Emil Asdurian: LXI
Vargjet nuk flaken në kosh të bëhen dëm,
se nuk janë rrjete fjalësh dhe as gardh,
të zënë në një kënd përhumbje
të përgjigjesh
a imtësitë t’u ndash në një
kuptim të saktë,
a një tjetër të fshehur pas
të zbulohet për hir të asaj këndje çasti, “aha!”
janë ngjizur tjetërsoj,
me gjuhë ndryshe, të marrësh a vegime
hijesh në dritë hëne a klithma yjesh,
rrjedhin diku tjetër të ngjiten resh e jo
të bien,
shkrinë a ngrinë buzë pa i prekur
dhe diç që gjithmonë mbetet
e pakuptueshme gjithmonë!
Poezitë mbahen në sy, përtej asaj
frëngjie që hapet të përpijë,
puthen me psherëtimë a një fërgëllim
në lëkurë a një lot vese,
s’di ku mbi shpinë…
jo një herë,
por çdo herë që një fllad i ngrohtë të zgjon
praninë t’u ndjesh kur s’janë
në bëlbëzim t’i ngjallësh,
t´i ndjellësh
me gujitje të vijnë,
t’i shkruash edhe një herë me ç’të mundesh
me të njëjtën ndjenjë!
S’do ish mirë për asnjë të vriste një copëzë shpirti
ende pa vdekur, për një pikë dëshire të kthjellet si qielli!