Albspirit

Media/News/Publishing

Azgan Haklaj: Për ty, Kosovë!

  Një kokë për një pëllëmbë tokë.

Me shumë deshën lirinë se jetën, Atdheun se vehten.
Përjetësisht s’na ndan ma guri.
Shqiptarët startuan mrekullisht në mijëvjeçarin e tretë të historisë së tyre.
21- vite më parë, Kosova, epiqendra e qëndresës kombëtare për liri e pavarësi, djepi i nacionalizmit shqiptar, i kuvendeve të mëdha e kryengritjeve të fuqishme u ngrit ashtu si Davidi kundër Goliatit, përballë kuçedrës së Ballkanit, makinës së përgjakshme ushtarako- policore të kasapit Millosheviç.
21- vite më parë bota mbarë u ba dëshmitare e masakrave të pashembullta të çetnikëve serbë mbi pleqtë, gratë e femijët e shqiptarëve të pambrojtur të Kosovës. Garashanianët, karaxhiqët, çubriollviçët, qosiçët, rankoviçët e rinj ëndërruan dhe praktikuan zhbërjen e Kosovës Dardane përmes spastrimit etnik, dhunës, burgosjeve masive e shtypjes me metoda mesjetare, ndaj një popullsie të lashtë e autoktone, në trojet e veta mijëravjeçare.
Bota mbajti frymën tek shihte fshatra e qytete të djegura, bombardime barbare ndaj popullsise civile, grabitje e bastisje që të kujtojnë epokën e hordhive të hunëve të Atilës, vizigotëve të Alarikut që rrafshuan Romën, mongolëve të Çengiskanit, barbaritë e vikingëve të Erik Qimekuqit, fushatat e Sulltan Mehmetit apo krimet e esesëve hitlerianë ndaj hebrejve në Luftën e Dytë Botërore.
Millosheviçi ëndërronte të bahej një Car Dushan i Ri.
Dukej sikur furia dhe egërsia serbe nuk kishte të ndalur e Kosova do gremisej  njëherë e përgjithmonë në honet e historisë, ashtu si Kartagjena e Hanibalit, apo Troja e Priamit dhe Hektorit.
Mesjeta trokiti fort me tmerrin dhe barbarinë e saj në vatrat e Kosovës.
Është momenti të kujtojmë vargjet e Kadaresë për mizoritë e Car Dushanit, ideatorit të Perandorisë Serbe.
“Ish kohë e zymtë dhe e egër
Po vdekje s’kishte Atëdheu
Se pas Dushanit Car të frikshëm
Mbërrin rrufeshëm Skënderbeu”.
Providenca  Hyjnore bëri të mundur që 21 vite më parë Kombi Shqiptar të rilindë përmes zjarrit të luftërave e betejave ashtu si zogu Feniks nga hiri.
Kosova i dha Kombit Shqiptar 22 -vjet më parë gardën proteriane UÇK, me Skënderbeun e Ri të qëndresës kombëtare Adem Jasharin, De Golin Shqiptar Ramush Haradinaj, Bogdanin e kohërave moderne vizionarin gjenial Ibrahim Rugovën, gjeneralë dhe strategë trima të shumtë, mijëra deshmorë që dhanë dhe jetën për liri nga të gjitha trojet etnike shqiptare.
Në vitin 1998 bisha serbe mbuloi me zjarr dhe hekur brezin kufitar në trekëndëshin Prizren-Pejë- Gjakovë
Malësia e Gjakovës priti me bujari e përkujdesje vëllazërore 20000 vëllezër dhe motra nga Kosova të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre me operacionin “Patkoi” të ideuar dhe realizuar nga makineria gjakatare e Millosheviçit.
Kukësi -Tropoja dhe Hasi u banë para dy dekadash ashtu si në kohën e Serbisë së parë dhe të dytë strehë e sigurtë për vellezërit dhe motrat e një gjaku dhe kështjella të pamposhtura lirie.
Një këngë e vjetër popullore monumentale për reprezaljet serbe të dimrit të vështirë të vitit 1913-të e shpërnguljet e imponuara me forcën e armëve, me zjarr, hekur e terror thotë:
“Ndjefsha mirë për ty Malësi
Mirë m’i prite 12-të mijë
20 vetë m’e vogla shpi”.
Kukesi -Tropoja -Hasi që patën nderin një shekull më parë të prisnin në vatrat familjare e odat e burrave korifejtë e patriotizmit e të luftës për liri Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Azem e Shotë Galicën, një çerek shekulli më parë hapen dyert e zemrat për dasmën e lirisë e krushqit e tyre Adem Jashari, vëllezërit Haradinaj, Muj Krasniqi Agim Ramadani, Sali Çekaj, Bedri Shala, Bekim Berisha, “Abeja” Adrian Krasniqi, Abaz Thaçi, Mujdin Aliu.
Tropoja ishte mbështetje e fuqishme që nga viti 1997-të e Shefit të Shtabit të Logjistikës së UÇK-së Luan Haradinaj, detyrë që e mbante qysh nga viti 1994, e Adrian Krasniqit, Ilir Konoshecit “Mërgimi”, Fadil Nimanit Komandant “Tigri” e “Rrufeja”, Komandant i Brigadës 113-të Ismet Jashari “Kumanova” dhe mijëra luftëtarëve trima të Kosovës e të shqiptarisë që thyen kufirin Shqipëri-Shqipëri.
Kukesi kjo trevë e lavdishme shqiptare i pati kthyer pergjigje Sulltan Hamitit me koburen e Ramadan Zaskocit e bashkë me vëllezërit kuksianë e dibranë të udhëhequr nga Islam Spahia e Elez Isufi ripërtërinë Epokën e Skënderbeut në betejën lëgjendare me invadorët serbosllavë dhe asgjesuan 12000 agresorë.
21 -vjet më parë kur Nato e kombet e lira demokratike bombarduan caqet e makinerisë gjakatare serbe Kukesi priti me bujari mbi 500000 vellezër e motra të Kosovës.
Është rast unikal në botë që një qytet pret 10-të herë më shumë mysafirë se popullsia e tij, prandaj me të drejtë është propozuar për çmim “Nobel”.
Kjo mikpritje legjendare e humanizëm proverbial i kuksianëve e malësorëve të këtij qarku, të Tropojës-Hasit-Kukësit, është i ngulitur thellë në ADN-në e Kombit Shqiptar dhe sanksionohet në shprehjen lapidare të Kanunit të Lekë Dukagjinit:
” Shpia e shqiptarit asht’ e Zotit dhe e mikut”
Edhe dy muaj na ndajnë nga  21- vjetori i çlirimit të Kosovës, jemi në 21-vjetorin e Betejës legjendare të Koshares, ku ranë 114-të dëshmorë.
Ranë Agim Ramadani, Sali Çekaj, Mujdin Aliu, Abaz Thaçi, Fadil Makoku.
Ata sëbashku me Luan Haradinajn e Mujë Krasniqin, Adrian Krasniqin, Fadil Nimanin e shumë trima të tjerë janë simbolet e thyerjes së kufirit, “Murit Berlinez” ndërshqiptar.
Jemi në 21 -vjetorin e renies heroike të betejës dhëmb për dhëmb me armikun të Gjeneral Shkëlzen Haradinajt, Fatmir Nimanaj, Luan Nimanaj, Hasim Halilaj në malet e Maznikut.
Ata deshën më shumë lirinë së jetën, me shumë Atdheun se vehten, ndaj sot përkulemi me respekt e mirënjohje para veprës së tyre, para misionarëve të Kombit.
Jemi në vitin e11-të  të hyrjes së Shqipërisë në Nato.
Eshtë koha të shprehim një mirënjohje të përjetëshme aleatëve tanë përendimorë, Natos dhe burrave të mëdhenj të shtetit Bill Klintonit, Toni Blerit, Zhak Shirakut, Xhorxh Bushit, shtetet e të cilëve kanë kontribut themelor e historik për lirinë e Kosovës e Pavarësinë e Saj.
Sot Kosova është e lirë dhe demokratike, e sigurt në Rrugën e saj drejt progresit dhe integrimit Euro-Atlantik, është kujtesa jonë historike e kombëtare, pjesë integrale e Atdheut tonë e pandashme, Kauzë Kombëtare për mbrojtjen e saj, ashtu si 21- vite më parë, me betimin solemn:
“Një Kokë për një Pëllambë Tokë”.
Muret e ndarjes janë shembur njëherë e përgjithmonë.
Kufijtë janë simbolikë.
Përjetësisht s’na ndan ma guri.
Please follow and like us: