Nexhat Halimi: Në të njëjtën karantinë
Cikël poezish nga Nexhat Halimi
I. Zjarri i kthimit, e hënë
Mbyllja në karantinë për t’i ikur koronës zgjimit të prekjes
Të arritur para derës nën dry me qenin në zinxhir të vdekjes
Këtë të hënë të metaltë të mbështjellë me teshtitje dhe ethe
E ndiej vetminë mes degësh nga e presin qiellin mbi gjethe
E ndiej trokun e rënies në gjëra gjysmë të fjetura të koronës
Kjo prekje pa ndjenjë në këtë mëngjes ende vjen kolonës
Më end ndër rrugët e vjetra të harruara e ende prapë gjallë
Me zjarrin e vet gjysmë të fikur ndonjë pjesë vetes rri kall`
Më rizgjohet fëmijëria ndër lule të xhenetit në dumnicë
Apo ikja para thikës së egër serbe nga fati epik i toplicës
Me dimrin e ashpër në ecje vdekjet tashmë veç në kujtesë
Me ndonjë valixhe në dorë e fëmijët e ënjtur në rrugë të gjatë
Të arrij te kjo mbretëri e pandemisë pa dritë e pa shpresë
Natyrisht në karantinë në pritje të ilaçit të dal nga kjo natë.
II. Vetmi në dritare, e martë
Ngjitet përsëri e marta në pandeminë e shpërthyer të zonës
Ta ec prapë rrugën e shkëputur të librit të zjarrit të kthimit
Unë ec e ec ndërmjet fjetjes së gjatë hirit dridhjes e zgjimit
Vjen e shtohet e dhembshmja në vetminë e gjatë të koronës
Zjarrmia kolla e frika e radhisin mendimit ecjen e vetmisë
Në hamendje flasë gjithnjë një copëz të këputur të poezisë
Kushtuar shpirtit të fikur dhe pjesës tjetër kaq larg të tretur
Ndërmjet pjesës së vetëvrarë hirit e zjarrit pjesërisht të fjetur
Ndjek me shikim majat e degës së pemës së vetmuar e të gjatë
Hënës mbi kodrinë e yjeve të shpërndarë në vitet e etur
Unë i vogël nga shkoj e kthehem jetës së ikur thellë në natë
Matem me veten tashmë `i plak me mjekër të thinjur fare
Shikohem mallëngjyeshëm e ka vjet ka rënë vetmi në dritare
Ja si ka ndërruar fytyra si ka pësuar kurmi dhe është tretur.
III. E vetmja gjë në lëvizje,e mërkurë
Natyrisht e vetmja gjë në lëvizje patjetër është ylli i ri i kthimit
Njëjtë siç u kthye nëna nga përtej oqeanit në udhëtim të gjatë
Të varrosej pranë dy djemve të vdekur e vajzës së vogël të pafat
Arriti dhjetë ditë me vonesë të shtrihej në tokën e vet të zgjimit
Ajo ëndërroi të mbetej amshuam në dumnicë e unë kaq vjet kot
E përgjoj zemrën në trokun e vet me ritëm të pavdekshëm në hi
I rri tërë natën pranë të sëmurit të shtrirë për të vdekur në vetmi
Pres me padurim dikë a diçka dhe përgjoj udhët e toplicës me lot
Natë e gjatë e lodhur e pandemisë së virusit të vdekjes korona
Lëvizjet janë ndaluar e udhës përreth shtëpisë bien orë të vona
Hapi e ndjek tjetrin e kumbojnë me ashpërsi të drunjtë të mpirë
Tri herë rënë në gjumë gjatë ditës së mërkure e asgjë s’ngjet
Veç mendimet më lidhin me botën e qiellin kaq të përshkëllirë
Mesnatë vetmi e plotë ç’ndodh me hënën zot hija me veten flet.
IV. I vetmuar në gjëra e asgjë, e enjte
Asgjë s` ik tashmë as nuk vjen te dera e oborrit bie vetëm natë
E enjte me gjak psherëtimës së frikës shtrihet flakës së qiririt
Prek hijedritën i vetmuar në gjëra e asgjë dot nuk zgjohet hirit
Kolona ditësh shkruhen në pusullën në mur me kollë të thatë
Afër është agu me lule qershie e shtëllunga shtëllunga bie borë
Gruaja e vajza në dhomën tjetër kanë zënë ndonjë ëndërr flutur
Jashtë strehët kanë krijuar qiri akulli e përplaset erë e bukur
Në gjërat fjetur përgjysmë troket me ritëm zemre e vetmja orë
Veç pakëz pa lind dielli dëgjohet nga xhamia e afërme ezani
Shikoj në mur portretin e shqiponjës me dy koka e aty jatagani
E foto me të vrarë e plaka e nëna në kolonë me fëmijë në gji
Zot nga ecën ky popull këmishë shqyer zemër thyer nga ik kot
Ik vjen prapë e përsëri ndiqet vritet e çel varre për liri në vetmi
Asnjëherë i dorëzuar asnjëherë i pikturuar kurrë në sy me lot.
V. Bredhje pa cak, e premte
Udhëtim i vështirë në mes dy stacionesh lëviz veç pak
Njëri e ka biletën për stacionin te arti i dyti ec pa biletë
Të arrijë te stacioni te pema e mbetur pa asnjë fletë
Tjetri ec zvarrë udhën me gunga bredhë pa ndonjë cak
Kanë çelur lule të bardha në gema të kuqërremtë në qershi
E shkruajë qiellin kaq bukur me pamje e ritme cik cak
Për dritare të kullës derdhet dritë e hënës gjithë në gjak
E unë bëj përpjekje të bëj skicë të shkruaj për ty poezi
Në rrugën Ali Hadri vjen e premtja për të tretën herë
Ec heshtur mbi vete pa lojë e biseda me hije në dritare
Veç me ndonjë tundje koke me njëri tjetrin pa fjalë fare
E kolona ec e plakem i dërmuar në karantinën në erë
Shpërthejnë kujtime për ty dhe aty për aty prapë vdesin
Me duart zgjatur unë e hija vdekjen tashmë e presim.
VI. Figurat e shahut, e shtunë
I heshtur i radhis figurat e shahut në tabelën bardh e zi
E luaj kalin në eL e ec i drunjtë fushës së pafund në largësi
Njëherë shihem pak e me t`u larguar vetvetes në brendësi
Iku për kurriz të kodrës të prek gjithnjë dhembjen në gji
E shtuna me gjuhë të nxjerrë jashtë dihat te rrapi qind vjeç
Me strajcë të verdhë karhaqafe ec të arrij në lyth të kurbetit
E nis gjahtarin rrugës së hapur nga ushtari para mbretit
Diçka apo ndokush lëviz zbritjes sime më del para për dreq
Do të humb apo do të fitoj në këtë lojë të ngatërruar shahu
Nën vetëtimë të lulëzuar qiellit të thyer në kalimin ujit
Mbaj drejtpeshimin vigut të vjetër me një gur në cep krahu
Më bie këpuca e çjerrë fluturim nga ecja e gjatë në jetë
Çfarë lëviz bregut tjetër është hija ime e vetmuar apo e kujt
Diçka e njohur shpërfaqet nën gjak e prapë humb e qetë.
VII. Në të njëjtën karantinë, e diel
Prapë e diel prapë në të njëjtën karantinë e sytë në gjumë
Koha ik çastit të tretur mund t`ia gjesh nesër veç gjurmët
Nata bie mbi qiri dhe digjet e ndonjë gjë e vetme e gurtë
Vështron nga vetmia e vet e thellë me rrënjë e rënë në lumë
Çdo gjë rrjedh apo është ndalur dhe tashmë shikon vdekur
Ti bredh ndër kujtime përshkon çastet datat ngjarjet mitike
Shkruan brenda vetes diçka të panjohur të fshehtë mistike
Kalon nëpër gjëra të pakuptueshme vetëm me të prekur
Secilën të diele e marrë të fundit dhe luaj me të kaq në vaj
Natyrisht veç pse kjo mund të jetë dita e daljes nga ky hi
Nesër s` punon barnatorja në të cilën blen ilaçe për vetmi
E kujtoj rrugën e kaluar dhiares me vurrata e me lot shi qaj
Si të më nxjerrin nga ky ankth të më bartin për dumnicë
Apo të më mësojnë të dua të vdes e të kthehem në toplicë.