Leonard Olli: Pas dyzet ditëve të izolimit biblik…
Shqipëria tashmë ka kaluar më shumë se 45 ditë në karantinë. Nuk dua të merrem me etimologjinë e fjalës pasi jam i bindur që tashmë nuk ka njeri në botë që mos ia dijë kuptimin dhe faktin që vjen nga thellësia e historisë. Por, më duhet të nënvizoj se edhe numerikisht vendi e ka kaluar tashmë dukshëm 40 ditëshin biblik të veçimit. Por, Moisiut tonë, ende nuk i është mbushur mendja të udhëheqë popullin drejt lirisë…. Pasi ky Moisiu është edhe përtej librave të shenjtë, si lider ndërgalaktik që është ka librat e tij të “shenjtë” personalë për të zbatuar. Sa më fat që jemi…. Nuk mjafton që në karantimim ishim më absurdët në planet, por edhe në tenetativën për postkarantinë jemi unikalë!
Kryemisntri flet për pikun, por nuk ka asnjë ide ku ndodhet ai edhe pas 45 ditësh, kur 40 ditëshi në histori është izolimi maksimal! Në fakt nuk e ka për detyrë ai, por ekspertët e shtetit, por kryegjithologu nuk i le radhë kujt.
Shqipëria ka hapur dyqanet, por nuk lejon klientët të shkojnë në to.
Shqipëria hap bizneset, por nuk lejon punëtorët të shkojnë në punë, për aq kohë sa ndalon me lezet përdorimin e automjeteve!
Në Shqipëri janë hapur serviset e makinave, motorëve e gomisteritë, por ndalohen të qarkullojnë makinat edhe motorët!!!
Shqipëria ka hapur dyqanet e veshjeve, por vetëm kryefamiljari mund të blejë për gjithë familjen ose ndryshe me pizhama do rrini të gjithë!
Shqipëria lejon vetëm një person për familje të dalë, por vetëm më këmbë…. po përdorën biçikleta apo autovetura e motorë ndëshkohen rreptësisht!
Familjet shqiptare duhet të hedhin me short kush duhet të dalë, ndryshe rrezikojnë sherre pa fund, pasi vetëm njëri mund të dalë!
Mjerë ata që kanë probleme shëndetësore e duhet të ecin çdo ditë, sipas porosive të mjekut, se e vetmja mundësi që kanë është të vijnë pafundësisht rrotull nëpër apartamente!
Mjerë ata që kanë probleme me dhëmbët apo sytë e shumë organe të tjera se nëse nuk janë në rrezik vdekje të menjëherëshme, vdisni ngadalë se askujt nuk ia ndjen!
Mos guxoni e lejoni dëmtime në shtëpitë tuaja të karakterit elektrik, hidraulik e shumë ‘ik’ të tjera se do të mbeteni më gisht në gojë!
Kam mbetur i mahnitur se si vullnetarët e “licensuar” nga qeveria bëjnë pazaret për pensionistët dhe nxjerrin shëtitje kafshët e tyre shtëpiake, duke respektuar rregullat e distancimit social!!! Nëse më të drejtë pyesni se ku i kam parë, po ua them troç, mbyllini sytë dhe përfytyrojeni, jam i bindur se do ja dilni.
Në Shqipëri si këmbësor, qoftë edhe ato pak minuta që na ka dhuruar Moisiu të dalim nuk rrezikojmë nga Covid 2, se ka bërë AI marrëveshje, por po more makinën, motorin apo biçikletën për të shkuar e bërë atë dreq pazari shpallesh armik i popullit dhe rrezik global. Ngarkohu si gomari, kjo është e vetmja mënyrë që të mos infektohesh.
Mund të rendisja edhe fakte të tjera pafund, por besoj se të gjithë i jetojmë në kurriz e i dimë mjaft mirë.
Motoja e Moisut tonë, pas asaj nga fitorja në fitorje, tashmë është nga absurdi në absurd. Jam thellësisht i bindur që pas OBSh edhe OKB do të na shpallë si vendin model, pas Flipineve kuptohet, për respektimini e të drejtave të njeriut në kohë gjendjes së jashtëzakonshme! Tani presim vetëm kur do na zyrtarizohet medalja! Përgëzoj nga rasti të gjitha institucionet e pavarura, përgjegjëse për të drejtat dhe liritë e njeriut që gjatë gjithë kësaj periudhe janë përballur dhëmbë për dhëmbë me Moisiun, e në sajë të tyre kemi këto të drejta që kemi sot. Mirënjohje pa fund! Pa ju kjo nuk do të ishte e mundur të përjetohej në këtë nivel! Vlerësim pa fund për të gjithë ata që shqiptarët ua kanë deleguar me votë përgjegjësinë që të luftojnë për të drejtat dhe liritë e tyre, se kanë bërë çfarë ka qenë e mundur që të kalojmë kaq bukur karantinën! Deri atëherë, të gjithë në shtëpi! Për të tjerat mendon ditë e natë lideri ndërgalaktik, Moisiu modern, mos u shqetësoni fare!