Lajla Përnaska: Dedikim për miqtë e mi bluzëbardhë dhe jo vetëm
Situata e pandemisë së Covid-19, që po përjeton mbarë njerëzimi, ka vënë çdo shtet e individ bashkë para një sfide, si kurrë më parë. Tashmë gjithkush flet për bluzëbardhët, keni dalë në pah, ju njohin të gjithë, nuk jeni as “në hije”, as “të sulmuar” si herë-herë. Ju jeni aktorët e skenës aktuale, madje heronj ju quajnë tashmë me krenari. Të gjithë ju mbështesin, sytë tek ju i kanë dhe tek e gjithë armata e personelit shëndetësor që është në vijën e parë të kësaj beteje. Por unë ju njoh nga afër, jeni bashkëstudentë, ish-kolegë, miq të mi dhe ju vlerësoj, ju jam mirënjohëse për gjithçka ju bëni në mbrojtje të jetës.
Por jo vetëm sot. E keni bërë vazhdimisht, duke u lodhur në heshtje e pa zhurmë, që kur keni zgjedhur këtë profesion. Sot është pikërisht koha juaj miqtë e mi. Koha e gjenerateve të mjekëve të mirëkualifikuar, që jetën e tyre profesionale, ja kanë dedikuar profesionit, shkencës, shërbimit klinik. S’e hoqët për asnjë sekondë bluzën e bardhë, duke investuar nonstop, për t’í dhënë asaj peshën dhe emrin, që tashmë të gjithë po ja japin : mbrojtës të jetës, misionarë të shëndetit.Kjo është koha e juaj miqtë e mi. Kohë që ju shfaqi edhe në ekranet tona, duke eklipsuar modelin e deformuar të ngritur në vite të: analisto- opinionistëve “gjithologë”, apo multispecialistëve pa diplomë. Eshtë koha e juaj miqtë e mi, edhe nëse në ndonjë panel TV, moderatorë qokaxhinj, ju kanë vënë përballë “megafonë politikë”, që dalin lehtazi bllof para jush.
U rrotullua skena e u spostuan njëherazi edhe “Vip- at” mediatikë (showbiz a blogere) dhe dolët ju miqtë e mi, që ndonëse s’i konkuroni “zanatet” e tjera në të ardhura, jeni absolut në Profesionalizëm. Dhe kjo sfidë ka domosdoshmërinë e profesionalizmit tuaj. Janë njohuritë dhe ekspertiza juaj, faktorë kyç në mirëmenaxhimin e kësaj situate. Eshtë koha juaj miqtë e mi, ju keni plot mbështetjeje, që ju gjeneron energji pozitive në këtë ngarkesë, që ju po mbani mbi supet tuaja njerëzore. Eshtë koha e juaj miqtë e mi bluzëbardhë dhe kontributin e sakrificën tuaj nuk mund ta shuntojë asgjë e askush edhe pasi të mbyllet ky kapitull emergjence globale, mbi të cilën jam e sigurtë që njerezimi do triumfojë. Ju po bëni historinë sot, duke kontribuar në një faqe sa të vështirë e të nderuar të saj.
Zoti ju bekoftë.