Albspirit

Media/News/Publishing

7 mars 1914/Princ Vidi dhe vendosja e të parave marrëdhënie diplomatike të shtetit shqiptar

Princ Vidi: Shqipëria, Gjashtë Muaj Mbretëri

Në zbatim të vendimit për Shqiperine të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, 29 korrik 1913, me 7 mars 1914 mbërrin në Shqipëri Princ Vidi, i zgjedhuri i 6 Fuqive të Mëdha për të drejtuar principatën shqiptare në kufijtë politikë të njohur prej tyre.

Princ Vidi dhe “Qeveria Definitive” e krijuar prej tij, përveç problemeve të shumta të brendshme  që duhej të zgjidhnin, kishin detyrimin madhorë të ndërtonin shërbimin e jashtëm e të përcaktonin perparesite politike në marredhëniet me jashtë. Avantazh për këtë qeveri ishte fakti se asaj iu dha njohje ndërkombëtare dhe u pranua nga Fuqitë e Mëdha si e para qeveri përfaqësuese e shtetit të pavarur shqiptar.

Çështja e njohjes dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Fuqitë e Mëdha, me fqinjët dhe më gjërë ishte problem mbijetese e tepër urgjent për qeverinë e re e cila kishte nevoja të shumta për përkrahje e ndihmë.

Përsa kohë Roma e Vjena kishin qenë mbështetësit kryesorë të kandidaturës së Princ Vidit dhe formulës për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar, mes tyre diskutohej nëse nga pikpamja e të drejtës ndërkombëtare Shqipëria kishte apo jo të drejtën të emëronte jashtë vendit përfaqësuesit e saj zyrtare e gjysemzyrtare në kushtet e njëfarë kufizimi të sovranitetit të saj për shkak te veprimtarisë së Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në vend. Shqyrtimi i kësaj dileme zgjati fillimin e procedurave për vendosjen e marredhënieve të para diplomatike.  Pas një përgjigjeje pozitive nga dy kryeqytetet, të parët përfaqësues të huaj të emëruar  si Të Dërguar të Jashtëzakonshëm e Ministra Fuqiplotë pranë Oborrit Mbretëror të Princ Vidit ishin përfaqësuesi italian baroni Karlo Alioti  dhe përfaqësuesi austro-hungarez Lovental. Qeveria e Vidit emëroi në Vjenë si minister fuqiplote Syrja bej Vloren, ndërsa në Romë Adamidh bej Frasherin, i cili dy muaj më pas u zëvendësua nga Myfit bej Libohova. Vjena e Roma këmbëngulën që përfaqësitë e Shqipërisë jashtë të ishin të kufizuara për shkak të ngarkeses financiare dhe mungesës së personelit dhe propozuan që të merrnin përsipër ata përfaqësimin diplomatik e konsullor të Shqiperise, por u kundërshtua nga Princ Vidi e fuqite e tjera kryesisht Franca.  Kjo e vonoi procesin e hapjes se legatave në vendet fqinje. Për të nxitur procesin Vidi ne fillim të majit 1914 u drejtoi një letër monarkëve dhe kryetarëve të 30 shteteve . Duke i njoftuar për hipjen në fronin e Shqiperise me 7 mars 1914 ai u kërkoi atyre njohjen, bashkëpunimin dhe mbështetjen “për të kontribuar në konsolidimin jashtë vendit të pozitës së shtetit të ri i destinuar të luaj një rol të rëndësishëm në ekujlibrin e Ballkanit.”

Kjo përpjekie solli disa njohje të reja nga mbretëritë e Serbisë, Belgjikës, Spanjës. Ndër Fuqite e Medha, Franca në 12 maj 1914 emëroi në Durrës ministrin De Fontenay, ndërsa Berlini ministrin Lucius, ish-këshilltar në ambasadën gjermane në Shen Petersburg. Britania e Madhe e Rusia mbetën në pritje të zhvillimeve të mëtejshme shqiptare. Nga qeveritë e vendeve të rajonit, e para ishte qeveria rumune (edhe për shkak të lidhjeve të gjakut të kurorës mbretërore me Princ Vidin), e cila  emëroi përfaqësuesin e parë diplomatik nga rajoni ministrin Burzhele. Në qershor paraqiti kredencialet perfaqesuesi grek Konstantin Varatas, prefekt i Korfuzit.

Serbia i vendosi marrëdheniet diplomatike me Shqiperine në dy faza. Në fillim, prill 1914, në nivelin e një agjensie diplomatike, me përfaqësues të ngarkuarin me pune Panta Gavriloviç, dhe me vonë në qershor 1914 në formën e legates me minister fuqiplote, madje kërkoi edhe hapjen e një konsullate të pergjithshme në Shkoder. Qeveria bullgare caktoi në Shqipëri përfaqësuesin e saj në nivel të ngarkuari me punë në prill 1914 T. Pavllov deri në emërimin e një ministri fuqiplote. Me 29 qershor 1914 përfaqësuesi diplomatik gjerman ne Durres njoftoi MPJ se deri në ardhjen e një përfaqësuesi të Portës së Lartë, ai ishte ngarkuar të mbronte interesat osmane në Shqiperi.

Ndërsa qeveria shqiptare mbeti vetëm me dy përfaqësues dilomatikë të emeruar jashtë vendit dhe një kandidaturë në projekt, pikerisht Mehmet Konicën në Athinë. Në shtator 1914  Princ Vidi do linte Shqipërinë me fillimin e Luftës së Parë Botërore  dhe vendi do kthehej në një arenë përplasjesh të ushtrive ndërluftuese.

https://punetejashtme.gov.al/wp-content/uploads/2020/03/documents.pdf

Please follow and like us: