Bardhyl Berberi: Hani buzë gjolit (2)
Bardhyl Berberi
Por kjo lagje kishte shumë histori e ngjarje. Pak metra më tutje hanit ishte shtëpia e një poeti të shquar. Xha Zisi e kishte pasur mik. Kushedi sa herë kishin pirë kafe së bashku. Atij ju kujtuan shumë rrëfenja të poetit.
Një natë të bukur maji kur këndonin bilbilat ai ishte duke shkruar vjersha deri vonë. I tërë qyteti flinte, ndërsa poeti shkruante. Trak-truk dëgjoheshin këmbët e xhandarëve nëpër kalldrëmin e rrugicës së lagjes “Burima”. Ata bënin roje natën nëpër rrugët e qytetit. Pikërisht poshtë dritares së poetit ata u ndalën. Ishte e vetmja dritë e ndezur në të gjithë qytetin. Njëri nga xhandarët ishte nga qyteti i tyre, kurse tjetri jo.
Qëndrojnë. Njëri nga xhandarët pyet:
– Ç’është kjo llambë kur i tërë qyteti i ka të shuara?
Xhandari që ishte nga qyteti i poetit i thotë:
– Është një i kënduar që ka studjuar jashtë shtetit…
– Ah, ha…
– Thonë se di shumë. Vetëm se tërë ditën rri mbyllur. Del herët në mëngjes nga gjoli e pastaj shkon e mbyllet brenda. Merret me libra. Kur të tjerët i shuajnë llambat ky i ndez.
– Zisi Sharra kishte një histori të veçantë me poetin. Kur kishte rënë një dimër i madh e i parakohshëm në qytetin e tyre dhe zogjtë shtegtarë ngelën pa shtegtuar, djemëlia e qytetit i vriste me llastika zogjtë e mardhur që qëndronin nëpër pemë. Poeti e kishte qortuar rëndë dhe i kishte thënë Zisit:
– Kështu siç ndodhi këtu ka ndodhur në Austri kur ai kishte qenë student. Një dëborë e parakohshme me të ftohtë të madh kishte bllokuar zogjtë shtegtarë. Shoqata të ndryshme dolën me magnetofon në dorë dhe iu bënin thirrje qytetarëve të hapnin dritaret e shtëpive dhe të futeshin zogjtë shtegtarë brenda. Të gjithë qytetarët e Vjenës iu përgjigjën thirrjes dhe zogjtë u futën nëpër shtëpia. Njerëzit i vendosën në dhoma të veçanta me ngrohje në shtëpitë e tyre dhe i ushqyen. Pas disa ditësh i mblodhën të gjithë zogjtë dhe shpendët dhe i grumbulluan në një pikë nga ku u nisën me një avion për në viset e tyre të ngrohta.
Kanë kaluar shumë vite, por ai nuk e harronte këtë histori ashtu siç nuk harronte atë ditë kur poetin e kishin ftuar në vreshtin e tyre dhe shumë miq të tij kishin shtruar një drekë me tava korani dhe verë buti. Poeti ju tregonte për shtetet perëndimore ku kishte studiuar për Gracin, për Vjenën, për jetën atje, dashuritë e studentëve, bukuritë e rralla. Njëri prej të moshuarve tërë naivitet e kishte pyetur po këtu te ne pse nuk ka nga këto gjëra të bukura që t’i na rrëfen dhe ne në Evropë jemi. Ai ishte ngritur, kishte dalë jashtë kasolles me kashtë ku ishte shtruar dreka dhe pasi kishte parë rrotull që nuk kishte njeri të dyshimtë nga ata të sigurimit të shtetit i kishte thënë:
– Po si kërkon ti zotëri që të jemi ne si ata, ne jemi të mbyllur si shtet, tamam si ky grushti im. Ja, shiko, këtu nuk futet një mizë jo të ketë mirëqenie e begati. Ishte koha kur ne ishim në diktaturë por poeti pati besim te miqtë e tij të ngushtë dhe e tha me shumë pasion dhe sinqeritet atë që i vlonte në gjoks.
Interesant, mendoi ai. Tëra vendet që ka pasur me nishan ky qytet janë këtu rrotull hanit të tij. Ja mendoi Zisi Sharra fare pak metro më tutje është “Mësonjëtorja” që është hapur vetëm një javë pas asaj të Korçës. Zisi Sharra eci vetëm pak metra dhe aty ndodhej një portë e harkuar me një pllakë përkujtimore. Qyteti i tyre buzë gjolit dhe fshatrat përreth ndjenë se kishte filluar një kohë e re, koha e të mësuarit në gjuhën e nënës, e cila ishte ruajtur në shekuj si një gjuhë që flitej por nuk shkruhej. Zisi Sharrës iu ngjit mallëngjimi në grykë. Kjo shkollë e parë këtu në lagjen “Burima” do të ngelet si ylli i mëngjesit, tha Zisi Sharra gjithë kënaqësi… Atë natë që u hap shkolla e parë komitët Rilindës erdhën dhe fjetën në hanin e tyre për ta mbrojtur shkollën nga ndonjë sulm.
Por në këtë han ka edhe ngjarje të tjera kur kanë ardhur qivuret me të mbyturit e tragjedisë së Shën Naumit…
Ishte ditë e diel e 30 marsit 1930. Ishte një ditë e bukur pranvere kur gjelbërimi i natyrës fillon harlisjen e tij. Katër vetura janë nisur nga Korça në Pogradec. Dy konsujt, ai grek dhe konsulli serb në Korçë dhe pjesëtarë të familjeve Polena, Fundo dhe Zografi. Qëndruan të gjithë në një kafene buzë liqenit. Qyteti e kishte liqenin në gjirin e tij. Nga kafeneja në breg dëgjohej llokoçitja e dallgëve, kërcitja e peshkut dhe klithja e pulëbardhave, tingujt e lopatave të peshkatarëve që shkaktoheshin nga përplasja me ujin.
Ky qytet ka diçka hipnotizuese. Kur fle në të të duket sikur e ke liqenin nën jastëk si një ninullë të bukur hipnotizuese. Të gjithë rrufitnin kafetë dhe ndiqnin këtë magji të natyrës ku liqeni dhe qielli ishin bërë një me njëri-tjetrin. Një grup peshkatarësh janë futur nëpër varka dhe janë nisur në drejtim të liqenit. Liqeni shtrihej tejendanë me shkëlqim dhe ngjyra të buta; me nuanca të ndryshme që shëmbëllejnë me një qilim të madh ujor që vjen duke u zbuluar gradualisht. Të gjithë u sistemuan nëpër makinat e tyre dhe u nisën në drejtim të Shën Naumit. Ata ndiqnin nëpërmjet xhamave të makinave varkat e peshkatarëve. Liqeni iu dukej si një fushë e kaltër dhe e paanë ku mund të bredhësh për të kërkuar fatin.
Në më pak se dhjetë minuta rrugë buzë liqenit ata kishin mbërritur te fshati i fundit kufitar me manastirin. Vetëm dy kilometra larg që këtu ndodhej manastiri, një nga manastiret më të mëdha të Ballkanit. Makinat po i afroheshin parkut të madh buzë liqenit dhe lumit Drin që kalon përmes një parku prej 20 ha. Me një gjelbërim të harlisur dhe drurë të dendur, përroska uji me drurë dekorativë dhe qiparisa të shumtë, me pallonj të rrallë që vijnë rrotull manastirit, të duket sikur këtu gjithçka ka dalë nga përrallat e Andersenit. Dita binte erë pranvere dhe erë bari të ri. Ata zbritën nga katër veturat që u parkuan në breg të liqenit dhe u nisën në drejtim të portës kryesore të manastirit ku dukeshin gjurmë zjarri që kishin përflakur portën historike. Sipër, mbi portë ishte një mozaik i rrallë me ngjyra, ku ishte realizuar një bujk duke punuar tokën. Në njërin krah është një ka dhe në tjetrin një ari në pendën e qeve që bujku punon tokën.
Ata ecën nëpër oborrin e madh të kalldrëmtë të manastirit dhe e futën në kishën e manastirit. Piktura të lashta shenjtorësh ku vendin kryesor e zinte ajo e Shën Naumit. Në një dhomë të veçantë ishte varri i shenjtorit. Pasi kryen të gjitha ritualet ata u rehatuan te një restorant antik pak metra më tutje manastirit. Të gjithë ishin të uritur dhe zunë vend në një tavolinë të gjatë me pamje nga liqeni. Provuan tavën e famshme me peshkun e rrallë të koranit që rritet vetëm në këtë liqen dhe disa prodhime brumi që gratë i kishin për zemër… Pihej verë dhe konsumohej peshk. Në kulmin e kësaj atmosfere të gëzueshme nga qyteti i Ohrit është nisur me një skaf prefekti i këtij qyteti dhe një kolonel i ushtrisë Jugosllave. Nuk zgjati as 30 minuta kur prefekti dhe koloneli zbritën nga një skaf pranë rrjedhës së Drinit. Atmosfera në restorant u bë më e gëzueshme pas ardhjes së tyre. Njëra nga zonjat e pyeti prefektin e Ohrit për mozaikun mbi derë si ka mundësi që punonte tokën kau dhe një ari të mbrehur në të njëjtën pendë qesh dhe pranë tyre qëndronte Shën Naumi, shenjtori i madh që kishte çuditur tërë dynjanë me bamirësitë e tij. Prefekti i Ohrit ishte një burrë i shëndoshë, i qethur ballaboks me një deng mustaqe mbi buzë pinte papushim verë .Doktori shqiptar, Niko Polena , – kishte mësuar nga një prift nga Voskopoja , legjendën e Shën Naumit . Mua më ka mbetur në kujtesë, kjo legjendë…
-Na i trego këtë legjendë i thanë me një gojë të gjithë
Shën Naumi kishte hipur në një kalë dhe ishte nisur në drejtim të Voskopojës. Në krye të Qafë Plloçës kali qëndron dhe duke hingëllirë rrotullohet në vend dhe nuk ecëm përpara. Pasi qëndroi disa minuta duke parë që kali nuk i bindej, Shën Naumi u kthye. Zbriti poshtë qafë Plloçës dhe kaloi nëpër fshatin Gurras dhe shikoi që vetëm gratë punonin burrat rrinin nën hije… Ai uroi gratë: “Grurë mbjellshi moj motra dhe magjen e paçi plot”. Më pas kalon në fshatin tjetër fqinj. Aty një bari dhensh i lëshon një tufë me qen që për pak sa nuk e rrëzojnë shenjtorin nga kali. Ndërkohë që një tufë lopësh me brirët e tyre përziejnë qentë dhe shpëtojnë shenjtorin. Shenjtori bekoi lopët dhe mallkoi delet e dhitë.
Pasi ecën gati edhe dy kilometra të tjera me kalë ai qëndron në këtë pllajën këtu ku jemi ne tani. Aty pranë ishte pronari i tokës. Shën Naumi ju lut që t`i jepte një copë tokë se ai donte të jetonte në atë tokë të cilën do ta bekonte. Pronari i tokës i tha se do t’ia falte të gjithë tokën nëse do t`i shëronte vajzën e vetme, të cilën e kishte të sëmurë me probleme mendore dhe tullace. Shenjtori mundi që t`i shërojë vajzën pronarit duke e larë buzë “Drinit”. Ai bekoi ujin, këtu ku është kjo kisha me ujë të bekuar. Por shenjtorit nuk i mjaftonte vetëm ajo copë toke kështu që takoi pak më tutje një pronar tjetër që punonte tokën. Ai ishte shumë i mërzitur pasi pikërisht atë ditë një ari i kishte shqyer kaun dhe panda e qeve i kishte ngelur vetëm me një nga qetë…
Shenjtori i thotë se do ta detyronte ariun që të mbrehej në pendën e qeve në vend të kaut që ai shqeu. Kjo është e pamundur i tha pronari. Por kur shenjtori e realizoi edhe këtë mrekulli atëherë dhe pronari i dytë i dha tokën që i kërkoi shenjtori. Ja këtu, ku është manastiri ku jemi ne ka qenë toka ndërsa mbi portën e madhe ndodhet mozaiku me ariun dhe kaun që lërojnë tokën. Legjendën e dëgjuan që të gjithë me gojë hapur dhe gjatë rrëfimit nuk pipëtin asgjë. Të gjithë ngritën gotat dhe uruan doktorin që e tregoi aq mjeshtërish legjendën e manastirit sikur tregoi ndonjë përrallë të bukur. Rreth orës 14 e 30 minuta dreka mbaroi dhe gratë bënë një propozim që të bënin një shëtitje në liqen me skafin që kishte sjellë prefektin dhe kolonelin. Të gjithë ranë dakord dhe u sistemuan në skaf nëntë persona konsujt serbë e grekë prefekti, koloneli dhe dy familjet e nderuara Zografi dhe Fundo.
Befas, skafi u shty përpara dhe motori gjëmoi në ujë, duke krijuar shkumë dhe dallgë. Dallgët e trazuara mbrapa skafit ngjanin me një ugar të trazuar. Filluan të ecin në drejtim të rrjedhës së Drinit. Sa më thellë futeshin bluja e liqenit theksohej më tepër dhe ngjante si e lyer me mellan. Mbrapa i shoqëronte një tufë me pulëbardha dhe nga anash ju kalon një tip skafi me ca dasmorë që shëtisnin nusen me skaf. Të gjithë këndonin një këngë dashurie të shoqëruar nga një fizarmonikë. Një diell i ngrohtë ishte kredhur i tëri në liqen si një konvaleshent duke krijuar shirita drite dhe dukej sikur buzëqeshte me brigjet duke spërkatur shkumën e valëve. Era pranverore që frynte ia mbushte mushkëritë gjithë oksigjen. Era e peshkut përzihej me erën e mirë të kallmit. Varka me dasmorë filloi që të largohet dhe këngët e tyre ngelën në sfond…
Befas drejtuesi i skafit merr një kthesë të papritur dhe ia hedh të nëntë pasagjerët e motoskafit në liqen. Klithma dhe thirrje për ndihmë. Paniku ishte i madh dhe ata që dinin not e kishin të pamundur të ndihmonin të tjerët. Nga të gjithë që përpëliteshin në ujërat e liqenit doli në breg vetëm prefekti i Ohrit, i cili sapo hoqi rrobat u zhyt në ujë për t’u shkuar në ndihmë personave që po mbyteshin. Ai shkoi pranë konsullit serb por ai ishte në agoninë e fundit dhe e mbërtheu fort prefektin e Ohrit dhe e tërhoqi në fund të liqenit duke ngelur të dy të mbytur. Duke parë këtë situatë tragjike priftërinjtë që ndiqnin skenën nga sipër manastirit filluan që t`u bien fort kambanave të manastirit të Shën Naumit. Vetëm pas 30 minutash vjen një motoskaf nga Ohri dhe pothuajse në të njëjtën kohë vjen një motobarkë edhe nga Pogradeci por kur mbërritën ata gjithçka kishte mbaruar. Bilanci ishte tepër tragjik: 9 persona të mbytur…
Konsulli grek Jean, zonja e tij Llazaroi, Niko dhe e fejuara e tij Julia, çifti Turtulli, konsulli serb, prefekti i Ohrit, koloneli i ushtrisë jugosllave dhe marinari i motor varkës. Sapo ra mbrëmja drejtuesit e policisë së Ohrit e tërhoqën në mesnatë motobarkën nga vendngjarja pa kryer ekspertizën. Madje ishte tepër indinjuese sepse trupat e kolonelit, prefektit, konsullit grek dhe zonjës së tij, që ndodheshin në breg të mbytur i futën në manastir. Më pas i veshën me rroba të reja dhe i vendosën nëpër arkivole. Ndërkohë që të mbyturit shqiptarë i lanë të hedhur në rërë, në breg të liqenit ku rrezikoheshin që të shqyheshin nga qentë rrugaçë. Disa fshatarë që kishin kaluar rastësisht kur kishin parë atë skenë nga më makabret të hedhur trupat e shqiptarëve në breg ishin tmerruar. Mbi liqen kishte dalë hëna mospërfillëse duke veshur valëzat me ngjyrën e saj të verdhë. Fytyrat e të mbyturve ngjanin tmerrësisht të frikshme me sy të çapëluar në momentet e fundit të jetës së tyre. Ata i sollën me varkë deri në qendër të qytetit dhe i vendosën nëpër qivure tek oborri i hanit ku pas pak mbërritën dhe i morën të afërmit nga Korça… Zisi Sharra atëherë kishte qenë fare i vogël dhe këtë ngjarje e mbante mend si nëpër tym.
Por ai mbante mend kur kishte ardhur në hanin e tyre një oficer francez gjatë Luftës së Parë Botërore. Oficeri i lartë francez quhej Alber Gariku me profesion inxhinier ndërtimi. Sapo ai doli në majën e Qafë Thanës ishte marrosur me atë bukuri siç thoshte vetë ai. Oficeri braktis frontin e luftës dhe vendoset në këtë qytet. Francezi qëndroi disa muaj në hanin e tyre derisa ngriti një shtëpi të bukur dykatëshe buzë gjolit. Më pas tërhoqi të shoqen këtu në këtë qytet dhe lindi katër fëmijë. Pas një viti francezi me dy sy të mbrehtë dhe një mjekër të stilizuar u përshtat shumë mirë me të gjithë qytetarët, solli për herë të parë varkat me motor dhe rrjeta peshkimi. Ai filloi të ndërtojë një plan urbanistik për këtë qytet magjik siç e quante ai që veç në ëndërr është i vërtetë. Planin e quajti “Venecia e Ballkanit”. Francezi më pas filloi ta realizojë këtë plan. Ai ndërtoi dy rrugët paralele, njëra buzë liqenit dhe tjetra paralel me të. Këto rrugë priteshin nga pesë rrugë të tjera, të cilat zbrisnin nga kodrat e qytetit deri në liqen. Inxhinieri francez kishte projektuar dy lumenjtë e qytetit, Lumin e Madh, që ndodhet në hyrje të qytetit dhe lumin tjetër të Vërdovës që ndodhet në dalje të tij të thelloheshin nën nivel që të depërtonin ujërat e liqenit dhe pjesën fundore në rrëze kodrave të lidheshin njëri me tjetrin të dy lumenjtë duke i kthyer të lundrueshëm dhe të kalohej me varka nga hyrja e qytetit në dalje. Spitali i qytetit të ndërtohej te pylli i Gështenjave te vendi i quajtur “Qoshku”.
Francezi kishte piketuar që poshtë rrugës në breg të liqenit të mos kishte asnjë ndërtim, të ishte një park i madh. Ndërkohë që mbi rrugë të ngriheshin ndërtesa shkallë-shkallë duke filluar me rreshtin e parë me vila njëkatëshe rreshti i dytë dykatëshe më pas trekatëshe, katërkatëshe në rreshtin tjetër dhe qyteti të ngrihej shkallë shkallë deri te kodrat e qytetit dhe të dukej si një amfiteatër i madh dhe liqeni të dukej si një skenë e kaltër në çdo cep të qytetit. Ndërkohë që ujërat e zeza të qytetit të merreshin me tubo çeliku dhe të çoheshin në kënetën e Blatës pesë kilometra larg qytetit dhe gjatë kalimit nga një distancë prej dy kilometrash deri te bregu i liqenit nëpër trofën e Blatës ujërat e zeza filtroheshin nëpër trofë dhe dilnin të pastra. Francezi kishte piketuar një teleferik me shina nga maja e kalasë ku kishte projektuar kampingje pushimi dhe zbritja për në breg të liqenit për të bërë plazh të bëhej me teleferik. Brenda 20 vjetësh që qëndroi në këtë qytet francezi realizoi vetëm pak gjëra nga projekti i tij “Qyteti liqenor si Venecia e Ballkanit” dhe i dëshpëruar u largua pas 20 vjetësh duke marrë me vete dashurinë e një qyteti mikpritës që ai nuk do ta harronte kurrë.
Klithja e një zogu nate mbi një pemë poshtë gërmadhave të hanit e shkundi Zisi Sharrën dhe Adin që ishte rrëmbyer i tëri nga rrëfenjat e të atit për hanin e të parëve të tyre nga tërë ky rrëfim i gjatë. Ata u futën të dy në foristradën e Adit dhe u nisën në drejtim të shtëpisë së tyre që ishte në anën tjetër të qytetit. Tani merru ti Adi me projektin dhe ndërtimin e hotelit, – ia priti buzagaz Zisi Sharra të birit. Me ato çfarë të rrëfeva u mbyll kapitull i hanit, tani të mbetet ty të merresh me ndërtimin dhe menaxhimin e hotelit të ri që do të ndërtohet mbi këto themele.