Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Berberi: Vlerat e kulturës sonë kombëtare drejt shkatërrimit

Bardhyl Berberi

 

Koha është një shoshë e madhe dhe e pagabueshme. Tashmë ajo është duke veçuar se çfarë ka mbetur dhe çfarë po shkatërrohet çdo ditë nga kultura jonë kombëtare. Le ta ilustrojmë me disa shembuj konkretë:

  1. Në fshatin Lin të Pogradecit ndodhet një nga bazilikat më të vjetra dhe më ineteresante për gjithë rajonin e Ballkanit, i ndërtuar që në shekullin e VI të erës sonë. Ai ka tërhequr dhe vazhdon të tërheqi një numur të madh turistësh nga e gjithë bota, pasi vlerat e tij janë të evidentuar në hartën arkeologjike të Europës si mozaiku më unikal në tërë Europën. Është vërtet një tempull i trashëgimnisë së kulturës sonë kombëtare për teknikën e ndërtimit dhe konfiguracionin që paraqesin figurat e parardhësve tanë të lashtë. Por çfarë po ndodh me këtë bazilikë të lashtë e cila është në prag të rrënimit të saj? Në vitin 2004 mozaiku është vizituar nga personeli i ambasadës gjermane në Tiranë të cilët të mahnitur nga vlerat e mozaikut dhe të tronditur nga gjendja e mjeruar akorduan një fond prej 200 mijë euro për ta mbrojtur mozaikun me një mbulesë xhami, madje është bërë dhe një projekt, por në vend të këtij projekti në vitin 2005 u adoptua një projekt tjetër me një konstruksion metalik prej 12 shtyllash me një mbulesë që shiu dhe bora që binte jashtë e gjitha hynte brenda mozaikut. Por para pak kohësh Instituti i Monumenteve ka dhënë një fond tjetër prej 50 mijë euro për ta shkatërruar këtë mbulesë për të cilën u harxhuan 200 mijë euro. Dhe më pas thonë drejtuesit e Institutit të Monumenteve të Kulturës se do të bëhet një projekt tjetër dhe do të hapet një tender i ri se këto që kanë kaluar kanë qenë të dështuar. Besoj se këto fakte nuk kanë nevojë për shumë koment.
  2. Le të marrim një shembull tjetër, në fshatin Dërdushë ka qenë një ndërtesë pesë katëshe e njohur si kulla e Dërdushës, e ndërtuar 300 vjet më parë nga Meço beu dhe ajo para pak kohësh u rrënua nga neglizhenca e drejtorisë së monumenteve të kulturës në qarkun e Korçës edhe pse ka qenë një monument kulture unikal, i ndërtuar me teknikën e asj kohe, të shoqëruar me shumë dekoracione brenda saj. Monumenti ishte veshur me dru dhe tavanet ishin me dekore gdhendjesh.
  3. Tjetër shembull: Në fshatin Llëngë të Pogradecit është shkatërruar me tritol një nga urat unikale të rrugës ‘Egnatia’ me një qemer që lidhte dy anët e lumit Llëngë. Persona ende të paindentifikuar me tritol kanë shkatërruar urën dhe ende nuk është dhë asnjë përgjigje për këtë akt të rëndë. Kjo urë qe unikale me një qemer të rrugës ‘Egnatia’ që iu ka rezistuar qindra mijra vjet, tashmë shkatërrohet nga disa barbarë që duan të “gjejnë florin te këmbët e urës”.

Fjalët e Plutarkut se nuk ka patur dhe nuk mund të ketë ndonjëherë qytetërim pa tempull të trashëgimnisë së kulturës tregojnë se është tempulli ai që e lind dhe e mban qytetërimin. Vetë shoqëria njerëzore ka lindur dhe është organizuar rreth vlerave të trashëguara nëpër shekuj dhe sa më të forta të kenë qenë këto vlera aq më e fortë ka qënë shoqëria. Qytetërimi, në kuptimin më të thellë të fjalës, nuk përcaktohet nga sasia e banesave dhe e gradaçielave, por nga vlerat që mbart kjo shoqëri dhe nga mendimtarët që e kanë udhëhequr atë në periudha të ndryshme historike dhe vlerat që ata kanë lënë për shoqërinë njerëzore.

Nëse një shoqëri nuk nxjerr mendimtarët e saj për çdo periudhë historike atëherë kjo shoqëri është në rrezik; motivimi i jetës dhe ekzistenca është shumë e dobët shoqëria është pa rrënjë dhe çdo tronditje sado e vogël që mund të vijë mund të sjellë katastrofa të mëdha.

Është fare e qartë që çdo komb dhe çdo qytetërim është mbajtur mbi këto vlera me njerëzit më të ditur të tij dhe kanë qenë këto vlera që janë bërë fuqia transformuese e këtyre kombeve drejt progresit, në të kundërt ka ndodhur një shkatërrim dhe një degradim moral të pandalshëm të shoqërisë…

Ne sot jetojmë në një kohë kur vlerat ndodhen në rrezik me tempujt e kulturës bëhen tendera për tendera që nuk kanë si qëllim ruajtjen e vlerave të tyre por mbushjen e xhepave… Personalitete të kulturës sonë që mund të quhen si shtylla të këtyre tempujve të kulturës si Skënderbue, Nënë Tereza, Naim Frashëri, Kadareja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Faik Konica, Fan Noli dhe shumë ikona të tjera të kulturës shqiptare sulmohen nga disa pseudointelektualë të cilët duke u marrë me këta gjigandë të kulturës shqiptare duan të rritin vlerat e tyre në mënyrë artificiale…

Historia e gjatë e njerëzimit ka treguar se rreziku më i madh që i kanoset një kombi është pikërisht mungesa e vlerave. Kjo është njësoj sikur të presësh rrënjët e një peme. Është e njëjta gjë edhe me prerjen dhe shkatërrimin e vlerave. Një qytet dhe një komb pavlera kthehet në një kaos. Një shoqëri që nuk ka vlera ka antivlera të shoqëruar me pushtetarë, politikanë, gjykatës, policë dhe administratorë të korruptuar.

Vendi ynë ka nevojë për vlera dhe mendimtarë të zotë dhe ajo që i mungon më tepër në këtë kohë janë pikërisht mendimtarët e zotë dhe ruajtja dhe restaurimi i tempujve të kulturës sonë kombëtare…

Martin Luter King ka thënë se “jo veprimet e gabuara të të njerëzve të këqinj, por heshtja e njerëzve të mirë është ajo që prish një komb…”.

 

Please follow and like us: