët, autoambulancat, pajisjet që ka dhe me fluksin e jashtëzakonshëm që ka virusi, përfshirë edhe shtrirjen territoriale.
Nuk dua në asnjë raste të mohoj punën dhe vetëmohimin e pa shembullt që ka bërë stafi i Urgjencës Kombëtare dhe Spitali Infektiv, duhet të ju jemi mirënjohës për jetë për atë që kanë bërë dhe po bëjnë, por keqmenaxhimi me synim përfitimin politik i ka ngarkuar me një detyrë që nuk e bëjnë dot, edhe sikur të kishin njëqind fish kapacitetin që kanë.
Sot pas katër javëve menaxhuesit tanë mendjendritur pa kërkuar të falur, pa thënë asnjë fjalë për gabimet fatale që kanë bërë në qasjen e tyre, proklamojnë involvimin e shërbimit parësor dhe mjekut të familjes në menaxhimin e pandemisë, sikur është shpikje shkencore autentike e mendjendriturve, (faktin se që ditën e parë kanë insistuar me ngulm shumë specialisë të kësaj fushe, pavarësisht vështirsive që kanë pasur nga censurimi qeveritar, nuk e përmend askush).
Madje specialistët e rekrutuar bëjnë sikur nuk e mbajnë mend kur e kanë kundërshtuar me forcë “shkencore” që nuk duhet bërë ky gabim, se nuk e bën asnjë vend evropian.
Tani mendjenditurit dhe sepecialistët e rekrutuar po shikojnë se e gjithë bota e paska filluar menaxhimin e pandemisë nga shërbimi parësor, pra nga mjeku i familjes dhe nga shëndeti publik, por tani bëjnë sikur nuk mbajnë mend çfarë kanë thënë e çfarë kanë bërë.
Së dyti, media ka një rol të jashtëzakonshëm në informimin e publikut dhe bërjen e transparencës në mënyrë profesionale, sidomos në luftë pandemike, konflikte civile etj.
Media jonë në rastin e pandemisë papërjashtim, ka bërë një punë të jashtëzakonshme me ndërgjegjesimin e popullatës për rrezikun që paraqet virusi, për bërjen publike të rekomandimeve të specialistëve të shëndetit dhe detyrat që duhet të zbatojë çdo qytetar, për zbatimin e masave restriktive që qeveria ka marrë në shërbim të mbrojtjes së shëndetit të tyre etj.
Por për mendimin tim nuk ka bërë një punë profesionale në përmbushje të misionit të saj thelbësore për transparencën e menaxhimit të pandemisë, gjithmonë në mendimin tim, transparenca është thelbi i gjithçkaje, transparenca është armiku më i madh i paaftësisë, i keqmenaxhimit, i korrupsionit, i autokracisë etj.
Transparenca sidomos në situatat e lartpërmendura është ose virtyt i qeverisë, ose duhet ta bëjë media në shërbimin hyjnor të misionit që kanë dhe në shërbim të brezave që do të vijnë, në të kundërt nuk ndodh kurrë dhe nësë nuk ndodhë, është një fatalitet humane dhe historik.
U ndala vetëm në këto dy pika të kësaj situate të vështirë që po kalojmë, se tani për tani këto të dyja janë thelbi i asaj që po kalojmë, por pasojat janë padiskutim shumë dimensionale.