Rita Ora mburret me gjyshin e saj, regjisorin Besim Sahatçiu
Ajo nuk është rastësisht pjesë e botës së artit.
Artistja e madhe shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, është mbesa e regjisorit të famshëm shqiptar, Besim Sahatçiu.
Sahatçiu mbahet mend si një regjisor i shquar në Ish-Jugosllavi, teksa filmi më i njohur tij mendohet të jetë “Era dhe Lisi”.
Rita së fundmi ka ndarë me 16.2 milionë ndjekësit e saj në rrjetin social Instagram një fotografi të rrallë të gjyshit të saj, të realizuar në një prej filmave të tij. Ka qenë faqja e Kinemasë së Prizrenit, “Cinemarine”, ajo e cila ka publikuar fillimisht këtë fotografi në Instagram, të cilën më pas Rita Ora e ka rishpërndarë.
“Ky është gjyshi im. Regjisori i filmave të mahnitshëm me atë cigare gjithnjë në tokën e tij çfarë legjende”, kanë qenë fjalët e këngëtares 29-vjeçare.
Rita edhe më parë në disa prej intervistave ka treguar për mbështetjen që i kishte dhënë gjyshi si e vogël, duke i sugjeruar që të ndiqte zemrën e saj drejt një karriere të suksesshme përtej trojeve shqiptare.
Regjisori Besim Sahatçiu ishte me prejardhje nga Peja dhe është ndarë nga jeta në vitin 2005. /Telegrafi/