Albspirit

Media/News/Publishing

Edhe njëherë për gjykatën Kushtetuese në përgjithësi dhe demokracinë në veçanti

Margarita Kola: Përtej asaj që thuhet dhe duket... - Albspirit
Dr. Av. Margarita Kola, Juriste e të drejtës Ndërkombëtare, 1 Maj 2020.

 

Pas vendimit të disa ditëve më parë të Gjykatës Administrative të Pragës në Çeki në lidhje me kufizimet në situatën e krizës së shkaktuar prej Covid-19 edhe Gjykata Kushtetuese Gjermane e shtetit Saarland është shprehur mbi ankesën e një qytetari gjerman të këtij landi gjithashtu, në lidhje me masat kufizuese për shkak të pandemisë.

Kabineti i kryeministrit çek, shpalli më 12 mars gjendjen e jashtëzakonshme në vend për 30 ditë. Parlamenti e zgjati gjendjen e jashtëzakonshme deri në fund të Prillit dhe i miratoi kufizimet siç i parashikonte ligji për krizat. Por kur qeveria më vonë i tërhoqi këto vendime atëherë ishte Ministri i Shëndetësisë i cili i futi sërish në fuqi masat për kufizimin, por këtë herë si bazë ligjore shërbeu ligji për mbrojtjen e shëndetit publik në Çeki. Mbi bazën e një ankese të një nënpunësi të shëndetit publik gjykata administrative u vu në lëvizje dhe nëpërmjet një vendimi deklaroi se kufizimet në krizën e Covid-19 nuk janë në pajtim me ligjin dhe si rrjedhim qeveria çeke brenda pak orësh i anuloi të gjitha kufizimet në lirinë e lëvizjes, që nënkuptonte edhe hapjen e kufijve.

Ekspertët në Çeki u shprehen se ky vendim i gjykatës i tregoi ekzekutivit në këtë shtet se edhe në kohë emergjencash çdo vendim duhet të jetë ligjor dhe po sipas tyre ky vendim ishte një fitore për demokracinë në vend.

Në Saarland të Gjermanisë, Gjykata Kushtetuese vendosi, pas ankesës së një qytetari gjerman që pretendonte se i ishte shkelur e drejta e tij themelore për lirinë e personit, se kufizimet e daljes të vendosura nga pandemia e Covid-19 duhet të lehtësohen menjëherë . Gjykatësit kushtetues vendosën që “aktualisht nuk ka arsye të besueshme për vazhdimin e pandërprerë të rregullave të rrepta në Saarland që ndalojnë njerëzit të largohen nga shtëpitë e tyre”. Ky vendim i gjykatës i parapriu një vendimi të qeverisë së këtij landi që kishte njoftuar se kufizimet e liridaljes duhet të lehtësoheshin nga data 4 Maj. Që nga 21 Marsi, qytetarëve gjerman të Saarlandit iu ishte lejuar të largoheshin nga banesa e tyre vetëm për arsye të ngutshme, përfshirë blerjet e nevojshme ose vizitat te mjeku. Me hyrjen e menjëhershme në fuqi të këtij vendimi masat u lehtësuan menjëherë në këtë shtet.

Sot Gjykata Kushtetuese e Kosovës në kushtet kur vetëm disa ditë mëparë urdhëroi qeverinë të shpallte gjëndjen e jashtëzakonshme dhe jo të bazohej në ligjin për shëndetësinë për të vendosur kështu në një shtrat kushtetues ligjor marrjen e masave për përballimin e pandemisë në vend ka vendosur gjithashtu, të pezulloj dekretin e Presidentit të Kosovës për formimin e qeverisë së re derisa çështja të zgjidhet në meritë duke vlerësuar kështu se pavarësisht emergjencës pandemike por edhe urgjencës për mandatimin e një qeverie të re mbrojtja e rendit kushtetues ka përparësi. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese ka pak rëndësi nëse është marr ex-officio ose me kërkesë të subjektit të Vetëvendosjes qeveria e krijuar prej të cilës u votua në mosbesim vetëm pas 51 ditësh në pushtet por e rëndësishme është që egzistenca e një albitri si Gjykata Kushtetuese mundësoi zbatimin e parimit të garancisë juridike, si një ndër elementet thelbësore të shtetit të së drejtës. Në kuadër të këtij parimi, standardet kërkohet të respektohen nga të gjithë mekanizmat dhe institucionet shtetërore, veçanërisht nga organet qendrore të tre degëve kryesore të pushtetit shtetëror, pra nga parlamenti në ushtrimin e funksionit të tij ligjvënës, nga Qeveria në miratimin e akteve që nxjerr në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve, nga pushteti gjyqësor në ushtrim të funksionit të tij të dhënies së drejtësisë, si edhe nga Presidenti në rastet e nxjerrjes së dekreteve.
Pavarësisht vendimit që mund të marr Gjykata Kushtetuese e Kosovës në gjykimin në themel të çështjes , e cila në frymën e Kushtetutës së Kosovës ka shumë gjasa të jetë pro një qeverie të re që del nga zgjedhjet, egzistenca e kësaj gjykate lejon aksesueshmërinë e kontrollit të kushtetueshmërisë së veprimtarisë së organeve shtetërore në Kosovë, pavarësisht situatës së jashtëzakonshme që kalon vendi.

Të tre këto vendime të marra nga gjykata të tre vendeve të ndryshme padyshim që pavarësisht përmbajtjes së tyre i kanë shërbyer patjetër adresimit të besimit të qytetarëve tek shteti duke demonstruar se situatat e emergjencës ngrenë shumë cështje dhe pikëpyetje Kushtetuese dhe kryesisht ato që kanë të bëjnë me të Drejtat e Njeriut dhe kushtetueshmerinë e masave të marra nga organet shtetërore në një situatë specifike kur përligjja e një mase ka shumë gjasa të jetë më shumë e detyruar se sa e dëshiruar.

Si përfundim, në të vërtetë, rolin më të vështirë dhe kritik gjykatat kushtetuese e marrin në gjendje të jashtëzakonshme sepse gjatë këtyre situatave gjykatat kushtetuese detyrohen të mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve duke respektuar autoritetin e zgjeruar të pushtetit ekzekutiv nën dispozitat ligjore të gjëndjes së emergjencës në mbrojtje të rendit kushtetues.

Megjithë, qëndrimet e ndryshme që akademikët mbajnë në lidhje me juridiksionin dhe kompetencat e gjykatave kushtetuese shumica e studiuesve të jurispudencës, por edhe ata të shkencave politike bien dakort që forcimi i demokracive ka shkuar dorëpërdorë me forcimin e gjykatave kushtetuese si mekanizma të fuqishëm që i shërbejnë konsolidimit të demokracisë. Siç perifrazon edhe Andrew Harding ‘Gjykatat Kushtetuese si mbrojtëse të Kushtetutës përforcojnë të drejtat demokratike,inkurajojnë dialog midis organeve shtetërore dhe mbi të gjitha nxisin respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në përgjithësi dhe në vecanti të drejtën për zgjedhje të lira dhe demokratike’.

Më 30 Prill mijëra protestues amerikanë kanë hyrë në parlamentin e shtetit të Michiganit, në kryeqytetin Lansing, duke u përplasur me policinë për të kundërshtuar masat kufizuese që qeveria e shtetit të Michiganit kishte vendosur për shkak të pandemisë Covid-19. Hyrja në parlament erdhi pas protestave të mëparshme të zhvilluara në kundërshtim të masave kufizuese të ndërrmara në këtë shtet ku janë shënuar mbi 3500 jetë të humbura.

Në Shqipëri, kur mungon prej më shumë se dy vjetësh Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë, kur Parlamenti dominohet nga mazhoranca në pushtet, kur presidenti ka kompetenca të dobëta dhe shpesh të paqarta, kur pjesa tjetër e sistemit gjyqësor është në një proces vetingu që ka sjell uljen e efikasitetit të sistemit edhe njëherë pyetja që shtrohet është; kush i garanton të drejtat e qytetarëve shqiptarë? Si mund ta dimë që vendimet e organeve shtetërore janë kushtetuese? Kush më shumë se një albitër i paanshëm do të na kthej besimin tek demokracia dhe ligji?

Ndodhur në një realitet të tillë kushtetues nëse askush nuk i mbron dhe i garanton qytetarët shqiptarë atëherë, a duhet dhe a meritojnë qytetarët shqiptarë të mbrohen më pak se qytetarët e tjerë të botës?A janë ata natyralisht të barabartë sipas filozofisë së të drejtës? Përse qytetarët shqiptarë nuk duhet të mbrohen vetë kur askush si mbron sipas të drejtës së dhënë nga Kushtetuta e Shqipërisë për tu tubuar,organizuar dhe protestuar për të drejtat dhe liritë e tyre themelore në rast se ato janë shkelur?

Zgjedhjet po afrojnë dhe Gjykata Kushtetuese ka gjasa të jetë një shpresë e bukur në horizontin e demokracisë së dërrmuar keqas.

 

Please follow and like us: