Poezia e Kakia Pavlidhout vjen në shqip nga Arqile Garo
Lëkura jote mbante erën e shiut
Trupi yt përhapte erën e shiut
dhe unë kisha udhëtuar kaq vjet në thatësirë.
I etur isha për një pikëz mikëpritjeje
e ti më ofrove një lumë të tërë lirie.
“Lëri ujërat e natyrës të plotësojnë lirisht
ciklin e tyre”, më the…
Dhe unë ndjeva dheun tim tek përmbytej
nga ai shpërthim madhor i avujve të tu
që rrihnin të dilnin jashtë meje
nën presionin e rezistencës sime.
Erdha për të gjetur një atdhe
po shkoj duke kërkuar një qiell
dhe në interval
me udhërrëfyese një hënë të kuqe që hedh dritë
mbi trupin tënd të ujshëm,
të stisur me burime.
Që kujtesa të mund të pijë
sa herë që moti shterpëzohet.
Shqipëroi Arqile Garo.
Please follow and like us: