Nexhat Halimi: Shtatë poetë e një balerinë
(variant i tretë)
Poeti i parë
Ky gjakshkrim endet tash e kaq vjet në mua
e i njëjti ujë i gurit pikon gjithnjë në krua
e njëjta vetëtimë degëzohet qiellit të llapit
unë shkoj e vij e gryka çahet Gollakut
ja përsëri ai poet vjen pikës së gjakut
pika bie shkronjë më shkronjë fjalë më fjalë
kuptimi unazë më unazë digjet etjes ngjalë
e zogu me tufë bie në degëz të kavakut
e krijohet simfonia e fjalës e dreqi s’plaket
e shtatë poetë e një balerinë vetëdigjen në xinë
e kodrës zbret hija e ujkut e ulërin
kot çdo gjë bie e zgjohet kot zot nuk arrin
veç në hu koka e kolonit nga gjaku përthahet.
Poeti i dytë
Shpinën ta ndiqte lulja e kthyer në vete
besimit filloi të harrojë të vyshket në etje
tri ditë më vonë ra fletë më fletë në tokë
e ti ndieje dhembje të thellë në kokë
zot ja e njëjta lule shfaqet nga hiri i vet
apo në vargun e poezisë amshimi i ngjet
ja pse ti s’vdes veç rilind brez më brez
pse përsëritet secili ag e t’i zgjon sytë
e rimat e shqetësuara përsëri vijnë me valë
e lulëkuqet e gjakut zemra në iliri i ngjall`
e Gjilani zgjohet me ty në vetull të artë
e drita ndërmjet bozhuresh pikë e zjarrtë
zot nga shpie e nga kthen ajo pikë e artë.
Poeti i tretë
Apo veç gjakshkrimi e ndërthur besimin në hi
e ndërmjet lirikë me shi e pak vetëtimë aty
në letër të rëndë për ëndrrën për gurtë e zogjtë
asgjë tjetër ndoshta apo pak shpërthim mitik
lot ndarje nga fryma e shpirti i prerë për gji
dritë nga pikë e lidh thekët në mozaik qilimi
ja zot ky jetëshkrim i zgjatur vijës së bardhë
në gur ngrirë në pritje të yllit të mëngjesit
secilin me qefinin rreth kokës të lidhur nyje
apo bibla e heshtjes shpirtit shpërthen me gjak
e vija e karvanit ik e ik qiellit e pëlcet guri
koha nga i vret një e një besimit hijet iLirike
e të vjen të qash pse s’arrite të bësh më tepër.
Poeti i katërt
S’pranoj asgjë asnjë gënjeshtër kurrë
e pranoj veç dashurinë për liqenin dhe olën
veç prekjen magjike nga lulja në tjetrën lule
e kalin nga pi ujë në hije të syrit të vet
fjala zgjon dritën në zemër e bërë `i det
e ulliri një nga një në gur kokrrat i qet
unë e pres kot lulëzimin e hirit kaq vjet
e +s’e pranoj në asnjë mënyrë as vdekjen
s’e pranoj heshtjen nën dry ndërsa ka zjarr
e ylli i mëngjesit e bari digjen në gjithësi
a do mund të flasë ndryshe poeti jashtë vetes
jashtë pikës së gjakut pa etjen e fjalës
ja zot uji rilidhet poshtë dhe lart ngjalës.
Poeti i pestë
Lulja në kokë të gjarprit s’ka bukuri
e pylli i ëndrrës çilet mes dy stacionesh
me dritën e fanarit të thyer në shi
mbrëmja do të vijë me erë e me stuhi
mjeshtër si t’ia bëjmë gjakshkrimit
nis prej zeros e deri te përplasja tjetër
të pathënën e ujit shenjt` të fjetur
ta prekim dendur në zemër të tretur
fjala është e vetmja vdekje dhe ilaç
vjen rrënjës ik trungut ngjitet e çilet dega
ujit nimfa merr frymë e ti fle nën ulli
ndoshta lulja dritë etjes krijon bukuri.
Poeti i gjashtë
Kaq vjet më vonë i rizgjoj gjurmët e shkrimit
ende gjak pikë libri kërkoj dënim me vdekje
e koka mbështjellë përreth me qefin në ëndërr
kot përpëlitesh jargët e botës i shfaq fytyra
e liri s’ka veç mashtrim veç atdhe të fjetur
veç ndërlidhje të hirit përhitje me zjarrin tjetër
ja udhës mes dy gurësh është thyer pasqyra
në cep shihet vetëm ismeti zbret e ngjitet kot
e unë ia vërej vetes nën sy dy pikë lot
ja silueta e të treturit na vjen e ik në varfëri
ah Ismet ky s’je ti as unë me shpinë për `i ulli
pak jashtë e brenda hi udhëtimit në vetmi
udhë me gunga me varre zbret ngjitet në ty.
Poeti i shtatë
Preka befas The në thellësi të vjetër poeti
siç ndrit në prozën unë e jo unë ai sy deti
asgjë s’është kurrë siç shihet veç iluzion mitik
krah i rrezes së zgjimit të besimit në shpirt
s`është veç kanjushë e verdhë mbi Dubovik
ja pse fluturojnë e bien e digjen për pupël
e te kroi i rrënjës së gurit zgjohet veç flutur
të mbetet më pastaj dhembja e vetmuar
të mbetet zgjuar etja e ëndrra e përkryer
kanjushë e verdhë në fluturim mbi dubovik
t`i takojë hija e gjethit rrethit të ujit të liqenit
liria të çel aromë barit të fjetur të likenit
e ti mjegullës së bardhë gjithnjë vjen e ik.
Balerina
A je dëshirë e flaktë a je flutur apo balerinë
apo ndjenjë e paepur ëndrre nga e shkruaj poezinë
apo kapërcim i ylberit në rrethin magjik tjetër
apo përhitje e përjetshme e etjes në gur të fjetur
zbres nga kali i vetëtimës dhe dal te një krua
udhëtoj e udhëtoj vetes e askund plagë në mua
e gjak pikë e gjak e gjak pikë e pikë kaq vjet
ti ende maje gishtit sillesh majë gurit në gjithësi
e ashpër zgjohet shkundullimë e shpirtit ndërmjet
e një zemër bashkohet me një tjetër
e shpërthen zjarr në fjalë në sy në gji
e shtatë poet vetëdigjen dritës së gjakut të vet.
Balerina II
Ti shfaqesh ndërmjet fijesh të mjegullës magjike
me lejlekun e bardhë në fluturim mbi liqenin në shi
e ëndrrës së vet mbetet mjellma siluetë në largësi
e zgjohet fajkoi hijes së qiellit pafund të shpikur
e dëgjohet zemra e dashuruar të vdes etjes mitike
e vjen prej planetit tjetër i përgjakur poeti i ikur
të kërkon ndërmjet zjarrit dhe fatit të shpërthyer
ujëvarë floknajë fluturim për etje të parrëfyer
ja përfton pastaj dhe kalorësi me të kuqe e të zeza
e qan nën degë rrapi të vjetër ngrirë nga krahneza
ti zbret ajrit të puplës së ëndrrës e ngelë pezull
e të shtatë poetët ta shkruajnë ylberin përmbi vetull
mes territ mbytur e prapë ngjallur me penë të artë
e pik e pik gjithnjë gjak gjithësie i zjarrtë.