15 mars 1991/Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA
Pas një periudhe të gjatë armiqësie, me 15 mars 1991, pak ditë para zgjedhjeve të para pluraliste në vend dhe kur Evropa Lindore e Qendrore ishte përfshirë e tëra në valën e ndryshimeve të mëdha demokratike, u rivendosen marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA.
Në përpjekiet e saj për tu antarësuar në KSBE ( sot OSBE) ku SHBA kishin një rol vendimtar, qeveria shqiptare kishte shprehur në prill 1990 interesin e saj për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me SHBA. Kërkesa gjeti gadishmërinë e palës amerikane e kjo bëri që në qershor 1990 të fillonin bisedimet midis delegacioneve zyrtare për finalizimin e këtij procesi.
Me këmbënguljen e palës amerikane, ky moment u konsiderua “rivendosje e marrëdhënieve diplomatike” , ndryshe nga propozimi i qeverisë komuniste të kohës që të konsiderohej “vendosje e marredhenieve diplomatike”, duke mohuar marrëdhëniet që kishin ekzistuar midis dy shteteve në vitet 1922-1939. Këtë qeveria shqiptare kishte bërë edhe me disa qeveri të tjera, por qeveria amerikane kërkoi me këmbëngulje termin “rivendosje”. Në këtë këndvështrim mbeteshin në fuqi të gjitha traktatet e nënshkruara me shtetin shqiptar 1922-1939, një çështje që qeveria komuniste e viteve 1945-1947 e kishte refuzuar.
Në Memorandum thuhej se qeveritë ishin marrë vesh që të rivendosnin marrëdhëniet diplomatike mbi bazën e barazisë, respektit, dhe leverdisë reciproke, duke filluar që nga 15 mars 1991, si dhe të shkëmbenin misione diplomatike në nivel ambasadori.
Në nenin 3 të Memorandumit thuhej “ Traktati i natyralizimit, i nënshkruar në Tiranë , me 5 prill 1932, do të shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Memorandumi Mirëkuptimi. Lidhur me këtë, qeveria e SHBA, shënon se deklarata e bërë në paragrafin 2 të notës diplomatike, që i është dorëzuar kryetarit të Këshillit, dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë nga Komisionieri Amerikan në Tiranë, me 23 qershor 1922, mbi “interpretimin dhe zbatimin e ligjeve që kanë të bëjnë me natyralizimin në Shtetet e Bashkuara”, ka vite që ka pushuar së qeni një përfaqësim i saktë i legjislacionit të Shteteve të Bashkuara.”
Traktatet e tjera mbeteshin në fuqi nëse ishin të zbatueshme në kushtet e viteve ’90-te. Traktati i Ekstradimit i v.1933 me SHBA vazhdon të jetë i zbatueshëm.
Nënshkrimi i këtij Memorandumi u shoqërua me një Komunikatë të Përbashkët per mediat e dy vendeve, po me 15 mars 1991.
https://punetejashtme.gov.al/wp-content/uploads/2020/03/doc168.pdf
https://punetejashtme.gov.al/wp-content/uploads/2020/03/doc169.pdf
https://punetejashtme.gov.al/wp-content/uploads/2020/03/doc170.pdf