Kaltrinë E. Uka: KTHEHU PËR HATËR T’HANËS
Kaltrinë E. Uka
Me netë t’tana nuk po flen rahat hana pa ne rojtarët e saj,
s’po bjen n’herezi ma e m’sheft mas reve tinëz t’lumtun me na pa
veç hajde e shihe prej ktu se si asht ba, asht dremit…
Mu malli po m’rigon si shi e po rri mas grilave,
n’andrrat syqel t’mesnatës n’apogjeun e rremë po luhatna
po s’po asht boll
durt mikluese me përvinu kadal ftyrën tane
nuk po munen me durue duerkryq.
Natë orgjie po baj n’nimfën teme
sarhosh n’theqafjet drejt mirazhit tan po eci
tafti-bafti! edhe t’koft zgrip i jetës,
imazhi yt joshës po m’babëzit teslim po bahna
se m’asht sekrecion i trupit
menzi hana po m’nal vikamën harbute kur po shuhesh si meteor
pa mujt me t’nanuris si du un’.
Kallamishte jam ba pa ty, kurm
suvalë kujtimesh që po m’marrin…
tangjent që m’prek n’pikën tem t’dobt, n’ty.
E vetmja hana po kuis kit eremit naiv e as nuk po kotet
po m’ep stërkalë shpresash që kem me ken bashkë
tymtajë po ma ban menen
shtërzime pa dobi, për mu t’pashpresë!
S’di edhe sa do mahet stoik ky shpirti jem maraz pa ba naj hata
prej mungesës tane napalm…
Mos e shti n’mëkat hanën me ba alibi t’rreme për mu
kthehu për hatër t’saj.