Përse sulmohet Drejtori i Inteligjencës Kombëtare Amerikane, Richard Grenell?
Alketa Gashi Fazliu
Mobilizimi i populizmit në Kosovë kundër zyrtarëve amerikanë nuk ka qenë, nuk është dhe kurrë s’do të jetë në favor të Kosovës. Kjo është diçka që fort mirë dihet. Por atëherë, pse në Kosovë anipse e dinë, përsëri e bëjnë? Përgjigja fort mirë po dihet – për llogari të veta. Por llogaritë e tyre kurrsesi nuk janë në të mirë të shtetit dhe sovranitetit të Kosovës. Ndoshta kush sot sulmon zyrtarët amerikanë mendon se e bën këtë sepse kështu mbron të drejtën e fjalës, parimet e shenjta të drejtësisë, po mbron territorin e Kosovës, e kështu sipas këtij rendi. Padyshim se nuk mungojnë njerëzit që veprojnë kështu, pasi kështu besojnë; e atëherë aq më tepër duhet të përpiqemi që e vërteta të marrë vendin që i takon, edhe mes tyre. Logjika më e thjeshtë, më e pagabueshme – ajo e fakteve – na tregon veç diçka: Drejtori i institucionit më të rëndësishëm amerikan të sigurisë, atij të ruajtjes së sigurisë kombëtare të SHBA, bën veçse një politikë -atë të Presidentit të SHBA. Nëse sot dikush bën peticione për shkarkimin e tij, a duhet ne si Kosovë nesër të ngrihemi që të kërkojmë largimin e Presidentit Trump? Nëse shtyhemi të mendojmë kështu, a bën të pyesim pasi po shtyhemi në këtë drejtim, prej muajsh, ndoshta vitesh: në interes të kujt? Në Kosovë dikush mund të thotë – e çfarë ka këtu gabim? A nuk kemi ne të drejtën e mendimit, të fjalës së lirë? Të drejtën e reciprocitetit? Edhe me Serbinë, por edhe me SHBA? Nëse një zyrtar amerikan po don ta copëtojë Kosovën, edhe ne si patriotë, do ta ndajmë copash nëpër rrjete sociale këtë zyrtarin amerikan. Disa të tjerë thonë diçka tjetër – çfarëdo të thuhet në Kosovë, miqësia e Kosovës me SHBA mbetet e paprekshme. Mendoj se të dyja palët e kanë gabim. Drejtori i inteligjencës amerikane nuk ka asnjë pengesë të informohet se në adresë të tij brenda një periudhe të caktuar janë drejtuar qindra-mijëra komente negative, disa prej të cilave personalisht fyese; as nuk e ka të vështirë të marrë informacion prej kujt janë motivuar, e prej kujt janë shkruar ato. As nuk e ka problem të dijë cilët qëndrojnë pas atyre që motivojnë ata që shkruajnë. E mandej, kush qëndron edhe pas tyre! Dhe nuk ka arsye përse mos ta dijë, pasi një pjesë e detyrës së tij është kjo – përfaqësues special për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Kush interesohet sadopak për çështjet e inteligjencës, e thotë menjëherë se nuk ekziston asnjë informacion i vërtetë që të quhet tepër i papërfillshëm për tu marrë parasysh. E thjeshtë për ne të themi “se çka dinë amerikanët, vetëm ata e dinë” – kur na intereson që disa gjëra ata për Kosovën më mirë mos ti dinë. Kjo shpresë është e kotë. Por në Kosovë ekziston edhe një palë e tretë, që gjithashtu gabon: ata që duke i fryrë zjarrit, përpiqen ti tregojnë Amerikës se në Kosovë veç dikush po e shan. Dhe që vajtojnë në publik duke shkruar “Qe ku u kry një fyerje tjetër”, duke fërkuar duart e duke u kënaqur se pas fyerjes numër 10 milion e 243 mijë e gjashtëqindenjë kundër drejtorit të inteligjencës kombëtare amerikane, Amerika do ngrihet në këmbë e do ti thotë “Boll ma!” aktivistëve në Kosovë. E do t’i tregojë vendin një krahu që të fitojë krahu tjetër – ai i luftës, po kësaj here i luftës kundër shpifjeve. E kjo dihet që s’ka për të ndodhur. Asnjëra nga llogaritë e profiterëve politikë të Kosovës nuk ka për të funksionuar. Nuk do të funksionojnë as llogaritë e atyre që mbajnë shënim numrin e fyerjeve ndaj shtetit amerikan, as llogaritë e atyre që mendojnë se këto fyerje nuk numërohen. Ka një arsye pse sulmohet Drejtori Grenell. E kjo arsye s’ka lidhje as me pavarësinë e Kosovës, as me sovranitetin, as me shtetin. Kjo arsye s’ka lidhje me përpjekjen për të mbrojtur Kosovën, por veç me interesa të ulëta politikë. Nëse pushteti mbi këtë Kosovë vjen në shprehje, ne sapo kemi treguar që nuk do ndalemi as para parimeve, as para frikës, as para vetë Amerikës. Por, nëse dikush nuk ndalet para fyerjeve nëpër rrjete sociale, duhet edhe ta dijë se realiteti, i cili gjithnjë e më shumë ndikohet nga këto rrjete, kurrë nuk do të ndalet aty. Përse sulmohet Drejtori Grenell? Për interesa që fshihen pas interesit kombëtar të Kosovës. Nga njerëz që dikush i ka bindur se ky është veprimi më i mirë tash për tash. Por kush i ka motivuar ata që kanë bindur këta njerëz? Mos të gënjejmë veten se lojtarët kyçë në këtë lojë këto sende nuk i dinë. E lojtarët kryesorë janë Amerika, Gjermania, Rusia, Anglia, Turqia, e ndonjë tjetër, e krahas tyre edhe veç një rreth i ngushtë politikanësh të Kosovës. Kosovës i duhet maturi. Kosovës i duhet stabilitet. Fyerjet ndaj miqve, miqtë dinë ti falin, pasi e njohin faktin se kush i bën, nuk mundet kurrsesi ta përfaqësojnë Kosovën. Shtetet e Bashkuara kanë një interes kombëtar që nuk ndryshon e që nuk ndikohet nga dasitë politike amerikane, të cilat i takojnë politikës së tyre të brendshme. Kush luan me dasitë amerikane për të fuqizuar veten në Kosovë, luan veçse me një iluzion – me iluzionin se po ndikon e po përmirëson Amerikën. Anipse kurrë kjo nuk ka për të ndodhur, përsëri këtu ka një rrezik. Ai është një dhe një i vetëm – dhe është rrezik i madh – manipulimi i opinionit në Kosovë kundër Amerikës, duke e gënjyer se në SHBA ka dy Amerika: ajo që është me ne, dhe ajo që është me Serbinë. E për ta përfunduar po them diçka krejt shkurt: SHBA nuk do të paguajnë kurrë në Kosovë askënd për të folur në mbrojtje të saj. E askush në Kosovë nuk ka pse të thotë asnjë fjalë, as në mbrojtje të Ambasadorit Grenell, as në favor të Ambasadorit Palmer, as në të mirë të Presidentit Trump për interes të vetin personal. Këtë kush e bën, e bën jo në interes të vet, po për Kosovën. Përballë nesh shumë njerëz paguhen për të kundërtën – për të manipuluar për të bindur e gënjyer shtetasit e Kosovës. Për t’i përdorur për të shkatërruar bash shtetësinë, sovranitetin, dhe integritetin e saj. Kjo bash mirë i përgjigjet pyetjes: pse sulmohet drejtori i inteligjencës kombëtare amerikane? Po natyrisht – jo bash për mungesë të inteligjencës.