Albspirit

Media/News/Publishing

Ismail Xhaferi: Kameleonët e politikës

Gazetari Ismail Xhaferi "thumbon" me vargje politikanët...
Ismail Xhaferi

 

Gjithë jetën e kam dredhur,

kurrë nuk m’u skuq fytyra,

se në vendin e fytyrës,

kam një maskë me disa ngjyra.

 

Gjithë jetën dredharak,

pa bërë zhurmë e pa bërë zë,

u kam bërë qejfin të gjithëve,

me të gjithë e me asnjë.

 

Që në luftë unë e nuhata,

se “Balli” nuk kish derman,

ndaj në fund ika nga “Balli”

vura yllin partizan.

 

Dhe kështu e nisa kthesën,

natë e ditë shaja ballistët,

bëja nami mbi kulakët,

bëja dërmën mbi zogistët.

 

Pas luftës sërish në ballë,

idhull kisha komunizmin,

bëja be edhe rrufe,

se vdisja për socializmin.

 

Në çdo hap e në çdo ditë,

mendoja për këtë kokë,

të më besonte partia,

spiunoja ndonjë shok.

 

Ndërsa groposja të tjerët,

shkoja jetën bukuri,

nja 10 veta i dërgova,

në Burrel e Shën Vasi.

 

Dhe si sekretar partie,

unë punova pa ngurim,

luftë e klasave prej meje

mori hov edhe zhvillim.

 

Bëja letra nëpër zyra,

dhe s’e prishja terezinë,

informoja udhëheqjen,

se kush shante qeverinë.

 

Por të jem pak i sinqertë,

më shkoi jeta nëpër kthesa,

se unë nuk kam ideale,

por kam vetëm interesa,

 

Ja kështu i shtyva vitet,

krejt rehat e nëpër zyra,

si e donte muhabeti,

jo me një, po dhjetë fytyra.

 

Ja kështu më shkonte jeta

vigjëloja ditë e natë,

dhe tesrën e komunistit,

e kisha kthyer në shpatë.

 

Në vite e socializmit,

si unë nuk kishte njeri,

një dorë përmbi bakllava,

tjetrën përmbi revani.

 

Erdhën vitet nëntëdhjetë,

gjithçka nisi nga fillimi,

unë i pari ndër të parët,

thirra “poshtë komunizmi”.

 

“Poshtë e kuqja, rroftë bluja”

“Poshtë zëri i komunistit”!

Flaka yllin partizan,

vura shkabën e ballistit.

 

Prap në zyrë e prapë rehat,

prap në punë në qejfin tim,

ata që kisha prangosur,

vinin më kërkonin ndihmë.

 

Prap në krye i krekosur,

u dhashë punëve duman,

ngrysesha me Paskal Milon,

gdhihesha republikan.

 

Flak një teser merr një tjetër,

se ishte bërë deti kos,

disa vite me Saliun,

më pas me shokun Fatos.

 

Eh, sa herë që e kam dredhur,

asnjëherë merak s’më ngeli,

nuk të shkon jeta rehat,

po s’e drodhe si Xhuveli.

 

Eh, sa herë që e kam dredhur,

kurrë s’gjendet filli dhe ana,

ika nga Parti e Salës,

dhe shkova tek Edi Rama.

 

Shkuan vitet erdhi ora,

mora një pension të mirë,

tani vallen që lashë unë,

bukur po e heq tim bir.

 

Shumë të njohur mbledhin buzët,

flasin fare pa doganë,

mut i ati, mut i biri,

mut dhe kush bëri babanë.

 

Dridhe bir pa le të flasin,

i do ca lajka partia,

prandaj edhe djali im,

punon tek Erjon Velia.

 

Dridhe bir që të hash bukë,

jo i drejtë, por gjithmonë anës,

ndaj dhe djali im i vogël,

punon në bashki në Kamëz.

 

Dridhe bir si shumë të tjerë,

ashtu siç bëri babai,

po s’ishe kameleon

asnjëherë nuk del në majë.

 

Dridhe babë, e dridhe bir,

ky është një zanat i hershëm,

ndaj dhe në administratë,

s’ka vend për njerëzit e ndershëm.

 

Gjithë jetën e kam dredhur,

kurrë nuk m’u skuq fytyra,

se në vendin e fytyrës,

kam një maskë me disa ngjyra…

Please follow and like us: