Shaban Murati: Pandemia si rast që Tirana të largohet nga “minishengeni” serb
Shaban Murati
Aleancat dhe grupimet e mbyllura shtetërore ballkanike nuk kanë pasur kurrë jetëgjatësi, sepse janë projektuar gjithmonë mbi parimin bizantin që shteti ballkanik nismëtar të sundojë të tjerët ose t’ua hedhë të tjerëve. Ndaj ato nuk kanë kapërxyer asnjë provë historike, siç dëshmon edhe dështimi në provën e pandemisë i grupimit më të fundit shtetëror ballkaniko-perëndimor të “minishengenit”, i propozuar dhe i udhëhequr nga Serbia.
Mund të thuhet me bindje se epidemia e koronavirusit afishoi një fiasko të plotë të këtij projekti politik ballkaniko-perëndimor të Serbisë. Janë disa tregues tepër të qartë të këtij dështimi.
Së pari, pandemia tregoi se Serbia nuk mund të marrë dot rol drejtues, udhëheqës apo ndikues as në “minishengenin” e cunguar prej tre shtetesh Serbi, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, të cilin shumë diplomatë e quajnë “Republika e re Federale Jugosllave e cunguar”, dhe as në formatin virtual prej gjashtë shtetesh të Ballkanit Perëndimor.
Serbia nuk qe në gjendje dhe nuk pati as vullnetin minimal të demostronte se ishte e aftë të dërgonte ndonjë ndihmë mjekësore apo ushqimore në grupin e “minishengenit ballkanik”. Ajo tregoi se një shtet i vogël, i varfër dhe i dobët si Serbia, e cila ka llogari të pashlyera historike me të gjithë popujt e Ballkanit, nuk ka takat të përballojë as veten në kriza të tilla si pandemia e koronavirusit, pa le më të mundet të ndihmojë aleatët e grupimit të ri ballkaniko-perëndimor.
Edhe për Bosnjë-Hercegovinën ndihmat e menjëhershme mjekësore për të përballuar koronavirusin i pari shtet që i dërgoi ishin SHBA dhe jo Serbia. Një aleancë apo grupim shtetesh e tregon kapacitetin, dobinë dhe mundësinë e jetëgjatësisë mbi bazën e aftësisë dhe potencialeve për të ndihmuar aleatët e grupimit të ri ballkaniko-perëndimor. Serbia nuk pati vullnet të bëjë as gjestin simbolik të ndihmave mjekësore për qeveritë, që iu bashkuan “minishengenit” të saj. Përkundrazi, qeveria serbe në kohën e koronavirusit madje shpalli ndalimin e eksportit serb të ilaçeve dhe të pajisjeve mjekësore dhe të produkteve ushqimore, duke u tallur me idiotët ballkanikë, që u besojnë përrallave të “katër lirive serbe të minishengenit”.
Në kohën e pandemisë Serbia në mënyrën më skandaloze intensifikoi kursin e saj të ndërhyrjes flagrante në punët e brendshme të Mali të Zi, shtetit fqinj, ndërsa e ftonte të bashkohet me “minishengenin” serb. Qeveria dhe shërbimet sekrete serbe bashkë me kishën ortodokse serbe organizuan gjithë këto javë e muaj trazira dhe protesta të shumta antiqeveritare në Malin e Zi me pretekstin e miratimit nga parlamenti malazez të ligjit për liritë fetare, që është një e drejtë sovrane e shtetit malazez për të vendosur rregullat e tij ligjore. Serbia në kohën e pandemisë ndërhyri në mënyrë flagrante në jetën politike të Kosovës, duke krijuar konflikte politike ndërpartiake dhe pastabilitet qeveritar dhe politik në shtetin fqinj.
Së dyti, me krizën e pandemisë Serbisë iu komprometua keqas pretendimi megalloman për rol ballkaniko-perëndimor apo mbarëballkanik, sepse ajo vetë u shfaq në pozitën inferiore të atij që pret me gojën hapur ndihmën e shteteve të mëdha jashtëballkanike. Edhe nëse ndonjë qeveri e ritarduar ballkaniko-perëndimore ka patur iluzionin se Serbia si drejtuese e grupimit të ri të “minishengenit” do ta ndihmojë në raste krizash apo emergjencash kombëtare, e pa tani me pandeminë se bariu ballkaniko-perëndimor serb nuk është në gjendje as të ushqejë veten, pa le më grupimin e ri, dhe as të udhëheqë delet e tij ballkanike, që po kalojnë epideminë e koronavirusit.
Së treti, projekti serb i “minishengenit” u vu në lëvizje nga Beogradi si kundërvënie ndaj integrimit europian dhe ndaj BE. Deviza zyrtare e themelimit të këtij grupimi ballkaniko-perëndimor, që u shpall nga tre pjesëmarrësit e samitit të parë të Novi Sadit në 10 tetor të vitit të kaluar, ishte që Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë për tutorët dhe protektorët e BE.
Natyrisht tutori dhe protektori i ri i tre qeverive, që iu bashkuan projektit serb, do të ishte Serbia. Ky ishte plani B i Serbisë si kundërvënie ndaj integrimit europian. Ndaj Serbia nxitoi të shfrytëzonte refuzimin e BE në tetor të vitit të kaluar për të hapur bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, që të hidhte zyrtarisht gurin e themelit të projektit të saj ballkaniko-perëndimor të “minishengenit”. Madje me një amok diplomatik të paprecedent tre shtetet e dalldisur nga “minishengeni” i hypën trenit diplomatik serb, duke organizuar njeri pas tjetrit çdo muaj në tetor, në nëntor dhe në dhjetor, samite të tre qeverive e ballkaniko-perëndimore. Serbia dhe dy qeveritë e tjera, që iu bashkuan “minishengenit” serb, nuk dihet përse menduan me infantilizëm se vakumin e Brukselit do t’ua plotësonte Beogradi.
Por në 26 mars 2020, në kulmin e pandemisë, Këshilli Europian vendosi t’u akordojë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut hapjen e bisedime të pranimit me BE, duke i dhënë një goditje të rëndë shpresave të Serbisë për zëvëndësimin e integrimit europian me integrimin serb të Ballkanit Perëndimor. “Minishengenit” i humbi argumenti dhe preteksti kryesor i krijimit të grupimit të ri ballkaniko-perëndimor.
Së katërti, pandemia tregoi se Serbia është realisht kundër orientimit europian dhe perëndimor të vendit dhe të rajonit dhe mbetet një shtet klient i Rusisë dhe forcave të tjera antiperëndimore. Fushata histerike antieuropiane, që shpërtheu presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kundër BE në fillimin e pandemisë, dhe që portali “europeanwesternbalkans.com” në 17 prill e cilësonte “bomba diplomatike e hedhur nga presidenti serb Vuçiç”, jo vetëm paraqiti se cilat janë ndjenjat dhe prirjet reale të isteblishmentit serb. Ishte një distancim dhe kalkulim politik i presidentit serb për të përligjur vrapin strategjik të Serbisë drejt Rusisë dhe Lindjes.
Kjo don të thotë që drejt drejtimit strategjik të Lindjes Serbia do të përpiqet të çojë edhe grupimin e ri ballkaniko-perëndimor të “minishengenit”, që ajo pagëzoi në tetor të vitit të kaluar. Pandemia solli një provë reale se çfarë orientimi gjeopolitik ndjek Serbia dhe në çfarë orientimi të gabuar rrezikon të futet bashkë me të çdo lloj grupimi apo aleance ekonomiko-politike e krijuar nga Serbia.
Së pesti, pandemia tregoi se as Serbia dhe asnjë shtet ballkanik nuk mund të marrë as rol kyç e as rol udhëheqës në mikrorajonin e Ballkanit Perëndimor. Siç kam theksuar në librin tim “Çeshtja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës”, 2009, shansin për këtë rol e patën sëbashku dy shtetet shqiptare pas pavarësisë së Kosovës në 2008 dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në 2009, por dy shtetet shqiptare u ngatërruan me këmbët e tyre dhe me këmbët e Serbisë, dhe e humbën shansin historik për të qenë faktor determinues në Ballkanin Perëndimor.
Në planin gjeopolitik pandemia tregoi se Ballkani është shesh dhe objekt ndikimesh të klientëve të jashtëm dhe ka qenë kështu e do të jetë kështu gjatë gjithë historisë. Kjo do të thotë se nismat apo grupimet e mbyllura shtetërore ballkanike do të jenë gjithmonë në suazën e klientit më të madh të jashtëm, nën influencën e të cilit është shteti nismëtar i një grupimi apo aleance të mbyllur ballkanike.
Pandemia tregon se në Ballkan aleancat apo grupimet e vogla shtetërore nuk janë në gjendje të nxjerrin një shtet ballkanik, që të bëhet një pol graviteti i pavarur i fuqisë apo të drejtojë një grupim shtetesh të rajonit. Pandemia e fshiu projektin apo grupimin e ri ekonomiko-politik serb të Ballkanit Perëndimor të quajtur rrejshëm “minishengen”.
Edhe vetë Serbia po detyrohet ta pranojë që projekti i saj i “minishengenit” është i dështuar. Është tepër sinjifikative që në mbledhjen e presidencës së përbashkët të BE për “Procesin e Berlinit” të mbajtur në Sofie në 10 mars me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, zëvendëskryeministri dhe ministër i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, në fjalimin e tij plenar zyrtar në asnjë rresht dhe në asnjë germë nuk e zuri në gojë të ashtuquajturin “minishengen ballkanik”. Nuk e zuri, sepse e din që BE nuk e përkrah këtë projekt separatist ballkanik të Serbisë.
Pandemia është një rast ideal reflektimi të thellë dhe vendimmarrjeje për qeverinë e Shqipërisë që të tërhiqet “me nder” nga gabimi i saj strategjik i bashkimit me një minialeancë ballkaniko-perëndimore, të udhëhequr nga Serbia. Tërheqja nga gabimi diplomatik dhe madje kërkesa e faljes do të ishte shenjë burrërie dhe stature shtetërore dhe jo ndjekja e verbër prej fanatiku e pëlhurës së kuqe serbe.
Për Shqipërinë dhe për Kosovën do të jetë gabim fatal të përfshihen në projekte politiko-strategjike të udhëhequra nga Serbia. Prishtina duhet përshëndetur, që ka qenë e qartë qysh në fillim për kurthin serb të “minishengenit”, kurse Tirana dalldisi në një dashuri inferiorësh ndaj Serbisë si në kohrat e Shqipërisë satelite të Beogradit në vitet 1944-1948.
Kriza e tanishme ekzistenciale konfirmon se siguria jetike, strategjike dhe kombëtare e kombit shqiptar është aleanca me SHBA, NATO-n, BE, dhe Perëndimin. Pandemia nuk do të krijojë rend të ri ndërkombëtar në Ballkan, përkundrazi provon soliditetin dhe perspektivën e rendit ndërkombëtar euroatlantik në rajonin tonë./gazeta dita/