Albspirit

Media/News/Publishing

Covid-19, ndihmesa e panjohur e qindra operatorëve socio-sanitarë shqiptarë në Itali

Sabina Darova “Çante e kuqe udheton mbi shpine distanca rrahjet ...

Sabina Darova

Eshtë e e treta e djelë radhazi, ora nëntë e mëngjesit, kur zgjimin përfundimtar ta ofrojnë pa të marrë leje e në mënyrë të dhunshme, sirenat e ambulancave të Kryqit të Kuq, të cilat i ndjen aq pranë, sikur të hyjnë në derë pa të marrë leje. Tingulli i sirenës depërton në gjoks dhe tronditur hedh sytë sa majtas-djathtas për të kuptuar se çfarë po ndodh. Pasi je siguruar që në mjediset e shtëpisë nuk ka ndryshuar asgjë nga një natë më parë, kujtohesh që ke një ballkon dhe i afrohesh për të krijuar një ide se çfarë po ndodh rreth teje. Në rrugë sheh të ndalur një ambulancë me llambushkat që lëshojnë drita si prozhektorë dhe tre persona të veshur nga koka tek këmbët me tuta kundërkimike. Të japin përshtypjen se kanë zbritur nga planeti Mars. Percepton që rasti ka sjellë mbi sofër një “të plagosur” të ri nga fusha e betejës me Covid-19. Ky fakt, jo shumë larg banesës tënde. Marr guximin të zgjas kokën dhe verej që nga pallati përbri, zbret shkallët një grua e shoqëruar nga një mjek dhe infermier, të cilët i bëjnë rrugë drejt ambulancës. E njoh. Është shqiptare, durrsake, rreth të 40-ve. Punon pranë një qendre rezidenciale për të moshuar, si operatore sociale- sanitare. Është e treta grua po në të njëjtin pallat, që e pret një ambulancë. Pamja më qartësohet e ndjej një dridhje të lehtë të këmbëve. Nga dritaret e pallateve vërej kureshtarë të tjerë si unë.
Italia ndodhet e mbërthyer nga darët e këtij virusi vrasës prej 3 muajsh. Rasti i parë shënon 21 shkurtin ne Bashkinë e Codogno-s në Lombardi. Nga ajo ditë deri më sot, Italia shkruan numrin rekord të të infektuarëve : 193 mije dhe të atyre që kanë humbur jetën, 25969.
Në Piemont, rajonin në të cilin jetoj, të infektuar regjistrohen 23834 dhe të vdekurit 2699: Duke vazhduar në Asti, qarku në të cilin jetoj dhe është qyteti im i dytë në adoptim pas Krujës, regjistron 1358 te infektuar dhe 143 të vdekur.
Numra që kanë bërë xhiron e botës duke mbjellë panik dhe preokupim. Për të ndaluar revanshin e këtij virusi për të cilin tashmë, kemi marrë informacione nga kompetentët virologë e infetologë, Ministria e Shendetësisë si dhe Organizmat qeveruese të Rajoneve, kanë marrë masa të njëpasnjëshme, të cilat modifikohen e pasurohen nga dita në ditë. Në pararojë tashmë, luftojnë një armatë mjekësh dhe infermierësh, nga të cilët kanë humbur jetën 150 mjekë, 34 infermierë, 13 farmacistë dhe 18 Operatorë social- sanitarë.
Ndërsa të infektuar regjistrohet gjithashtu një numër i lartë: infermiere 8800, farmaciste 800 dhe 12 mijë operatorë socialë- sanitarë, ndër të cilët 35% i përkasin gjinisë mashkullore dhe te një moshe relative të re, 45 vjeçare.
Ende nuk njihen të dhëna të detajuara për etni , kështu që nuk dihet akoma sa është numri i shqiptarëve të infektuar apo që kanë humbur jetën.
Si ndërmjetëse kulturore në ambjentet spitalore ku punoj prej 20 vjetësh, vëmëndjen kësaj radhe ma tërhoqi numri i lartë i të infektuarëve ndërmjet operatoreve sanitarë, ku mes tyre radhiten dhe shumë bashkëatdhetarë.
Sipas të dhënave nga një studim i Institutit Superior të Shëndetësisë, me 23 prill, numri më i madh i të infektuarve vjen nga RAS 44%( qendrat rezidenciale per të moshuarit), 25% në banesa dhe 11% nga ambjentet e spitalit.
Një gabim i pafalshëm i organeve qeveritare të Lombardisë dhe Piemontit, të cilët i përkushtuan një kujdes të veçantë trajtimit te sëmundjes në ambjentet e spitalit, dhe lanë në harresë bazën, mjekët e familjes dhe qëndrat ku trasferoheshin pas shtrimi pacientët e porsadalë. Nuk u kuptua shpejt që virusi mund të kishte një jetëgjatësi prej 30 ditësh. Mungesa e mjeteve mbrojtëse, furnizimi me vonesë i tyre, izolimi jo korrekt i të sëmurëve, influencoi rritjen e pashmangshme të të vdekurve, por edhe të infektuarëve në radhët e operatorëve, të cilit kishin kontakt të drejtëpërdrejtë me të sëmurët.
Ndër këta operatorë vuajtën sëmundjen shumë operatore shqiptare të cilat punojnë prej vitesh në rezidenca pensionistësh në të gjithë Italinë.
Këto operatore kanë dhënë kontributin e tyre duke u përballur me vdekjen çdo ditë pa u lodhur, duke punuar me orare të zgjatura prej 12 orëve në ditë. Të heshtura dhe buzagas, deri në vetëmohim.
Kur i bëra vërejtje një mikes për të patur kujdes për vetëveten, përgjigjja e saj më çarmatosi dhe mallëngjeu në të njëjtën kohë: “ Ju qëndrojmë pranë të moshuarve sepse tani ndjehen vetem e të tradhëtuar nga familjarët e tyre. Nuk arrijnë ta kuptojnë që familjarët e kanë të ndaluar t’i vizitojnë. Ndjehemi në detyrë t’u qëndrojmë pranë jo vetëm në kujdesje personale të higjenës dhe ushqimit, por edhe në afeksione. Na kujtojnë prindërit dhe gjyshërit tanë“.
Shqipëria megjithë vështirësitë që po kalon, me kontributin e saj ofroi një kontribut modest te një numri mjekësh dhe infermierësh, për t’i ardhur në ndihmë vendit fqinj, Italisë, e cila ka në territorin e saj rreth 500 mijë emigrantë shqiptarë.
Kjo iniciativë u pëlqye shumë nga Qeveria dhe populli italian. Kam marrë një numër të pafund mesazhesh falenderimi nga miq, të njohur dhe funksionarë të Bashkisë së Astit, në shenjë mirënjohje.
Por, dëshiroj të nënvizoj, që një pjesë e konsiderueshme mërgimtarësh të cilët janë profesionistë mjekë apo infermierë, mund ti shtohet pa frikë atij numri modest që punojnë prej vitesh në strukturat spitalore e kanë kontribuar përkrah profesionistëve italianë.
Ndoshta janë pjekur kushtet që Ministria e Shendetësisë në Tiranë të aktivizohet për t’u interesuar të dijë, sa është numri i mjekëve dhe infermierëve që punojnë në Itali prej vitesh, si edhe numrin e viktimave të Covid- 19, në Itali dhe gjetkë.
Nënvizoj akoma, edhe qëllimin e këtij shkrimi, që aq i lartë, në mos më tepër, është numri i operatorëve socio- sanitarë, të cilët punojnë në heshtje dhe nuk e di pse, mbeten në hije.
Ndoshta ata të thjeshtët, por shumë njerëzorë, duan t’i qëndrojnë larg zhurmës bombastike të atyre që janë super të aftë të shesin tymra.

Burimet e informacioneve: Instituti Superior i Shëndetësisë, Romë.

Please follow and like us: