Albspirit

Media/News/Publishing

Stelina Dushi: Si t’i studiojmë kriminelët?

Kriminologjia është një temë shumë e gjerë e bazuar në shumë teori që janë bërë për të mundur të jemi më afër kuptimit se çfarë e bën një person kriminelë ? Pyetja që shtrojmë më së shumti është: Kriminelë lind apo bëhesh ? Në fakt nuk ka një përkufizim të saktë për këtë por unë do të thoja që faktorë të shumtë ndikojnë në sjelljen dhe personalitetin e personit kriminel.

 


 

Mendoj se teoria më e saktë është që një fëmijë konsiderohet një “Tabula Rasa” , pra një tabelë në të cilën ti mund të marrësh shkumësin dhe të shkruash aty çfarëdo që ti dëshiron. Nuk ka fëmijë të lindur “të këqinj apo kriminel”, por gjatë rritjes siç e kemi studiuar dhe në psikologji shumë faktorë ndikojnë në mënyrën se si ai/ajo do të reagojë më tutje ndaj veprimeve të jashtme kundrejt tij. Në krijimin e personalitetit të një personi ndikojnë familja dhe shoqëria e jashtme. Jo gjithmonë siç thonë disa teoricienë nëse fëmija rritet me prindër të këqinj apo me vese të këqija, domosdoshmërisht do të bëhet dhe ai një person në të ardhmen me gjasa kriminel e të kryejë po ashtu veprime të këqija. Por nuk e mohojmë që këta fëmijë janë më të prirur të shkojnë drejt këtyre sjelljeve kriminale pasi,siç përmendëm dhe më parë ne të gjithë në fëmijëri jemi një “tabula rasa”, një dërrasë e zezë që shkruhen dhe shënohen shumë elementë në të. Familja luan një rol thelbesor në rritjen e fëmijeve dhe në mënyrën se si ata do përballojnë situatat më tutje.

Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe rolin shoqëror sepse pjesën tjetër të kohës ne e kalojmë në shoqërinë e jashtme,në shkollë,në kurse,në palestër,kafene e shumë e shumë ambiente që hasemi me njerëz të ndryshëm dhe me personalitete të ndryshme nga ne. Jo vetëm këto dy arsye dhe elementë ndikojnë në “shndërrimin” e një personi si kriminel por kemi dhe faktorët ekonomike që unë mendoj se shumë nga kriminelët sot kanë ardhur si pasojë e këtij faktori.

Kriminelët jo gjithmonë janë vrasësit që kanë kryer krime të shumta apo ato që janë pjesë të trafikimit të drogës,armëve etj,por janë dhe ata persona të cilët bëhen kriminel ( unë nuk do ta quaja kështu ), si pasojë e një tronditje psiqike të fortë të çastit për shkak të një tradhëtie apo fyerjeje apo dhe një goditjeje e dhune (psikologjike dhe fizike) .

Këta persona që nga tronditja psiqike kryejnë një krim, tregojnë më së miri që në teorinë e kriminalogjisë përfshihet dhe teoria e vetëkontrollit. Në adoloshencë kemi më shumë sjellje problematike,ndoshta siç e thashë nga mungesa e dashurisë në familje apo dhe nëse rriten me frymën e dhunës aty ,ata në të shumtën e rasteve do kryejnë sjellje agresive dhe më pas rëndohen duke kryer dhe sjellje akoma më të rënda që shkojnë në sjellje kriminale. Faktorët që ndikojnë në dhunën dhe sigurinë që vërehet në shkolla janë dijet,qëndrimi,mendimi për dhunën, përdorimi i alkolit ,drogës, qënia dëshmitar i dhunës apo të qënit viktimë e dhunës ndërpersonale. Po sqarojmë më tutje dhe faktorët familjare siç përmendëm të cilët luajnë rolin thelbësor te ne, ndër këto faktorë kemi mungesën e dashurisë dhe mbështetjes prindërore, përvoja e dhunës në shtëpi,dënimi fizik dhe keqtrajtimi i fëmijëve,ndërsa te faktorët shoqërore përmendëm mungesën ekonomike, tranzicioni, shoqëruar me papunësinë e të rinjve,ndikimeve të mjeteve të komunikimit publik .

Meqë edukimi i fëmijëve fillon në familje dhe si vazhdimësi në të njëjtën kohë ata janë pjesëtarë të shoqërisë, ne duhet ti japim një rëndësi edukimit të fëmijës,sepse në një të ardhme ai mund të ndryshojë rrethanat në shoqëri.

Mungesa e vëmendjes në familje shpeshherë arsyetohet me gjendjen ekonomike të një familjeje. Nuk duhet të pajtohemi me një sjellje të tillë. Eshtë zgjedhja që vetë prindërit bëjnë që ti kushtojnë vëmëndjen e duhur apo jo fëmijës së tij pavarësisht çdo rrethane. Ata duhet të kuptojnë që janë udhërrëfyesit e fëmijëve të tyre, pa marrë parasysh dhe gjendjen ekonomike dhe sociale. Fëmijët kanë nevojë të rriten me besimin që çfarëdo t’ju sjell jeta, ata do të jenë të gatshëm ta përballojnë. Siç kuptohet, unë mbështes dhe besoj më shumë teorinë sociale dhe ekonomike. Mendoj se këto dy teori e shpjegojnë më së miri se çfarë e bën një person kriminel. Nuk besoj në teorinë që një fëmije ka në gen kriminalitetin pasi dhe shumë faktorë tregojnë që dhe këta fëmijë që dalin nga një familje e tillë, jo domosdoshmerisht janë bërë kriminel dhe nëse kanë të atin apo të ëmën,apo vëllain, motrën me sjellje kriminale. Besoj dhe jam e mendimit dhe gjithashtu e mbështes që dhe këta të lindur në këto familje nuk bëhen se kanë genin kriminal por se mësojnë nga familja dhe shoqëria dhe kopjojnë sjelljet e tyre.

Ne kemi në dorë të marrim sjelljet më të mira dhe ti përftojme ato, të mos marrim sjelljet e këqija në shoqëri e të mos lejojmë që mungesa ekonomike të na bëjë të priremi drejt sjelljeve kriminale. Kjo lidhet me teorinë e vetëkontrollit siç e prekëm më lartë .Vetëkontrolli është esencial në sjellje për të arritur qëllimet dhe për të shmangur impulse apo emocionet të cilat mund të jenë negative.

Të gjitha këto teori për krimin i studiojnë kriminologët, të cilët përfshijnë studimin e natyrës së krimit dhe kriminelëve, origjinën e së drejtës penale, etiologjinë e krimit, reagimin shoqëror ndaj krimit dhe funksionimin e agjencive të zbatimit të ligjit dhe institucioneve penale. Mund të thuhet gjerësisht se kriminologjia drejton hetimet e saj në tre rreshta: së pari, ajo heton natyrën e së drejtës penale dhe administrimin e saj dhe kushtet në të cilat zhvillohet, së dyti, analizon shkakun e krimit dhe personalitetin e kriminelëve; dhe së treti, ai studion kontrollin e krimit dhe rehabilitimin e shkelësve. Kështu, kriminologjia përfshin brenda fushëveprimit të saj veprimtaritë e organeve legjislative, agjencive të zbatimit të ligjit, institucioneve gjyqësore, institucioneve korrektuese dhe agjencive sociale arsimore, private dhe publike.

Në këtë mënyrë ne folëm për kriminologjinë duke prekur temat se kush e studion krimin dhe çfarë e bën një person kriminel, duke dhënë argumenta mbështetëse në mendimin tim dhe bazuar dhe në statistikat e krimeve ,që teoria me e përdorur është ajo sociale dhe ekonomike.

Ne e marrim bazën që në fëmijëri dhe është e domosdoshme dhe më e duhura që të marrim dhe të përvetësojmë sjelljet më të mira në çdo ambient që jemi ,si në familje, si në shoqëri, jashtë në shkollë apo në çdo vënd tjetër. Le të shkruhen në tabelen tonë të zezë sjelljet më të mira shoqërore./gsh.al/

 

Please follow and like us: