Sadik Bejko: Sot, dita ndërkombëtare e librit!
Sot – dita ndërkombëtare e librit.
Ditë ndërkombëtare e shpallur nga UNESKO-ja. Kriteri sipëror mbi të cilin u shpall kjo ditë e librit, ditë e “Shën librit”, është cilësia e lartë e shkrimit të librave, të poezisë, të prozës, është hierarkia e fjalës së shkruar. Qendrueshmëria e përjetshme e cilësisë së fjalës së shkruar. Fjalë që ka mbetur e pavyshkur edhe nga qindvjeçarët.
Data 23 prill 1616 është dita e fundit e jetës në këtë botë, dita e vdekjes së tre emrave prej më të mëdhenj të letrave ndër shekuj. Në këtë datë, më 23 prill 1616, kanë vdekur Shekspiri, Servantesi dhe G. la Vega.
Në nderim të këtyre emrave, kjo datë mori vlera simbolike, u shpall ndërkombëtarisht dita e letrave. Dita botërore e letërsisë.
Viti 1616.. .. viti 2020 … një largësi prej mbi katër qind vjetësh.
Bota shkon thellë, zhytet deri katër shekuj më mbrapa për të na gjetur, për të na propozuar një formulë mbi vlerat bazë në letërsi. Mbi vlerat e fjalës së shkruar.
Patjetër që edhe ne shqiptarët do shkojmë thellë, do të gërrmojmë rrënjët tona, do të evokojmë Buzukun, Bogdanin…De Radën…Fishtën a Migjenin.
Nderim përjetë rrënjëve tona!
Por hierarkia veçse një vlerë muzeale, është njëherësh dhe e gjallë, e prekshme, është zogu që fluturon më lart nga të gjithë të tjerët, fluturon lart tani, në këtë qiellin tonë, në këto ditët tona.
Lumturisht ajo mund të jetë maja më e lartë e çdo dite tej në horizont. Shekspiri e Servantesi janë, mund të jenë, na qenkan, një pikë referimi në lashtësi. Maja më e lartë që sot e shohin sytë tanë… është këtu dhe tani. Një lartësi jo në Himalaje.
Ne shqiptarët e kemi të gjallë këtë shembëlltyrë shekspiriane: Ajo është vepra letrare e Ismail Kadaresë.
Nga gjithë shkrimtarët shqiptarë (të gjallë a të vdekur) Kadareja prej vitesh ka tirazhin më të madh të librave të botuar dhe të shitur ndërkombëtarisht. Të botuar dhe të shitur në kontinente, të studiuar në universitetet më prestigjoze të botës, të përkthyer në të shumtën e gjuhëve botërore.
Kjo famë, oh kjo famë, mund të tingëllojë dhe si blasfemi, si nënçmim për shumë shkrimtarë shqiptarë të gjallë, për shumë nga ata…të vetëshpallurit rivalë të atij.
Në këtë vend, në këto ditë… ku çdo njeri që ka një kioskë kompiuteri në internet, pra kushdo që shkruan, e ka të.lehtë, mund të vetëshpallet Shekspir apo edhe Hamlet. Por vetëm njëri e ka gjetur rrugën e afirmimit ndërkombëtarisht:
Ismail Kadareja.
Ky është njeriu i pajisur me atë përmasën, me atë cilësinë letrare të trashëguar që nga kohërat (shekspiriane, servantesiane) përmasë katërqind vjeçare.
Ky duhet të jetë sot kryeheroi i ditës për letrat shqiptare.
Meqë ai na ka atashuar në këtë sipërani intelektuale, shekspiriane… TV-të tona, politikanët e ditës sot duhet të ktheheshin nga ai. Një herë në vit është Dita ndërkombëtare e librit.
Por…
Mbase kanë të drejtë që mos t’i dtejtohen. Është koronavirus, Pandemi. Ku ta gjejmë Kadarenë… Ku është sot Ismail Kadareja?
Ku është sot njeriu që gjuhën shqipe e lartësoi gjer te Shekspiri?
Një njeri që jeton dhe që është Shekspiri ynë i gjallë, ku është tani?
Ai është sot një njeri nën Pandemi.
Si gjithë të tjerët. Nën karantinë. Vetëm ne gruan e tij, Helenën, në Paris… Pa njeri tjetër… mbase..
Në ditën botërore të librit, në ditën botërore të fjalës së shkruar, që për ne më së shumti është veç dita e atij, dita e shkrimtarisë, dita e mjeshtërisë së lartë, mjeshtëri që ndër ne shqiptarët sot për sot nuk mund ta bëjë askush më mirë se ai, se sa ai njeriu me emrin, Ismail Kadare…
Në këtë ditë, … ku është ai?
Sot dita e librit.
Dita e librit nën Pandemi.