Botimet Fishta sjellin dy libra të Stefan Çapalikut
“Një antologji e vogël e jetës” dhe “Një Antologji e vogël e vdekjes” janë dy libra që vijnë tamam në kohën kur jeta dhe vdekja, që prej Luftës së Dytë Botërore, para 75 vjetëve e deri më sot, nuk kanë qenë ndonjëherë më afër. Nuk kanë qenë ndonjëherë më të miqësuar dhe më bashkëudhëtarë.
Të dyja antologjitë përbëhen nga koleksione tekstesh të përzgjedhura me kujdes dhe prej një kohe të gjatë.Ato janë identikë në numër faqesh, në format dhe në dizanj. Libra xhepi, për të dy xhepat e xhaketës. Shkojnë bashkë, ecin bashkë dhe lexohen bashkë…
Te antologjia e vdekjes do gjeni një preambul mbi vdekjen në pikpamje filozofike; një shqyrtim të shkurtër antropologjik mbi vdekjen në kulturën shqiptare; mbi varrezat si “qyteti ideal”, duke marrë si shembull “Varrezat e Ermajit” në Shkodër, si dëshmi e gjallë e qytetërimit përëndimor. Dhe të gjitha këto pasohen prej tekstesh poetikë dhe në prozë të shkruara nga Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Vincens Prenushi, Hil Mosi, Gjovalin Gjadri, Kolë Mirdita, Ernest Koliqi, Migjeni, Veli Stafa, Gasper Pali, Gjush Sheldija, KolëAshta, Zef Zorba, Arshi Pipa, Martin Camaj, Aleksander Gera, Frederik Rreshpja dhe deri te Anton Çefa dhe Primo Shllaku.
Te antologjia e jetës do gjeni një introduksion mbi humorin ballkanik dhe Shkodrën, si kryeqytet i humorit shqiptar. Gjithashtu si pjesë e hyrjes së librit janë edhe tipologjitë e tregimit ose narrativat e humorit, si dhe një; një polemikë me antropologen austrialiane Shannon Woodcock, qëdeklaron se shqiptarët nuk bënin humor me diktaturën.Në libër i është lënë vend personazheve të barceletave apo autorëve të tyre.Dhe pastaj vijnë me radhë barceletat e komunizmit; barceletat: me doktor, farmacist, pijanecë, me bjonde, me kafshë, me kamarier, shitës e berberë; me mësues, me çifte, me gjirokastritë, me kler, me police, me seks, etj. Në fund në libër do gjeni edhe barceleta të identifikuara si të Tefë Palushit, Tano Banushit dhe Nexho Shabanit.
S’ka mort pa gaz dhe s’ka dasëm pa vaj…