PËRSHPIRTJE PËR PROFESOREN LUME JUKA-KALOI NË AMSHIM NË NEW YORK
-LUME JUKA fëmijëve Amerikan: Jam prej nji vendi me Nanë Terezën, prej Shqipnie-
NGA DALIP GRECA
Këto ditë epidemie u shua një zë i njohur i inteligjencës shqiptaro-amerikane në New York, humaniste, personalitet i përkushtuar në çështjen Kombëtare, profesorja e muzikës Lume Musa JUKA. Znj.Lume Juka ishte e bija e Musa Jukes dhe Sadete Juka, ndërkohë që nëna e saj Sadete Juka ishte e bija e Mehmet Shpuzës Abdurrahmani Kokotlija, ish kryetar i Bashkise së Shkodrës në vitet 1925-1928.
Ku nuk kontribuoi Lume Juka: zëri i saj ndjehej kudo; në Vatër, në Komitetin Shqipëria e Lirë, tek Balli Kombëtar, tek Legaliteti, pena e saj kontribuonte në gazetat dhe revistat nacionaliste të diasporës, veçanërisht në gazetën Dielli. Lumja kishte në shpirt muzikën dhe poezinë, humanizmi ishte tipar i trashëguar tek ajo. Shkruante poezi. Sa herë kishte seminare a përkujtime të figurave kombëtare historike, sa here festohej Festa e Flamurit Kombëtar, Lumja ishte e pranishme dhe këndonte me shpirt Himnin Kombëtar. Lumaj ishte profesore e muzikës në një shkollë të mesme private në New York në 114 Street, ku punoi për tri dekada. Arsimimi i saj kaloi nëpër shkolla të nivelit të lart akademik të Francës dhe Egjiptit, ndërkohë pasi arritën me familjen në SHBA më 1956, studio muzikë në Konservatorin e Bostoni.
Në komunitetin shqiptar për shumë dekada ishte kontribuse. Kur u organizua 60 vjetori i gazetës Dielli në Nëw York në nëntor 1969, koha e artë kur u bashkuan në Boston dhe në New York arbëreshët, shqiptarët e Italisë dhe Shqiptarët e Amerikës nën ombrellën e Vatrës, Lumja ishte tepër aktive, ajo u motërzua me vajzat dhe gratë arbërshë që kishin ardhë në një ekip me 120 arbëresh. Lumja ishte me vajzat arbëreshe në krye të Paradës Shqiptare që u organizua me 28 nëntor 1969 në New York, por ishte edhe pjesë e koncerteve që u dhanë me atë rast së bashku me korin e vajzave arbëreshe.
Lumja, ishte krenaria shqiptare në Amerikë. Ashtu si e gjithë familja Juka, përfshirë nënën Sadete, edhe Lumja e kishte në shpirt humanizmin. Gjatë 30 viteve të fundit të jetës së saj ajo ishte e përkushtuar si Motër e urdhërit të Nanë Terezës, dhe punoi me shpirt duke përcjellë filozofinë e Nënë Terezës.Ajo ndjehej krenare që Kombi Shqiptar kishte nxjerrë një personalitet të përmasave Kombëtare si nënë Tereza.
Nga koleksioni i gazetës Dielli kam marrë një ekstrat nga një ese të Lumes.
Në numrin e 15 shkurtit 1979, në një rrëfim plot kolorit, Lume Juka, sillte shkrimin ”Festat e të vetmuemëve” .
Shkrimit i paraprinte një thënie e urtë e Nënë Terezës, që i takonte dhjetorit 1978. Në të jepej ky mesazh:”Urija shpirtnore asht ma e zorshme se urija për bukë.Me e ndi vehten të hedhur e të përbuzun, asht gjaja ma e keqe që mund t’i ndodhi nji njeriu.Shkenca moderne mund të shërojë shumë sëmundje, por nuk ka , as ka me pasë kurrë, diçka që të zëvendësojë nji dorë e nji zemër që don…”.
Lume Juka përshkruan me një stil mallëngjenjës disa ditë të dhjetorit 21, 22 e 23 të vitit 1978, ku ajo si vullnetare e Misionit të Nënë Terezës, së bashku me disa murgesha dhe një grup fëmijësh, e ndriçuar nga drita ngazëllyese e Misionit Nënë Tereza, shkonte tek të varfërit, në Jugun e Bronxit ne Neë York, ku, siç shkruan ajo , njeriu andej pari; sidomos kur të zen nata, nuk ëset i sigurtë nëse ka me u kthye gjallë në shtepi: Vorfni, violencë, shpija të shkatërrume, xhama të thyem, zhumile gjithkund. Nji botë në vendi, që të bën me harrue se jeton në Nju Jork, qytet që strehon sa gjana të mrekullushme. Fëmijë të shumtë shihen nëpër rrugë.” Nanë Tereza thotë ”N’Amerikë njerëzit nuk vuejnë për nji copë buke, por vuejnë prej urije shpirtërore të tmerrshme, e cila gjindet edhe në të pasun.”
Autorja e shkrimit, Lume Juka, përshkruan rast pas rasti se të pamundurit, ndjejnë dritën e jetës edhe në çaste e fundit, kur pranë kanë Motrat e Nënë Terezës. Më pas ajo përshkruan veten mes një grupi fëmijësh që e kanë rrethuar dhe na përcjell këtë dialog emocionues te vete Lumes me femijet amerikane:
A ban me shikue se çfarë keni shkruar në atë bllok?-më pyeti nji djal.
Menjiherë ia diftova shënimet.
“Po unë, po unë?-si e kanë zakon fëmijët. U afruan rreth meje:
-Kjo s’është anglisht; as spanjisht. Çfarë gjuhe është?
Shqip…
Ç’ka don me thanë shqip?
Asht gjuha që ka folë Nana Terezë kur ka kenë fmi.
Po ju ku e keni mësue?
Jam prej nji vendi me Nënë Terezën, prej Shqipnie.
Oh!-Jeni prej vendit të Nanë Terezës?-më shikuen me habi e me admirim.
Si i thonë në shqip”God”?
Zot!
O God
O Zot!
O God Help Us? O zot na ndihmo! Shpejt e mësuen me e shqiptue. Pak minuta zani i tyne tingëllus e i prekshëm, u ndigjonte tue thanë:
“O Zot na ndihmo…O Zot na ndihmo!…
****
PUSHOFTË NË PAQË SHPIRTI I LUME JUKËS!