Albspirit

Media/News/Publishing

Brunilda Spiro: Bota, bija ime…

Image may contain: 1 person, text

Ese

 

“Bota, biri im”, i sqaron babai peshk djalit të tij në akuarium, është një enë e madhe e mbushur plot me ujë”.

Ndërsa unë: “Bota, bija ime, është një vend i madh plot me njerëz, kafshë e bimë që hanë njera- tjetrën”.

Kaq na lejohet të dimë, thotë deri diku Nice( Nietzsche), si kafshë të zgjuara të Universit.

Vdiq dje një fëmijë pesë vjeç dhe më bëri të mendoj, sesa herët është të kuptojmë se çfarë po ndodh!

Shumë kam lexuar këto kohë korone, me dhjetra shkrime dhe kam parë po aq video, që me leksik të përsosur, me fjalë që prekin ndjenjat e njerëzve dhe aludime që ngatërrojnë turmat, më kanë rrudhur nervin e syrit dhe plasaritur daullen e veshit.

Pak a shumë në këto shkrime dhe video, të gjithë dhe askush, e dinë që çfarë po ndodh, kush e prodhoi koronën, përse e prodhoi dhe mësimin e madh që i dha njeriut!

Askush dhe të gjithë, e dinë që gjithçka do ndryshojë!

Pastaj lexova një ese të një ish kolegut tim për pak kohë, që nuk më la asnjë hapësirë apo qoshe të punoja, i cili këndonte të njëjtën melodi, por me fjalë të ndryshme.

Vallë ne njerëzit morëm një mësim të madh dhe çfare po ndodh nuk është luftë, kjo ishte pak a shumë ideja.

Në fakt, të gjithë po luajnë rolin e Zotit apo Universit dhe po i japin dënimin njeriut!

Çudi më vjen, pasi filozofët e të gjitha kohërave janë lodhur për të gjetur se kush është njeriu dhe çfarë roli ka në natyrë, që nga Aristoteli, Platoni, i madhi Sokrat, e para tyre filozofia naive e Thalesit, deri te Nietzsche e Schopenhauer, por askush nuk arriti ta përcaktonte përfundimisht. Çfarë na bën neve sot kaq të sigurt që dimë gjithçka për rolin e njeriut dhe kjo që po ndodh na qenka mësim për njeriun?

Pak për ta lehtësuar dhe jo për ta komplikuar këtë pyetje,

A nuk themi ne, lëre zemrën të vendosë?

A nuk themi ne që ndjenjat tona nuk gabojnë?

Po a nuk themi ne që sytë lexojnë?

Pra, filozofia moderne bashkohet me urtësinë e thjeshtë, që shqisat janë lidhja jonë e vetme me të vërtetën dhe botën. Ne e njohim atë vetëm nëpërmjet shqisave, po a nuk ndodh njësoj edhe me kafshët? Prandaj peshkut i duket bota një akuarium me ujë.

Meqë qenka kaq e thjeshtë, përse na gënjen mendja që ne mund të jemi të aftë të njohim përtej ndjesive kaq të thjeshta!

Ne nuk jemi Zoti, as Universi që të gjykojmë që njeriu është fajtori, pasi ai po degradon.

Ndaluni një çast e shkoni me përfytyrimin tuaj në momentin kur grekët e lashtë po plugonin Trojën dhe ndërsa rëra mbulonte gjithçka që kish mbetur nga lavdia e saj, ata kënaqeshin.

Nuk ishin ata ziliqarë dhe vrasësit e përparimit të një kombi tjetër?

Ngrini pak kokën nga qielli, nëse shihni me vëmendje aty ka akoma një vijë tymi që del nga krematoriumet, të cilat u përsosen nga dy inxhinierë që nuk kishin asgjë të përbashkët me nazistët, por thjesht promovonin arritjet e tyre!

Nëse nuk e dalloni atë vijë tymi, lexoni shkrimtarët e ‘Brezit të Humbur’, që gati të gjithë vrisnin gratë heroina, protagonistë të librit, pasi ju ishte venitur jeta. Ata përjetuan fitoren, por njëkohësisht edhe humbjen, prandaj vranë femrën, që të ndërpritej jeta, jeta e zhgënjimit të tyre të madh.

Sa luftra, gjueti shtrigash dhe tmerre ka kaluar njerëzimi dhe përsëri njeriu kërkon, posedon, ndjen dhe pasi arrin diçka do të arrijë edhe më shumë. Kështu ka qenë qëkur la lindur dhe ashtu do vazhdojë.

Për mua kjo është një luftë, pasi ka dy kundërshtarë, virusi dhe njeriu.

Natyra nuk vret, siç nuk vret nëna!

Ju që pretendoni këtë bëheni mendjemëdhenj e barazoheni me Zotin apo Natyrën. Sepse vetëm aludoni.

Është një luftë, por nëse mendoni që nuk po shihni atë nga shtëpitë tuaja dhe po ju trembin politikanët, gabim.

Në një luftë nuk luftojnë të gjithë, luftojnë luftëtarët ose ushtarët dhe armiku.

Nëse e mohoni këtë, mohoni lodhjen, sfilitjen dhe vdekjen e shumë prej tyre në vijën e parë të luftës.

Nëse mohoni këtë, mohoni gjithë ata njerëz që humbën jetën, që shumë të tjerë të jetojnë dhe jeta të vazhdojë.

Ktheni sytë nga përvoja e njerëzimit, dëgjoni genet tuaja se aty janë fotografuar të gjitha vuajtjet e sfilimat e të parëve tanë dhe mos harroni të dëshironi të keni përsëri gjithçka!

Njeriu nuk është Zoti apo Universi, apo diçka hyjnore, mos ju gënjejë mendja, është shumë i vockël, prandaj gjithçka që do është legjitime, i takon nga e drejta e tij e lindjes.

Boll gënjyet me ndryshimet, asnjëherë nuk ndryshuan njerëzit, pas të gjitha luftrave në të gjitha kohërat, njësoj mbeten, kërkues në llojin e tyre për të patur dhe shijuar jetën.

Është e natyrshme dhe e ndershme sipas asaj që jemi të krijuar, të duam të jetojmë mirë dhe këndshëm.

Mbyllni sytë dhe mendoni edhe njëherë një stërgjyshin tuaj primitiv, që sillte prenë më të madhe dhe kishte më të bukurën e fisit.

Mos qeshni, stërgjyshi ishte pa brekë mbase, por ishte i lirë dhe nuk gënjente, nuk shtirej. Mos u shtirni, të gjithë stërgjyshin e kemi brenda nesh, por e kemi veshur me brekë dhe kostume hahahah, po ne jemi dhe njësoj do jemi, njerëz të thjeshtë, jo Zot, njerëz që gabojmë dhe vuajmë më shumë sesa jemi të lumtur. Le ta duam veten tonë siç jemi dhe jeta do vazhdojë, se aq di ajo, aq dimë ne, të diturit e paditur.

Michigan, SHBA, 21 prill 2020.

Please follow and like us: