Albspirit

Media/News/Publishing

AGIM HILA: TE DASHURUARIT E STINËS SË NGRIRË

Image may contain: 1 person

Agim Hila

 

Tregim

l.-

– Korrieri i shtabit ky?
– Ai.
– Po kullon ujë në djersë. Mos po na bie ndonjë mandatë?
– Mbase ndonjë urdhër lufte, ç’na e qas në derë të keqen.
– O, Nurçe korrieri, ç’ke që je bërë ashtu, si rabeckë e lagur, urdhër luftimi po na bie?… Punë e madhe, për luftë kemi dalë malit.
– Ah, jo, more djem, jo, më mirë të mos e kisha sjellë kokën, se sa këtë lajm të zi…
– Ç`thua, o Nurçe, po qe aq i zi, më mirë mos e hap kamaren.
– As unë s’dua ta hap, po ja që kam urdhër. E gjeti hataja brigadën tonë, o djem…
– Hataja?!
– Më e zeza hata. Më mirë të ishin vrarë dje në përpjekjen me gjermanët në Qafën e Gjarprit, se sa…
– Kush ata, se na e bërë gjakun ujë, Nurçe!
– Ata të dy, Milo Mërtinji dhe Vera Ndreu…
– Hapu, t’u haptë kapaku i kokës, ç’iu ndodhi Verës e Milos?
– Hapem, po s’më bën zemra të hapem. Më vjen të këllas gishtërinjtë në gurmaz e të nxjerr zorrët.
– Për ideal, ta theva nofullën Nurçe. Fol, mos janë vrarë Vera me Milon?
– Të ishin vrarë, ku ma gjen…
– A?!
– I gjetën ashtu…
– Si ashtu, o kopan!
– Dreq, cip mbi cip, ja, ashtu.
– Pthu, të shpëlaftë mortja!
– I kapi ai, Zenel Dema, Zeneli me dy shokë…
– Ç’po na thua, more katran!
– Dac fare i zuri Zeneli, hapasëz… Ah, more shokë, i lamë duart me dy shokët tanët mirë të brigadës. Apo s’ishin trima!
– Si the, i lamë duart?
– Vihet në diskutim ajo punë? Të tërë e njohim mirë ligjin partizan, për lapërdhi s`të fal ai. Nesër mblidhet gjyqi partizan, kështu urdhëroi komandanti Nivica…Pu-pu, ç’na bëre kështu, o Milo trimi, po ty, moj Verë, si ta nxuri shpirti atë të madhe hata?…
2.

Partizanët e Brigadës së Pestë Sulmuese, të përhapur nëpër lirishtë për një pushim të gjatë, pas atij lajmi tronditës të korrierit të shtabit, kishin mbetur më vështrime të mbërthyera mbi shpinën e përthyer si drapër të atij, që po nxitonte të çonte lajmin tjetërkund. Mendonin e heshtnin si ca murgjër të mjerë. Lajmi i korrierit akoma s’u besohej, iu ngjasonte me një ëndërr të frikshme, mizore si ajo.
Shpura e parë e zgjedhur nga partizanët, sa mbërriti në shtabin e brigadës, morën vesh, se Milon e Verën, me urdhër të komandantit Nivica, i mbanin të arrestuar.
Shpurës, përpara për t’i pritur, u doli Zenel Dema, i cili ishte caktuar nga komanda për ruajtjen e dy partizanëve të ndaluar.
– Nuk lejohet t`i takoni,- iu tha ai partizanëve të shpurës,- kam urdhër nga komandanti Nivica.
– Domethënë, qenka e vërtet, Zenel?
– Pse, unë këtu rri të ruaj lepuj?
– As për t’i parë s’na lejohet?
– Ju thashë, është urdhër i komandantit Nivica.
– Ah, qenka ashtu si tha Nurçja i gjorë, po i lakemi duart me dy shokë të mirë të brigadës sonë…

3.

Gjyqi partizan kërkoi fakte të qëndrueshme, deri edhe imtësi të parrëfyeshme. Në fund, pasi u morën parasysh të gjitha këto, kryetari i trupit gjykues, Sokrat Suparaku, një partizan afër të dyzetave, kërkoi të flisnin për mbrojtje të dy të gjykuarit (I dua me imtësi të gjitha, pat thënë Suparaku, ndryshe mbaj përgjegjësi të rëndë historike për këtë gjyq të jashtëzakonshëm).

4.

Milo Mërtinji: Ne e dinim veten të sigurt në atë xhep pylli, por s`ishte ashtu, kishte kohë, që nën ca driza lëvrinte herë pas here tërë dyshim një hije. Vera m`u lut disa herë të ndërronim vend, pasi ajo më siguronte, se po na ndiqnin, por më tej hija s`u pa më dhe ne u qetësuam. Qëndruam gjatë pa folur. Pastaj, Vera më tha: “Kur të mbarojë lufta do martohemi, Milo”. “Sigurisht, iu përgjigja unë i dehur nga lumturia, do martohemi në fshatin tim.” “Do bëjmë shumë fëmijë, Milo?” “Një mëhallë, shpirti i Milos”. “Sa mirë flet ti, Milo!
Të tjerat, Milo Mërtinji nuk ia rrëfeu gjyqit, veçse, kur trupi gjykues po merrte vendimin ndëshkues për bëmën e tyre, të ndaluar me ligj lufte, ai solli në përfytyrim veprimet e mëvonshme pas atij dialogu të ngrohtë me Verën, të cilin e dëshmoi në gjyq. Më tej, dora e tij qe përzier dridhshëm poshtë bluzës ushtarake të vajzës, kishte prekur mishin e saj të bardhë
Ajo: Të keqen, Milo, kaq shpejt do martohemi?
Ai: Mos kij frikë, dashuria është gjë e mirë, shpirte.
Ajo: Se mos na përgjojnë, o zemër.
Ai s`i kishte kthyer përgjigje, mes jermit të dashurisë, buzët e tij qenë puthitur me të sajat.

5.
Zenel Dema, dëshmitar: “Si informimit në brigadë, kisha nuhatur para ca kohësh lapërdhinë e tyre, ndaj i përgjoja çdo ditë. Atë mbrëmje, ma tha ylli, se do t`i kapja me presh në duar dhe i kapa. Isha vetë i tretë, me Ilo Qereçin e Halim Hënën. Gjuajtëm goxha nëpër shkurre, sa, Iloja dhe Halim Hëna, ç`është e vërteta, u mërzitën. Duroni dhe pak, u thashë shokëve, këtej rrotull janë. Dhe vërtet, aty rrotull ishin lapërdharët. Sa dëgjuan thirrjen time, “Mos lëvizni vendit!”, u strukën si lepujt në ferrë. Domosdo, kur është në faj edhe më trimi bëhet frikacak. Kjo fyryfyçka, Vera mbuloi me vrap bythët me pantallona. Iloja iu drejtoi elektrikun e dorës. O nëne, o nëne, në ç`gjendje të pështyrë që ishin, dac fare…Në s`besoni, pyesni, ja tek i keni Ilon e Halim Hënën. Hë, djem, mos më lini të shtoj gjë…

6.

Vera Ndreu: “Zenel Dema është nga fshati im. Që kur nisi dashuria ime me Milon, e ndieja se Zenel më përgjonte. Kjo, jo, se Zenelit i dhimbset aq shumë morali partizan, jo, kjo është thjeshtë një hakmarrje e tij, e cila lidhet me një qejfmbetje të hershme midis nesh: Kur vendosa të dilja partizane në brigadë, desha të merrja me vete dhe motrën e vogël të Zenelit, Zarifen. Ja mbusha mendjen paq vajzës, që të dilnim bashkë, por pengesë për mosdaljen e saj partizane, u bë ky Zenel, që keni përpara. E rrahu motrën dhe s`e la të dilte gjallë prej shtëpisë. Po atë ditë erdhi tek unë dhe m`u shkreh: “Përse e do motrën time në mal, për të harbuar me ty?” Më fyeu rëndë, por dhe unë s`ia lashë mangët, hapa fjalë në fshat: “Zenel Dema s`del në mal partizan, se është frikacak”. I fyer rëndë, një ditë ai m`u kthye në rrugë: “Do të ma paguash shpejt këtë rreng, që më punove”. Sa erdhi në brigadë, për mua hapi fjalët më të ulëta, këtë e dinë të gjithë mirë, pasi puna shkoi deri aty, sa, prej atyre shpifjeve poshtëruese, u bë gati të ngrihej një gjyq si ky i sotmi dhe Zeneli do ta kishte pësuar keq. Po unë s`e ngava më tej atë punë, pasi s`doja që të dënohej një shok lufte. Ndërsa Zeneli, siç po e sheh edhe vetë trupi gjykues, e kërkoi dhe e gjeti shkakun për hakmarrje. Punë për të, veçse unë dua t`i pohoj trupit gjykues sa më poshtë: Unë dhe Miloja kemi kohë që jetojmë me dëshirën për t`u martuar e për të qenë të lumtur. Kaq kisha për të thënë.

7.
Përsëri Zenel Dema: “Të drejtën, për Milon më theri në zemër, shok i mirë Miloja, djalë trim. Ç`na bëre Milo vëllai, i thashë, gabove, o shok, të qorollepsi kjo përvëlira. Hë, ç`duhet të bëjmë me ty tani?…Më falni, shokë të trupit gjykues, po s`mund të rri pa i thënë nja dy fjalë dhe kësaj shoqes së rinisë, Verës, që deri dje na bënte moralin partizan nëpër kompani e batalione: Jazëk, moj shoqja Vera, për kësi punësh doje ta nxirrje në mal motrën time ti? Më keq s`ka si bëhet, na e ule nderin e brigadës në fund të këmbëve…Ah, more shokë të gjykimit, m`u nxi jeta fare, kur e pashë këtë bushtër dac fare nga mesi e poshtë. Pu-pu, shikoni, o vëllezër, iu thashë Ilos e Halim Hënës, ja ajo, që na bën moral nëpër mbledhje. Hesht, mu kthye Iloja i shkretë, mos e bëj të madhe, se është turp, që s`zihet me gojë. Epo, s`durohet, iu ktheva Ilos, hë, fol ti të rri unë. Por, në fakt, asnjeri prej nesh s`foli më. Halim Hëna i gjorë, që nxinte atje tej si një bruc, aty për aty iu kthye dy lapërdharëve me tërsëllimë: “S`iu vjen turp, i thoni dhe vetes partizanë!” “Turp, iu thamë dhe unë e Iloja dhe ikëm e i lamë ashtu, bythëjashtë.

Përsëri Vera Ndreu: “Sa ikën ata të tre, Miloja m`u afrua sikur të mos kishte ngjarë asgjë, më shtrëngoi nga vetja. Ti s`je në vete, Milo, i thashë, pas gjithë asaj që na ngjau, ti përsëri…” Miloja ma preu fjalën në mes: “Unë s`u lidha me ty si dashnor, por si shok jete, si bashkëshort. Për këtë s`kam pse te ndiej faj, një qind gjyqe le të bëhen. Sot jemi në luftë, ndaj dihet, mali është konaku ynë…Hë pra, gëzo, sot është dita e parë e martesës sonë. U trashëgofshim!…” Atë çast m`u ndez kraharori prej lumturisë. Qava nga gëzimi. Miloja ia mori lehtë një kënge nga ato të fshatit të tij…”

Vendimi i gjykatës ishte i formës së prerë: Pushkatim. Motivet për këtë dënim kapital ishin këto: Thyerje e rëndë e dinjitetit partizan. Shkelje po aq e rëndë e ligjit të luftës partizane për çështjet e moralit. Motivet e tjera vinin më pas. Vendimi do të zbatohej brenda tre ditëve. Dita dhe ora nuk u caktuan nga gjyqi.
Por s`kaloi asnjë ditë dhe erdhi lajmi tjetër nëpër kompani e batalione: Gjyqi u mblodh sërish dhe ndryshoi vendimin: Me pushkatim u la vetëm Vera Ndreu, ndëshkimi i Milo Mërtinjit u la në vartësi të komandantit të brigadës, Eshref Nivica.
Pas këtij lajmi, pëshpëritjet dhe hamendjet s`kishin të sosur. Ca thoshin, se ajo ndarje si me thikë prej “dylekëshit të zi” ishte bërë prej komandant Nivicës. Dihej, për Milon komandant Nivica ushqente simpati të veçantë, sa, jo rrallë, kur donte që të tjerët ta besonin për diçka të diskutueshme, ai bënte be kokën e Milos. Një pëshpërimë tjetër shkonte dhe më tej: Komandanti Nivica na paskej bërë bashkë anëtarët e gjyqit dhe kishte vënë kokën e tij peng, vetëm e vetëm që Milos t`i falej jeta. Madje, thuhej, se komandanti pat derdhur lot para anëtarëve të gjyqit, pas asaj kërkese të papritur. Dhe, komentohej më tej në ato pëshpërima, gjyqtarët s`ia patën prishur Komandantit Nivica, i cili, për nga mençuria e trimëria, do të mbetej legjendar në historinë e asaj lufte.
Po atë ditë, në shtabin e brigadës u vendos: Milo Mërtinji, deri tani komandant batalioni, shkarkohej nga ajo detyrë. 10 ditë s`i lejohej të mbante armatim.
Pas asaj ndarjeje si me thikë para “dylekëshit të zi”, të gjithë filluan të dyshonin: Thua ta vulosë komandanti marrjen e jetës së Vera Ndreut?
Vetëm zëri i Zenel Demës ndihej i sigurt në ato mjedise me mjegullimë shpirtrash:
– Ju, o shokët e mi, doni të dini pse gjyqi i nderuar partizan dënoi me “dylekëshin e zi” vetëm Verën. Ah, ja, ua them unë, o trima të mirë: Sepse, merrni vesh ju, sebepi qe ajo, bushtra, ajo na e mori në qafë Milon, djalë e deli djalë, që të gjithë partizanët bëjnë be për kokën e tij. Ajo, o shokë të dashur, ajo, e ndolli, e futi në ngasje dhe i hapi, me nder…pthu! Ah, Vera, Vera, ç`përvëlirë, që paskëshe qenë. E thotë mirë komandant Nivica kur nxehet: “Femra e përdalë, qenef i brigadës”. Jemi në luftë, vëllezër, ç`bëhej sikur të gjitha shoqet që kemi në brigatë të zinin nga një mëzat? E shikoni, pra!…
11.
Afër mbrëmjes, te vendi i rojës, Zenelit iu paraqit Miloja me një fytyrë të prerë. I kërkoi atij të takohej me Verën, të cilën ai po e ruante në arrest.
Zenel Dema qeshi bujshëm, si t`i thoshte Milos, “Akoma kërkon ta thellosh mëkatin tënd?”. Por me gojë i tha ndryshe:
– E kam të pamundur, Milo, mos më fut në thyerje të rregullit.
– Vetëm për një minutë, Zenel.
– Për asnjë minutë, Milo.
Milo Mërtinji u mpreh si teh thike.
– Po të dhemb koka, hapëm rrugë.
– Milo, për kokën tënde,- Zeneli filloi të ksinjej si një kone,- ti e di, o vëlla, urdhri është urdhër. Do ti, që dhe Zeneli të hajë “dylekëshin e zi” për atë…hm!
– Zenel Dema!- Dhëmbët e Milos kërcëllitën.
– Ajo të mori në qafë, Milo, ti…- Deshi të shtonte diçka fyese për Verën, por sakaq Miloja i qe afruar hundë për hundë. Po të mos kishte ndërhyrë një partizan i ri që ngrohej në diell aty syresh, s`dihej çfarë mund të kishte ngjarë midis tyre.
Me të parët që ia grahën në vendin e ngjarjes së pazakonshme, ishte dhe komandanti Nivica. Aty për aty e hoqi Milon mënjanë, pastaj iu kthye Zenelit me urdhër:
– Lere detyrën dhe shko në kompani!
– Po më zëvendësoni kështu?
– Zbato urdhrin.- Pastaj iu kthye atyre, që e rrethonin:- Me të dënuarën e gjyqit s`ka të drejtë të takohet askush. Askush!
Kur komandanti iku, të gjithë ata që ishin rrotull, mërmëritën në vesh të njeri-tjetrit: “Komandanti s`është i qetë”. Dhe ata e njihnin mirë, kur ai s`ishte i qetë, jepte urdhra çapraze. Jo pak herë, urdhrat çaprazë të Eshref Nivicës u kishin kushtuar jetë shokësh të rënë. Edhe atë ditë, diçka ishte vërtitur ters në mendjen e ndërkryer te komandantit. Sa hyri në shtab, ai dha këtë urdhër të prerë:
– Nesër, që pa gdhirë, brigata do të niset në pritë.
U ndien ca zëra diskutues, dikush kërkoi sqarime për atë urdhër të papritur, kur dihej, se asnjë kolonë gjermane s`do të kalonte andej, sipas informimit të saktë të pararojës së brigadës, por një komandant i ri batalioni, sa i dëgjoi këto, foli prerë nga diskutuesit:
– Kush vë në diskutim urdhrin e komandantit Nivica, s`e ka vendin në këtë brigadë!
11.

Qe thyer mesdita, kur brigada u nis për në pritë. Për kryerjen e marshimit, komandanti Nivica vuri këto rregulla të rrepta: Kurrsesi s`do të ndizeshin zjarre në kohë pushimesh, bisedat me zë të lartë pasi të ngrysej qenë të ndaluara, rojat do të dyfishoheshin, pararojat do të bëheshin dy.
Tërë efektivat e kompanive e batalioneve, si të ishin ca figurina, me një shpejtësi të pazakonshme, zunë vendet e tyre në atë rendim të përshpejtuar luftarak, krejt të ndryshëm nga të tjerët, pa një vendim paraprak shtabi.
Me gjithë këto që po ndodhnin, me gjithë pasigurinë që po u krijonte ai veprim luftarak i pa motivuar për ta, partizanëve s`iu hiqej nga mendja vendimi i gjyqit: Pse po dënohej me pushkatim vetëm Vera? Kjo pyetje e ankthshme erdhi e u përhap aq shumë, sa, për të mos krijuar rrethana të pakëndshme gjatë marshimit luftarak, kryetari i gjyqit, Sokrat Suparaku dërgoi njërin prej anëtarëve të gjykimit, një mesoburrë, i cili njihej si fjalëurti i brigadës. Pa hyrje e dalje, ai u fut midis partizanëve në grupe dhe dha këtë sqarim të shkurtër:
– Të mos flasim qesim,- e nisi ai bisedën,- se, dashje pa dashje, përgojojmë shokët tanë të luftës për liri. Duhet ta dini qysh në fillim, se komandanti Nivica s`ka fare të bëjë me shpëtimin e jetës së Milo Mërtinjit.
– Atëherë, pse i ndatë, një të nënës e një të njerkës ju të gjyqit?
– Mos të nxitohemi,- Anëtari i gjyqit ishte përgatitur të përballonte tërë hamendjet dyshuese,- dëgjomëni deri në fund, pastaj gjykoni. Që në fillim dua t`iu sqaroj: Shpëtimi i Milos nga pushkatimi ishte dëshira e Verës.
– Dëshira e Verës?!
– Kryekëput ajo. Po s`besoni, sjellim dhe lexojmë protokollin e gjykimit.
– Shiko, shiko…
– Bile, që të mos dyshoni, Vera pranoi para trupit gjykues, se shkaktarja e atij veprimi të dënueshëm, ishte ajo, jo Miloja. Sipas saj, Miloja, fillimisht e pat kundërshtuar.
– Dhe hodhi firmën në protokoll për këtë fakt?
– Pa iu luajtur qerpiku.
– Vajzë trime.
– Dhjamë në lëkurë të qenit,- shkrofëtiu aty syresh Zenel Dema,- Lapërdhinë s`e tret as varri, dëgjomëni mua…
– Mjaft me atë gojë të fëlliqur ti- Ishte komandanti Nivica, i cili pat dalë për inspektim para marshimit, më tej shtoi me një zë bubullitës:- Ka ndonjë, që ka harruar, se kam dhënë urdhër për marshim?

12.

Ç`ishte ajo krismë e thatë revolveri? Mos, Miloja, në pezëm e sipër prej dhimbjes, kishte bërë ndonjë marrëzi? Po komandanti Nivica, si nuk i erdhi një çast fare të shkurtër pranë, së paku t`i jepte një këshillë a kurajë para vdekjes…Jo, s`ishte krismë revolveri, ishte një “trau” druvari në ahishtë.
Kishte orë të tëra, që Vera Ndreu e shikonte veten në zgrip të jetës. Ndihej e alarmuar gjer në inde. Pak orë e ndanin prej ikjes nga jeta. Fundi i jetës, si një hon i zi, po e përpinte çast pas çasti në humbëtirën e vet. Gjithsesi, një rreze drite e bënte t`i qeshte buza herë pas here: Milon e pat shpëtuar nga plumbi. Kaq mundi të bënte ajo para ikjes nga jeta. Dhe kjo s`ishte pak, ajo pat qenë e dobishme për mirësi edhe në greminë të jetës. Një lumturi e beftë e bënte t`i ngriheshin gjinjtë përpjetë mbi xhaketë. I preku lehtë me dorë. Ata dy gjinj si ftonj të pjekur kishin qenë pjesë e mëkatit të saj, që po ia priste jetën në mes. E pse duhej te cilësohej si mëkat një akt i tillë, i cili është i ligjëruar për të gjithë të martuarit e botës? Sikur të mos ishin në luftë, do të alarmonte njeri dashuria e Milos me Verën? Asnjë. Atëherë, pse duhet të ligështohej ajo për aktin e saj të shenjtëruar?…Eh, ç`vlenin, vallë, këto mendime para ikjes nga jeta? Veçse një gjë ishte e rëndësishme, më e rëndësishmja nga të gjitha: Miloja i pat shpëtuar plumbit. E kjo s`ishte pak për shpirtin e ronitur të vajzës së re.
U ul galiç, futi duart në mes të kofshëve dhe preku lehtë seksin. Qeshi pafajshëm. Ajo pjesë e trupit të saj s`ishte si më parë, qe zhvirgjëruar. S`qe bërë asnjë ritual tradite për atë akt sublim jetësor, jo, zhvirgjërimi i saj ishte bërë krejt përçartshëm, nën një shkurrnajë të dendur. Gjaku i zhvirgjërimit të saj, në vend të çarçafëve të bardhë sipas ritit bashkëshortor, kishte ngjyer fletët e verdha të shullërit, pastaj era i pat marrë duke i shfryrë në hapësirë si ca copëra të dhimbshme të një mesazhi tragjik…
Në ato çaste të vështira të fundit të jetës, një ndjenjë tjetër mizore e mundonte Verën gjer në torturë: Do të qëndronte dot e fortë para pushkatimit?
Si të ishte në provat e një drame, disa herë ajo e pat vënë veten dhunshëm në rol, në fundin e jetës së saj, para se breshëria e automatikut t`i shëmtonte kurmin e brishtë. E kishte zgjedhur dhe mënyrën stoike të qëndrimit para vdekjes, vështrimin përpara si tek disa heronj të filmave të luftës. Ah, ja harresa e parë, po fjalët, që do t`iu thoshte shokëve para ikjes nga jeta? “Rroftë liria!” Apo, “Të rrojë Shqipëria!” Të dyja mirë ishin, i shkonin ikjes së saj nga jeta asisoj. Më pas, krisma e armës, një mjegullimë hapësirore, një dritë e zbehtë në thellësi të galaktikës dhe, fund. Shokët do të përloteshin sipër saj: “E qamë dhe Verën tonë të dashur”. Pastaj, ca lopata dhe mbi trupin e saj të groposur dhe, kaq. Më tej ajo do të mbetej në përfytyrimet e shokëve si një ëndërr, që, sa vjen e largohet, rend e rend në të tjera vise si një dre i trembur…

13.

Tej, në lirishtë u dëgjuan hapa.
Vera ndjeu mornica në shtat. Dikush po vinte drejt saj. Më tej iu bë sikur hapat u dyfishuan. Mos, vallë, ishin shokët, që po vinin për ta takuar? Sigurisht, para pushkatimit të saj, komandanti Nivica do t`i kishte lejuar ata ta takonin. Një grimë hapat ndaluan, më pas u ndien sërish, të lehtë, të druajtur, si të ishin hapat e një vjedhësi të pastërvitur. Por, kur hapat u ndien fare afër, Vera vuri re, se drejt saj po vinte vetëm një partizan fare i ri, me një emër të padëgjuar, Suvar, i cili kishte pak kohë në brigadë. Nuk i tha as pse vinte, as ç`urdhër po zbatonte, vetëm, se, pas një mëdyshjeje sëmbuese, iu drejtua me një zë
gati të mehur:
– Do të vish me mua, është urdhër.
Vera u drodh. Mos, vallë, djaloshi ishte caktuar si zbatues i vendimit të gjyqit? Kaq shpejt? Pse kjo ngutje? Gjyqi i kishte lënë zbatimit tre ditë afat. E pamundur. S`mund të ikte nga jeta pa takuar shokët. Komandanti Nivica, kurrsesi s`do ta lejonte një gjë të tillë. Ah, jo, me siguri për tjetër gjë e kërkonin, ndofta për ndonjë sqarim, ndofta për një lamtumirë shokësh…

14.
Por pushkatimi i Verës u bë po atë ditë, në mesnatë. Kur zbardhi agu, të cilin e admironte aq shumë gjatë taktikave partizane, ajo s`jetonte më. Dhe para plumbit s`kishte pasur mundësi të thërriste, “Rroftë liria!”, siç pat ëndërruar, as diçka të përafërt me të, veçse i qe lutur partizanit Suvar me lot në sy: “Të kam vëlla, mos më qëllo në fytyrë, s`dua të më shikojnë shokët të shëmtuar”. Partizani i ri s`i qe përgjigjur, por dëshirën e fundit të saj e kishte çuar në vend, bëri, që plumbi i pushkës së tij ta merrte në sisë.

15.

Milo Mërtinji, i cili pat marrë urdhër për dorëzimin e armatimit si masë ndëshkimore, nuk e zbatoi atë. Më saktë, për moszbatimin e atij urdhri (ai s`kishte të drejtë të luftonte për 10 ditë), foli vrasja e tij qysh në përpjekjen e parë të brigatës me kolonat gjermane. Ishte një vrasje e dëgjuar tepër rrallë në ato vite lufte: Ballë për ballë. S`kishte bërë nga ato, manovrat e tij me nam (Për Milo Mërtinjin thoshnin, se i dredhonte plumbit si një gjarpër), asnjë shmangie mjeshtërore përpara plumbit. Kësisoj (s`ishin të pakët ata, që thanë, se mjeshtri i taktikave të luftimit, Milo Mërtinji, qe shënjuar vetë për t`u vrarë), komandanti Mërtinji, që, “s`ia kishte ngrënë ndonjë herë qeni shkopin”, u gjend i vrarë në pritë, me gjoksin e bërë zgafellë nga një breshëri plumbash. Kjo ndodhi qysh në përpjekjen e parë të brigadës me armikun.
Komandanti Nivica, sa mori vesh për vrasjen e Milos, u bë si një xhind i shurdhër, s`dëgjonte asnjë këshillë, dha urdhër për sulm të përgjithshëm me të gjitha forcat, nga të gjitha anët. Me gjithë se vendi nuk voliste për një sulm të tillë, asnjë prej partizanëve nuk u ndie, urdhri i komandantit Nivica u zbatua. Por betejën e humbën. Formacionet luftarake të brigatës u kthyen sërish në pozicionet e mëparshme. Përfundimi i përpjekjes ishte tragjik:7 të vrarë, njeri prej të cilëve ishte komandant kompanie, ndërsa numëri i të plagosurve s`dihej i saktë, kur, ndërkaq erdhi lajmi, se njëri prej tyre, prej plagëve të rënda, vdiq pa e zënë orën.
Asnjë nga partizanët s`e përfoli komandantin Nivica për atë lajthitje taktike, që i shkaktoi brigadës atë humbje të rëndë, por në vesh të njeri-tjetrit nuk reshtën së mërmërituri: “Diçka është këputur për të mos u ngjitur më në zemrën e komandantit”.
16.

Radisti i vjetër mbeti me fonogramin në dorë. Mëdyshja (ta çonte tani, të mos e çonte tani atë fonogram të nëmur) e kishte bërë fytyrën e tij të pakët të futej edhe më brenda gjoksit si një rrobë në ujë. E afroi sërish para syve fonogramin, e rilexoi: “Komandantit Eshref Nivica: Për thyerje të rëndë të rregullave të luftimit që solli humbjen e jetëve të shumë shokëve tanë, shkarkoheni…”.
“Ah, ku më gjeti mua ky racion i madh”, shfryu me vete radisti dhe erdhi e u nxi si një cung.
Komandantin Nivica e gjeti mbi varrin e sapo mbuluar të Milos. Nxinte i tëri. Bri tij ishte varri i Verës, edhe ai me baltë ende të freskët. Ashtu, me dy gurët e bardhë mbi krye, ata ngjasonin me dy varre binjakësh, lindur në një orë e vdekur po ashtu, në një orë.
– Erdhi,- e pyeti komandanti Nivica radistin, i cili, sakaq i pat zgjatur letrën e fonogramit,- sot erdhi?
– Sot. Lexojeni!
– S`ka nevojë, e marr me mend, se ç`thuhet në të. Vëre në dosjen e fonogrameve të tjerë, të jetë atje, mos harro të shënosh dhe datën. Historia e brigadës sonë i kërkon të gjitha, me të mirë e të liga. – Pastaj, aty për aty, iu kthye njërit prej komandantëve të batalioneve, më të riut në atë detyrë: – Sofo, bir, pa eja këtu. Merre këtë biçak, është i fortë si një daltë. Gdhendi mbi gurët e bardhë emrat e Verës e të Milos, ty të jepet për kësi punësh. I kishim shokë të mirë Verën e Milon, tjetër se ç`u ngjau. Mos harro vër dhe emrin tim poshtë, le të jetë kujtim…
Tha këto dhe u ngrit, u drejtua me hapa të plogët për tek ngrehina e komandës. Trupi i tij i gjatë, i përthyer si drapër, filloi të dridhej në dënesje.
Komandanti i ri, Sofoja nxitoi t`i dilte në krah për ta qetësuar, por sakaq, dy duar e mbajtën në vend. Ishte ai, radisti i vjetër, të cilit s`i ndihej kurrë zëri.
– Rri aty,- i tha ai Sofos me një zë të menduar,- nuk e shikon, se komandanti po qan? S`ke dëgjuar ti, biro,se,burri kur qan nuk ngushëllohet?
Komandanti i ri me emrin Sofo, në çast nuk u ndie, por me vete mërmëriti:
– Për besë, s`kam parë kurrë burrë të tillë, kaq të egër si ky, komandanti ynë, që të qajë…
Ishte palca e dimrit të vitit 1944. Operacioni gjerman i spastrimeve po sillej horizonteve si një mjegullnajë e frikshme.
1990.

Please follow and like us: