Albspirit

Media/News/Publishing

Azgan Haklaj: Protestë e solidaritet për Çamërinë

Çamëria është shqiptare qysh në agim të historisë dhe e tillë do të jetë përjetësisht.

Shpërnguljet e dhunshme të çamëve, masakrat çnjerëzore, genocidi ndaj tyre janë thembra e Akilit e ndërgjegjes së Europës së lirë.

Shpirtërat e martirëve kërkojnë drejtësi për t’u prehur në paqe.

Protagonistët e kësaj tragjedie duhet të përballen me gjyqin e historisë.

Genocidi ndaj njerëzimit nuk parashkruhet.

Çamëria është një plagë e hapur në kërthizë të arealit të qytetrimit të lashtë të Mesdheut (Mesi i dheut) siç i thoshin në gjuhën e zotave, atë Pellazgo-Ilire të parët tanë.
Ajo shtrihet madhështore, e begatë dhe e gjithpushtetshme.
Të mahnit me bukuritë e saj, malet e Zeusit, Dikta ku lindi e Ida ku e fshehu e ama Rea.
Me Olimpin e rrufeve të tij, sunduesit të tokës dhe qiellit, i cili shpalli vehten baba i zotave pasi mundi cikllopët dhe titanët.
Detin kaltërosh, ullishtet dhe vreshtat që dijetarët e lashtë Polibi dhe Ptolemeu i quanin më të begatshmet mbi dhe.
Orakullin e stërlashtë të Dodonës, të parin mes 8 orakujve, burrat trima e të fuqishëm si Anteu, vajzat e bukura si zana, si vetë nimfa Amaleteja që kishte ushqyer Zeusin me qumshtin e saj, kuajt e shpejtë si era.
Çamëria, kjo Hirushe Epiriote e Kombit Shqiptar ka përjetuar në shekuj shkëlqimin e qytetrimit të saj madhështor.
Por për shkak të lakmitarëve barbarë, ajo ka kaluar një kalvar të gjatë betejash homerike, një varg kasandrash deri tek golgota e fundit, e cila me qëndresë prej Anteu ia doli për të mos humbur në humnerat e errta të historisë si Troja dhe Kartagjena.
Çamëria e Olimbisë i dha botës një Luan si Aleksandri i Madh, Pirron, strategun që e vaditi Tokën e Italisë me gjakun e legjioneve romake, Gjin Bua Shpatën, Despotatin e Arbërit e Republikën Suliote.
Çamëria është toka që i dha Greqisë lirinë, me udhëheqësit e shquar Marko Boçari, Kolokotroni, Laskarina Bubulinën, Foto Zhavellën.
Ajo udhëtoj nëpër shekuj kryelartë duke mbrojtur me krenari historinë, vlerat e lashta autentike të Kombit Shqiptar.
E bekuar nga Zoti, natyra e njerëzit e saj fisnikë e të talentuar, Çamëria, kjo Zanë hireplotë e lindur para Hënës ndaj shpesh e quajnë parahënëse, ka luftuar trimërisht me bajlozat e tokës e detit për të mbrojtur lirinë, doket, zakonet, identitetin, etnogjenezën, mënyrën e jetesës, tokën e shenjtë të trojeve të vjetra shekullore, Tempullin e Dodonës dhe lisin e saj të kuvendimit me Zotin.
Në udhëtimin e gjatë përmes betejash të përgjakshme duke derdhur lumenj gjaku me qëndresen e saj arriti në shekullin e 20-të për të përjetuar, barbaritë e Luftës së Parë Botërore dhe kanibalizmin e Luftës së Dytë Botërore, dhunën, genocidin plaçkitjen, shkrumbimin e vatrave të veta nga zjarri, e në fund spastrimin barbar e të dhunshëm etnik duke i masakruar rrugës në mënyrë kafshërore, pikërisht nga qeveria fashiste e ultranacionaliste e atij populli, të cilit Çamëria me kapedanët e vet trima i priu në luftën për çlirim kombëtar e pavarësi, pas pesë shekujsh robërie otomane.
Të infektuar dhe të ushqyer nga projekti famëkeq i Megali-Idesë dhe nga ëndrra e ripërtëritjes së Perandorisë-Greko-Bizantine fqinjët tanë të jugut ashtu si serbët në veri u vërsulën si bisha drejt trojeve shqiptare, me zjarr dhe hekur, me Kryqin e Zi të shovinizmit për të zhdukur nga harta politike e Ballkanit dhe Botës Atdheun e Pirros, Aleksandrit të Madh, Teutës, Dioklecianit, Konstandinit të Madh, Justinianit, Gjergj Kastriotit, Papa Klementit, Pjetër Bogdanit, Hasan Tahsinit, Bilal Xhaferit, Osman Takës, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Ded Gjon Lulit, Mustafa Qemal Ataturkut, Nanë Terezës, Ibrahim Rugovës, Adam Jasharit
Megalidhea dhe ëndrra mashtruese e ultranacionalistëve grekë për “Epirin e Veriut” frymëzuan fushatën e egër, me mizori mesjetare në qershorin e vitit 1944, me dt 27 vranë duke i therur me thika e bajoneta mijëra vëllezër të Çamërisë dhe e kthyen tokën e saj në një kasaphanë të vërtetë.
Ky genocid e shpërngulje e dhunshme nga trojet amtare është thembra e Akilit e ndërgjegjes së Europës së lirë e të civilizuar, një barometër i kujtesës së saj historike, e më në fund i vetë prespektivës e të ardhmes së Shtëpisë së përbashkët me emrin e plotë BE.
Plagët Çame vazhdon të kullojë gjak.
Kauza e saj nuk njeh moshë.
Ajo s’plaket e s’thinjet.
Çamëria është degë e thyer por jo e tharë e lisit kombëtar shqiptar.
Masakra ndaj popullsisë së pambrojtur çame, strategjia e vrasjeve, shfarosjes e dëbimit të saj ishte e mirëkordinuar me simotrën e Greqisë- Monarko- fashiste, Jugosllavinë- Komuniste të Titos.
Jo rastësisht pas një viti të dëbimit të çamëve, në pranverën e vitit 1945 u organizue Masakra e Tivarit.
Makineria vrastare e Tito- Rankoviçit ekzekutoj mijëra shqiptarë në të njëjtën mënyrë çnjerëzore rrugës nga Kosova në Tivar dhe e ktheu ketë qytet në një krematorium, që do të i’a kishte zili edhe Gestapoja e Hitlerit, duke vrarë një numër aq të madh shqiptarësh, mijëra vetë, aq sa shifra reale nuk dihet.
Masakra ndaj Çamërisë e dëbimi i tyre nga trojet amtare duhet të shihet e gjykohet qartë e ndershmërisht në dritën e historisë.
Çamëria edhe sot është plagë e pambyllur që kullon gjak në zemër të Europës.
Ka ardhur koha që protagonistët e kësaj tragjedie të përballen me gjygjin e historisë.
Pasojat e tragjedisë së mijëra shqiptarëve të pafajshëm të Çamërisë, shpirtërat e martirëve shqiptarë, të fëmijëve, grave e pleqëve, të masakruar në mënyrë mizore kërkojnë drejtësi si kusht themelor për tu prehur në paqen e amshuar.
Genocidi ndaj njerëzimit është akti më i shëmtuar dhe një krim që sipas të Drejtës Penale Ndërkombëtare nuk parashkruhet.
Nuk është kurrë vonë për të venë drejtësi, për të ndëshkuar krimin e për të projektuar të ardhmen e përbashkët, me paqe e mirëkuptim mes kombeve.
Çamëria është aty, me bukuritë natyrore, malet dhe detin, historinë e saj, tempujt e lashtë e varret shekullore të bijëve e bijave të saj.
Ajo është shqiptare qysh në agim të historisë dhe e tillë do të mbetet përjetësisht.
Dardanët presin Dodonën.
Europa rilind në Çamëri.

Please follow and like us: