Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Erebara: PIKA MBI ‘E’ DHE PIKA MBI ‘I’

Mimoza Erebara: DITË HIGJENE DHE BREKË - Albspirit

Ese

Është  fakt, sado i hidhur për shqiptarët, që ajo që është përjetuar po prej tyre në të dy anët e Shkumbinit, është një lidhje, quaje si të duash, etnike, gjenetike, kulturore, që tek e fundit nuk arriti dot të kapërcejë diferencën historike. Në pamje të parë çdo gjë duket krejt në rregull, kemi qenë nën të njëjtën çati sistemi politik e ekonomik, flasim të njëjtën gjuhë, i këndojmë të njëjtit flamur, kemi të njëjtën kushtetutë, përgjigjemi para të njëjtit ligj, pra nëse shkrepim aparatin, fotografia që marrim është ajo e një shteti të mirëspikatur në aradhën e gjithë të tjerëve.
E megjithatë, diferencat ekzistojnë dhe është normale. Diferenca ekzistojnë në të gjithë shtetet. Po nëse në shtetet perëndimore këto diferenca megjithëse nganjëherë tepër të spikatura nuk ndikojnë në humbje vlerash, nuk ndikojnë në mbijetesën e shtetit, përkundrazi e ndihmojnë atë  drejtpërdrejtë, pikërisht përmes këtyre diferencave, që në këtë rast vijnë si përvoja kolektive pozitive dhe institucionalizohen, në të mirë të të gjithëve, në Shqipëri kjo nuk ndodh. Të njohësh këto diferenca do të thotë të kuptosh, do të thotë të marrësh bashkë, në një të tërë, si shkak krijues të gjithçkaje që ndodh me ne.
Menjëherë pas rrëzimit të sistemit totalitar, i cili nga ana e tij na kishte kyçyr në një univers ku nuk kishte parametra krahasimi, veç të tjerash koha solli para nesh pikërisht atë që besohej nën rrogoz: diferencat, që e thënë në një mënyrë më të përgjithshme ndikuan fuqishëm në një diferencim edhe më të madh, fatal, mes nesh dhe Perëndimit, mes nesh dhe Lindjes. Ishin këto diferenca  që sollën në pushtet dashuri dhe urrejtje që këmbehen sipas politikës së çastit. Njëherë vrapojmë  e gati rrëzohemi nga nxitimi drejt Perëndimit e njëherë vrapojmë drejt Lindjes. Një dualitet institucional që si shkak të parë ka pikërisht këtë prag historik diferencash. Të pakaluar! Sepse individët që drejtojnë kanë një të kaluar vetanake të një ndjenje braktisjeje, varësie e inferioriteti, kanë një orientim që nuk e kalon cakun e të sotmes. Dhe ky qëndrim e jep menjëherë rezultatin e vet.
Tek ne bëhet e rrezikshme pikërisht ajo që ishte trumbetuar si siguri: tregu, investimet, përkatësia në BE, demokracia. Sfidat janë vërtet të llahtarshme. Por si mund të shkojmë drejt këtyre sfidave, me zgjidhjet përkatëse me vete nëse nuk kemi kaluar pragun e këtyre diferencave historike mes vetes? Dhe si mund të pretendojmë të hedhim themelet për atë që mund të vijë në dekadat e ardhshme nëse politika jonë prostituon në mënyrën më të shëmtuar të mundshme duke mashtruar në të njëjtën kohë sa “paditësin”, aq edhe të “paditurin”? Dhe si mund të marrësh përgjegjësi mbi vete  në emër të një kombi të tërë kur ti ende vazhdon të shohësh me sy hapur një ëndërr fëmije, siç është ajo e pavdekësisë, që në rastin tonë kthehet në një mallkim historik , sepse këtë ëndërr nuk e sheh më një fëmijë por një i rritur. Dhe dihet si komentohen në literaturën mjeksore raste të tilla.
Pavdekësia jonë qëndron në mendimin tonë, e jo tek ne vetë, kjo është një diferencë esenciale  e pakuptuar fare nga pushteti aktual. Dhe në të tilla rrethana kuptohet që është një luks të hiqesh si një perendimor, si një i moderuar, kur në të vërtëtë është vetë historia që nuk ta lejon një gjë të tillë. Siç është luks të pretendosh që rolin që ke marrë përsipër për të vendosur pikat mbi “I” në historinë e kombit, në të ardhmen e tij, ta kesh kryer me sukses kur në të vërtetë janë pikërisht diferencat historike që ti i mbart me vete  që nuk ta lejojnë këtë, shumë – shumë , mund të flitet vetëm për pika mbi “E”.
Të kapërcesh pragun historik të diferencave është sfida më e madhe për mbijetesën e kombit shqiptar, sfidë e cila fillon me të kuptuarit e shkakut të vetvetes, të kuptuarit të thelbit të vet individit dhe lumin e ideve të çoroditura ta drejtosh me bindje drejt rrjedhës së tij natyrore, drejt shkëputjes prej interesave vetjake, drejt shkëputjes së steorotipeve të vjetruara të lidershipëve, do të thotë të fillosh të shkosh drejt lirisë dhe përparimit, drejt ruajtjes së vlerave kombëtare, drejt ruajtjes së vlerave të individit, të qenies.

Please follow and like us: