Inteligjenca Artificiale një kërcënim në shkallën e pandemisë, por nuk do të sjellë fundin e njerëzimit
Nga Lord Martin Rees
Kompjuteri “AlphaGo Zero” i kompanisë Deep Mind’s mundi kampionët njerëzorë në shah. Atij iu dhanë vetëm rregullat dhe u “stërvit” duke luajtur miliona lojëra kundër vetes brenda pak orësh. Këto ishin arritje mbinjerëzore, të mundësuara nga shpejtësia dhe ruajtja më e madhe e memories së elektronikës sesa ka mundësi truri ynë prej mishi dhe gjaku.
Për shkak të shpejtësisë së saj të përpunimit gjithnjë e në rritje, Inteligjenca Artificiale mund t’i përballojë sfidat më mirë sesa njerëzit, për shkak të rrjeteve të pasura me të dhëna në ndryshim të shpejtë. Pasojat e kësaj për shoqërinë tonë janë tashmë të dukshme.
Nëse dënohemi me burg, këshillohemi të kryejmë një ndërhyrje kirurgjikale, apo nëse na jepet një vlerësim i dobët nga banka ku synojmë të marrim kredi, do të prisnim që arsyet të ishin të arritshme dhe të kontestueshme nga ne.
Nëse vendime të tilla do t’i delegoheshin tërësisht një algoritmi, do të kishim të drejtë të ndiheshim të shqetësuar, madje edhe nëse do të na jepeshin prova bindëse sesa mesatarisht, sepse makineritë marrin vendime më të mira se njerëzit. Sistemet e AI do të bëhen më ndërhyrëse dhe më të përhapura.
Regjistrimet e të gjitha lëvizjeve, shëndetit dhe transaksioneve tona financiare janë në memorien kompjuterike, të menaxhuara nga një gati-monopol shumëkombësh. Të dhënat mund të përdoren për arsye dashamirëse (për shembull për kërkime mjekësore, ose për të na paralajmëruar mbi rreziqet shëndetësore fillestare)
Por disponueshmëria e tyre nga kompanitë e internetit, po e zhvendos tashmë balancën e fuqisë nga qeveritë tek konglomeratet që shtrihen në mbarë globin. Është e qartë se makineritë do të marrin përsipër pjesën më të madhe të prodhimit dhe të shpërndarjes me pakicë.
Ato mund të plotësojnë, në mos po edhe do të zëvendësojnë shumë punë që sot kryhen nga punëtorët e kualifikuar:kontabilitet, kodim kompjuterik, diagnostikim mjekësor dhe madje edhe kirurgji. Në fakt, unë mendoj se nga shfaqja e ChatGPT, është në rrezik profesioni i avokatit.
Sepse vëllimi i gjerë i literaturës juridike mund të përthithet i gjithi nga një makinë. Në të kundërt, disa punë të kualifikuara në sektorin e shërbimeve – për shembull hidrauliku dhe kopshtari – kërkojnë ndërveprime jo rutinë me botën e jashtme, dhe do të jenë ndër punët më të vështira për t’u automatizuar.
Revolucioni dixhital gjeneron një pasuri të madhe për novatorët dhe kompanitë globale. Por ruajtja e një shoqërie të shëndetshme, do të kërkojë me siguri rishpërndarjen e kësaj pasurie. Në fakt, për të krijuar një shoqëri humane, qeveritë duhet të rrisin shumë numrin dhe statusin e atyre që kujdesen për të moshuarit, të rinjtë dhe të sëmurët.
Aktualisht janë shumë pak të tillë, dhe ata janë të keq-paguar dhe të pasigurt në pozitat e tyre. Kompjuterët mësojnë sesi të identifikojnë qentë, macet dhe fytyrat e njeriut duke “përzgjedhur” përmes miliona imazheve dhe jo siç mësojnë foshnjat.
ChatGPT është trajnuar duke “lexuar” të gjitha fjalët në internet, dhe duke mësuar se si ato lidhen bashku për të bërë fjali. Por ai “kupton” vetëm fjalët, dhe jo gjërat. Ndaj të kuptuarit e botës aktuale, nuk do të jetë aq e lehtë për të. Ai përfshin vëzhgimin e njerëzve në shtëpitë apo vendet e punës.
Një makineri nuk do t’i përshtatej ngadalësisë së jetës reale. Për to, e përditshmja jonë është si të shikosh bojën teksa thahet. As sensorët elektronikë, nuk mund të përputhen me ato biologjike. Në të vërtetë, robotët janë akoma më të ngathët se një fëmijë kur bëhet fjalë për lëvizjen e pjesëve në një tabelë të vërtetë shahu.
Ato nuk mund të kërcejnë nga pema në pemë siç bën një ketër. Atëherë, çfarë duhet të na shqetësojë më shumë? ChatGPT do të na përballë me siguri me anët negative të kompjuterëve ekzistues dhe mediave sociale:foto dhe video të lajmeve të rreme, postime ekstremiste të pa moderuara e kështu me radhë.
Titujt bombastikëve të lajmeve të kohëve të fundit, kanë cituar disa ekspertë që flasin për “zhdukjen e njeriut”. Ky mund të jetë një vlerësim i tepruar, por keqpërdorimi i AI është sigurisht një kërcënim i mundshëm shoqëror në shkallën e një pandemie.
Shqetësimi im nuk është aq shumë skenari fantastiko-shkencor i një “marrëveshjeje” nga super-inteligjenca, sesa rreziku që ne dhe në fakt e gjithë infrastruktura ekonomike dhe sociale e botës të bëhemi të varur nga rrjetet e ndërlidhura, dështimi i të cilëve do të çojë në dëmtim të rrjetit elektrik apo të internetit, gjë që nga ana tjetër mund të shkaktojnë një përçarje sociale me përmasa globale.
Rregullimi është më se i nevojshëm dhe risitë si ChatGPT, duhet të testohen plotësisht përpara vendosjes në përdorim të gjerë, në analogji me testimin rigoroz të barnave, proces që i paraprin miratimit nga qeveria. Por rregullimi është një sfidë e veçantë në një sektor të ekonomisë të dominuar nga disa konglomerate të mëdha shumëkombëshe.
Por le të vazhdojmë më tej. Po sikur një makinë të zhvillonte një mendje të vetën? A do të qëndronte urtë, apo do të “bëhej mashtruese”? Librat futuristikë portretizojnë një “anë të errët” të një teknologjie të tillë – ku AI del nga kutia e saj, depërton në internet dhe ndjek synime që janë të gabuara në raport me interesin e njerëzve.
Disa ekspertë të Inteligjencës Artificiale, e marrin seriozisht frikën ndaj kësaj teknologjie. Por të tjerë, si Rodney Brooks (shpikësi i robotit Baxter), i konsiderojnë ato si të parakohshme, dhe mendojnë se duhet të kalojë shumë kohë përpara se AI të na shqetësojë më shumë sesa marrëzia e vërtetë.
Personalisht, mendoj se ka të ngjarë që makinat të arrijnë dominimin në epokën post-njerëzore. Kjo sepse ekzistojnë kufizime kimike dhe metabolike për madhësinë dhe fuqinë përpunuese të trurit organik. Ndoshta jemi afër kësaj faze.
Sipas çdo përkufizimi mbi “të menduarit”, sasia dhe intensiteti i punës që kryhet nga truri njerëzor, do të tejkalohet plotësisht në një të ardhme të largët nga puna e Inteligjencës Artificiale. Për më tepër, biosfera e Tokës nuk është aspak optimale për AI.
Hapësira ndërplanetare dhe ndëryjore, do të jenë arena e preferuar ku fabrikuesit robotikë do të kenë hapësirën më të madhe për ndërtim, dhe ku “truri” jo-biologjik mund të zhvillojë njohuri shumë përtej imagjinatës sonë.
Por ne njerëzit nuk duhet të ndihemi shumë të përulur. Edhe pse me siguri nuk jemi dega përfundimtare e një peme evolucionare, ne mund të kemi një rëndësi të veçantë kozmike për fillimin e tranzicionit drejt entiteteve me bazë silikoni (dhe potencialisht të pavdekshme), duke përhapur ndikimin e tyre shumë përtej Tokës dhe duke i kapërcyer shumë kufizimet. / “The Independent” – Bota.al