Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: NJE GUR NGA KISHA E LAÇIT

Tregim

 Bazuar mbi një ngjarje të vërtetë 

Avdulla Kënaçi: VESHLLAPUSHI - Albspirit

Nga Avdulla Kënaçi

Befas, Dalin Mirakajt iu kujtua ai guri i vogël e i lëmuar që kishte sjellë me vete kur kishte zbritur për herë të parë në Kanada. U mundua të kujtojë ku e kishte fshehur atë gjë të çmuar, fatdhënëse. Kishte kaluar kohë pa e parë e prekur, që kur e bija e tij e vetme, Bora, u nis për të filluar studimet në Universitetin e Otavës. Atë gur ai e kishte sjellë të fshehur në xhepin e brendshëm të xhaketës kur kishte mbërritur këtu përpara gjashtëmbëdhjetë vjetësh. Sipas tij, ai nuk ishte një send dosido, por një gur i bekuar, i shenjtë, çudibërës. Jeta e tij e deritanishme e kishte vërtetuar këtë. Sipas tij, ai vlen më shumë se sa floriri. Vjen nga vendi i bekuar, në zemër të Shqipërisë, nga Kisha e Shna Ndout, në kodrat e Laçit.

I bërë tym, rrëmoi në dy-tre sirtarë, por nuk e gjeti. Kontrolloi në dollapin e rrobave, por as aty nuk e ndeshi. Nuk la vrimë e zgëqe të shtëpisë pa parë, por hiç. Sikur e kishte përpirë dheu. Ndjeu t’i rrihnin tëmthat. Bulëza djerse të ftohta i mbushën ballin. Nuk i falej kjo harresë e ky hutim. Si nëpër mjergull iu kujtua koha kur fillimisht e kishte vendosur gurin në atë kutinë prej druri të gdhendur me pirografi. Pastaj më vonë, së bashku me gurin kishte futur aty një sasi kursimesh në dollarë. Edhe kjo kuti ishte e sjellë nga Shqipëria. Instiktivisht, me një shpresë të vakur, për herë të dytë iu rikthye kërkimit. Jo, jo, nuk ishte aty. Numroi fije më fije dollarët dhe ata ishin fiks, 5120, aq sa i kishte lënë. Askush në Kanada nuk mban para të fshehura në shtëpi, por Dalinit ky rit i ështe bërë zakon qysh nga vendlindja. Atë “huq” e kishte të trashëguar nga i ati i cili gjithnjë thoshte se në shtëpi duhej mbajtur një depozitë e fshehtë “për ditë të zezë”. Me sa dukej në Kanada “kjo ditë e zezë” as kishte ardhur dhe as do të vinte. Po guri ç’u bë vallë?! Nëse do ta kishte vjedhur dikush, më parë do të merrte dollarët e jo gurin. Si u zhduk kështu nga shtëpia? Ters. I ishte mbushur mendja se fatin në jetë ia kishte sjellë pikërisht ai gur. Mendonte se mbarësia e familjes së tij fshihej pikërisht tek ai send i vogël në formë zogu. I hipën të dridhura. Brenda shtëpisë duhet të ishte, por ec e gjeje, mendoi. Nuk e përpiu dheu de! E ndali kërkimin kur i shkoi mendja tek e shoqja, Selma, e cila ende nuk ishte kthyer nga puna. Mos vallë ajo ia kishte dhënë me vete Borës për fat që kur ajo ishte nisur në shtator për të vazhduar vitin e tretë të fakultetit të drejtësisë në Otava? Pak durim, i tha me zë të ulët duke i dhënë kurajo vetes, të presim Selmën. Dhe pak nga pak nisi të qetësohej.

Dallin, me “ll”, kështu e thërresin atë në Kanada, është një qytetar shqiptaro-kanadez model; paguan taksat në rregull dhe nuk ka asnjë ndëshkim, asnjë gjobë, asnjë kundërvajtje. Edhe në Shqipëri kështu ka qenë. Në rini ka punuar mekanik në fermën e Fushë-Krujës, sapo mbaroi shkollën e mesme teknike. I saktë, i përpiktë në punë e në shoqëri, si një orë zvicerane, aq sa shokët e tij më shumë pyesnin atë për vështirësitë e defektet se sa inxhinierin e ofiçinës. Ata, sa herë u mungonte ndonjë vegël pune, apo pjesë këmbimi, i kërkonin ndihmë dhe gjithmonë ai ishte gati. Për çdo rast kishte një përgjigje. Do ta gjente se s’bën një zgjidhje. Fjalë pak e punë shumë. “Duar flori”, thoshte për të inxhinieri. Drejtori përsëriste vazhdimisht se ai ishte “pararojë e klasës punëtore”.

Një ditë, kur Dalini po kërkonte në magazinë një pjesë këmbimi, midis hekurishteve, ndeshi në trupin e një motorçikletë të përdorur nga ushtria gjermane, braktisur që nga Lufta e Dytë Botërore. Grasatimi i mirë e kishte shpëtuar mjetin nga gërryerjet dhe lagështia. I qeshën sytë. E zbërtheu fije-fije, e pastroi, zmeriloi dhe e bojatisi ngjyrë jeshile. I mbushur me hare, e ngriti mjetin më këmbë. Kishte shpenzuar shumë kohë të lirë duke u marrë me të. U habitën të gjithë kur atë “rrangallinë”, ai e ngjalli dhe e solli përsëri në jetë. Shtypi fort me këmbë levën e ndezjes, i mëshoi disa herë, por hiç. U vu në siklet të madh. Pushoi pak që të të mblidhte veten. Ishte i stresuar. Ia nisi goditjes së levës përsëri, më me këmbëngulje. Vazhdoi kështu disa minuta. Pikërisht kur deshi të heqë dorë dhe mendoi se nuk kishte “katranosur” gjë, u dëgjua një “kollitje” e fortë si kërcitje mitralozi. Më në fund motori u vu në punë dhe ai nuk e shoi gjersa dogji gjithë karburantin që kishte brenda depozitës. Fare pa kuptuar, shokët e punës e kishin qarkuar në formë rrethi. Ishin mbledhur një nga një dhe ai nuk i kishte vënë re. Kur mjeti u ndez, e mbytën me brohoritje e duartrokitje. “Këtij i pjell mendja për çdo gjë”, thanë ata duke e parë me admirim. Ai mjet kishte gati gjysmë shekulli që nuk merrte frymë. Ishte llogaritur si hedhurinë. Dalini duarartë kishte të drejtën e përdorimit. Askush tjetër nuk mund të pretendonte t’ia merrte nga duart, thanë punëtorët njëzëri. U quajt pronë e tij vetjake, megjithëse shteti dhe shoqëria e atëhershme ishte kundër pronës private. Me atë motoçikletë ai shkonte e vinte nga shtëpia në punë. Mirëpo një nga komunistët e organizatës së partisë së repartit e bëri problem në kolektiv pse ai mbante mjet motorik personal. Përgjegjësi i ofiçinës u nervozua ngav vërejtja e komunistit dhe iu kundërvu atij duke i thënë se vërtetë me letra ai mjet ishte pronë e përbashkët, por ama shteti për të nuk kishte harxhuar asnjë lek. Vetëm Dalinit i takonte ta kishte në posedim, sepse ai e krijoi dhe e ngjalli nga varrezat e hekurishteve. E sa për përdorim, dihet, ai më shumë e ka vënë në dispozicion të kolektivit se sa për veten e tij, tha përgjegjësi shkurt e qartë. Kështu u mbyllën zërat keqdashës, por më shumë kjo ndodhi se Dalini ishte miku i kujtdo, mjaltë me të gjithë. Si të thuash nuk kishte armiq, shokët e donin dhe e respektonin jo vetëm si specialist i zoti, por edhe si njeri i mirë e babaxhan. Secilit i kishte bërë ndere dhe favore pa asnjë përfitim dhe paragjykim. I tillë ishte ai, bujar e zemërflori. Dikë e kishte çuar në ambulancë pas ndonjë plagosje të lehtë, me dikë ishte hedhur deri në Tiranë për ndonjë pjesë këmbimi makinerish, diku tjetër, për pesë minuta ishte gjendur në fushë duke riparuar defektin e ndonjë traktori. Si të thuash ai ishte emergjenca, ndihma e shpejtë për gjithë atë pellg, ndaj kolektivi e donte dhe e respektonte.

– Mbeti duke ndihmuar të tjerët e as kujtohet për t’u martuar për vete, – thoshte e ëma kur ia lëvdonin të birin.

– Eh, moj nënë, – i përgjigjej ai me dashamirësi duke i hedhur me përkëdheli dorën e tij me kallo përmbi flokët e zbardhur – akoma nuk kam mbushur tridhjetë, me t’i rrumbullakosur, do të ta sjell nusen me motoçikletë tek dera e shtëpisë.

Dhe e mbajti fjalën. Një mbasdite, e ëma pa se ai në oborr të shtëpisë zbriti nga shala e motorit një vajzë bardhoshe me një gërshetë të gjatë që shkonte gjer në mes të shpatullave. Ishte infermierja e fshatit fqinj.

– Kjo do të jetë nusja ime, – i tha i gëzuar duke ia prezantuar nënës plakë – nuk ke më nevojë të shkosh në Tiranë për të blerë ilaçet e reumatizmës. Mos ia harro emrin, quhet Selime.

– Vajza qenka e bukur si zanë, por nga emri më ngjan si myslimane, nuk gjete dot ndonjë çikë të fesë sonë?

– Janë mbaruar, – tha Dalini duke qeshur – nuk na mëson kështu Partia, mama, pastaj kush më merr mua me këtë moshë që kam! Lavdi zotit që kapa edhe këtë se do të ma kishte rrëmbyer ndonjë tjetër.

– Pastë këmbën e mbarë! – uroi e ëma dhe e puthi vajzën në ballë.

***

Edhe në Shqipëri kishte nisur të fryjë era e demokracisë. Askush nga qeveritarët nuk dha urdhër të hapej Kisha e Laçit, por çdo ditë e më shumë, sidomos të dielave dhe në ditë të shenjta, vizitat aty shpeshtoheshin. Ishin njerëz të të gjitha feve dhe moshave. Tufa-tufa, mileti shkonte më këmbë, me biçikleta, me makina të rastit, me furgonë, me traktorë apo kamionë. Kisha e Laçit ishte e para që u riparua e u riçel, qysh në vitin 1990. Revolucioni kulturor komunist më 1971 e kishte rrafshuar plotësisht. Pas rihapjes, pelegrinazhet e popullit vazhdonin si një lumë që nuk ndalej as dimër e as verë. Vizitat nuk bëheshin më fshehurazi, por ditën për diell. Frika ishte vrarë. Njerëzia kërkonte shpëtim duke u lutur e duke i ndezur qirinj Shën Marisë. Thuhej se kishte edhe komunistë të thjeshtë që shkonin fshehurazi, sidmos natën për t’u lutur për vete e për familjet e tyre.  Dalini kishte dy vjet martuar dhe ende nuk ishte bërë me fëmijë. “Si të ketë urdhëruar i madhi Zot”, thoshte Selimeja me përunjësi kur binte fjala për fëmijë.

– Hidhuni edhe ju një vrap nga Kisha e Laçit, ju pastë nëna, lutuni të keni një fëmijë. Sa të kem këmbë e dorë, ua rris unë, – u thoshte e ëma me një zë të përvuajtur – Shna Ndou ua pranon lutjet edhe myslimanëve.

– Jo, nënë, – i përgjigjej e reja – unë nuk e kam problem, nuk jam unë pengesa. Aty shkojnë më shumë myslimanë se sa nga fetë e tjera, i kam parë me sytë e mi, fol me tët bir, ai vendos.

Përpara ishte festa e 13 qershorit, dita kur po në atë datë të vitit 1231u shenjtërua prifti portugez, Shën Antoni, “Shna Ndou i Padovës” thërritej në shqip, emrin e të cilit kishte marrë kjo kishë. Dalinit më në fund i ishte mbushur mendja ta kalojë atë natë së bashku me të shoqen në Kishën e Laçit. Ishte dita dhe nata kur më së shumti pranoheshin lutjet. Pastroi motorçikletën, e vajisi, e furnizoi me benzinë dhe ishte gati për t’u nisur.

– Po si t’u mbush mendja kështu kështu papritur? – pyeti Selimeja me kërshëri.

– Do ta dish të vërtetën? Para një jave dy çuna tiranas më kërkuan t’u rregulloja një defekt në motorin e “Benzit” të tyre. Realisht ata janë të njohur si çuna të prapë. Vura re se një nga sediljet e pasme të mjetit të tyre ishte e mbushur me gjak të freskët. “Çfarë keni bërë, bagëti keni therur brenda makinës?” i pyeta i shqetësuar. “Mund të ketë qenë edhe njeri, më thanë duke u krekosur e zgërdhirë, po sa ta gatitësh ti motorin do të nisemi fill tek Kisha e Laçit të na falë mëkatet”. Mendova se talleshin, por me ta mbyllur motorin, vërtetë morën drejtimin për nga rruga e Laçit. Më pas mësova nga policia se duke u ngjitur në malore, afër Kishës, motori shpërtheu në flakë dhe dyert e makinës nuk u hapeshin. Rast i jashtëzakonshëm që motori të ndizet duke ecur. U dogjën të gjallë brenda makinës, të dy. Ulurima e tyre e llahtarshme dëgjohej gjer në Laç. Vdekje e lemerishme. Nuk kishte burrë nëne t’i shpëtonte. Çudi, po dyert pse nuk hapeshin?! Ec e jepu përgjigje këtyre pyetjeve.

– Korba, – tha Selimeja me piskamë – mos të futin në burg që nuk ua ke rregulluar mirë defektin e makinës.

– Harroje, ata paguan krimet që kanë bërë, ishin kontigjent policie, Shna Ndou nuk i pranoi në gjirin e vet, nuk ua pranoi faljen, nuk i pranoi as të afroheshin tek kisha. Kjo më bindi plotësisht të besoj tek Kisha e Laçit – u përgjigj shkurt e prerë Dalini.

– Dhe unë them se Zoti u mbylli dyert e makinës, kushedi çfarë krime kanë paguar, – tha e menduar Selimeja.

– Flitet se kanë ekzekutuar një peng, e kishin marrë në këmbim të parave. Dhe thonë se nuk ka Zot. Të gjitha këtu, në këtë botë paguhen, – tha ai duke prerë timonin djathtas, për nga rruga e Laçit.

Mijëra njerëz, besimtarë e jo besimtarë kishin mbërritur para tyre. Ndiznin qirinj, luteshin e përgjëroheshin. Ja, mizë lisi. Qarkullonin me rregull e qetësi. Mbi ta shtrihej paqe e mirësi. Si është e mundur që bashkatdhetarët e mi të jenë kaq të sjellshëm, kaq të dashur e të respektuar ndaj njëri-tjetrit në këtë vend të shenjtë?! Çfarë drite e rrezatim ka derdhur brenda shpirtit të tyre i madhi Zot? Ishin disa nga pyetjet që i shkonin ndërmend Dalinit dhe po vetë jepte përgjigjen. “Sa shumë virtyte kemi humbur gjatë gjithë këtyre viteve komunizëm” gati e tha me zë të fortë.

Moti ishte i butë e i ngrohtë. Në qiell, përmes asaj hapësire blu të thellë, yjet vezullonin me një dritë të veçantë. Miliona xixëllime në kupën e qiellit, miliona flakëza qirinjsh në luginë. Në heshtje, pa u ndjerë e pa u dukur, toka mëmë ushqente me limfën e saj jetike barin dhe gjethet e pemëve, duke veshur e ngjyrosur gjithçka me qyrkun jeshil. Qershori është muaji më jetdhënës në Shqipëri, muaji që vendos për begatinë e bollëkun e vjeshtës. Dhe muaji i atij viti ishte i mbarë.

– Si sonte, nuk kam parë kaq shumë njerëz poshtë me qirinj të ndezur dhe yje vezullues sipër në qiell, – i tha Selimeja duke i shtrënguar fort dorën.

– Nuk ka avuj, ajri është transparent dhe vështrimi shkon shumë larg, ndaj shikon kaq shumë yje, – iu gjegj ai.

– Lutu në heshtje, Dalin, të lutemi të dy dhe pastaj t’ia themi njëri-tjetrit, – propozoi Selimeja.

Ai tundi kokën në shenjë pohimi, por ajo nuk e vuri re sepse kishte kthyer fytyrën nga qielli. U shkëput një kometë duke bërë një trajektore të gjatë në qiell dhe u duk sikur do t’u binte në prehër, por kometa vazhdoi rrugën e saj dhe u zhduk pas këmbanores së kishës. Pas një copë herë heshtje, e shoqja i tha:

– Unë u luta të gëzojmë sa më shpejt një fëmijë dhe të kemi shëndet.

– Po, të kemi një fëmijë dhe do Zoti një punë jashtë shtetit, – shtoi ai.

– Jashtë shtetit? Nga na doli kjo? Nuk ma kishe thënë ndonjëherë, – i pëshpëriti ajo afër veshit.

– Në Perëndim, jeta atje është e sigurtë, dalëngadalë po hapen rrugët edhe për vendin tonë, socializmi ka marrë fund, dështoi me sukses, – iu përgjigj ai – duhet të fitojmë kohën e humbur.

– Dëgjova se këtu në kishë sollën një djalë memec dhe pas pesë minuta lutje, atij i erdhi goja, nisi të flasë, – tregoi Selimeja për të mbështetur idenë e realizimit të dëshirave pas vizitës e lutjeve.

– Dihet, ky është vend i mrekullive, grigja u kthye në shtëpinë e vet, – e mbylli ai bisedën.

Ata nuk e ndjenë fare se si ishte tretur ashtu ajo natë e pagjumë. Trupat ua përshkonte një ndjenjë paqeje e qetësie. Ndjeheshin më të lehtë e më të lumtur, të dlirë, të përvuajtur, të mbushur me besim e adhurim të jashtëzakonshëm. Sa mirë që lutjet e tyre bashkoheshin me lutjet e këtyre mijëra njerëzve të njohur e të panjohur, ardhur nga çdo cep i atdheut. Ata dukeshin aq të mirë e paqësorë. Lindja e diellit i gjeti duke iu lutur Shën Marisë. Në horizont, nga ana e detit, qielli dhe toka bashkoheshin përmes një kurore të argjentë. Gjelbërimi i barit dhe i pemëve në shpate mali kishte fshehur me kujdes kopenë e gurëve gri e të bardhë të përhapur pëgjatë luginës. Qershori është muaji kur në natyrë qarkullon sa më shumë lëngu jetik i bimëve, limfa. Lumi, tek këmbët e kodrës, si qindra e qindra shekuj vazhdonte të rridhte në të njëjtin shtrat me durim e këmbëngulje duke shkuar drejt detit, aty tej në horizont. Uji kthehej nga ku kishte lindur. Ky ishte cikli i natyrës, si cikli i jetës. Dalini vuri dorën mbi një shkëmb dhe ndjeu se guri ishte i lëmuar nga puthjet dhe prekjet e besimtarëve. Ndjeu se një copëz e tij lëvriu nën mollëzat e gishtrinjëve. E shtrëngoi më fort dhe copa e gurit u shkëput. U habit kur guri i mbeti brenda pëllëmbës së dorës.

– Shiko, – i tha Selimesë me habi – shiko çfarë forme ka.

Ajo u përmend nga përhumbja dhe ëndërrimet. E pa me kërshëri. Çfarë ishte ai send brenda pëllëmbës së dorës së tij?! Ishte një gur i vogël, i bardhë me ca rrëmba të kuqërremtë si kapilarë gjaku.

– Ua, paska formën e zogut, sa gjë e çuditshme dhe e rrallë, – i tha ajo.

– Ka formën e pëllumbit, – u gjegj Dalini i gëzuar – do ta ruaj për fat. Ky është fati ynë, e dashur Selime.

Ndjeheshin të lehtë e të lumtur. Midis tyre kishte hyrë një dritë e re dhe falja e mirësia i kishte afruar më shumë. Shpirtrat e tyre ishin bërë një. Në kthim, nuk e ndjenin zhurmën e motoçikletës, u dukej sikur ajo nuk ecte, por fluturonte. Nuk thonë kot që nuk sheh syri e dëgjon veshi, por mendja.

Gati e kishin harruar pelegrinazhin në Kishën e Laçit, kur Selimeja një mbasdite hyri në shtëpi e gëzuar:

– Sihariq, – thirri që nga dera – bëra testin e shtatëzanisë, do bëhëmi me fëmijë!

Dalini nuk tha asnjë fjalë, por u ngrit, hapi dollapin, gjeti gurin e vogël, e ngriti lart për ta parë më mirë përmes një rreze dielli që hynte nga dritarja, pastaj e afroi pranë buzëve dhe e puthi me adhurim. Ia zgjati edhe së shoqes. E puthi edhe ajo.

Vajzës ia vunë emrin Sibora nga që ajo ishte e bardhë si borë e me sy të kaltër.

– Nuk kam parë fëmijë me lëkurë kaq të bardhë dhe sy kaq të bukur, – tha mamia që priti në duar vajzën. Pas pak ajo doli jashtë dhomës dhe çifti mbeti vetëm.

– Ta kemi me jetë të gjatë grua, – uroi Dalini dhe e puthi të shoqen në ballë, aty midis vetullave. Iu afrua tek veshi dhe i tha se kjo vajzë ishte mrekullia e atij guri që morën nga Kisha e Laçit. Ajo buzëqeshi e lumtur dhe shtoi:

– Kur bën mirë, gjen mirë. Ne nuk i kemi bërë askujt keq, as kemi spiunuar për politikë e as vrarë njeri. Kemi dhënë më shumë se sa kemi marrë. Zoti i sheh të gjitha.

– Kjo vajzë meriton të rritet, edukohet e arsimohet në Perëndim, grua e dashur, – i tha duke e parë drejt në sy. Deshi të thotë edhe diçka tjetër, por në çast u pendua dhe heshti.

Shqipëria kishte dalë nga izolimi, por jo nga varfëria. Rendi demokratik kishte sjellë lirinë e fjalës, por jo mirëqënien. Më guximtarët, grupe-grupe arratiseshin duke sulmuar kufirin, por jo të gjithë mbërrinin në destinacion.  Kishte nga ata që paguanin anije peshkimi e gomone, por shpesh “ndërmjetësit” së bashku me paratë zhdukeshin pa nam e nishan. Ngado flitej për dështime e humbje jetësh. Dalinit nuk i pëlqeu asnjë nga këto rrugë. Ndoshta një ditë mund të organizohej emigrim i ligjshëm, si në Kosovë. Nuk mund të rrezikonte jetën e familjes duke u futur në rrugë të panjohura dhe aventura. Dhe priti. Edhe Bora e vogël do të mëkëmbej.

– E kam ëndërr Amerikën, – i tha së shoqes një mbrëmje në shtrat, para gjumit.

– Po si, ne nuk dimë asnjë fjalë anglisht, – i tha ajo.

– Ka llotarira, por duhet të hyjmë në një kurs. Duhet ta mësojmë, aq sa të mundemi, të thyejmë veshin.

– Njoh një mësuese anglishteje. I kam bërë disa ndere me fëmijët kur i ka pasur pa qejf, ndoshta na vjen në shtëpi.

– Po pranoi, e paguajmë se po qe për nder të vjen një herë, dy, por jo më shumë, – sugjeroi ai dhe ajo tundi kryet në shenjë pohimi.

Dhe nisën të mësojnë të dy. Selimeja po ecte më mirë, ndoshta nga që ishte në moshë disa vjet më e re se sa Dalini. “Gjuha mbahet mend dhe mësohet më shpejt kur e praktikoni, mos flisni shqip në familje, por anglisht”, u tha mësuesja një ditë. Kishte të drejtë. Provuan të vazhdonin kështu dhe përmirësimi i njohurive ishte i dukshëm. Në gazetë lexuan një njoftim se në Kanada kërkoheshin infermierë nën moshën dyzetë vjeç, por duhet të plotësonin një formular dhe ta nisnin në ambasadën kanadeze në Romë. Kërkuan ndihmën e mësueses së anglishtes për ta mbushur. Ajo u tha se brenda gjashtë muajsh kërkesa do të shqyrtohej nga qeveria kanadeze; në se kualifikoheshin, një punonjës i ambasadës do ta merrte aplikantin kryesor në provim për gjuhën.

– Qenka rrugë e gjatë, – i tha Selimeja.

– Ne kemi pritur dyzet vjet e të mos presim gjashtë muaj, – ia priti Dalini me të qeshur – ti je aplikantja kryesore, Selime. Këtë radhë gruaja përpara e unë pas saj. O Kisha e Laçit, na ndihmo, asnjë ndihmë nuk kemi në këtë rrugë ku kemi hyrë veç besimit në Zot!

Atë natë Dalini nxorri me kujdes nga valixhja gurin dhe e futi nën jastëk. Bëri një gjumë të shqetësuar. Për çudi pa në ëndërr se zbritën në Nev York e jo në Kanada.

***

Nëpunësja e ambasadës kanadeze që i mori në intervistë qëlloi një grua e mirë. Ajo kishte çelur përkohësisht zyrën në Bllok, në Tiranë. Pa shumë ceremoni i thërriste aplikantët shqiptarë një nga një. Aty nga dreka i erdhi radha Selimesë. Dalini e përcolli deri tek dera e zyrës duke i lënë në dorë gurin e Kishës së Laçit. Sa e preku, zemra i erdhi në vend dhe hapat deri tek tavolina ajo i bëri e sigurt. Bashkëbisedimi ishte pa përkthyes, në anglisht. Selimeja edhe vetë u habit si i erdhën ashtu ndërmend fjalët. Nuk ngeci në asnjë frazë. Gurin e shtëngonte fort në dorë. I ngjante se ai ishte zemra e saj dhe i pulsonte aty në pëllëmbë. “Ta gëzoni Kanadanë!”, i tha nëpunësja në mbyllje të intervistës, shumë thjesht e pa asnjë ceremoni. Kaq ishte e gjitha. Deshi, ta përqafojë nëpunësen, por ndjeu sikur guri në dorë i tha të përmbahej, zyrtarja ishte në shërbim të vendit të vet, përfaqësonte shtetin, ajo nuk ishte thjesht një shoqe pune. Dalini e kuptoi që ajo e kishte kaluar testin që kur në dalje ndeshi sytë e saj të qeshur. Pa thënë asnjë fjalë, i mori gurin nga pëllëmba e dorës dhe e çoi në buzët e tij. Mrekullia kishte ndodhur.

Plotësimi i dëshirës për emigrim me dokumente të rregullta në Perëndim u ndryshoi jetën.Ja Kanadaja, ja Amerika! U ngjante se shpirtërisht ishin ngritur disa metra lart nga toka. Bora ishte rritur dhe kishte nisur të flasë. Dalini, sa herë hynte e dilte nga shtëpia, e merrte në duar, e ngrinte lart dhe i thoshte: “Për ty, bija ime, për ty Bora e ëmbël po e bëjmë këtë sakrificë, të rritesh e të edukohesh si një princeshë, të fitojmë kohën e humbur të marrëzirave socialiste!

***

Të gjitha këto Dalinit iu kujtuan duke pritur me ankth të kthehej e shoqja nga puna. Me siguri ajo e dinte ku kishte përfunduar guri nga Kisha e Laçit. Si në një film iu shpalos jeta që kishte bërë në Shqipëri, martesa dhe ardhja në jetë e bijës së tyre, Borës. Selimeja, së cilës në Kanada i thërrisnin të gjithë pa përjashtim Selma, punonte mami në një spital të Torontos, njëzetë minuta larg nga shtëpia. Sipas urgjencave, nganjëherë vonohej më shumë se zakonisht, por këto vonesa, me kalimin e kohës ishin bërë të zakonnshme dhe askush nuk i vinte re. Këtë radhë ishte ndryshe. I hodhi sytë orës elektronike në mur. Akrepi i madh kishte shkuar tridhjetë minuta përpara nga orari i kthimit. E priste të shoqen me ankth e padurim. U ngrit, shkoi tek dritarja, lëvizi perden dhe i hodhi një sy parkimit të shtëpisë. Ishte bosh. Qielli ishte nxirë nga re që lëviznin me shpejtësi në drejtim të perëndimit. Ajri ishte i mbytur me lagështi. Në se era do të ndalej, me siguri shiu do të zbrazej mbi tokë, por era vazhdonte si e tërbuar duke ngritur nga toka shkarpa, copa letrash e gjethe të thata që endeshin si të marrosura nga të katër anët e horizontit. Kopetë e mbarsura të reve ishin të paparashkikueshme, nuk dihet se ku do ta zbraznin shiun. Dera e shtëpisë kërciti dhe Selma u shfaq paparitur duke shtyrë me ngut kanatin e derës.

– Shyqyr që mbërrita pa filluar shiu, – tha ashtu kot si duke i folur vetes me zë të lartë. Dalini e dëgjoi dhe u ngrit për ta përshëndetur. Kishte një çehre të vrarë dhe vështrim të hutuar, por Selma nuk e vuri re. Nuk e pyeti si zakonisht se si e kaloi ditën, por i tha me një zë sikur nuk ishte i tij:

– Ku është guri nga Kisha e Laçit? Ku nuk e kërkova, por nuk e gjeta.

– Guri? Si, nuk të kam thënë që e ka marrë Bora në Otava?

– Gjithnjë unë do t’i mësoj i fundit ngjarjet e kësaj shtëpie?! Sa kohë ka? Nuk nxirrej ai gur nga dera e shtëpisë, po sikur ta humbasë? Ti e di se unë e kam të shenjtë. Ai gur është fati ynë.

– Po për fat e ka marrë edhe ajo.

– Ta marrim shtruar, pa eja ulu këtu pranë meje, m’i trego të gjitha me radhë. Ka diçka që nuk shkon këtu, ka diçka që më mbani fshehur, bie erë pabesi, pse kështu? Ku kam gabuar me ju, ku jam sjellë keq? – bëri disa pyetje rresht Dalini. E shoqja u pendua që nuk e kishte vënë në dijeni rreth problemeve që i ishin hapur së bijës dhe vendosi t’ia tregojë të gjitha:

– Bora ka rënë në dashuri me një djalë, por nuk ka vendosur të martohet me të pa marrë mendimin tonë. Ka disa muaj.

– Dhe nuk ma keni thënë mua? E ke sjellë me vete këtë vajzë apo e kemi lindur së bashku? Nuk kam të drejtë të di unë për fatin e bijës sime? – ngiti ai zërin si rrallëherë.

– Problemi është më delikat se kaq, ai djali është pak me lëkurë të zezë, – u përgjigj Selma përmes lotëve.

– E ç’të keqe ka se e ka lëkurën pak të zezë? Ashtu e ka pasur edhe gjyshi im nga nëna.

– Jo, ai është zezak, – tha ajo me një zë të vakët. Dalini u nemit, ndjeu se të rrahurat e zemrës po i shuheshin. Gati po i binte të fiktë. Këtë lajm nuk e kishte pritur kurrë. Si kështu Bora?!

– Fare i zi? Nga është?

– Amerikan.

– Fare, fare i zi?

– Fare.

Ky lajm ishte për të si një rrufe në qiell të kthjellët. Kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend se bija e tij e dashur, Bora e zgjuar dhe e ëmbël do të lidhej me një zezak. O Zot, pse zgjodhi Kanadanë për të emigruar?! Po kush djalë shqiptar nuk do ta preferonte bijën e tij të bukur e të zgjuar? Ndjente se nga çasti në çast mund të rrëzohej për tokë. Nuk kishte fuqi as t’i fliste e as t’i bërtiste së shoqesh. Nuk është se ai kishte ndonjë paragjykim ndaj racave, ngjyrave dhe kombësive, por nuk e gëlltiste dot të quhej vjehrri i një afro-amerikani. Pse kur Kanadaja ka plot djem të rinj me origjinë nga Europa apo qoftë edhe nga Turqia, mendoi. Si dreqin qenka magjepsur kështu Bora? Dhe pse nuk më ka rrëfyer po e ka mbajtur të fshehtë?

– Pse, pse nuk më ka treguar mua? – iu kthye së shoqes.

– Sepse e ka ditur që nuk do ta gëlltisje zgjedhjen e saj. Po ti e di se sa e gabuar është në Kanada të tregohesh racist, dënohesh me ligj. Të ecim edhe ne me botën, – deshi ta ngushëllojë ajo.

– Tani, pasi keni bërë proçkën, më tregoni edhe kulturën, edhe ligjin. Ke faj Selime, je bërë bashkëpunëtore në gabimin e saj, e ke ditur dhe nuk ia ke prishur Borës. Jo, nëna duhet ta drejtojë të bijën.

– Ka plot vajza të bardha që martohen me zezakë, nuk është vetëm kjo jona, – i tha Selma dhe u ngrit të hiqte rrobat e punës.

Dalini mbeti vetëm. Vuri kryet midis pëllëmbëve dhe po përpiqej të gjente arsyen se ku kishte gabuar me të bijën. Solli ndërmend jetën e saj. Asnjëherë nuk i kishte folur me zë të lartë, asnjëherë nuk i kishte hequr ndonjë pëllëmbë. Ajo është princesha e tij, mbretëresha e dashurisë së tij të pakufishme. Çudi, ajo nuk kishte sjellë në shtëpi ndonjë shok klase, nuk ishte vonuar asnjëherë në parti apo mbrëmje argëtimi, kurrë alkool. Nuk kishte marrë kurrë narkotikë, pra, nuk të linte shkak për ta qortuar, model e shembullore në çdo drejtim. Ai mendonte se ajo i ngjante plotësisht atij vetë. “Sikur ta kesh nxjerrë nga hundët” i përsëriste e shoqja vazhdimisht. Madje kur Bora nisi studimet në Otava, Selma i tha:

– Nuk duhet t’ia kemi frikën, kur nuk gaboi në kolegj, tani nuk mund të gabojë më.

Dalinin Mirakajt as i hahej e as i pihej. Nuk kishte vënë asgjë në gojë qysh prej mëngjesit. E shoqja diçka thoshte nëpër dhëmbë duke u marrë me punët e shtëpisë, por ai nuk dëgjonte asgjë. E gjithë qenia e tij ishte përqëndruar tek e bija. Mos ishte vënë në pozitë të vështirë nga ky zezaku? U mat disa herë ta merrte në telefon, por u ndruajt nga se do të dilte jashtë karakterit të tij dhe mund t’i bërtiste. E dinte se Selimeja do t’ia tregonte të gjitha dhe ndoshta Bora mund t’i bënte një thirrje telefonike e t’i thoshte se ajo puna e zezakut nuk është gjë. E gjitha kjo mesele ndodhi kur ai kishte kapur një punë të re: me rrogë sa dyfishi i asaj së parës. Ishte pranuar të punonte për mirëmbajtjen e mjeteve motorike në një fushë golfi. U habit kur i thanë se mensa si për atë si për gjithë klientët ishte e paguar. Mund të hanin në çdo kohë dhe mund të zgjidhnin gjithçka. Gatime të mrekullueshme, si për mbretër, edhe haviar kishte. Të anëtarësoheshe në klubin e golfit duhet të paguaje një shumë të madhe vjetore, gati sa trefishi i rrogës së tij për një vit. Anëtarët e klubit të golfit ishin të gjithë të pasur dhe racë e bardhë, kryesisht me prejardhje angleze. Shumica milionerë. Në sajë të korrektesës dhe ndërgjegjes në punë, Dalini kishte fituar simpatinë e të gjithëve. Mjetet motorike shkëlqenin si kurrë ndonjëherë dhe ishin të gjitha në efiçencë të plotë. Ndryshimi dukej ashiqare, si kurrë më parë. Ama edhe ai vetë as në ëndërr nuk kishte parë punë të tillë dhe rrogë kaq të madhe, madje nuk e merrte me mend se ekzistonte kjo lloj pune. Dhe dihet se e kujt ishte merita. Fati i tij fshihej pikërisht në atë gurin e vogël të sjellë nga Kisha e Laçit. Ai kishte bekimin e Shna Ndout, kështu mendonte. Ndoshta së bijës i ndërrohej mendja, pikërisht asaj i duhej fati. E ardhmja i takonte asaj. Nuk duhet t’ia kërkonte gurin. Mjafton që ajo të ishte mirë. Në fund të fundit si ai, si Selimeja për atë punonin, për atë rezervonin gati një rrogë në muaj. Ishte koha kur ajo duhet të krijonte familjen e vet. As kur kishte rënë agu dhe nga dritarja po hynte drita e ditës së re, atë nuk e kishte zënë gjumi. U ngrit nga shtrati ngadalë e pa zhurmë. I pihej një kafe shqeto. U kthye nga drita e mëngjezit që binte fasha-fasha nga dritarja dhe u lut: “Vur dorë, o Zot, vur dorë, o Kisha e Laçit dhe ma shpëto time bijë!” dhe rënkoi nga thellësia e shpirtit. Priti sa të hapte sytë e shoqja dhe i tha duke rrokëzuar fjalët.

– Bora është zemra jonë, shpirti ynë, duhet t’i thërresë mendjes, t’i vërë kapak kësaj historie. Kush nuk e merr atë me atë bukuri, diplomë e mënçuri që ka. Djalin më të mirë i sjell këtu nga Shqipëria. Sido që të jetë, bythëziun nuk dua ta takoj kurrë. Bora e ka të hapur derën e shtëpisë dhe të jesh e bindur se nuk do t’i them asnjë fjalë, ama atë afro-amerikanin, nga qielli të jetë i rënë, kurrë nuk e kam për ta qasur në shtëpi.

– Këto që më the mua, mos ia thuaj askujt, do ndëshkohesh si racist, do të marrin gazetat, jemi në shtet demokratik, – iu kthye Selma.

– Po, moj po, por në fushat e golfit nuk kam parë asnjë zezak, – i tha ai me shpoti.

– Zezakët janë si ne, nuk kanë fuqi të paguajnë kuotën 250 mijë dollarë në vit ashtu si ata miqtë e tu milionerë, ama në sporte të tjera dhe në muzikë, ata po bëjnë namin në gjithë botën. Në deje iu rrjedh gjak i kuq si i yni.

– Kaq di të them dhe ti e njeh mirë kokën time, atë që them, e bëj, – e mbylli ai bisedën dhe u bë gati për të shkuar në punë. Selma ia njihte mirë tabijatet, asgjë nuk mund t’ia kthente mendjen veç Kishës së Laçit. Por ajo kishë ishte shumë larg.

***

Bora u diplomua për informatikë, gjeti edhe punë, por afro-amerikanin nuk e ndau. As në shtëpinë e prindërve nuk e solli. Zunë banesë me qira në lagjen Etobikoe të Torontos. Dalini me kursimet e tij i bleu së bijës dhuratë një makinë të re japoneze, nga më të fundit, akull të re.

– Çfarë njeriu qënka kështu ky babai yt, – i tha Borës i shoqi – të blen makinë të markës së fundit dhe nuk pranon të njohë dhëndërrin me të cilin ti ndan shtratin dhe jetën.

– Babin mos ma zër më në gojë, – iu përgjigj ajo dhe një çurg lotësh i rrodhën nëpër faqe – të jetë hera e fundit, janë punët tona të brendshme.

Edhe kur Bora u bë me djalë, Dalini nuk pranoi ta njohë e ta takojë dhëndërrin. Vetëm pyeti se kujt i ngjan nipi.

-Mulat, pak brun e i lezeçëm, me flokët kaçurela, – iu përgjigj e gëzuar Selimeja – por nga ne anon më shumë. Dalini vuri pakëz buzën në gaz.

Ardhja në jetë e një fëmije u bë mollë sherri midis çiftit të ri. Pa kaluar as dyzetë ditë nga lindja e tij, Xhejsoni, kështu quhej afro-amerikani, i dha ultimatum së shoqes.

– Me që vjehrri nuk dëshëron të më takojë mua, as unë nuk lejoj që ai të takojë birin tim. Babi yt është racist, madje ai nuk më thotë as zezak, por “bythëzi”. Kjo për mua është një fjalë ofenduese, – tha ai me mllef të akumuluar prej kohësh. Borës iu ngritën nervat.

– Harrove ti kush e paguante qiranë e dhomës në universitet për katër vjet sepse prindërit e tu nuk kishin të ardhura? Ishte pikërisht babai im. As ke fytyrë ta zësh në gojë dhe çfarë do të bëj unë, as të pyes fare. Mos mendo se jam skllavja jote. Ai është babi im e jo yti, – tha duke ngritur zërin. Nuk vazhdoi më tej, por mori të birin në karrocë dhe u nis për tek prindërit e saj.

Dalini u lidh fort me të nipin dhe i lutej ta sillte sa më shpesh, sidomos për fundjavë. Por Bora nuk u kishte treguar prindërve diçka tjetër. Xhejsoni ishte xheloz dhe sa herë ajo takonte ndonjë mik të vjetër, sidomos shqiptarë, ai bëhej nervoz, grindej kot së koti dhe një ditë i tha prerë:

– Nuk dua të takohesh me djem shqiptarë. Shumë i zgjat bisedat me ta, pastaj ç’janë ato kafe ekspres që ju i keni aq qejf.

– As unë nuk të kam penguar të flasësh me ndonjë zezake, – i tha ajo me shpoti. Ai u bë bishë, ngriti dorën ta goditë me shpullë, por në momentin e fundit u tërhoq. Borës i dolën shkëndija nga sytë dhe tërë atë javë qëndroi në shtëpinë e prindërve, por atyre nuk u tregoi asgjë nga grindja dhe konfliktet me të shoqin.

Marrëdhëniet në çift ishin tronditur. Xhejsoni nuk dorëzonte asnjë të ardhurat prej rrogës. Justifikohej se ndihmonte prindërit në New York që ishin shumë të varfër dhe pensioni nuk u mjaftonte. Në grindje e sipër Bora i tha të zgjidhte ose atë, ose prindërit e vet. Secili prej tyre kishte detyrime të barabarta për qiranë e shtëpisë, ushqimin dhe mirërritjen e fëmijës, por ai vazhdoi në të njëjtën rrugë, të mos dorëzonte asnjë të ardhur. Ai e kishte mësuar mirë se prindërit shqiptarë janë të përkushtuar për fëmijët e tyre dhe kurrë nuk i lënë në baltë.

Shkaku i vërtetë që ata u ndanë përfundimisht ishte diçka tjetër. Bora takoi në supermarket një shok fëmijërie, ishte një jurist shqiptar. Ajo u vonua dhe Xhejsoni e priti gjatë në një qendër tregtare duke u kujdesur edhe për të birin. Grindjet vazhduan deri tek makina në parking. Po bëheshin gati të hynin në makinë, por Xhejsonit nuk iu durua, por i tha me cinizëm:

– Këtij shokut shqiptar ia ke falur virgjërinë kur ishe shtatëmbëdhjetë vjeçe?

– Nga e nxorre këtë, o bythëzi?

– Nga që u puthët gjatë në ndarje, ja ku të kam filmuar me celular, – tha ai.

– Domethënë po më përndjek, ti e paske shpirtin më të zi se sa fytyrën! – bërtiti ajo.

Xhejsonit nuk iu durua. Sytë i zunë në bagazh të makinës një furçë bishtgjatë me të cilën pastronin borën e xhamave në mëngjes. E rrëmbeu me shpejtësi dhe e goditi Borën me sa fuqi që pati. Instiktivisht ajo ngriti dorën për të mbrojtur kokën dhe shkopi-fshesë u përplas mbi llërën e krahut të majtë. Ndjeu që një kockë e parakrahut ia bëri “krrak”. Duhet t’ia kishte thyer sepse as dorën as krahun nuk mund ta lëvizte më. As bërtiti dhe as qau. Gurin nga Kisha e Laçit e shtërngoi fort në pëllëmbën e dorës së djathtë. Çudi, guri i dha fuqi dhe guxim të paparë. As vetë nuk e dinte se si mbërriti së bashku me të birin në shtëpinë e prindërve të vet duke mbajtur timonin vetëm me dorën e djathtë. Kishte merakun e të birit. Amësia i jepte forcë. Kur frenoi përpara shtëpisë, gati sa nuk i ra të fiktë. Mbylli sytë, ajo dhe i biri ishin në duar të sigurta. E ëma i mori fëmijën nga karroca, Dalini duke e mbështjellë në gji, si atëherë kur ishte fëmijë, e ngriti në duar dhe e futi me përkëdhelje brenda shtëpisë. I tha të qetësohej dhe të tregonte çfarë i ndodhi. “Më goditi bythëziu, gurin nga Kisha e Laçit e kam në çantë”, iu përgjigj ajo. Dalini nuk e zgjati, sytë i shkrepën zjarr. Mori në telefon 911-tën. Zëri iu drodh dhe një lëmsh lotësh i mbetën në fyt. Duke pritur të vinin policët, i dha së bijës një gotë ujë së bashku me dy kokrra tylenol. E shoqja merrej me qetësimin e ushqimin e fëmijës. Për njëmbëdhjetë minuta dy policë mbërritën së bashku me ambulancën dhe tre infermjerë. Policët, pasi dëgjuan ngjarjen, kërkuan të dinin vendin ku ishte parkuar makina. Bora tregoi se ngjarja kishte ndodhur në kuadratin 7 të parkingut. Policët panë njëri-tjetrin në sy. “Aty ka kamera sigurie, incidenti është i filmuar, jeni me fat, nuk iu duhen dëshmitarë” tha njëri prej tyre. Siç u muar vesh më vonë, Xhejsoni ishte arrestuar po atë natë. Ai u dënua tre vjet burg. Kishte edhe një rekord tjetër dhune që Borës nuk ia kishte treguar kurrë.

Koha e koronavirusit, Kanada, Mars-prill 2020.

 

 

Please follow and like us: