Albspirit

Media/News/Publishing

Azgan Haklaj: Prillet tragjikë, por të lavdishëm në enciklopedinë shqiptare

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ripërtëriu Epokën Gjergj Kastriotit (Skenderbeut).

Platforma e saj konstruktoi shtetin-komb të shqiptarëve.

In memoriam:

Mic Sokoli e Sef Kosharja në Panteonin e Kombit.

Në historinë e Kombit Shqiptar, gjatë sagës së gjatë, përmes shumë kasandrash, me sakrificë kristiane për mbijetesë, ka shumë prille të përgjakshme.
Nuk e kam fjalën për romanin “Prilli i thyer” i Ismail Kadaresë, por për prille luftërash e gjak të derdhur për liri e demokraci.
Kam trajtuar në një shkrim të veçantë Kryengritjen e Deçiçit që kulmoi me ngritjen e Flamurit Kombëtar në Bratilë më 6 prill të vitit 1911, e cila ishte prologu i Kryengritjes së Përgjithshme që do të finalizohej me shpalljen e pavarësisë në Vlorën historike më 28 nëntor 1912.
Kam folur për 7 prillin e vitit 1939 të pushtimit fashist.
Shqiptarët u përpoqën në mënyrë sporadike, por nuk i rezistuan Romës së Musolinit.
U deshën vite lufte për të çliruar Shqipërinë.
Pas përfundimit të Luftës Dytë Botërore shqiptarët edhe pse u çliruan nga fashizmi mbetën të ndarë përsëri e ranë në kthetrat e komunizmit gjakatar.
Në mars-prillin 1945 ndodhi masakra mizore e Tivarit.
Platforma e këtij veprimi çnjerëzor të lëvizjes nacionalçlirimtare të Jugosllavisë u ba projekti famëkeq i Çubriolloviçit të 7 mars 1937 dhe 3 nëntorit 1944.

Ky projekt i spastrimit etnik gjeti zbatim me zhdukje e shpërngulje të shqiptarëve dhe zëvendësimin e tyre me kolonë serbë.
Masakra e Drenicës ishte prologu i masakrës së Tivarit.
Në muajt mars- prill u ba mobilizimi i dhunshëm i rekrutëve në të gjitha qytetet e Kosovës për t’i nisur në frontin e Sremit e të Adriatikut.
Shumicën i përqendruan në qytetin e Prizrenit dhe i çarmatosën se iu thanë do ju armatosim në Kroaci e Slloveni.
Kolonat e para u nisën më 24-27 mars dhe të dytat më 19- 24 prill 1945.
Enver Hoxha lejoi shqiptarët të mobilizuar me dhunë, pa armë në dorë të kalojnë në rrugën e vdekjes apo “Golgota Shqiptare” siç e ka quajtur Zekeria Cana rrugëtimin e tmerrshëm Prizren-Kukës-Pukë-Shkodër -Tivar- Dubrovnik -Rjekë.
Xhelatët e Aleksandër Rankoviçit janë shquar për krimet e tyre kundër mijëra shqiptarëve të rekrutuar dhunshëm, nga Kukësi në Ulqin.
Më 31 mars dhe 1 prill filloi kasaphana e përgjakshme.
Ata janë rrethuar atëkohë nga të gjitha anët në Tivar nga ushtarët malazezë dhe janë qëlluar në mënyrë të pamëshirshme me breshëritë vdekjeprurëse të armëve ku mbetën të vrarë mijëra vetë.
Asnjë penë nuk mund ta përshkruaj saktë këtë masakër barbare dhe numrin e të vrarëve.
Enver Hoxha, në vend që të denonconte këto krime të shëmtuara, dekoroi skenaristët dhe regjizorët e saj, binomin Tito- Rankoviç.
Më 24 prill në vitin 1945 me dekretin 48 nga Presidiumi i Kuvendit Popullor caktohet 25 prilli, dita e kufirit e forcave kufitare dhe shqiptarët mbetën të ndarë me Mur Berlinez.
Pikërisht më 31 mars 2018 Edi Rama i vendosi traun Rrugës së Kombit mbi themelet e Golgotës Shqiptare dhe mbi gjakun e derdhur nga bijtë e bijat më të mira të Kombit Shqiptar që ranë në betejat për shembien e kufijëve, në betejat e Koshares në prillin e vitit 1999-të, të rreshtuar në UÇK- në e lavdishme, e cila realizoi ëndrrën shekullore të Lirisë Dardane.
2 prilli i vitit 1991 është prilli i përgjakshëm i demokracisë.
Falangat e Kuçedrës komuniste që po jepte shpirt realizuan masakrën e Shkodrës.
U përgjak Shkodra, djepi kulturës, dijes dhe demokracisë.
Mbetën në fushën e nderit, pishtarët e demokracisë Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku.
Urdhëruesi i masakrës së 2 prillit Gramoz Ruçi sot është Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë.
Sot objekt të veçantë të shkrimit tim kam Lidhjen Shqiptare të Prizrenit e cila pavarësisht se u thye 139 vite më parë u bë burim frymëzimi për vazhdimin e luftës për finalizimin e ëndrrës nacionale.
Me dt 10 qershor të vitit 1878 në Prizren 133 delegatë, burra të shquar të Kombit Shqiptar, gjeneralë dhe ushtarakë karriere, ideologë të nacionalizmit dhe Rilindjes Kombëtare, klerikë e prijës të sprovuar në luftërat për liri e thirrën dhe organizuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Kjo ngjarje historike, për nga efekti që solli në Historinë Kombëtare për liri e pavarësi dhe shtetëformim, pavarësisht largësisë kohore, radhitet me dinjitet dhe meritë të pamohueshme përkrah famëmadhes, Besëlidhjes së Lezhës dhe është vazhdim i natyrshëm i ideologjisë, platformës e srategjisë së saj në kushte të reja historike.
Ky Kuvend Panshqiptar me shtrirje e pjesëmarrje nga të gjitha trojet etnike të Kombit Shqiptar, pas Shtetit të Përqendruar Arbëror të Gjergj Kastriotit, është e para lëvizje kombëtare që ripërtëriu Epokën e Moisiut tonë Gjergjit të lavdishëm.
Ky Kuvend është i pari i organizuar me platformë të qartë politike, ushtarake, administrative.
Betejat shekullore të popullit shqiptar ishin të identifikuara me kryengritjet e pandërprera të përgjakshme kundër Perandorisë Osmane.
Por tani rreziku i frikshëm ishte ekspansioni shovinist sllavo- ortodoks i shteteve fqinjë që kishin shpallur pavarësinë nga Turqia, si Serbia, Greqia, Bullgaria, Mali i ZI, prandaj shtrohej përpara elitës shqiptare nevoja urgjente e mbledhjes së një Kuvendi Kombëtar të mandatuar nga përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare.
Populli shqiptar me anë të prijësve e përfaqësuesëve të tij u dha plotëfuqinë delegatëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për të vendosur për të ardhmen e tij.
Beteja ishte në shumë fronte me turqit, malazezët, serbët, bullgarët, grekët.
Disfatat e rënda të otomanëve me Rusinë Cariste, çertifikimi që i bëri Traktati i Shën Stefanit ëndrrave shoviniste të Rusisë e satelitëve të saj sllavë në Ballkan, fqinjëve armiqë shekullorë të shqiptarëve e vunë në pikëpyetje serioze vetëekzistencën shqiptare dhe të ardhmen e tyre në Ballkan.
Në këtë udhëkryq të errët të historisë, shqiptarët patën fatin e madh historik të kishin si interpret të ëndrrave të së ardhmes së tyre një ansambël burrash të shquar, mendjendritur, vizionarë e luftëtarë të paepur, të cilët kanë zënë vend të përjetshëm në Panteonin e Kombit Tonë.
Rilindasit e mëdhenj Pashko Vasa, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, prijësit e shquar Iliaz Pashë Dibra, Mehmet Pashë Deralla, Ali Pashë, Gucia, Idriz Seferi, Binak Alija, Haxhi Zeka, Hodo Pashë Sokoli patën në krah krahas komandantëve të shquar Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Ded Gjon Luli, Baca Kurti, Çun Mula, Preng Bib Doda edhe klerikët patriotë Imer Prizrenin dhe Ahmet Koronicën, trimat e shquar Jakup Ferri, Mic Sokoli, Col Delia, Sef Kosharja, Shpend Zeqir Haklaj, simbolet e Pavarsisë së Shqipërisë Bajram Curri e Isa Boletinin që rrokën pushkët e u rreshtuan në Ushtrine e saj atëkohë në moshë fare të re.
“E verteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” e Pashko Vasës u ba Platforma e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Uniteti Krahinor dhe fetar ishte boshti ideologjik i udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit, të cilat u sanksionuan edhe në Programin dhe në Aktet Juridike të saj, të hartuara nga Iluministi Pashko Vasa.
Në relacionet që iu dërguan kancelarive të fuqive të mëdha të kohës, drejtuesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i banë qartësisht të ditur opinionit publik ndërkombëtarë se shqiptarët janë një Komb dhe etni e pandarë në trojet e tyre të lashta Iliro-Dardano-Arbërore në Ballkan.
Vendosmëria e Qeverisë së Përkohëshme e kryesuar nga Imer Prizreni dhe e Ushtrisë së Lidhjes për të mbrojtur me çdo çmim trojet shqiptare vunë në veprim të shpejtë diplomacinë ruse dhe agjentët e saj për të përçarë shqiptarët në bazë fetare.
U hartua një plan ogurzi për spastrimin territorial në trekëndëshin Pejës -Gjakovë -Prizren nga shqiptarët katolikë që banonin në këto treva që në kohët e Krishtërimit Apostolik.
Këtij projekti famëkeq iu kundërvunë me vendosmëri e vizion patriotik kombëtar udhëheqësit e shquar të Lidhjes Haxhi Zeka dhe Ali Ibra.
Për Ali Ibrën, konsujt austriakë e rusë i njoftuan menjëherë kryeqendrat e tyre perandorake, Vjenën dhe Shën Petërburgun se “i ka marrë në mbrojtje shqiptarët katolikë të Rrafshit të Dukagjinit”.
Turqia edhe pse ishte goditur rëndë nga Traktati i Shën Stefanit i dt 3 mars të vitit 1878, edhe pse ngjarjet e 4-5-6 shtatorit të vitit1878, si aksion i parë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kulmuan me vrasjen e Mehmet Ali Pashë Maxharrit, i cili kërkonte që Plavë e Gucia ti jepeshin Malit të Zi, ajo nuk kishte ndërmend të bënte asnjë lëshim ndaj kërkesave të shqiptarëve për autonomi e vetëqeverisje.
Turqia nuk do të njihte dy elementë themelorë të Identitetit shqiptar Kombësinë Shqiptare dhe Gjuhën Shqipe.
Krahas betejave legjendare në disa fronte kundër turqëve dhe sllavëve Qeveria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit zhvilloj dhe një betejë intensive diplomatike nëpërmjet Kryeministrit të Italisë së bashkuar, Arbëreshit Françesko Krispi.
Abdyl Frashëri e patriotë të tjerë arritën ta ndërkombëtarizojnë Çeshtjen Kombëtare dhe ta vinin në tavolimën e kancelarit gjerman Bismark, pikërisht në virgjilje të Kongresit të Berlinit me dt 13-të qershor të vitit 1878, ku fuqitë e mëdha do të percaktonin kufijtë e Ballkanit.
Megjithëse i mbledhur për të korrigjuar Traktatin e Shën Stefanit dhe për ti venë fre orekseve shoviniste ruse në Ballkan, Kongresi i Berlinit u shkaktoj dëme të mëdha shqiptarëve.
Vendimet e tij u pritën me indinjatë nga patriotët shqiptarë anë e mbanë trojeve etnike shqiptare.
Ushtria vullnetare e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit zhvilloj beteja legjendare me forcat ushtarake të Mark Milanit të Malit të Zi dhe i zmbrapsi ato me humbje të mëdha.
Vetëm në brigjet e Lumit Lim trimat shqiptarë të udhëhequr nga Ali Ibra, Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, i asgjesuan qindra- mijëra luftëtarë malazezë.
Aq të përgjakshme ishin këto beteja saqë Limi u skuq nga gjaku i derdhur dhe kokat e të vrarëve rrokulliseshin nëpër lumë si gurët e tij.
Beteja e qëndresa shqiptare pati jehonë ndërkombëtare.
Katër shekuj pas Epopesë së Gjergj Kastriotit (Skenderbeut) shqiptarët arritën të bëhen faktor determinues në Ballkan.
Berlini u dorëzua duke respektuar faktet reale në terrenin e luftimeve.
Në vend të Plavë -Gucisë u njohu të drejtën malazezëve të aneksonin Hotin dhe Grudën.
Ideatorët e Planit B të Berlinit menduan se këto treva që banoheshin nga shqiptarë katolikë do të ishin kockë e lehtë për tu gëlltitur me pretendimin se Mali i Zi i krishterë do t’i mashtronte me lehtësi e më vonë do t’i asimilonte ata.
Trimat e ketyre maleve dhe ushtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i mbrojtën këto troje me të njëjtin heroizëm që mbrojtën Plavë- Gucinë.
Në të gjitha kryeqendrat e trevave shqiptare, nga Janina në Ulqin dhe Tivar Lidhja Shqiptare e Prizrenit i krijoj degët e saj.
Ngriti administratën e gjykatat shqiptare.
Urdhëroj përdorimin e Gjuhës Shqipe.
Me këto veprime të shpejta konstruktoj tiparet themelore të qenësishme të Shtetit Komb.
Ajo asnjëherë nuk e njohu ndarjen administrative të shqiptarëve në katër vilajete, pas riorganizimit të Perandorisë Otomane.
Ajo krijoj një autoritet qëndror, politik, administrativ, ushtarak duke krijuar Qeverinë e saj.
Kushtet e rënda historike, në të cilat u krijua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, beteja në disa fronte, dhe statukuoja që fuqitë e mëdha europiane e monarkitë e tyre vëndosën në Ballkan, egërsia dhe barbaria e Ushtrisë Turke e armatosur gjer në dhëmbë, ndaj popullsisë civile të pambrojtur bënë që pas luftimeve heroike dhe qëndresës së paepur në Shtime dhe Caralevë me dt 18-23 prill të vitit 1881 të shpërndahej.
Me 18 prill të vitit 1881 Ushtria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u ndesh me Ushtritë turke të komanduara nga Dervish Pasha në Shtime dhe Slivovë.
Rreth 3000 luftëtarë, vullnetarë shqiptarë patën përballë 20 batalione turke me mbi 15000 ushtarë, oficerë, të paisur me armatimin më të mirë të kohës.
Betejat ishin të përgjakshme me heroizëm të madh të shqiptarëve, ndonëse në kushte të pabarabarta por ata u treguan qëndrestarë të paepur e të pathyeshem deri në flijim për Atdheun.
Me dt 20 prill Mic Sokoli, veprimtari i shquar kundër Reformave të Tanzimatit, i aksioneve të Ushtrisë së Lidhjes, në Gjakovë për vrasjen e Pashë Maxharrit, për mbrojtjen e trojeve tona në Plavë – Guci në Betejën e Nokshiqit në dhjetor 1879- janar 1880, për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës, në Betejën e Shtimes i vuni gjoksin shkëmb topit të sulltanit e mbeti në fushën e nderit dhe të lavdisë për tu përjetësuar në këngë.
“N’Fushë t’Kosovës u lidh jezeri, (mjegulla).
Haj medet ka mbetë shumë njeri.
Mic Sokoli e Zmajl Hyseni”.
Apo:
“Mic Sokoli ban me dorë.
Besa shokë s’po muj me folë.
Se m’ka ra do gjak në gojë.
Se m’ka ra do gjak në bark
Shtatë martine i kam në shtat”.
Aty u plagos Ali Ibra zv Komandanti i Ushtrisë së Lidhjes dhe Shpend Zeqir Haklaj komandant i formacioneve luftarake të Gashit.
Aktet heroike të shqiptarëve përshkruhen nga vargjet:
“Ali Ibra n’vraç të zi.
Po i shkon gjaku për zingji.
Se këtu i thonë shqiptari”.
Për shkak të epërsisë numerike, barbarisë shtazarake të ushtrive të panumërta e që shtoheshin nga ora në orë Ushtria e Lidhjes me dt 21 prill tërhiqet.
Me dt 22-23 prill u zhvilluan luftime të ashpra në Qafë Dule dhe Suharekë për të penguar ushtritë osmane të hynin në Prizren.
Pas thyrjes së rezistencës së kryengritësve shqiptarë kapet i plagosur Sef Kosharja në Malin e Porodimës, afër Shtimes dhe nga këtu i lidhur për duarsh u dërgua para Dervish Pashës në Kodrën e Gllavicës afër Kosharës, në pikën me strategjike të saj të quajtur Okol.
Pashai i premtoj Sefës se nëse distancohesh nga “Hasharati”, siç i quanin turqit malësorët kryengritës do ta falte e do ti ndërtonte një kullë të bukur.
Sef Kosharja iu kundër përgjigj Pashës me këto fjalë:
“O Pashë s’jam me ty e as bahna.
Besën ua kam dhënë krerëve të dheut e Flamurit tim e qe besa edhe des.
Besa tek ne nuk shkelet së kena ftyrë”.
Meqenëse Dervish Pasha nuk ia doli me dinakëri e premtime të përfitonte e ta bindte, i egërsuar nga qëndrimi mospërfillës i trimit dha urdher të varej në lis dhe u la ashtu të varur për tre ditë për të tmerruar, e për të mbjellur frikë e panik tek kryengritësit.
Kush ta heqin nga litari i pritet koka dha urdhër Pashai i Turqisë.
Pas tre ditësh nipi i tij, djali i motrës Shabani nga Shtimja e mori dajën Sefë dhe e varrosi në varrezat e Sllatinës në Slivovë.
Populli e ka gdhendur në këngë lisin e shqiptarisë Sef Kosharja:
“Sef Kosharja i pari i fisit.
Hije t’paska maja e lisit.
Hije m’ka o shok’t e mi
E dhash’ jetën për liri”.
Në maj u banë përleshjet e fundit në Rrafshin e Dukagjinit. Megjithëse pati jetegjatësi të shkurtër, vetëm tre vite 1878-1881, Lidhja e Prizrenit i tregoi botës se shqiptarët janë trashëgimtarë të një race fisnike, bartës të një gjuhe dhe kulture që ka lindur në agimin e Qytetërimit Botëror.

Please follow and like us: