Ana Mehmetaj: Përkundër femrës së bukur në tavolinë!
Para shtatores së Ibrahim Rugovës
Ka shumë shembuj në botën e qytetëruar ku femra, falë aftësive të saj, shkollimin të pandërprerë, profesionalizmit dhe mjaft cilësive të tjera janë të pranishme në shumë poste politike e shtetërore.
Kjo pak a shumë ka ndodhur edhe në shtetin më të ri të Europës, pra në Kosovën tonë ku disa femra kanë arritur të jenë deputete, ministre, kryeparlamentare apo në nivele të tjera të rëndësishme drejtimi e vendimmarrjeje. Por ato që e kanë merituar një post të tillë shpesh nuk shihen si kapacitete intelektuale, por thjesht si figurantë, si manekinë që ulen e ngrihen kur i do dhe kur nuk i do politika.
Por ndryshe nga çfarë ndodh në botën perëndimore ku në bazë të saj qëndron konkurenca femrat dhe meshkujt konkurojnë si të barabartë), në vendin tonë më shumë vendosin preferencat e kryetarëve të partive dhe shumë pak syresh janë në pozicionet e larta falë aftësimit dhe përkushtimit të tyre profesional e politik.
Madje duhet shtuar se shumë femra të përfshirë në partitë kryesore politike, në vend që të jenë ato promotore të nxitjes së përfaqësimit gjinor sipas aftësive, shpesh janë bërë barriera kundër tyre.
Kosova si një shtet i ri dhe me demokraci të brishtë e ka të domosdoshëm të ketë stimulim gjinor, pra të ketë kutoa të caktuara në përfaqësimin e grave përballë një metaliteti maskilist që mbizotëron kudo, madje edhe në formacionet politike. Por përpara kësaj ajo duhet t’ hapë rrugë femrave të shkolluara dhe profesioniste, të cilat shpesh janë më efikase se edhe vetë meshkujt.
Asnjëherë një femër e angazhuar në politikë nuk duhet parë nga bukuria e saj, por se si ajo artikulon angazhimet e saj, si ajo votohet nga elektorati dhe ajo më kryesorja se si vë në jetë premtimet e saj gjatë fushatës elektorale.
Kosova më kryetarë partie vetëm ose kryesisht meshkuj, Kosova me parti politike si batalione ushtarake ku vendos vetëm kryetari (ose një grup njerëzish), Kosova me një shoqëri civile që ende nuk mundet të ndikojë në ndryshimin e statuskuosë, pra Kosova me një sërë problemesh të vjetra dhe të reja ka ardhur koha të ridimensionojë vetveten, të demokratizojë partitë politike, të kufizojë detyrimisht mandatet si në SHBA, t’u hapë rrugë njerëzve ta aftë e profesionistë, të largojnë militantët partiakë nga poste shtetërore që ikin e vijnë pas çdo maxhorance, të ndërtojë një administratë solide e profesioniste.