Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: QËNDRO, SHQIPËRI!

Përkujtohet në Vatikan 25-vjetori i Gjon Palit II në Shqipëri ...

25 prilli 2020 shënon 27-vjetorin e vizitës së Papës Gjon Palit II në Shqipëri. Vizita e Papës në Shqipëri, 27-vjet më parë, ishte një datë historike. Për brezin që ishte dëshmitar i asaj vizite do të mbetet përgjithmonë e paharrueshme, për një kohë të gjatë, për ta dhe për Kombin shqiptar. Papa Gjon Pali i II, me atë rast, “shkeli në tokën shqiptare, duke e puthur e bekuar truallin e nëpërkëmbur të shqipeve”, komenton Radio Vatikani, duke shënuar këtë ditë historike në historinë e Kombit shqiptar dhe të marrëdhënieve të tij shekullore me Vatikanin.

Ajo vizitë ndodhi pas një dimri të gjatë e të egër nën regjimin ateist të komunizmit. I vetëdijshëm dhe mirë i informuar për gjendjen e shqiptarëve për pothuaj gjysmë shekulli komunizëm, në vizitën e parë të një Pape në Shqipëri, me 25 pril, 1993, Papa Gjon Pali i Dytë, e cilësoi vizitën e tij në Atdheun e Shqipeve si “një ditë që na e dhuroi Zoti”.  Ishte gjithashtu një ditë që, sadopak, mundi t’i bindte shqiptarët se bota nuk i kishte harruar, me gjithë vetizolimin e Shqipërisë komuniste nga pjesa tjetër e botës, sidomos izolimin nga Perëndimi, për pothuaj gjysmë shekulli.

Kudo që shkoi dhe me këdo që u takua gjatë asaj vizite, Papa Gjon Pali II shprehu dashurinë, mirëkuptimin dhe dhembjen e tij për vuajtjet e shqiptarëve dhe për martirizimin e njerëzve të pafajshëm gjatë periudhuës së komunizmit, ndërkohë që vuri në dukje edhe fisnikërinë e shqiptarëve tani dhe gjatë historisë, si popull e si komb.  27-vjet pas vizitës së Papa Gjon Palit në Shqipëri, kujtojmë fjalët e tij dashamirëse drejtuar shqiptarëve: “Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur! Gjatë një dimri kaq të ashpër dhe të lodhshëm vuajtjesh dhe provash, Kisha heroike në Shqipëri, e tronditur nga persekutimi i rëndë dhe i gjatë, por e pasuruar nga dëshmia e martirëve të saj, ka ndarë deri në pikën e fundit dhimbjet dhe shpresat e Kombit, duke e mbajtur të gjallë dhe me sakrificën personale të shumë anëtarëve të saj, traditën e lashtë të krishterë, me bindjen se ajo përfaqëson një vlerë të përhershme të identitetit autentik shqiptar”.

Me të drejtë, Radio Vatikani e ka cilësuar vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri jo vetëm si vizitë historike dhe të paharrueshme, por edhe si fillimi të një shprese që nuk zhgënjen.  Vizita e Papës Gjon Palit më 1993 në tokën arbërore, me gjithë historinë e persekutimeve të regjimit komunist ndaj kundërshtarëve të tij, qofshin ato për arsye fetare ose politike, tregon se gjithçka ngjallet e përtërihet.

Duke dëshmuar entuziazmin e shqiptarëve për demokraci, në fillim të 1990-ave, ai u tha shqiptarëve: “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurtë drejt lirisë, pas sa vitesh të pafundme dhe të errëta të diktaturës dhe të ateizmit mbytës”.

Por, me atë rast, Papa Gjon Pali II pati edhe një porosi për shqiptarët, një amanet, i cili është aq aktual edhe sot. Ndonëse për arsye dhe rrethana  të ndryshme, Shqipëria, Kosova, shqiptarët në përgjithësi dhe bota mbarë, po kalojnë nëpër një periudhë tepër të vështirë e dramtaike, si pasojë e përhapjes së koronavirusit, në mbarë planetin:

“Shqipëri, qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, e thirrja për kujtesën e përhershme: “të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”, ”kjo liri e besimit fetar, të cilën ju më në fund po e shijoni, nuk është vetëm një dhuratë e çmuar e Zotit për ata që kanë hirin e fesë, por është një dhuratë për të gjithë, sepse liria e besimit në Perëndinë është themeli i garancisë për çdo shprehje të lirisë. Ajo prek njeriun në intimitetin e vet, në atë pikë të shenjtë dhe të padhunueshme që është ndërgjegjja, ku qenia njerëzore takohet me Krijuesin dhe fiton ndërgjegjësinë e plotë të dinjitetit të vet. Nga një liri e tillë, e trajtuar ashtu siç duhet, nuk ka përse t’i trembemi asnjë çrregullimi shoqëror”, ka porositur Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipër me 25 prill 1993 dhe ka theksuar se, sado të vështira qofshin sfidat, ato janë më të lehta për t’u përballur kur, sipas tij,”Siç na mëson edhe feja: nëse kemi një Krijues të përbashkët, që të gjithë jemi vëllezër”, është shprehur ish-udhëheqsi i Kishës Katolike.

Në këtë përvjetor të vizitës së Papa Gjon Palit II të dates 25 prill 1993 le të kujtojmë porositë e asaj dite të paharrueshme, si tejet aktuale edhe përballë realitetit të sotëm shoqëror të vendit dhe për aktualitetin e sotëm politik e shoqëror. Çrregullimet politike, shoqërore dhe shëndetsore, përfshirë edhe epideminë e koronavirusit, gjithëçka është më e lehtë për t’u përballuar, nëqoftse sillemi si vëllezër dhe bashkpunojmë me njëri-tjetrin, siç porosiste Papa Gjon Pali II, 27 vjet më parë në Shqipëri. Kjo është e vetmja mënyrë për të ulur tensionet aktuale politiko-shoqërore në botën shqiptare dhe për të hapur shtigje të reja drejt një demokracie të vërtetë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ashtu që shqiptarët, “të fluturojnë sa më lart, si shqiponjat, që nuk e lënë kurrë folenë e tyre”, sipas fjalëve që Papës aktual, Papa Françeskut, deklaroi gjatë vizitës së tij në Shqipëri vite më vonë. “Shqipëri, qëndro në lartësinë e detyrave që të presin”, sepse gjithçka ngjallet dhe përtërihet.

Please follow and like us: