Albspirit

Media/News/Publishing

Azgan Berbati: Një ngjarje e trishtë në Tiranë

Qiejt lexojnë poema'' - Azgan Berbati — Gazeta Letrare
Azgan Berbati

Ç’do vend i shenjtë përpos vlerave jetike, të veçanta e hyjnore, ka historikun ndër të tjera që duhet minimalisht ta respektosh.
Unë kam dëgjuar e lexuar ngjarje të ndryshme si për shumçka, ashtu edhe për fenë.
Sot, u rrënqetha kur mësova për shkatërrimin e murit rrethues të Teqes Halvetive në Tiranë; nuk e prisja ardhjen deri në këtë pikë të këtij diktati të pakrahasueshëm.
Kështu befas, m’u kujtua lufta e Kosovës, njëherësh edhe rrëfime nga njerëz që e kanë jetuar atë kohë të trishtë.
M’u kujtua një ngjarje që përpos mesazhit të madh, i nxjerr kryeshtetarët tanë më uzurpatorë, më të pashpirt, më tepër se sozi e mbështetës të serbëve, pra më të ligj se serbët.
Ata ishin armiq të shpallur haptazi për vëllezërit tanë në Kosovë, kësisoj edhe për ne.
Por, ata, serbët në një fshat të Gjakovës, në Babaj të Bokës, nuk ngacmonin njeri teksa kryente ritet fetare në Tyrben e Pulaj, jo më ta cënonin vendin e shenjtë:-thuhet kështu nga banorë të asaj zone.
Tjetër komb, tjetër farë, të tjerë njerëz, mbi të gjitha armiq!
Sot, në Tiranë shembet muri rrethues i Teqes, (anipse kryegjyshata botërore ndodhet në Shqipëri) nga ata që përfaqësojnë shtetin tonë, të gjithë ne (tutsave të heshtur!).
Hyzmeqari i asaj Teqeje e njihte mirë historinë e Shejhlerëve, Dervishëve dhe Teqesë e dashamirëve të saj në tërësi.
Ishte një burrë i vjetër që rrëfente me një dashuri dhe dëshirë aq të madhe historikun e Tarikatit Halveti, saqë e jetësonte atë dhe dukej sikur të shfaqej para syve gjithçka reale, ndërkohë që ai fliste.
Ndër të tjera më rrëfeu për kontributin dhe peripecitë e njërit prej Shejhlerëve që ndodhej në atë Teqe.
Në 1912-ën, kur Shqipëria do shpallte pavarësinë, një ditë më parë, Ai, Shejhu, ngriti flamurin tonë kombëtar në Tiranë dhe të nesërmen flamuri do të ngrihej në Vlorë nga Ismail Qemali, i cili edhe e priti Shejhun në atë ditë të shënuar, por Shejhu ishte burgosur për atë që kishte bërë, duke ia  pamundësuar pjesëmarrjen në Vlorë, megjithëse kontributi i tij ishte i ditur nga të gjithë dhe të nesërmen u lirua nga burgu.
Pra, përveç kontributit fetar, që e bënte të shquar, Ai dha edhe kontribute të tjera për vendin tonë, njohur e trajtuar dhe nga historia e këtij të fundit.
Ai e të gjithë Shejhlerët e Dervishët kanë kontribuar në të gjitha aspektet, dimensionet e fushat për vendin tonë; dhe pse në shumicën e rasteve janë luftuar nga regjimet e kohërave.
Si duket këto të fundit nuk ikën pa trashëgimtarë; dhe këtë e dëshmon më së miri ç’do ditë e tyre në pushtet.
Pra, përveç se i pështirë e skandaloz, është një fakt fort i trishtë dhe i frikshëm që vetëm komunistët mund t’a demonstrojnë kësisoj, megjithëatë edhe heshtja e jonë është një formë pajtueshmërie, aq sa pështirësia e këtyre (që edhe cilësimet më të poshtra u bien të vogla për nga përmasat që kanë) uzurpatorëve-betonistë!…
Është e dhimbshme deri në shpirt, pushtimi nga ata e heshtja nga ne!…

Please follow and like us: