Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: MBEÇË MORE SHOKË, MBEÇË!

Image may contain: 1 person, standing, tree, grass, sky, plant and outdoor

Ismail Xhaferi

 

 

(Variant i ri i këngës së Qabesë)

 

Mbeçë more shokë mbeçë,

Para portës së BE-së,

Herë me shpresë, herë pa shpresë,

Tridhjet vjet, lutem e pres.

 

Me politikanët tanë,

Hall të madh ka Shqipëria,

Tani që s’ka parlament

Më kënaq “Portokallia”

 

Kudo s’njeh qeni të zotin,

Kudo punët janë rrëmujë,

Herë me drita, herë pa drita,

Herë me ujë, e here pa ujë

 

Mbeta ditë e mbeta natë,

M’u tek porta e shtëpisë,

Për një pako me ushqime,

Për ca vaj e ca oriz.

 

Mbeta si lisi në brinjë,

Nga halli ia marr dhe këngës,

Mos kisha pensionë e babës,

Kisha vajtur në të s’ëmës.

 

Mbeçë more miqtë e mi,

Mbeçë me zemër të vrarë,

Më mirë të më zëjë korona,

Se të dukem si lypsar.

 

Mbeçë i ulur në ballkon,

Herë në hije, herë në diell,

Ah, po të ishte fushatë!

Kishim qyl nga një thes miell.

 

Mbeçë more shokë mbeçë

Si erdhi kjo kohë e shkretë?!

Më mbeti koka nga dera,

Mos shoh ndonjë deputet.

 

Nuk e di pse deputetët,

Tash më duken si lugjetër,

30 vjet në parlament,

Shikoj të njëjtët surretër.

 

Mbetëm gjithnjë prapa listës,

Na mbeti syri nga rruga,

Të mbyllur në katër mure,

Siç qe mbyllur Oso Kuka.

 

Nuk e di pse ndihem keq,

Më duket vetja si qorr,

Ç’të lexosh në internet?!

Na u bënë të gjithë doktor.

 

Mbeçë more miq të dashur,

I mbështetur në dritare,

S’shtyhet jeta duke pritur,

Për ndihma humanitare.

 

Herë i lodhur, herë pa shpresë,

Më digjet koka si furrë

Si të bëjmë me pasanikët?!

Se ata nuk ngopen kurrë.

 

Mbeta duke pritur shpresën,

M’u bë koka tym e re,

Dhjetra e dhjetra shoqata

Vjedhin e qajnë për ne.

 

Mbeçë more shokë mbeçë,

Përtej Urës së Qabesë,

Herë me shpresë, e herë pa shpresë,

Tridhjet vjet lutem e pres…

Please follow and like us: