Albspirit

Media/News/Publishing

Baftjar Rusi: KUR FLET DREJTËSIA, POLITIKA DHE PUSHTETI EKZEKUTIV HESHTIN

 

Mora shkas të shkruaj nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dje, që pezulloi procedurën e Dekretimit të Kryeministrit të Kosovës kandiduar nga L.D.K-j, (z. Avdulla Hoti) dhe procedurës së mbledhjes së Kuvendit dhe  dhënies së votëbesimit të kësaj qeverie planifikuar në seancë plenare të jashtëzakonshme.

Duke qenë të interesuar për gjysmën tjetër të trojeve dhe racës së Arberit (Kosovën dhe vëllezërit tanë kosovar), fill pasi prekim plagën e politikës dhe shoqërisë sonë, mendja dhe dora shtrihet në Kosovë, te pjesa tjetër e trupit dhe shpirtit të shqiptarizmës, më pas vështrimi dhe pikasja shkon te pjesa e trojeve dhe racës sonë të shqipes, te Maqedonia e Veriut dhe së fundmi në Mal të Zi, ku faktori shqiptar nuk lëviz balancën politike…

Situata e pandemisë nga COVID 19, që më shumë paniku dhe rreziku i saj, nuk shkon më tej se gripi i zakonshëm (përbën temë tjetër diskutimi), që është  manipulimi më katastrofik e global i shoqërisë së sotme njerëzore, nga politika dhe përfitimi apo interesi i oligarkisë multibilionshe të planetit tonë, pra pandemia dhe mbyllja në “arrest shtëpie”, na bëri më ekzigjentë dhe vigjilentë, si për politikën brenda  vendit tonë dhe për ato të viseve shqiptare të copëtuara nga historia e fatkeqësia jonë si komb dhe si racë…

Kështu jeni në dijeni të zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, mbajtur më 06. 10. 2019, ku parti e parë në rezultate doli “Vetvendosja” e kryesuar nga z. Albin Kurti (26.2%) e pasuar nga LDK-ja me kryetar Isa Mustafa (24.4%)…

Sipas Kushtetutës të Kosovës, ashtu si edhe e jona, njëherazi edhe Kodit Zgjedhor të Kosovës, partia që merr më shumë vota, qoftë dhe një votë më shumë shpallet fituese dhe është përgjegjëse për të ndërtuar, kryesuar dhe udhëhequr qeverinë ose pushtetin ekzekutiv, (marrë dhe transplantuar kjo klishe e së drejtës dhe administrimit zgjedhor nga sistemi anglo-sakson) që quhet në gjuhën juridike qeverisje, verdikt i cili për nga rezultati zgjedhor i takoi Vetvendosjes së kryesuar nga A. Kurti…

Kështu u deshën disa muaj që dy krerët e udhëheqësisë të dy partive të mëdhaja… Kurti dhe Mustafa të bien dakord për postet ministrore dhe ndarjen e karrikeve dhe me shumë vështirësi Albin Kurti duke lëshuar në negociata… ndërtoi qeverinë e re, duke qenë vetë në krye të saj…

Pa bërë akoma dy muaj qeverisje, në kulmin e situatës së epidemisë së Covid 19, si në Kosovë, Shqipëri e gjithë  botën… për një shkelje apo gabim të Ministrit të Brendshëm të Kosovës (pjesë e LDK-së), Kryeministri Kurti shkarkon dhe largon nga detyra këtë ministër (pa i hyrë faktit, bëri mirë apo keq kryeministri), pasi sipas kushtetutës dhe ligjit… kryeministri drejton, organizon dhe menaxhon pushtetin ekzekutiv, emëron dhe shkarkon anëtarët e kabinetit… dhe mban përgjegjësi para të qeverisurve (zgjedhësve) për këtë administrim të pushtetit deri në zgjedhjet e ardhshme…

Pas këtij largimi të ministrit nga kabineti i tij, menjëherë LDK prish marrëveshjen me VV e Kurtit… pa i bërë përshtypje, se vendi ishte zhytur në kushtet e fatkeqësisë natyrore për shkak të Covid 19, ku tërë bota me akt normativ  kishte shpallur gjendjen e jashtzakonshme (gjendje e cila vjen një shkallë më poshtë se gjendja e luftës) dhe në situata të tilla, devijohet rrjedha e zakoshme e legjislacionit të brendshëm (duke dhënë të drejtë të nxjerrë akte normative për administrimin dhe kapërcimin e kësaj gjendje ekzekutivit), pasi  gjithë vëmendja e qeverisë dhe qeverisësve, kthehet dhe investohet tek menaxhimi dhe  miradministrimi i  kësaj situate, madje edhe pushtuesi i huaj, që ka marrë teritore dhe që ka vendos pushtetin nën forcën e armëve, në raste të fatkeqësisë natyrore e ul pushkën në “prehër” si i thonë dhe merret me administrimin e minimizimin  e fatkeqësisë natyrore…

Ndryshe ndodhi në Kosovë (Dardaninë tonë të moçme), në këtë gjendje të jashtzakonshme… Mustafa dhe partia e drejtuar prej tij, prish koalicionin qeverisës, kur më e pakta, ai duhet të propozonte kandidatin tjetër të partisë tij për postin ministror, në ditët e panikut global dhe trishtues të pandemisë, kur gjithë bota u struk dhe tkurr, secili për hesap të vet, sa lanë mënjanë edhe aleatët historikë, si për shembull braktisja e Italisë nga Gjermania etj…

Fill pas tërheqjes nga koalicioni, Mustafa etj… pa lënë jashtë vëmendjes  z. A. Thaçi (ish kryetar i PDK-së, sot President i Kosovës) etj… duke administruar mirë numrat e  votave të deputetëve “kusarë” dhe dallaverexhinj, jashtë vullnetit të Kryetares së Parlamentit, zonjës së nderuar Vjosa Osmani (kandiduar në këtë post nga LDK, madje mos gabohem dhe nënkryetare e LDK-së dhe planifikuar në situatën e garës zgjedhore si kandidate për Kryeministre e Kosovës, po qe se do fitonte LDK-ja).

Kjo zonjë e nderuar, doli kundër vullnetit dhe qëndrimit të partisë saj (LDK), për rrëzimin e qeverisë Kurti, që i dha  shumë vlerë vetes dhe formësimit të saj si politikane vizionare dhe së ardhmes, por tashmë parlamenti i Mustafës, Thaçit dhe kulisave… nënshkroi aktin juridik të  rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe dyshja Mustafa-Thaçi, bij të partive simotra (…LDK…PDK), me këtë rast, përvetësuan dhe verdiktin e sovranit, duke bërë negociata me partitë e vogla, arritën të mandatojnë qeverinë, tashmë nën kryesim të LDK-së dhe nën bekimin e Z. Thaçi si President, duke grabitur vendimin e popullit, kur kjo iniciativë e qeverisjes i takonte atij subjekti politik (Vetvendosjes), që sovrani ia kishte dhënë besimin nëpërmjet votës të 6 Terorit për ta udhëhequr në katër vite ose përndryshe shkohet në zgjedhje jashtë rradhe (të parakohshme), duke iu drejtuar sovranit për zgjedhje dhe  votëbesim…

Shmangia nga negociatat për të ndërtuar qeverinë nga partia fituese e zgjedhjeve (VV), marrja e kësaj nisme nga LDK… dekretimi i kandidatit të saj për kryeministër, dekret që bie ndesh me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor të Kosovës… dhe deri tek thirrja për mbledhjen e  Kuvendit në seancë të jashtëzakonshme, për t’i hapur rrugë votëbesimit dhe dhënies së mandatit për krijimin e kabinetit ministror z. A. Hoti të LDK-së, përbën një procedurë antikushtetuese ose një atentat kundër Rendit Juridik dhe shtetit të së drejtës, kaq shumë të vonuar dhe ëndërruar për ne shqitarët…

Kjo e detyroi partinë fituese të zgjedhjeve parlamentare (VV), të kryesuar nga z. A. Kurti (kryeministri në detyrë sot), t’i drejtohet dhe vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar deklarimin antikushtetues të Dekretit të Presidentit Thaçi, ku dekreton për Kryeministër të Kosovës z. A. Hoti…

Njëherazi, në emergjencë të objektit të kësaj kërkese, ishte dhe marrja e masës së pezullimit të Dekretit të Presidentit që emëron z. Hoti si Kryeministër të Kosovës, si masë e menjëhershme, emergjente dhe domosdoshme, për shkak se sjell pasoja të mëdha dhe të pariparueshme, në se nuk merrej, sidomos në destabilizimin dhe anarshinë e popullit dhe politikës së Kosovës, destabilizim aq shumë të interesuar nga boshti Beograd-Moskë…

Në bindjen time, Gjykata Kushtetuese e Kosovës mori një vendim sa të drejtë, adekuat, po aq dhe historik dhe largpamës, që i preu udhën të keqes, tiranisë, revanshizmit dhe destabilitetit total të Kosovës, pasi në të kundërt, sot Prishtina do kishte në rrugë dhe protesta masive të paralajmëruara nga aktivistet e lëvizjes VV… duke e nxjerrë situatën jashtë kontrollit në këtë gjendje të fatkeqësisë natyrore dhe ku armiqtë historikë dhe  të përbetuar të Kosovës, do kishin investuar miliarda dollarë që fenomeni të ndodhte…

Gjyqtarët konstitucionalë të popullit tonë vëlla… treguan pjekuri dhe prefeksionim të kalibruar, në formimin e së drejtës kushtetuese dhe dhanë një shembull të shkëlqyer politikës së vendit të tyre, nga njëra anë, por edhe një leksion bashkëkohor klasës politike shqiptare, madje dhe drejtësisë sonë, si të gjykatave të nivelit juridiksional (shkallë e parë dhe apel), po ashtu dhe Gj. Lartë që ka nisur veprimtarinë me emërimin e treshes së parë në Mars dhe Gjykatës sonë Kushtetuese që akoma nuk ka korumin  vendimmarrës…

Gjykata Kushtetuese e Kosovës hapi një hulli të re në jurisprudencën kushtetuese, e cila do të shkruhet në doktrinën e së drejtës kushtetuese me gërma të arta, aq më tepër kur politikanët kosovarë, lidershipet apo shtetarë të saj apo më gjerë deri te politikëbërja jonë në Tiranë, shpesh janë hedhur në tavolina politiko-diplomatike, bi dhe multirerale apo konsum mediatik apo më gjerë, teza e regjimit të kufijve, shkëmbim teritoresh etj… për Kosovën dhe trojet shqiptare…

Çfarë nuk na kanë dëgjuar veshët dhe çfarë nuk po na shohin sytë, por famëkeqja histori është e trishtë për ne shqiptarët, pasi koha dhe retrospektiva e vijës sjellëse të historisë sonë të frikshme  ka treguar, se aq sa na kanë coptuar dhe zabtuar të huajt në luftra dhe  ngushtësim trojesh, po aq dhe kemi  tradhtuar dhe lëshuar teritore, duke konsumuar udhëheqësia jonë politike dhe shtetërore, për interesa miskine dhe  të ngushta vetiake apo një grushti vampirësh të babëzitur, që kanë qenë, apo janë kurundrisur në poltrone, duke konsumuar aktin më të lartë të tradhtisë së kombit dhe shtetit të vet, që është lëshimi i teritoreve dhe hapësirës shtetërore kombtare (përbëre nga tre dimensione tokë-ajër-det)…

Po sjell vetëm shembullin e “Shën Naunit”, atë vend mahnitës dhe piktoreks, aty ku Drini i zi rrjedh nga Prespa dhe mbush papushim, që ka krijuar Liqenin e Pogradecit dhe të Ohrit… pa përmend emra se të gjithë e dinë kush e bëri dhe përse e bëri…

Vë theksin, se vendimi kushtetues brilant i Gj.K.Ks, jep një mesazh popullit të Kosovës dhe klasës politike, duke u bërë mbrojtës dhe garantues, jo vetëm i dinjitetit dhe garancive politike, por edhe i ekuilibreve dhe sovranitetit kombëtar dhe shtetëror, bën vlerësimin dhe garantimin e  votës së sovranit dhe  rregullatorin dhe balancën midis respektimit dhe ekuilibrave të pushteteve, para rolit dhe respektit ngadhnjimtar të ligjit konstitucional, që është Kushtetuta e Kosovës, ligji themeltar dhe i shenjtë, ku shkelësit duhet të thyejnë kokën, kushdo qofshin, nga lidera, shtetarë, nëpunës publikë dhe deri tek qytetari i thjeshtë…

Të bën përshtypje fakti se, si negociatori i shkeljes së kushtetutës, duke rrëmbyer pushtetin e popullit, pa patur të drejtën e qeverisjes, dalë nga zgjedhjet e 6 Tetorit 2019, z. I. Mustafa, po ashtu dhe autori dhe nënshkruesi i dekretit antikushtetues të këtij pushteti, Presidenti z. A. Thaçi, pranuan me kokë ulur dhe pa koment, verdiktin e Gj.Kushtetuese, edhe përse veza e thyer u mbeti në dorë…

Mbi të gjitha, kjo tregon emancipim politik të këtyre subjekteve dhe është vlerë e madhe në formimin dhe respektimin qoftë dhe formal të rendit juridik, pasi dihet botërisht dhe historikisht, që vendimet e gjykatave në tërësi, jo më të një gjykate supreme si Kushtetuesja, që ka për mision dhe detyrë, të bëj intepretimin përfundimtar, të pajtuëshmërisë së ligjit dhe politikës me kushtetutën dhe këto vendime janë të detyrueshme për zbatim dhe nuk vihen në diskutim, as nga politika, shteti, administrata publike dhe institucionet e saj…

Një postulat i së drejtës romake thotë “Res-judicata pro veritate habetur” e thënë në shqip-vendimi i gjyqit është i vërtetë… që e bën vendimin gjyqësor të formës së prerë kategorik, absolut dhe të padiskutueshëm për zbatim, që ka forcën dhe efektet e ligjit…

Ndaj vendimet gjyqësore në gjithë botën, shpallen apo jepen në emër të popullit apo shtetit, madje për kortezi, edhe rendet dhe regjimet më totalitare të njerëzimit, që nga sulltanët, princa apo mbretër dhe ato që shtetin dhe ligjin e përqëndronin në një dorë, respektonin  vendimet gjyqësore…

Para 200 vjetëve, në Dhomën e Lordëve të Britanisë, në një çështje shumë të bujshme të një personazhi të madh të botës së krimit, në çështjen e “Tomsenit”… ngrihet si problem i madh lirimi i tij nga Gjykata e Lartë… Lordi kancelar që drejtonte parlamentin anglez, deklaron qëndrimin e tij të prerë, që shndërrohet në epitaf: “Sentenca (vendimi) i gjyqit nuk mund të bisedohet në parlament dhe gjykatësit nuk mund t’i akuzojmë për shkelje të ligjit, pse vetëm ato mund të thonë ç’është ligji”.

Po te ne, çfarë ndodh, si është drejtësia shqiptare, e preka më lart, duke thënë se vendimi Gj.K.Ks është leksion dhe për sistemin tonë të drejtësisë dhe për klasën tonë politike, sepse tek ne, sistemi ka çaluar ndjeshëm para reformës radikale të Vetingut, por me fillimin e zbatimit të  reformës, pritshmëria  doli nën rezus, pasi po ngelen në sistem ca që kurrë nuk kanë ditë të japin drejtësi dhe kanë ikur një pjesë, që vërtet bënin apo jepnin drejtësi në kufij të mjaftueshmërisë…

Ne avokatët si subjekte të drejtësisë, në institutin e mbrojtjes, shohim dhe konstatojmë me dhimbje këtë katandisje të sistemit të së drejtës, i pafajshmi fukara në burg, zengjini kriminel jashtë, pronari legjitim dhe autektik i çveshur nga e drejta dhe prona e vet me vendim gjykate, i paudhi dhe delenxhiu që ka hedhur paranë gëzon dhe disponon pronën, i korruptuari politikan grabitçar jashtë dhe majmur si shushunja me lekët e taksapaguesve dhe popullit më të varfër në Europë dhe ky soj politikani thotë “kapni gjyqtarët dhe prokurorët se janë të korruptuar dhe për burg…”.

Ne shtrojmë dhe mbrojmë çështjen në gjykata dhe kërkojmë drejtësi për klientin, në emër të ligjit, fakteve dhe provave, gjyqtari thotë “…ose kam frikë nga politika të jap drejtesi” ose ta peshon kandarin në të rëndë për nga xhixhat dhe të lënë pa fjalë…

Shkojmë më tej, ne jemi në paralizë dhe emergjencë kombëtare, pasi bëmë rreth tre vjet pa Gjykat Kusht. dhe Gj.të Lartë….

Si do ta pritnim vendimin e këtij lloji politikanët e klasës sonë… njeri hurin në dorë, tjetri gurin duke gjuajtur nga institucioni i pavarur dhe kushtetues…

O zot i madh dhe i vërtetë, që të gjithë betohemi dhe stërbetohemi në emrin tënd, kur do të vijë ajo ditë për ne, që drejtësia të bëjë dhe japë drejtësi me ligj, procedurë rigoroze, mbi bazë prove dhe faktesh, ligjin ta lexojnë dhe intepretojnë njëlloj për të gjithë, pra drejtësia të përmbush misionin  e saj fisnik dhe dinjitoz, politikanëve t’u heqësh babëzitjen, etjen dhe pangopësinë për para dhe pushtet, që politika, dinjiteti i njeriut, drejtësia sociale dhe shoqërore  t’i kthehen kësaj race kaq të bukur, vitale dhe të mençur, që të mos vuaj si deri më sot…

O perëndi na fut në rrugë të drejtë dhe me dritë, që politikani i ndershëm, i ditur dhe i drejtë të marrë përgjegjësi dhe pushtet, të respektojë popullin e vet, të njohë dhe zbatojë verdiktin e gjykatës, që drejtësia të jetë e pavarur, konsekuente dhe misionare e vërtet, për të bërë dhe dhënë drejtësi…

Qoftë e afërt ajo ditë, që politikani të bëj polikë të drejtë dhe të ndershme, të marrë përgjegjësi dhe të  japë llogari para sovranit, që zgjedhjet të jenë të lira, të barabarta dhe të ndershme, pa shitblerje dhe korrupsion elektoral, që i vobekti të ketë terren dhe mbrojtje  sociale nga shteti etj… mund të numërojmë pa fund dhe kjo do të  ndodhë vetëm atëhere kur do të kemi një sistem të pranueshëm të drejtësisë, duke hequr të kalburit dhe të majmurit nga sistemi dhe duke ulur në poltron modelin e njeriut të ri të drejtësisë, profesionist, me vlera morale dhe qytetare, progresive dhe dinjitoze, që për Bibël dhe Kuran ka kushtetutën dhe ligjin dhe drejtësinë sociale e humane si karakter dhe leitmotiv të tyre…

Kjo do të ndodhë atëhere dhe vetëm atëhere, kur drejtësia do flasë nëpërmjet verdiktit të saj dhe politika dhe pushteti ekzekutiv do ulin kokën, nën respekt dhe zbatim të sentencës gjyqësore…

Please follow and like us: