Albspirit

Media/News/Publishing

Sabina Darova: Gruaja ping pong

Sendet - Vlera Personale... — Albmendimiarts.com
Sabina Darova
Tregim
I.

Aroma e bukës së ngrohtë të porsa dalë nga furra, bën udhë dhe mbështjell edhe dekoltenë e këpucës së llustrafintë, që pret të mbathet si zakonisht mbrëmjeve, rreth orës 21.00. Zbret shkallët nazelie e rrok dhe faqet e brendshme të veturës Fiat të bardhë, që gjarpëron vetmitare në rrugët e ngushta të qytetit, duke lëpirë me epsh asfaltin e ethshëm që i ngjitet rrotave.
Dy goditje të shkëputura të klaksonit të makinës, njoftojnë gruan që duhet të zbresi e t‘i afrohet blirit të thinjur, që ndodhet pesë pallate më poshtë banesës së saj. Bliri e vëzhgon vëngër automjetin që i ndot ajrin ushqyes të luleve. E shkreta pemë, nuk e njeh ende vuajtjen që do ta presë pak vite më vonë, nga dyndja e makinave prepotente që do e fshikin gjatë kalimit apo do parkohen buzë trungut të tij.
Në banjë, përpara katrorit të pasqyrës mbi lavaman, buzëkuqi i trëndafiltë i Profarmës përshkon lehtë buzët e mpira. Dy pika parfum “Mimoza” rrëzë veshit, përshëndetje e zbehtë e kokëulur, “ika unë”, një mbyllje e avashtë e derës dhe hapa të hedhur me shumë kujdes për të mbetur anonimë.
Hap derën e pasme të Fiatit. Mbështet flokët e zeza e të dendura të sapo thara butësisht, mbas ndenjëses së lëkurtë ngjyrë mjaltë e akull të ftohtë. Qëndron me duart kryq mbi prehër e symbyllur. Shoferi, një burrë i thyer në moshë, ndjek me bisht të syrit nga pasqyra gruan, tund kokën dhe psherëtin lehtë. Kërkon të mos lëndojë gruan. Disa minuta rrugë për të përshkuar qytetin pothuajse të përgjumur dhe ndalon në periferi të tij.
Në brendësi të rrugës, pret me dritat e ndezura vetëm në dy dritare, një vilë dy katëshe ndërtuar nga italianët gjatë viteve të pushtimit fashist. Shtëpia i është konfiskuar një ish pronari të fabrikës të makaronave në qytet. Ish pronari kalon ndoshta vitet e fundit të jetës, duke prashitur misrin në fushat e Myzeqesë, në internim. Vila, tashmë njihet nga populli me emrin “Shtëpia e Pritjes”. Përdoret nga Parësia e Komitetit të Partisë e atij Ekzekutiv në raste festash për takime me popullin, apo për takime delegacionesh (mjaft të ralla këto) me të rinjtë komunistë, që vijnë nga vendet social- komuniste, Kina apo Kuba.
Këmbët zvarriten të përtuara, si zhapiku gjatë zhegut, shtyjnë portën e hekurt mospërfillës dhe drejtohen drejt dhomës nga shtegëton një fjollë e dendur tabaku, që digjet me erë të fortë që shpon hundët, dhuruar nga ndonjë kryetar delegazioni të përfaqësuesve të rinisë nga Havana.
Shtrirë mbi krevat, i zhveshur, pret një trup 35-vjeçar që buzëqesh i kënaqur për praninë e gruas. E pyet nëse ka darkuar. Ajo pohon me kokë, ulet në buzë të krevatit e fillon të zhvishet.
“Prit”, i thotë butësisht burri. “Merre me qetësi. Kemi kohë sonte”.
Hap sirtarin e komodinës në krah dhe nxjerr një kasetë. Sytë i vishen plotë shkëlqim.
“E kam blerë në një sexyshop në Gjermani para dy javësh, kur isha me shërbim”, tregon.
Ngrihet ashtu i zhveshur çullak dhe i afrohet etazherit dru arre, ku qëndron një televizor i vogël “Philips” i viteve 80′. Tërheq me dhëmbë letrën mbështjellëse dhe trasparente të videokasetës, kthen kokën drejt gruas dhe i shkel syrin. Shtyn me gishtin e madh drejt xhepit të televizorit kasetën, ndjek udhëzimet në gjuhën angleze dhe pa u bërë merak për pështymën që fillon t’i rrëshqasë anash buzëve nga eksitimi, shtyp sustën Play.
Ulet dhe ai në buzë të krevatit pranë gruas. Vendos dorën e djathtë mes kofshëve të saj dhe buzagaz i njofton që sonte do ndjekin mësimet seksuale nga bota e huaj.
“Jo se nuk dijmë, po këta djajtë e botës së përtejme, çoku dijnë ndonjë gjë më tepër se ne”, vijon.
Kujtohet, t’i ripërsërisë premtimin për të cilin ajo është betuar: Asnjë kundërshtim ndaj vullnetit të tij. Asnjë fjalë jashtë mureve. Ndryshe, e pret pushimi i menjëherehëm na puna për shefin e zyrës teknike të Komitetit Ekzekutiv , dmth “burrkën”, siç e quan gjithë përçmim bashkëshortin e saj. Dhe mbrapa tij, sigurisht edhe kjo vetë, kontrollorja e cilësisë në kombinatin e tekstileve.
Dialogjet në gjuhën e huaj bëhen padronë të dhomës. Burri kujtohet të uli deri në fund volumin, duke menduar se ndokush mundet të dëgjoje zërat nga jashtë.
Fillojnë sekuencat e para të raporteve seksuale dhe që të dy shtangen me ç’ka ju shohin sytë. Nuk ju besohet. Vërtetë të ekzistojnë veprime a pozicione të tilla?! Mbulohen me djersë. Secili i përjeton ato djersë sipas mënyrës së tij. Gruaja ngrihet me vrap drejt banjës dhe vjell. Mbyll derën nga pas dhe bërtet: “Mjaft! Nesër shkoj vetë në fshat, pa më dërguar ti”.
Burri, i eksituar, ngre lart shishen e konjakut ‘Skëndërbeu’ dhe gëlltit me gllënjka të mëdha, pothuajse gjysmën e saj. I dehur shkon drejt banjës, shpërthen portën dhe e tërheq prej flokësh. E shtyn egërsisht drejt krevatit dhe me zë të tërbuar i bërtet në fytyrë: “Ti shkon atje atëherë kur dua unë! E more vesh?! Madje, mund të shkosh e vdekur, e gjallë apo me një këmbë apo krah të thyer për gjithmonë. Për ty dhe për atë humbashkelon, burrin tënd, vendos unë! Dhe tani, më ndiq me vëmendje si do të ta punoj qindin, po unë”!
Mbi trupin gjysëm hënë vërsulen gjymtyrët e eksituara dhe ndezur nga alkooli, duke e vënë përfund.
Nata e egër, thyen rënkimin e gruas si një shkarpë pa ndjerë asnjë mëshirë…

II.

Mbas mbylljes së derës, Roland i afrohet dritares për të ndjekur me sy të shoqen, ndërsa drejtohet drejt makinës. Tërheq një cigare DS nga paketa e lënë mbi tavolinën ende të shtruar dhe fillon ta thithë me gjithë mushkritë. Pa u bërë merak për kollën që i ngjitet në grykë, tërheq projektin e ri të qëndrës tregtare. Byroja teknike e komunales së qytetit e ka paraqitur prej javësh dhe pret miratimin ekzekutiv.
Merr një laps dhe ndjek linjat e vizatuara mbi letrën kalk, duke kërkuar ta përfytyrojë të ndërtuar.
Me sytë të ngulura mbi letër, linjat e drejta çlirohen njëra nga tjetra, lëvizin e i ribelohen lapsit. Shtriqen e zgjerohen për të marrë trajta njerëzore. I njeh dhe një buzëqeshje i vijëzohet mbi buzë. Janë ata të tre: dy shokët e ngushtë të vitit të katërt gjimnaz dhe në mes ajo, vajza më e bukur e gjimnazit, vajza me flokët e zeza pis, që i lidhte bisht kali, e ata të dy, që ja tërheqin në garë, se cili i tërheq më fort, ulur mbrapa bankës së saj.
I kujtohet letra me vrimë që do vendosë mes të dy shokëve, se kujt do t’i përkasë ajo vajzë.
Vrima vendos për Vangjon. Lotët ju derdhën lumë, por burri që është burrë duhej ta mbajë fjalën edhe pse nuk është më shumë se 19-të vjeç.
Dalja e të drejtës së studimit për arkitekturë në kryeqytet, ja lehtëson dhimbjen. Do largohej nga qyteti dhe do harronte përgjithmonë ata të dy. Pas dy ditësh mëson se edhe Ela, do vazhdonte studimet për inxhinieri tekstile në Tiranë. Vangjo, me mesataren e ulët është i detyruar të qëndrojë në qytet dhe i jati, si komunist i vjetër dhe me shumë medalje të marra gjatë luftës, vendos që i biri të ndjeki shkollën e sigurimit.
Përpara se të nisen për Tiranë, Vangjo i le amanet t’ja ruajë vajzën…
Ndërsa treni merr rrugën për Tiranë, Roland mëson që mes Vangjos dhe Elës nuk ekziston asnjë histori. Ai është vetëm një mik i ngushtë, përcakton ajo.
I entuziazmuar del në korridorin e trenit dhe me dorën të mbledhur grusht qëllon me forcë mbi faqen e derës së vagonit. Për dhimbje as që bëhej fjalë. Me fishkëllimën mbi buzë kthehet dhe ulet përballë vajzës, duke e kundruar me zemrën që hidhej gallopthi, si të ishte një gamilje mbi dunat me rërë.

III.

Është një pas mesnate, kur porta kërcet nga çelësi mbi bravë.
Roland dëgjon zhurmën e skaldabanjës që ndizet dhe zhurmën e ujit që rrjedh.
I bëhet sikur të jenë shushunja që i ngjiten për trup dhe zgjasin buzët t’ja thithin atë pak gjak që i është mbledhur në grykë. Zgjat duart drejt qafës e kërkon ta masazhojë. Pështyma i thahet.
“Ç’të bëj”? pyet veten.
Automatikisht kthehet në krah e bën sikur fle. Këtë radhë i vjen në ndihmë vetë trupi. “Ehm, trupi- trupat- trupëzimet… Trupi i saj, trupi i tij dhe trupi i atij. Sa vlejnë? Në të vërtetë, sa vlen një trup sot? Kush vlen më tepër: trupi, mëndja, apo ndjenja? Apo të treja bashkë? Një trinom që ka vënë në diskutim mendjet e klasikëve grekë deri më sot e askush nuk ka nxjerrë një përfundim të kënaqshëm. Tjeter teoria dhe tjetër praktika. Ah, ai sqarim i munguar vite më parë! Haraçi që i varet çengel përpara syve, sot”.
Kafshon një cep të mbulesës për të mbytur ngashërimet.
E dashuron punën e tij. Ka luftuar me vite me nje vetmohim të paepur për ta patur atë pozicion ku ndodhet tani. Ka zbardhur netë mbi projekte e duke ju lëpirë këpucën shefave dhe sekretarëve të Partisë. Nga një qytet në tjetrin deri sa i erdhi transferimi një vit më parë në qytetin e tyre. Të dy, me Elën gëzohen si fëmijë. Emërohen me përgjegjësi në dy pozicione të rëndësishme. Janë fëmijë arësimtarësh. Të lidhur mbas librit. Një kurorëzim i lumtur i dijes mbas kaq e kaq kohësh.
Ndërpret mendimin, kur ndjen trupin e ftohtë të saj tek futet brënda mbulesave të krevatit. Nuk pipëtin asgjë. Ndoshta edhe mund të flenë…
Por, jo. Ela zgjat dorën drejt abazhurit mbi komodinë dhe ndez dritën.
Largon me forcë mbulesën e cila rrëshqet përdhe.
Kthehet nga kurrizi i kthyer i tij dhe i bërtet me zë të mbytur:
“Shikomë”! Është e kotë që shtiresh sikur fle! E di që je zgjuar”.
Roland i trembur nga zëri, kupton që diçka e rëndësishme ka ndodhur. Kthehet ngadalë.
Ndjen mjekrrën t’i dridhet dhe zbardhet në fytyrë. Nuk arrin të realizojë pamjen që sheh nga tronditja.
Trupi i gruas është i shënuar nga koka në këmbë prej dhunës së rënduar mbi të.
” Ç’ka ndodhur”? belbëzon i tmerruar, duke harruar për një çast, se vetëm pak më parë, gruaja e tij ka hyrë në shtëpi.
“Ka ndodhur ajo që shoku Vangjo, shefi i sigurimit tënd dhe timit bashkë, si dhe tmerri i gjithë qytetit, na është kthyer nga Gjermania euforik me një kasetë porno dhe një shishe konjak në dorë.
“Do bëj dashuri si kapitalistët, e ti do t’ja tregosh atij humbamenos tënd” – më tha. “Por jo të bësh ç’ka bëjmë ne të dy”! Me ‘burrkën’ mos u sforco. Lere të bëjë dashuri me vizatimkat”! – kështu më tha.
“Tjetër, kërkon të dish akoma më shumë se ç’ ka ndodhur? Ja ta shpjegoj unë: Ka ndodhur që unë sot, në ditën e nëntëdhjetëeshtatë të këtij viti, kalova natën me shokun tënd të ngushtë, duke u shklyer sipas qejfeve perverse të atij horri. E përse? Sepse kërcënon ty t’i thuash lamtumirë arkitekturës e të të trasferojnë në moçalet e Myzeqesë. Sepse ai urren për vdekje ty. I ke rrëmbyer ‘gruan e tij’ dhe po shpagohet! Ka ndodhur që më vjen turp nga vetja nga kjo që jam katandisur dhe nga ty që je trasformuar një hije. Shihmë mirë e përgjigju: sa do zgjasi kjo jetë kështu? Unë, preja e dy meshkujve që po luajnë tenis mbi lëkurën time. Përse?
Kush ka vlerë më shumë për ty, gruaja apo firma e arkitektit”?
Ela, ritërheq mbi vete mbulesën dhe mblidhet grusht si embrioni në barkun e nënës.
Dhomën e mbulon një heshtje varri.
Roland ndjehet një kufomë zvarritëse. Për herë të parë, asiston në një proçes gjyqësor, mbyllur brënda katër mureve, pas mesnate. I pandehuri është vetë ai. Mjngon ajri…

IV.

Mëngjesi i pafajshëm zbardh me një hënëz ngjyrë të trëndafiltë që mundohet të hyjë pa leje në dhomën e dy bashkëshortëve.
Zilja e orës tringëllon 6.50 minuta. Ela ngre qepallat e rënduara nga gjumi i keq i kaluar gjatë natës. Lëviz qafën për t’u ç’mpirë, vesh pantoflat dhe drejtohet drejt banjës.
Ngre dorën drejt çelësit të dritës.
Sytë mbërthejnë dy këmbë të zbathura që varen mbi kokën e saj. Pak më lart, dy sy të dala nga orbita që shohin drejt tavanit si të ishte qiell dhe gjuha e kafshuar mes dhëmbëve.
Në fundin e rrugës, pastruesi rom, është i pari që dëgjon ulërimën që shkul nga rrënjët mëlçinë: Joooooooooo!

Please follow and like us: