Ilir Levonja: Sarandë 1991
Muaji shkurt
Saranda është mbushur
plot me refugjatë
dhe unë në shpirt jam gjithë mërzi.
I tregoj një mikut tim
për një histori dashurie,
Përbri thyhet shiu në kolonat e
verandës së hotel Butrintit.
S’mund ta gënjej dot.
Nuk mundesha kurrsesi!
Nuk u mburra siç bëjnë djemtë zakonisht.
Ia thashë të vërtetën.
Ndofta nga miqësia,
ndofta për të qenë i sinqertë.
Ai më shikonte i habitur,
e mua nga pafajësia më dridheshin duart,
Saranda mbushej me refugjatë të tjerë
shpirti im shkretohej nga e vërteta.
Kjo bëri të më rrëzohej filxhani me kakao
e bardha e mbulesës u njollos në të zezë.
Të shpërndara mbetën në dysheme
thërrmijat e porcelanit,
si të vrarët në një fushë beteje.
Kamarierja me keqardhje
na kërkoi të paguanim dëmin.
Kështu edhe me të tjerat
kështu edhe në dashuri.
Por në miqësi me tjetrin
u ndjeva edhe më mirë.
———-
Nga vëllimi poetik ”Qiellit përkundrejt”,1993. Ribotuar më 2016. Ilustrimet grafike Ajna Gjyla.