Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël tregimesh nga Mustafa Spahiu

mustafa saphiu

 

BUZËMUZG MBI ANAMORAVË

 

Shëndoshe, shëndoshe qofsh, o ditë që po ikën! Lamtumirë për bëmat dhe rropamat e tua! Begatitë i humbe pa rezistencë dhe rrëfenjëza bulon me buzë argjili e zambaku me lakminë e syve të fëmijës ku mbretërojnë shtatë stinët e motit. E nesërmja është dafina që thur kurorën për ardhmërinë.

Para buzëmbrëmjes lumi blu avullohet nga kithi i shllungave të vakta që kapërdihet në shportat e gafrruara të shelgjeve… Dielli sa tri kacatore, dridhet si zogu duke gdhelur rrezen e fundit ku vocrrakët kanë ndërtuar në zall Kullën e Babilonit. Ai perëndoi prapa tepes së Kodrës së Skyfterit dhe indi i tylit endi purpur në faqet e shpatit përballë…

Nisi cijasja e menteshave të ndryshkura të natës e në atë vagëllim u ndie plot krenari kënga e zogut të shiut, duke bredhur kaçubë më kaçubë, ndërkohë xixëllonjat i ndezën fanarët e verdhë e dolën në piknik errësirës së Anamoravës.

Fshatrat gjenden në rrafshirë, duke i ruajtur eshtrat e të parëve në sëndyqet e kujtimit. Gjithmonë errësira ka zakonet e veta që pahetueshëm ua zgjidh grykat thasëve të territ pas muzgut dhe sa vjen e minute pas minuti dendësohet cep më cep lëdinave, livadheve, ugareve dhe korijeve ku ende ndihen zërat e largët të kalamajve, blegërimat e deleve, hingëllimat e pelave hergjele që ngjokin bar të pezmatuar para vjeshtës.

Lulet e lulatura e marrin ngjyrën nga pushi i krahëve të fluturave të përhitura për të stërpikur ëndrrat e vashave e në pritë përgjojnë kohën në kopshtin e hapsirës. Dëshirat ngadalë pikojnë si foshnja në prehërin e agimit.

Këtë buzëmuzg, plot shpresa e vizitova hapësirën e magjishme që stërpikej me sërmin e yjeve nga çdo vërshim ëndrrash.

Dhe për të gjitha këto, nëse sërish më pyesni se a ka dhe ku janë gëzimet e kësaj bote, padyshim që do t’ju thoja: Në Anamoravën time!

 

MALËSI E MJALTUAR

 

E bymyer nga blerimi, prajshëm me sytë e hedhur në ardhmëri, malësia luzmonte shpirtbardhë me fshatrat e dendur e të renditur simetrikisht porsi hoje bletësh. Përrenjtë e lumenjtë ngarendnin ta përkundin dhe ia thonin këngëve agimtare. Në të zebërtat monopate e shpate zbardhnin tufat e deleve me qengjat më të hareshëm se pranvera. Fyejt, prej vrimave të padukshme lëshonin tinguj harmonie, duke ia arratisur zymtësinë qiellit. Krojet janë largadash sa qepalla rreh syri, ndërsa buzët e vashave malësore njomen si vesa kur bie mbi lule e duke ua larë faqkat e kuqe si mollë Dukagjini. Tisi i një reje mbi cikolin e Kikës e ngjatjetoi përposhtë fushën e paanë të mbjellë me grunore dhe livadhet që zemrën e kanë të ndieshme si vjollcat, ngjanin me një kryevepër të natyrës, duke imagjinuar se si hyn e buzëqeshur lindja e bardhë.

Në malësi kryqëzohen të gjitha rrugët me zemër të lulëzuar si trëndafili. Në pëllëmbën gjigante të qiellit harkonin e fluturonin në zenith shqiponjat lartë, duke e quajtur fluturimin koncert ilir… Retë e cukflakta luanin pandërprerë lojëra të virgjëra e kënaqeshin të dalldisura. Hapësirë e blertë, kaltërsi syçelur, mëndafsh që zgjatet deri në pambarim.

Lisat janë shtylla që e ruajnë gravitacionin e malësisë. Furtunat dhe shtrëngatat u shmangen dhe ndalin turrin para këtyre mrekullive dhe bukurive hyjnore. Sa të ha syri e sa të do zemra ka vend për të gjallëruar gurë e drurë, njerëz e shtazë e gjithë ç’janë… Malësi moj, tu paftë hajri! Pse të mos jemi, deri sa jemi!? Në truallin e të parëve as erërat e tërbuara s’na shkulin, sepse ne e duam natyrën ta kemi Diell në ballin tonë…

Fjalët e poetit të kombit, Esad Mekuli, janë tejet largpamëse:

“ – Kush mohoftë fisin e vet, i raftë sharra, e mbuloftë mallkimi,

Ai mos paftë ditë të lume, i huptë fara, e shoftë mjerimi!”

Malësia është lahuri, perri dhe e mjaltuar mrekulli!…

 

PËLLUMBI I EGËR

 

Bjeshkët e larta janë sinoret e mbretërisë së tij. Zemra i regetin për ato shkrepa ku çerdhja i gjakon dhe ku mallin e mban si thesar e me te thur qepallat e malbrezave, për të rritur ferishte – trashëgimtarë e për t’ua përtrirë gugatjet.

Kërkon prehje nëpër guvat e shkëmbinjve, larg syve, kthetrave dhe sqepit të skifterit që e survejon stinëve… Shigjetë e ka fluturimin qiellit kaltërosh e zemra i përdëllehet kur e dëgjon gugatjen e pëllumbeshës, duke i kërkuar dashuri e t’i qëndrojë vetëm disa çaste pranë… Zëri i saj e ngashëren dhe ai bën disa kollotumba e pikiata të mrekullueshme dhe vrikthi struket në zgavrat e faqeve të shkrepave të murmë. Krahët i grihëson dhe i forcon nëpër thepa gurësh. Këmbët i ka në ngjyrë të veçantë, ngjyrë jargavani në të purpurt, me thonj të sedeftë.

Sytë e veckël i duken si të edhit të sorkadhes, me ca lulëkuqe me pikëza si ninëza rubini dhe kurrë s’e humb asnjë pupël… Është i virgjirt me atë shall rreth qafës që ma ka në ngjyrën e gjetheve të barit në fillim të shtatorit.

S’e tundojnë e s’e futin në ngasje as fshatrat, as qytetet, as kafazet mbretërore… E ka mbretërinë e vet, Bjeshkën!… Veç krahthyer ose të plagosur kur e sjellin gjahtarët në lagje, ai vështron me habi se përse e zbriten prej Bjeshke…

Pëllumbi i egër është lulëkuq për pikturë.

 

 

NË AGUN E MËNGJESIT

 

Le të më vërshojë buzëqeshja, si shkumë e bardhë margaritare, kur dal në oborr dhe puhiza lojcake ma bleron ballin (kushediseçka). Ëndrrat e sedefta tashmë ia kanë mbathur në bjeshkë ku shehen luleyllkat në të gjitha rrugët dhe dasmat e gëzimit, pik atëherë kur hapen me sqepin e zogut dyert e agimit në brigjet pa emër. Po them se pik atëherë po dëgjohet muzika e largët me borëbardhat e hareshme, më të hareshme se pajtimet e besëlidhjet.

Si lifqerët e Mirushës lëshohet një plym me flutura ngjyrëmahnitëse që i zhdukin sëmundjet e dielli mbi bjeshkë kthehet e klith: Eureka! Ngazëllimi dhe dëshirat lajmërojnë botën e tërmetet vonohen, se agoi dita, zbardhi dita me rreze ylberore e qetësia po hapet nga kapakët e argjendtë. Në miliona sy – ngjyra e syrit të mëngjesit, shtatë mrekulli simfonish, shtatë vrapime rrezesh.

Nga yjet e detit, nga ujërat nëntokësore, nga ylberet e fshehura dalin mollëkuqet e ngashëryera e vrikthi varin gjerdanet e rruazave të vesës të marra nga fijet e barit. Kërcenjtë e bymyer nga dora e qiellit, që tërë natën kishin shtrydh tumkat e rënda të reve, rrokulliseshin në rrodhanin e gjumit dhe ëndrra ime me engjëj në zemër, shihte ditën në çdo yll!…

Lumi i ka hapur krahët e kaltërt duke vrapuar teposhtë, i madh dhe krenar me valët e dalldisura. Nën shelgjet degëplota, me gjethet sydrenushe, nën korin e amshuar të trishtilave, lumit i paqtohet rrjedha e blertë… A ka gjë më të bukur se të jesh peshk i argjendtë në lumin e vendlindjes? Në mëngjes, më herët se agimi, kokrrohen dëshirat me qepalla dashurie. Brezin e shpresës për mua po e tërhek Sizifi i bukurisë.

Dielli po ma farkëton penën më të mprehtë se gjuha…

Në mëngjes ndahen dy fate, dy shpresa, dy puthje, dy takime, dy…

 

 

AJO – BUKURIA SUBLIME

 

Syarta ime që më ecte si sorkadhe këmbëlehtë, flutur e fluturuar kah luadhet e jetës, veshur me fustanin e bleruar të pranverës. E shikon trëndafili dhe xhelozohet për vashën më të bukur të Anamoravës…!

Reve, lumbardhave e trishtilave ajo u jep nga një sharki në dorë dhe bën ylberin dirigjent. Me qumështin e buzëve i gostit korrësit e verës.

Barërave ua jep blerimin, drurëve ua shton gjethet. Në dorën e bariut të burimeve i gjerb krojet e fluturon me turtullesha e u hedh farën e mirësisë në ndonjë ujëvare me yje. E yjet – djemtë e zjarrtë të diellit, i vardisen. E sodisin dhe e puthin vashën e lulëzuar si akacja… Gati sa nuk thyhet kënata e tingujve të zambakëve të buzëqeshjeve.

Ajo gjithkujt në ëndërr i shfaqet hyjnore. Kush do ta ketë në dorën fatlume, gjithçka i bëhet njeri dhe lindje, flakë e vesë, magji e rrezeve. Ajo, vetëm ajo mundet të ndalë pleqërinë. Duart e saj pajtojnë gjaqe, sepse Ajo është E vërteta dhe godet aty ku duhet, paçka se bukurinë ia kërkon syri I keq!…

 

 

JETA PORTRETON VETEN

 

Vetëm syri është vallëzuesi më i madh dhe ia jep dorën syrit tjetër e i thotë t’ia marrë bukurinë me dritën e nevojshme e t’ia kallë thellë në zemër, t’ia ndriçojë këtë gëzim përtej shtatë ylbereve.

Agimi kur vrapon mbi kreshtat e thërret agimin e rubinit, ti nuk e din se ç’ndodh, o vëllamthi im: rrezet e mëndafshta po i presin vashëzat më të bukura anamoravase për ta qëndisur gjergjefin, sepse dasmat e kanë profilin e pakufisë, ku dashuria ka lezetin e portokallit pikluar nga hëna… Anamorava ime me fëmijë që lindin e që janë lumenj që s’shterrojnë, që s’vdesin kurrë, as marrin ujem për gëzimet e bluara.

Një burim me ujë të cemtë margaritar që s’i ndalon valëza në kindin e fundit të vetullës drapër të malit të te Stërlashtit. Buron edhe një krua tjetër me shtatë peshq të artë që ruajnë enigmën e shtatë fyejve, duke i magjepsur me melodi lojërat e paharruara të takimit të parë në peizazhin e malbrezeve të puthjeve të bareshave, me gjoksin si sejsane.

A ekziston ylli shtegtar me zogj të kaltërt që e mbajnë në mend takimin në luginat e brishta, ku shuhej etja e madhe në ballin e Afërditës? Të mos thonë se është i artë! Mëngjeset prore janë në udhëtim mbi blanat e diellit që i gjakojnë mbrëmjet dhe mijëra sorkadhe të ëndrrës I zbulojnë mijëra ngjyra në duvakun e gjerdanin e nuses për t’u dhënë jetë.

Kush i sheh kolonat e arta të vetëtimave të dritës, fare lehtë mund t’I shndërrojë ato në pulëbardha… Jeta është formuar e ndizet syri i madh i gëzimit që e bartin kuajt me frere agimesh, me trishtilin e padukshëm që i cicëron në qepallë. Jeta është piktore që portreton vetveten me ngjyra mahnitëse, me gjakun e marrur prej bimëve.

Jeta stërpiket me dardilivan…

 

 

ME FRUTNO, PRANVERË…!

 

Po ngarend pemëve heshtake duke dëgjuar gjuhën e gjetheve e më zbresin do gëzime krahlehta mes rrezeve ku kërkoj lulen time, kitaren e degëzave syçela që shoqërojnë himnin e burimit, kënduar mbi buzët qumështore të vashave…

Bletët si lëshojnë shtigjet e mbushura me lule. Buzagazi i tyre po grafullon si kënga në zemër, duke mbledhur nektar kurorë më kurorë dhe fshihen pas diellit të pazbuluar për të nesërmen e largët. Ndërkohë, shporta ime është mbushur me dredhëza të kuqërremta që galdojnë me ëmbëlsinë më të këndshme se amësimi i perëndishëm i luleve të blirit në blinishtën e pamasë.

E shikoj me ëndërrat e trëndafilit syrin e blertë të blerimit që më tregon çdo gjë për qershorin. Zemra ime ngadalëzë po shndërrohet në pranverë që parathotë pranverën…

Pranverë, të lutem, po të përgjërohem me afsh që gjuhën tënde të mos ia mësosh tjetërkujt. Me mrekullinë tënde vetëm mua më godit. Me këngën time dhe melodinë tënde mos deh askend! Ooooh, pranverë, pash nënën tënde Erëmirë, dua mallin tënd deri në shtatë kat qiell e kumbimet le të derdhen me zhumhur. Gjithnjë jam në udhëtime pas violinave të tua të mrekullueshme, si valët që stërkalen breg më breg, në rrënjën e syrit të një vashe me shtatë çelësa…

Pa thënë asnjë rreze fjale, gjallërohem.

Para kësaj pranvere erdha i ri e dua të mbetem i blerimit, dua të frutnohem me vargje, dua të diellnohem me metafora…

 

 

KËNGA E LUNDRËS SIME

 

Kënga, kjo shtegtare agimtare! Dritëson dhe bën gjumë në sytë e mi. Ka ikur nga panairi i ninullave të para dhe më shoqëron me vrapin e sorkadhes. Burimin e ka në përkundjen e djepit të ahut të foshnjërisë… Kënga është pranë meje. Thënë më mirë, është një dashnore e devotshme që prej ditemotit kur ime më ma shpërthekoi cimbosken. Këmbët shtalbore i lëshova në truall e me buzëqeshje qumështore ia theka këngës. Më shoqëroi gjeli, qenushi dhe kori i rosave që gagarisin pranë bunarit në koritën e drurit duke më stërkalë. S’më kujtohet edhe aq mirë, në qaja a këndoja. Në syçkat e fëmijëve lotët janë margaritar, janë si shiu i korrikut, ndërsa gazi në faqet e fëmijëve është i purpurt si dredhëzat dhe ka amësimin e luleve të blirit.

Që ate ditë e deri më sot, fare s’e kam të qartë si lindi kënga ime e parë. Gjyshe Urtia, mirë e ka vlerësuar: “Kënga e parë s’ka të sharë, e para ruhet mbështjellë në nektar!”

Ngashnjehen fëmijët e botës ndër lulet më të këndshme, përqafime, rritjete, dashuri!

Joshën fëmijët e botës prej yjve më të lartë e formohen ylbere me dashuri. Dritën që kërkojnë duan të gjejnë.

Magjepsen fëmijët e botës e pëllumbave ua huazojnë puplat. Duan ta përhapin me flatra dashurinë ndër manushaqe e vjollca, nëpër kroje e burime, ndër yje, ndër livadhe me barëra, në kopshtet më të mrekullueshëm me lule, nëpër liqenet ku flejnë guaskat dhe trishtilat ta përhapin me sqep këngën…

Mos m’i lidhni fijet e pagjumësisë, rrezet i zbukurojnë dhe i ngrohin këngët.

Bota fëmijnore… Këngët e mia të para ishin vetëm tufa lule… Sa fjalë gjithfarësh ka për këngët e reja, mjafton vetëm të nisesh në mëngjes me lundrën e dëshirave…

 

 

FËMIJËRIA, GUASKË DETI

 

Mos e frenoni fëmijërinë, – le të dashurohet me fëmijërinë e bjerrur, që e kanë mahnitur ylberet, le ta joshin bjeshkët, me ngashërimet e trishtilave. Pse, pse hesht fëmijëria si guacë deti, e simfonia e saj dëgjohet larg. Hapi krahët e kapakëve guacë, e ma kthe fëmijërinë!

Ajo “çfarë e kemi parë me shikimin tonë fëmijërorë”, përgjithmonë e bartim me vete. Ajo na shoqëron tërë jetën. Me përshtypjet e para të fuqishme, me ngjyrat kaltëroshe, të mallëngjyerit dhe mrekullitë madhështore, me një milion nuanca, gëzimeve dhe dhembjeve, kredhemi në udhëtime të gjata, ku të presin peshqeshe nga më të ndryshmet!

Megjithatë, fshehtësitë e fëmijërisë ngelin gjithmonë fshehtësi e fshehtësive; njëfarë magjie e dashur dhe kureshtje, fantazi pangopësie… bah!

Sepse loja më e mrekullueshme është në cirkën e agimit të parë… Dhe kur bëj përpjekje që të kthehem në fëmijëri, kam dëshirë të kthehem në diç të pastër parajsore, intime, ngushtësisht intime dhe të bukur, të më ngrohë një vaktësi e veçantë dhe kaltërsi përrallore, si qumështi i nënës. I picërroj sytë; parandjej kam një parandjenjë duke shikuar kaltërsinë e qiellit, e cila gazmohet, dashuria delikate, gjëlbërimi që pushon si qepallat e foshnjës në djep, afrohem pranë burimeve të natyrës. E tëra kjo dukuri më dukej e largët, njëkohësisht fare e afërt – në mua, në ata, në juve… dhe ju që do të vini. Janë gjëra vogëlake, e kështu janë gjëra të rëndësishme, i shikoni të mëdha, me sy të habitur e të virgjërt, të halisur, dhe i vrojtonim të ashtuquajturat gëzimet e vogla dhe të mëdha.

Fëmijëria është e burishme (luksoze), flladitëse, diçka që ende s’është shprehur krejt, siç janë lojërat që s’janë shfaqur në skenat e botës me sheshe e kilometra dëshirash…

“Krejt më duket se e gjithë poezia fëmijërore është, për aq sa flitet me gjuhën e metafores dhe zhvillohet në atmosferën e mrekullueshme, të pakufishme para sendeve…” thotë një bohem poet kroat. Dhe si atëherë ta gjejmë një fjalë, metaforë ose fjali, e cila do të qëndronte pranë fjalës fëmijëri??? Vështirë është të mendosh edhe për një vjershë, që s’do ta parandjente. Në qoftë se, rastësisht gjendet ajo fjalë magjke, ai çelës i artë, vallë do të kërkoheshin, sajoheshin kaq shumë vjersha me imazhe fëmijërore. Vështirë është të vendosësh dhe për të drejtën, lojën më të dashur, për çastin më të mrekullueshëm të gëzimit të buhishëm si behari i pranverës. Ndoshta kjo është fjala – fatmadhësia, ndoshta – loja, ndoshta – butësia (ëmbëlsia shpirtërore), ndoshta – imagjinata, ndoshta – vjersha, e ndoshta – jeta… Këlthas: po, fëmijëria është jetë, sikur buzëqeshin bukuritë e bukurive, bukuria vetë; kënga më e dashur e njeriut, si muzika hyjnore. Muzika, bukuria e asaj kënge e gudulis imagjinatën, zgjon e grafullon për lojëra dhe gëzime, dhe të shpie në fëmijërinë personale, e cila përjetësisht është futur së thelli në ne. Mirëpo, i vështroj edhe fëmijët rreth vetes, ritentoj ta gjejë atë thesar, ta rizbuloj fëmijërinë ashtu siç unë e paramendoj, siç e dua, ashtu siç e dëshiroj, t’i ëndërroj ëndrrat e paëndërruara, t’i luaj lojërat e paluajtura, të jem përgjithmonë në gjurmë të ëndrrave më të arta fëmijërore, dëshirave të zjarrta dhe lojërave me fantazira kaltëroshe. E kam të qartë – diell në pëllëmbë dore – bota do t’ishte e varfër fare pa poezinë fëmijërore! Prandaj, dhe kënga e fëmijës duhet ta ruajë, ta mbrojë fëmijërinë me kaltërsi dhe harmoni, lojëra, zemërmirësi, imazhe të përflakura, të dashurisë dhe optimizëm…

Thënë e kam, e them e do ta them me plot gojën, subtilitet, pra e kam thënë në një rast, se vështirë është ta ndash (cilësosh) vjershën, në të cilën s’mund ta gjesh fjalën fëmijëri në bëshmërinë (domethënien) e saj të pastërt! Secila vjershë e shkruar ose e pasajuar është tentim që në të përgjigjesh, që ajo të zgjidhë enigmën fantastike.

Atdhevendlindja ime është fshati Rrezebardhë, është fshat i pranverës, të njëfarë drite të mrekullueshme dhe me një qiell të kaltërt jo të zakontë! Ajo është kaltërsia e kaltërsive, që shfryhet së kënduari lumi Anger (Morava Jugore), ky lum është këngë mbi këngët; këngë e jashtëzakonshme. Pikërisht atje, përgjatë brigjeve të atij lumi-bukurosh, janë harbuar në behar dëshirat e mia vocëlake e të mëdha, fshehtësitë dhe lojërat. Atje, mu në atë vend të rritës dhe regëtimat e gëzimit dhe dhembjet e zemrës vetmitare, këndellen me cicërimat e trishtilit. Oh, sa më kanë tërhequr udhëtimet e fshehta nëpër botën e panjohur për ta zbuluar të panjohurën për imagjinatën fëmijërore!… Kam pasur dëshirë, të them t’i shoh petalet e fjollave të borës, për të cilat fillikat kisha lexuar e mësuar nëpër vargjet e rilindësve tanë… Në rrjedhë të viteve, më vonë, kur më s’isha as fëmijë, as djalosh, i kam stisur në vargjet e mia për dimrin, borën e dardolecat. Gjithmonë në ëndërrime më thërriste deti, e deti obobo sa larg ishte nga Marga ime, po ku valëzonte e derdhej lumi im i dashur me disa zogj të bardhë mbi shelgjet dhe plepat e bardhë që ishin port pushimi për fluturakët… E tëra kjo gjendet nëpër vargjet e vjershës sime “ÇKA MERR LUMI, LUMI GJATË”?

 

SI PO MPLAKEJ BABAI IM

 

Trumba-trumba engjujtë blu, me krahët e tejdukshëm fluturonin mbi sfondin e blanave nëpër qiellin e qëndisur me rremba. Vinin flladet e vaktësisë, me pergamenë të mrekullueshëm, çiltërt, qartë e të purpurt për ta magjepsur bukurinë e ndritshme të bardhësisë së dritës së trëndafiltë! Java e parë e korrikut amshueshëm zgalitej ditëve të verës, me gjerdanin e rrezeve të diellit, që ndaleshin pa hetueshëm mbi shpinat e korrësve duarbletë grunajave të gufuara, diku pak më larg zbehtë zverenikej një pëlhurë e papjekur kallinjsh, që të nesërmen, në dritën e ferkut mëngjesor bëhen të qelibartë.

Paçka se vapa, qysh në mëngjes, e shtrëngoi ditën për gabzherri, çaponte ajo qetë në pluhurin e thërmuar dhe asgjë s’kundërmonte. Është thirrje ngadhënjyese e jetës së pamposhtur.

Çerdhukëlat e shiut – vitoret e grunajave, me sqepat e tyre i grijonin drapërinjtë për dëshirat e begata të drithërave të bardhë; janë shoqëruese në çdo shtregë me kallinj si yje… Madhështia e brishtësisë së mesditës, ndezur në kandilerin fsheharak nga yllushi i padukshëm i ëndrrave – përcëllonte djegastralli i baba – diellit. Çerdhukëlat me sqepat majë gjilpëre i çukisnin bashkat e rralla të reve të përhimta, si obeliska të vrimosura nga shigjetat e mprehta për ta zhdarravitë vetminë e tyre…

Vera me korrikun si ndalte lifqeret e zjarrtë mbi kallinjtë e grurit. Vera me kolona të bardha, të larta, të plotpërhirshme – ag e terr me saç në dorë fuste në mengene edhe kallamoçishtet me tramakët kokërrsaçme…

Në cep të arës nën shelgun e moçëm, te pirgu i flladit, në stom të lumit, shplodhej babai im, me sytë drejtuar në cikol të Kikës, pa këputur perin e mendimeve për të ardhmen… Nga atllasi i ballit i rrokulliseshin shtonat e rruazave të vesës së djersëve të njelmëta…

Thash: O, Zoti im,

O, hyjnori im, si po mplakej im atë?

Si mjellmë e bardhë, së largu, u shfaq ime më, me çarçaf allafrënga të bardhë, mbi kokë me tepsinë e madhe, si hark shigjete në dorën e Odiseut të verës, me gishtat e hollë e të gjatë të duarve, ia solli drekën babait, duke e përshëndetur drisht nga respekti i pashpjegueshëm, me sy butësie, si lulëkuqet e brigjeve të lumit Marga. Ia shtroi përpara tepsinë me bukë, kripë, zemër dhe një shtambë me dhallë, – ofshani me ngashërim, ja këto janë, o burrë, krejt ç’ka dhënë Zoti!

– I qofshim fal Zulmëmadhit! – foli ngadalë babai im, duke luajtur nga vendi… Dylmeret e padukshme në lartësi të pakufishme të pasdrekës së korrikut nga zemrat e vogëla këndonin cicërima të ëmbëla… Uh! – ore, njeri (burrë) e mora me vete drapërin pa izen (lejen) tënde, thash ta lehtësoi krahun tënd të lodhur nga pikadielli…

Vocrrakut, shi para hundës, prej një kokaçel i brofi një flutur laramane, u ngrit për tri kacatorre nëpër qiell, ia mbushi sytë me blerime fantazie e pjalm të imagjinatës.

Dylmeret dhe flutura me fustanellë, me varkat e tyre të padukshme i drejtuan bashat e tej nga breginat e Stërlashtit. Sytë m’u bën seizmograf, spiralet e ninëzave u ngulitën në rrudhat e tim eti. Vallë, brenda potkoit të dy korrikëve, kaq shumë rruspa qenkërkan shtruar në gërshetën e rrudhave të ballit të babait tim?!

E – lumi i Anamoravës ujëpaktë, kavërdisej në kurmin melankolik të kaltërsisë së lëbyrtë. Dhe në fjalët e pashqiptuara të argatëve, që shpirti nga lodhja iu rrinte në majucën e hundës nëpër grunajat, në mbarim të ditës do të mbetet vetëm një rrëfejzë pa epilog!

Dita u përshkua nëpër unazën e urtësisë… Atëherë, vishkull u lëshua buzëmuzgu mbi Ballkan (mjaltë e gjak – nën.im), nisen të sorrollaten rreth e përqark retë murroshe, porsi gra beronja, e ç’është më me rëndësi, ju ndofta nuk më besoni, se si po mplakej babai im, as vet se dija!

O, Zoti im,

O, Zulmëmadhi im

pse po mplakej im atë?

Tevona e ndezi një cigar, tymin që e nxorri nga goja u ngafërrua me çufrat e rakitave të çufrrafta dhe ai pëshpëriti diç nën mustaqe:

“E nderoi dhe e çmoi – tha – gruan e fisit, aq më shumë kur ta lind një djalë, djaaalëëë, këte paksa e zgjati. Ajo burrëneshë është shpirti i shpirtit të shtëpisë”!

Ime më dhe unë s’ia dinim mananë (vlerën) e mendimit të mençurisë së babait, por na sëmbonte dhe as nuk kuptonim se sa shumë po mplakej – kryebabafamiljari ynë!… U shpalosën gjinjtë e bardhë të një reje të madhe, nga bukuroshja zeshkane, mandej beft, tevona nisi të rigonte shi i mirëpritur…

Pakëz më vonë, nën mustaqe me një tis të hollë buzagazi ja pati dhe tha: “Shiu në korrik – drithi me shinik”!

U strehuam nën kurorën degëtendë të krekëces. Xurxullat e shiut lëvareshin si mushti i puthjeve të vashave anamoravase, nga shtëmbat gjigante me grykë tatëpjetë, nga kupa qiellore zdirgjeshin rrëshekë-rrëshekë…

Seç i veguan vite të trishta: 1945 (masakra e Gjilanit), 1947 (tepricat e drithit), 1948 (lindja ime) dhe 1955/56 (revolucioni i grumbullimit të armëve). I numëroi në numratorën e gishtave: ditët, javët, muajt, stinët dhe moteve që i rritej një “palo” djalë. Tragjeditë e mbipeshonin gëzimin e vetëm! Gëzimi rritej vetëm me gdheljet e prindërve.

“Më fal, më ndjej dhe më mirëkupto, o Zoti i madh”! – tha babai. S’jam aq zemërlig, as që kredhem në mendime të këqia, le të bie shi nëpër tëra viset bukanike, të rrafshit, livadheve, fushave dhe bjeshkëve për të mirën e njerëzimit, – kështu uronte dhe pëshpëriste lutjen burri ballin me rrudha, me drapër në cep të krahit. Ai, e dinte se dielli është madhështorë. Vocrraku përcillte i qetë rrjedhjen e lumit.

O, Zot im,

O kryehyjnori im,

O Zoti i agimit –

Si po mplakej im atë?

Një mrekulli – që vetëm zemra e atij e ndjente – ishte duke e veshë hijeshinë e asaj dite… Tha: “Shumë e brengës i është gjetë ilaçi; shumë e dertit iu ka shuar flaka; por ishin luftërat, por ishte hyqmi (pushteti) kur sundonte shkjau dhe s’ia venin veshin kush; duke shikuar me një sy dhe duke dëgjuar me dy veshët…”.

 

Në vendlindje, korrik 2010

 

 

LULENANA

 

(Matnicaria chamomilla)

Hijes së sime ëmë, Fahrie, në 100 vjetorin e lindjes

(I magjepsur me qiellin kaltërosh, jam rritur me lule dhe me cicërima)

 

Sa herë që e shikoi diellin, e vështroi se si kërruset mbi shtëpitë e varfanjakëve dhe më bëhej më i ngrohtë se është… Lumi s’është opal, mirëpo s’është as i rrumbullakët… Vetëm dielli është pogaçe – sofër e madhe, sa një vapor, i cili lundron hapësirës mbi pullazet tona të përhirta… Dhe sot, më xunxuron në vesh, fjala e nënës: “Shejtni e dashun, shejtni që në hesapin tand s’dallon kurrkënd”! Dhe tani, si atëherë në fëmijërinë time, ku ai (dielli) sipër shtëpisë dollma (përdhese) ndalet pakëz, kaq sa për t’ia parë kurorën e praruar rreth ballit, prej së cilës ndrisin sytë lara-lara të ngrohtë të luleve ngjyrë portokalli. Edhe mëtutje drithëriten visoreve të pafund, në të cilat e hudhi shikimin – sa më ha syri. Nuk ka trëndafila më të mrekullueshëm se ata – pas shikimit tim në zemrën e diellit. As fluturat çuditërisht më të bukura dhe madhështore, që atëbotë më vegonin para syve. As zog – zjarri magjiplotë kur kaptonte mbi urëbardhën hyjnore, se ndalte fluturimin mbi haragaçet e rrethuara me ferra! As të kimerave ëndrrasjellëse, miturisht të brishta mbi sixhadet e mbushullimeve (salltaneteve) të kujtimeve të kokoçelëve – këmbëzbathura të ditëve të mia pikaloshe, të fëmijërisë si lëmishtja e përzier me gjethe, si guaska të harruara në zhavorin e detit… O, Zot i madh!, çfarë harmoni e papërvujtume që nuk gjendet askund, e që ka përmbajtje për gjithçka – çfarë shëndritje në visaret e lirishteve të fantazisë, në të cilat as deri më sot nuk ia arrita dot të ngjitem, që së paku me cepin e syrit të shikoi nëpër një vrimë: çka është ajo atje në anën tjetër, të botës?!

Në anën time të botës, ndoshta fëmijët tjerë janë si zogj të rrallë?! Mendimet e fëmijëve janë tufëza lulesh, por skutat e tyre çfarë bote të paparë mëshehin?… Kam qenë fëmijë me treqind ëndërra e shtatëqind zgjëndërra… Në fillim të viteve të 50-ta, ah, por ndryshe ishte atëherë! Disi fare ndryshe… Tjera kanë qenë ditët që sillte marsi, tjetër aroma e prillit…

Ëndërrat e majit dhe të qershorit ngjanin në deriçkat nëpër gardhiqet e kalbura! Magjet, si nëna pagane “nusëronin” të boshadisura! Varfëria ishte e skajshme dhe nëna ime, ama veç ime ëmë ishte lulja më e bukur në botë! Kjo qe fëmijëria e fëmijëve të prindërve të vrarë e të katandisur si “armiq” të popullit! As sot, se di në emër të cilit popull?!

Malet, vërrijet, fushat, livadhet e buhishme të Kosovës mburreshin vetëm me bar e lule të drojtura. Edhe ne çamarrokët, nuk rrinim bjerraditës, vraponim pas vjeljes së bimëve shëruese tërë ditën, në mbrëmje, tufëzat tona nënat dhe burrat e shtëpive, të nesërmen i shpienin në kasaba për t’i shitur, që neve kështu të na ushqenin… Kështu jam kuruar unë, kështu është shëruar bota… Unë si “tekanjoz”, gjithnjë e kam kërkuar lulen më të dashur – Lulenanën (kamomilen) gjumashen, e kam gjetur – flutur krahëbrishtakepushbut, kam ngarend nëpër qiell dhe kam vrapuar fushave, kodrishteve, lulenanat i kam sjellë në shtëpi, që nënën e dashur të sëmurë ta shëroi, shpirtkulluarën… Kështu them (sot skuqem) begatohej varfëria, kurse fëmijëria dalëngadalë kalonte, për të cilën asnjëherë nuk do të vetëdijësohem, ç’ne “vishak” tepricat (!) në Kosovë, më 1947??

Ajo, hafifja, barkurritura, e brishta, burrëresha, grua në shtëpi, burrë në pazar, ime ëmë, prej nga ajo specie të quhet Lulenana në fushën e gjerë? – e donte shumë. Sikur prej qiellit blu e ka mbëltuar ndonjë dorëmirë, e fisme, dorë bujareshë, poende dorë varfanjake. Të bëhet sikur petalet e bardha kanë zbritur mbi kurorë, i ka derdhur ndonjë zog i dritës; ka lule të këtilla edhe atje ku nuk ka lule… Lavërtarët e arave të bukës së Fushës së Mëllenjave (Kosovës), e mbledhnin para buzëmbrëmjes, e sjellin në shtëpi, e vendosin në dhomën e gjumit që t’ju amësojnë pranë nënkresave… Nesër të jenë më herak se lulet.

Fëmijëria është një pjesë sermi e qielli në tokë

Një pjesëzë e qiellit në tokë dhe mbi të bima, e bimuar me lule mjekësore. Të rritura, kokorroshe, me gjethe të gjelbërta dhe mbi te lulja dhe flutura, beft dhe një mollëkuqe sapo i mbyll fletët dhe ulet afër fluturës… Çdo gjë është harresë, çdo fije bari harrestare, mbi të cilin fëmijët krejt padashur (pahiri) e kanë shkelur, duke i kërkuar arnat e blerta të quajtura – jetë!

Fëmijëria: e thash tashmë – Qiell, dhe thash hyjnisht Lule, hë, e thash apo jo – Lulenana! Dhe çdo gjë është afër me ato fjalë dhe emrat e tyre. Krejt ajo që mund të zë vend nën krahët e kësaj luleje. Nën strehën e saj! Fëmijëria është – prej aty e tutje bëhet me flatra, dhe mbretëria qiellore. Lulenana, ajo qëndron si lulja më e mirë në jakën e tërë integritetit të poezisë sime, në anën e majtë të zemrës, si nishan i saj dhe me tipare karakteristike. Në qoftë se bëhet fjalë në esencë për poezinë për fëmijë ose të rritur, – të gjitha këto vargje modeste i imagjinon dhe i sajon dora ime fëmijërore me dorëshkrimin drithëtar. Madje, si të kërkoi diçka nga mbretëria qiellore, diçka të largët dhe të kahershme që beft ma sjellë kaltërsinë magjepse, si zogu i kaltërt i Drinit të Bardhë, që askush deri më sot nuk ia ka parë çerdhën! Vogëlsia ime asnjëherë nuk do të ngopet duke e soditur botën! Duke e shikuar qiellin i pash lulet në tokën – nënë… Dhe mbeta çuditërisht me pikasjen surprizë:

(“Një albatros kthente kryet në të gjitha anët. U duk koka e madhe e fokës me sy të blertë si deti.” – këngë popullore eskime). Po sikur të mos kisha qenë fëmijë, dhe të mos jam fëmijë thinjosh, që këte, ndoshta asnjëherë se kisha parë dhe ndijuar ose nuhatur… Me ofshe, po them se së paku ka mundur edhe të ndodh, mos, o Zot i Madh, që si i verbët ta kaloja rrokopujën e shekullit tim.

Sa fjalë gjithfarësh ka? Fëmijëria më mëson si ta shkruaj vjershën…

Ajo pjesë qielli në tokë, ajo pjesë e përjetësisë, ose e amshimit e tërësishme, është pjesë e së kaluarës dhe ardhmëria e sigurt e vjershave të mia. Tërë jetën, një jetë të tërë – më shitoi fjala! I tërë një qiell, i cili mbi këtë jetë skamnore, që jam kërrusur dhe përkulur nën te. Në atë pjesë të qiellit që më është ndarë, më ka ra për hise, unë kështu e shikoi. Nën këtë qiell e shkruaj vjershën, e mbëltoi lulen, e ëndërroi nënën. Kjo është fëmijëria e viteve të pjekura djaloshare: fluturat, qengjat, shqerrëkat, vjollcat, dallëndyshet, ketrat, zogjtë nga më të ndryshmit, Anamoravën time dhe sovranin e qiellit – Diellin! Rreth këtyre jam krijuar, rreth tyre është ajrosur, është shpërndarë, përhap andej – këndej; as atë ditë e sot nuk pushon së vardaruari magjia dhe mrekullia e jetës, fshehtësia dhe bukuria e poezisë…

Ajo edhe sot në merr me vete, më shpie nëpër botë… U nisa një mëngjesi… si dikur në ato fusha duke m’i treguar shtigjet, rrugët dhe udhët e shtypura dhe në ato vise që s’kapërcehet dot fare dhe e vetmja din të kthen në përdhesën time, kur e bjerr rrugën…

Ajo muza e bekuara engjëllore (Erato), më mëson si shkruhen vjershat. Ajo më kthen nga rrugëtimet e mia të gjata – me një mijë kilometra dëshira, nga kalueshmëria (tranzitare e kohës) nën strehët e ngrohta të poezisë… Ajo (fëmijëria) me këngën deri në orët e vona të pasmesnatës mbetet e zgjuar, e merakosur për dhe mbi mua; duke u ronitur mbi pagjumësinë e botës. Atëherë e kërkon – Lulenanën – epokën e jetës sime kurrë më të kthyeshme dhe stinën e artë të vjershës, poezisë… Perifrazim: “Bota është oborri im i fëmijërisë, vendlindja është oxhaku i metaforës sime, letërsia është planeti i shpirtit tim…”

Fëmijëria ime gjendet në vjershën “Kamomilja”.

Anamoravë, Maj – qershor 2011.

 

HULLIA E JETËS

– Fatit të njeriut

 

I.

Sapo ka nis hullia e parë e vragshme, kurse jeta është e gjatë dhe fusha e gjerë, e pakufishme. Ndofta nuk di se ç’lavër bëhet, vallë a bëhet lavër cilësore, apo jo? Do ta lavrosh hullinë tënde, e këtë nuk do ta hetosh fare. Të tjerët do të përgojojnë ashtu-kështu. Kuptohet do të ketë hipoteza si gjithmonë, dhe çdo gjë do të jetë e vërtetë ç’thonë: edhe ajo kur të lavëdrojnë, edhe ajo kur të qortojnë! Sepse lavdrimi dhe qortimi janë motër e vëlla!

Më pastaj: çdo gjë do të hudhet në harresë, ndaj kjo veti në të shumtën e rastit të sjell kokëçarje… Pluhuri nuk reshë vetëm nëpër gjëra, në lëndë dhe fenomene – ai bjen edhe në gjuhë. Pluhurin mund ta shpërlajnë vetëm shijavinat e vjeshtës së Anamoravës. Punimi I parë i tokës është gratçore. Urtia flet: “Ugari i janarit, vllaga e beharit (misri i hambarit)”!

Shija e djersës tënde ka qenë përvojë jetësore. Dhe, po u përbirove nëpër unazën e përvojës – del fitimtar. Eh, sa je kolovitur i dehur rrugëve nga harlisjet dhe puna. Ke qenë dhurues i lëmoshëm me dorë e me zemër: ju ke dorëzuar erës kur të ka rrahur gjithnjë ajo, ju ke dorëzuar ortekut në rrëpirë, dallgëve në hapësirën e detit. Asgjë s’ke pasë përveç vetvetës. Të vetmen gjë ke mundur ta dhurosh në dehjen tënde totale – këngën! Po si mund të jeton njeriu pa këngën, jetën? Dhembja me jetën është ëmblemë adezioni në shkapërderdhje…

Në hapësirën e trazuar se thërret në ndihmë askënd. Shpirti i pamposhtur e njofton vetvetën, edhe kur tretet, atmot ujëvara e ditëve të ardhshme do të jenë me shijavinë deri në fundjavë me diell të ri… Dhe prehu në valët e jetës.

 

II.

Të arrinë cirka e dehjes ngado që ke shkuar rrugëve, sado që ke menduar se jeta është jetë e jo metaforë. Mund të mendosh, në mënyrën tende, bile çdo gjë: si ke ecur me ritëm të shpejtuar; si e ke ngadalësuar hapin; si ke shkuar rrugëve të shtrembëruara kurse nga kureshtja e madhe e ke kërkuar atë rrugën e ëndërruar – rrugën e vetme të drejtë. Prej pikës kur e lavrove hullinë tënde të parë deri te pika kur e ke përfunduar; lavrimi është sall një rrugë, një rrugë e vetme dhe në shtegun tënd të jetës e vetmja ta mëson, por të shfaqet para syve hëpërhë e padukshmja dhe e panjohura…

Kohës do t’ia bësh varrin me veprën tënde, atij tatëloshit me mustaqet si duaj thekre. Njerëzve t’u afrosh ndihmë në luftën e përjetshme me kohën… Nuk ekziston shpirt sikur i yti. Ngjashmëria me ndonjë tjetër s’është ngushëllim i rastit. Qëndrimet tua çdo kush mund t’i përshëndesë, mirëpo s’mundet edhe s’është i detyruar edhe ti aprovojë, ndonëse aprovimet janë të llojllojshme…

Pëllëmbët të janë bër si lëvore bungu. Shputat e këmbës të janë bër të forta se guri; e guri në të rrallë luan nga vendi i vetë! Çdo gjë që të duket në jetë fare s’ka pasur. Të kanë goditur ankthet trishtuese, ndërsa gëzimet të kanë bër bishtërim…

I ke zgjatur përzemërsisht duart dhe aq shumë i ke zgjatur; vetën e ke paramenduar – albatros, kinëse me gëzime do ta përshëndesish tërë botën! Në çdo shtërngim të grushtit tënd kanë çerdhuar fatkeqësitë, që ti i godet me dinjitet, duke mos ëndërruar kurrë në disfatë.

Dhe, hop, je ronitur në anën e neveritshme të jetës dhe askush nuk të shkëputë nga kjo. Jeta është grykë nëpër të cilën vështirë kalohet… Grykat, greminat dhe honet janë shenja vështirësia, të kobshme.

 

III.

Çdo njeri në mënyrën e vet dehet me ëmbëlsirë, kurse ti në mënyrën tënde dehesh me idhësi (farmak). Helmohesh me farmak, ndërsa gjithmonë mendon se ke shpëtuar. Jo! Derisa ti mendon kështu, të ka mbirë shpendra mu në hulli. Tani ecë e zhbije, he burrë! Sikur tërë urtësinë popullore, për jetesë ta zgjedhish në një shprehje, do të vish në përfundim se nuk ke shpëtuar Anamoravën, të shkosh sa më parë, sa më i sigurtë dhe sa më me nxitim. Nga sytë e jetës i blerët fluturoi zogu blu, që njëherë nën urën e Mbretit (nën harkun e parë e ka folenë mbi lumin Marga), shejtani rrallë e tek shihet!…

Si për mërinë tënde ke ngecur në gjysmë të bjeshkës, e gjysma është as te hapa, as te hupa; ke pu-pu-pu-rosur me të zërin dhe për herë të parë ke dëgjuar zërin tënd të paartikuluar, të ngjirur të njëmendët; ka jehuar bjeshkës; ka zbritur bokave e në lugina: është ngritur në maje kreshtash dhe zenitesh dhe ty t’është kthyer, sikur se në shpellë je formuar në lëmshin e tmerrit.

Ndaj, si epikurian dëshiron ta këndosh himnin e jetës së parajsës tokësore – ëndrra jote e fundit. Në zërin tën je vetëm ti: në mënyrë cinike e aprovon – i zhgënjyer, e braktis.

Në të shumtën e herave braktisjet s’kanë të ndalur. Ironi!

Barrën tënde e shtynë përpjetë bjeshkës. Vetvetën në mënyrë sizifiane e ke munduar; mundimet e jetës gjithmonë janë dhimbë e bukur. Njëherë nën peshën e rëndë ke rënkuar, zëri t’është larguar gjëkundi, si qeni më besnik nga zotëria zemërlig, mu sikur fëmija nga nëna… Ngarkesa jote të ka ngelur besnike e vetme. Atë krahdru tëndin të dashur që me padurim e ke ngarkuar në shpinë, sepse shpina është e fortë dhe e përballon çdo gjë.

Po kush, kush ta vuri samarin dhe samarin që e ke bartur ka qenë tejet i rënd. Çdo kush të ka detyruar që nën barrën tënde të biesh, që asnjëherë më të mos zgjohesh. E ti shpirtplagosur me një spagë të gjatë prej drite e nis përsëri lavrën në hullinë e drejtë.

 

IV.

Për botën ke kërcyer me gëzim të madh. I je mrekulluar kësaj të mallkuare, duke mos menduar se bukuria e kohës ngadalë po të vjenë. Jeta në ty ka gjetur viktimën e pashpëtueshme dhe e atillë të ka pranuar. Ke lindur nga një dashuri e madhe dhe nga dashamirësia që të bëhesh kurban i jetës, në pakthim!

Je humbës në shkretëtirën urbane dhe në shpirt, në kaosin e jetës. Po bën përpjekje që t’i definosh, por pa asnjë sukses. Vallë, po çka ke marrë si peshqesh për të mirat tua altruiste? Hajt, zbërtheje altruizmin… Asgjë. Çka do të marrësh, ore?! Anise lumi nëntokësor t’i shpërlanë eshtrat…

Toka enigmatike, qielli me yjësi dhe fytyrat njerëzore të kanë obliguar. Në emër të këtij obligimi mushkëritë e tua i ke shqyer, gjaku të ka rrjedhur çurga-çurga. Nga bukuria lëndohet kurse nga obligimi fillon matufosja. Mos përjetimi i bukurisë dhe mosdurimi i obligimit janë shenjë se je i vdekur. Për atë se je i gjallë nuk ndërrojnë gjërat as për një qime floku. Ajo që njëherë të varros nuk do të ketë as vdekje, as rivarrim. Kjo do t’i dorëzohet vetëm truallit që është i tij, dhe s’është më për jetë. Jeta rikëthen vetëm atë që e ka huazuar. Huazimet janë të zakonshme. Ke humbur jetën – ka fituar toka.

 

V.

Po si ti kuptosh të tjerët? Si fytyrë kthjellët ta shikosh në sy jetën gazmore kur s’ke faqebardhësi, as që e din se ekziston një jetë ballëhapërt. Atë që e quajmë buzëqeshje, s’është ajo ëndërrim i përdalë. Kjo është dhimbë që gabimisht interpretohet. Atë që e quajmë gëzim – s’është gëzim! Ai është çast i ligësisë së demonit në njeriun, sepse njerëzit janë shndërruar kaherë në demon. Dreqërisht i shpotit jetës në fytyrë.

Ëngjëll i varur mbi humbellë! Presish që të lëshojë pezhishka e merimangës, që e ndien ngjeshur rreth trupit. Derisa merimanga me vibrimet e padukshme ëmbëlsohet me lëngun e jetës tënde. Pema e stëprjekur pikon nga dega dhe pa fryer era. Ty të pret honi! Eh, këto honet! Çdo gjë është e gaditur, vetëm të piqesh. Sipas alkimisë së jetës, mrekullia fisnike e kaosit bartet në greminën e trallisur të paqartë. Trallisjet barten si orteku tatëpjetzës.

Nëse fryen era, ja fatmirësitë tua të befasishme. Beft do ta humbish çdo gjë, ose do të fitosh gjithçka. Do ta kesh më lehtë: s’je i detyruar askujt t’i lavdërohesh. Kjo është hera e parë dhe e fundit që ndodh kështu! Ndodhitë i krijojnë njerëzit. Njerëzit krijojnë ndodhi. Na ishte njëherë një ndodhi… dhe nuk u bë as enigmë, as ndodhi!…

Qartë e shohim: zogjtë fluturuan qiellit, yjtë përfundimisht të pranojnë në lojën e tyre. Ata të spërkasin ty. Dhe më në fund kupton: mirësia tregohet në vepër… T’erdhi arza yte e dëshiruar – mos ngjok!

 

7-8.11.1990, Shkup.

 

KUR KJASON QUMËSHTI I KULLUAR I FËMIJËRISË

 

I.

Fëmijëria!

 

Është si shirat pranverore, pikat e shiut të artë të kujtimeve fëmijërore shkëlqejnë si safirët dhe rubinët në degëza smaragdi të verdhë. Nisu! Nisu kahdo qoftë pas kujtimeve sepse nuk është turp t’i kërkosh margaritarët më të shtrenjtë në botë – kujtimet… Poende, bëre këte me shpirtin plot ëndërrime dhe dritë në zemër. Hape katinarin me çelësin e shpirtit të kulluar, natyrisht plot mirësi dhe fuqi për falje. Vishu me trimërinë e kujtimeve, me xhaketën e shpresës dhe nisu duke e përbuzur acarin e mëngjesit, vapën përcëlluese të mesditës së korrikut dhe natën pa yje. Zemrën bëre hënë dhe pushtoje errësirën, duke e ndërtuar përsëri mëngjesin e ditës së re…

Fëmijëria dhe kujtimet janë arna në pantallonat përmbrapa… Fëmijëria është e bukur si faqet e shoqes sate në flokët me kordele. Vallë, mos është përrallë qëkur e harruar? Ulem në prehërin e ngrohtë të Nënës së Diellit dhe betohem:

Jo! – këlthas në kupë të qiellit… Baba Konstandin Kristoforidhi, sapo më heton se kam ra në dëshpërim, në veshin e djathtë më thot: “Merre titullin e vjershës time Yll i vogël lart në qiell dhe bëhu djalë krenar, nisu në rrugë me fener në dorë. Pa frikë në ëndrrën tënde duke ngarend pas fëmijërisë; plot dritë e shpresë, i mbushur me ngazëllim, kujdes, në heshtje i kredhur, mos e trillo yllin e parë të fëmijërisë!” – Baba Kostandinit i falënderohem përzemërsisht… Buzëqeshja e Tij, më lëvarët në balluke dhe qepalla…

 

II.

Një këngë popullore zezake (Joruba, Nigeri Perëndimore), me vargje të bardha (margaritarë) tingëllon e artë në veshin e majtë:

“Fëmijët janë si zogj të rrallë.

Fëmijët janë si koralet e shkëlqyeshme.

Fëmijët janë si argjendi i çmuar.

Fëmijët nuk mund t’i blejsh në treg.

Nuk mundesh as me gjithë majmunët e botës.

Mundesh për t’i blerë njëzet skllevë!

Por gëzimin na sjellin vetëm fëmijët.

Vetëm fëmijët janë përnjëmend fëmijë…”

 

III.

Nga kupa e fundit të qiellit po më vijnë fluturim disa ëndrra si qumështi i kulluar i fëmijërisë… Disa ëndrra janë pushtore me gjethet e lulëzuara të trëndafilave më të mrekullueshëm të gjithësisë. Disa ëndrra më befasojnë si zogjtë e lodhur dhe të tmershme, e të trishtuara – duke ikur nëpër mjegullnajë nga fajkoi kthetraverdhë – për t’ju shmangur gjurmëve kurrë të shlyera të kujtimeve fëmijërore. Dhe të gjitha ëndrrat do të bëjnë gjumë, të gjitha ëndrrat do të flejnë me kokat e kthyera kah qielli – në oazën e fëmijërisë.

 

IV.

Fëmijëri e ikur, në çdo stinë më shfaqet: Pranvera e re (duke e perifrazuar poetin Harold H. Lund – Danimarkë). Fëmijëria më ngjanë në një vogëlushe, të turpshme, me gishtat ngojë duke shëtitur e hutuar livadheve të një fushe duke përcjell fluturimin e fluturave, që parë i kemi – me shikimet tona personale fëmijërore.

Pranvera e re – fëmijëri e ikur luginave, shoqërohet me trishtila e turtulesha dhe mullinj të blertë ere, lulet e bardha të kujtimeve dhe të lara e stolisin saora stinën më të buhishme se grunajat si det dhe më të hareshme se kur buzëqeshin bukuritë, ato që duken në nënkrejsat e bardha si bora.

Pranvera e re – kështu e ka pranvera e re me hiret e veta; ç’po i ka hije e kaltër këmisha me lara qershie. Çdo larë ka një rrëfenjëzë më vete, ato kujtime kurrë të paperënduara, duke ecur këmbëzbathur pas shiut të majoshit, duke ia hap gonxhen një trëndafili.

Ëndrra e vjetër me Pranverën e re shkon në shkollë fushës së gjelbëruar. E – në kthim sërisht do të frushullojnë me përgjërim fustanellat e verdhemta vere në suvalën e përroit, mos të veniten shqim, kapërce gardhin – kujtimet e fëmijërisë janë flori i shkuar floririt. Hyjnor si bahçen e parajsës së mbuluar me mrekullirat kurrë të papara të durimit…

 

V.

Fëmijëria e “klyshit” rus poetit Sergej Jesenin, në vjershën antologjike “Kallëximet e gjyshes” – njëzet vargje, ai e rreshton fëmijërinë e tij… Një vigan në mesin e viganëve, lirik i vargut më sublim, kështu e përshkruajnë Serjoshën. “Ai pra, (Sergej Jesenini, 1895-1925). Ai (Serjosha) i kishte sytë e kaltërt, thuhej si qielli më i bukur, thuhej si vjollca… Flokët e bujshme, ngjyrë trëndafili të verdhë, kaçurrel dhe gati gjithmonë të pakrehura. Ishte vërtetë i bukur (i hijshëm)… Por – edhe vjershat e tij ishin të stërbukura, plot fëmijëri, plot djalëri, me vandake rini, plot mendime të holla.

Secila vjershë e tij është e kaltërt; vjollcë në kopshtin e poezisë. Vashëzat e donin dhe e dëshironin! Nuk e dij se çka dashuronin më tepër – bukurinë e flokëve, lojën fantastike dhe mrekulluese të kërcimtarëve të kaltërt të shiqimit të tij; apo amësimin e këndshëm që lëshonin zambakët e bardhë të vjershave të tija, që breronin ndjenja fëmijërore… Kishte shumë shokë, kishte shumë dashamirës, dhe kishte shumë adhurues. Tavanet e salloneve, ku deklamonte vjershat e veta, dridheshin nga kumbimi i duartrokitjeve. Skena tundej kur luante dhe i binte fizarmonikës… Kërcente më mrekullueshëm se shtojzavallet, me trup nimfeje, ngase thellohej në kujtimet e fëmijërisë… Fjalët i derdhen nga përroi i mendjes. Kur kujtonte fëmijërinë shaluar mbi kalin e dajllarëve, qante me lotët e mështekënave…

Thuajse penën ia kishte bekuar Minerva…” nga cilësimet e një akcil poetit… Le t’i lëçisim vargjet me nektar dhe aromë fëmijërie:

“Mbrëmje dimri. Oborri hesht,

kroi shurdhët dikon.

Sajat me shamatë fëmijësh

përsëri në shtëpi na çojnë lehtë.

Pranë vatrës me furkë

gjyshja rrin deri n’orët e vona

dhe për Ivan budallain

pëshpërit ngadalë.

Pëshpërit e ne jemi ulur rreth vatrës

dëgjojmë në heshtje

Në gjumë na shpie nëna me rreptësi.

Por, s’kanë, jo nuk kanë fund

kallëzimet e gjyshes…

Kush mund të fle në këso nate?

Në derë era trokllon

si endacake e vonë, e kuqe.

Pëshpërit gjyshja – buzët e lodhura:

“Mjaft! Tashmë po agon!”

– Asgjë, gjyshe, do të rrijmë,

veç kallëzime ti na rreshto!”

 

VI.

Kthim? Vetëm kthim me çdo kusht në fëmijëri s’ka. Nëpërmes të obligimit të detyruar biles të kujtimeve të paharruara, kthim nuk do të ketë, vetëm në ëndrra – po… Me anë të gjurmimit për fjalët e para, për tablotë e para vegimtare… Zëri i largët i myzeinit në mëngjeset e hershme, pa lind dielli, më bënte më herak se agimi. Se kend e zenin në shtrat rrezet e diellit ia pështynin prapanicën!…

 

(Intermexo)

“Do të dëshiroja që të hyj në botën e fëmijërisë sime dhe të fshihem në ndonjë skutë.

Atje patjetër duhet të ketë yje që i rrëfejnë dhe qiejt që lëshohen, të thuash, në shuplaka dhe e argëtojnë me retë lazdrane dhe ylbere të larëm.

Atje ka edhe re që shtihen se janë memece dhe duken se kurrë s’do të lëvizin nga vendi. Ato duke lundruar, vijnë afër dritares së tij, duke i ofrua në kalim tabakët vigane plot me lodra të mrekullueshme.

Dëshiroj të udhëtoj nëpër mendimin e fëmijës larg, përtej gjithë kufinjve, deri në atë vend ku kasnecët shpiejnë porosira me rëndësi prej mbretërisë në mbretëri, ndërmjet sundimtarëve që s’ekzistojnë në asnjë histori të botës” – shkruan nobelisti Rabindranath Tagore (1861-1941).

Si ta ndërtojmë përsëri mëngjesin e ditës së re të kujtimeve, me flatra të reja – aty në atë oazë gjelbërohet bota e kujtimeve fëmijërore? Zogëza e kaltërt çerdhen e kujtimeve e bartë në sqep, nuk din për lodhje dhe mundime, as për brengat e botës fare; një burim nga valëzat e gojës lëshon bilbila… Fëmijët e duan këngën, është gazmendtare si vektoret e Anamoravës, kur endin pëlhura të ylberta me gëzime ku çerdhohet rehatia. Çfarë pëlhure magjike atëherë tezgjahu i juaj krijon si bishti i ndritshëm, i blertë i palloit…

Poetët janë ëndërrimtarë, kanë imagjinatë hyjnore… Dhe, poeti turk Mehmed Nexhati Ongaj (1914-1986), duke medituar në cep të Bririt të Artë të Bosforit, kishte vërejtur plot kureshtje një vocërrak duke vrapuar pas fluturave të bardha të pranverës, kishte sajuar këto vargje të dialoguara në mes të çunit dhe pranverës.

“Pranverë, nëse ti ke lule mërli,

unë kam dhëmbë margaritarë,

nëse ti ke rè të kaltërta,

unë kam sy të kaltërt,

nëse ti ke agime të kuqremta,

unë kam faqe të kuqe,

nëse ti ke pika të shiut,

unë kam lot të ngrohtë,

Nëse ti ke lumenj të gjërë,

unë kam anije prej letre,

nëse ti ke pa numër drunj,

unë kam pa numër ushtarë,

nëse ti ke zogj të lirë,

unë kam shumë avionë,

nëse ti ke erëra të furishme,

unë kam fluturakët e mij,

nëse ti ke hënën dhe yjtë –

unë kam flamurët e mij!

Ti, pranverë e bukur,

erdhe në vendin tim

si bajrak…”.

 

VII.

Kur vijnë shirat, lulet kanë kremte. Një lule i pikë një lot gëzimi nga shendi i pranverës, bari merr shkëlqimin e smaragdit. Kur vijnë bukuritë e pranverës – rrënjët I zgjasin gishtat kah qielli, akacjet përdridhen si balerinat. Bukurezat palohen gjëkundi thellë ku as era, as ëndrra nuk mund t’i gjejë?! Kopshtet kur buzëqeshin nga mrekullitë ju thërrasin në solemnitete, i risin padukshëm frutet e kujtimeve…

Fëmijët janë si zogj të rrallë…

Mendimet e fëmijëve janë tufa lulesh…

Bota e fëmijëve është kalavesh me guaca kujtimesh…

Kujtimet kurrë s’kanë mbarim!…

Kujtimet e hershme pranvera të reja…

* * *

 

Fëmijët rritën kur bijnë shirat e pranverës. Lulet thërrasin për miqësi, sajdisje që nuk harrohet as në moshën e thyer. Pikëzat e shiut kanë shkëlqyer si ar – në degë si smaragdi të verdhë. Nën to shelgjet janë lakuar, janë këputur si ëndrra e derdhur në gërshetat e vashës malësore, si gjerdanë me margaritarë…

Oh, çudi! Iku para teje rrufeja, vrasësja e njerëzve, si antilopë e lehtë para leopardit. O ylber, tregoja mirënjohjen tonë! Thuaj, le të mos hidhërohet! Thuaj, le të mos zemërohet!

Thuaj le të na ruajë me plot frikë nga zemrimi i tij! Thuaj, ylber!

– Pse?

A thua nga mëshira?

Apo për shkak të qiellit që është aq i kaltërt dhe pse foka i gëzohej diellit si në breg fëmijët e vegjël…

 

E premte, 19/23 prill 2013, në Shkup.

Please follow and like us: