Albspirit

Media/News/Publishing

Edmond Kaceli, Itali: Unë e kam fotografuar…

Qyqja (Cuculus Canorus) credit by Amal Mavriqi.

Kur dëgjon këtë shprehje, dhe sheh një fotografi të një shpendi si Qyqja, të fotografuar me mjeshtëri të rrallë, thua me vete: Ky fotografi Amal Mavriqi do të jetë ndonjë profesionist, i kahershëm, shumë i Zoti!

I hyn kërkimeve për të gjetë disa njohuri më të mëdha për autorin dhe eksperiencën e tij personale, për të mësuar diçka më shumë mbi teknikat e vështira të fotografimit të jetës së egër… Kërkon… Dhe përballesh me një të papritur tepër të këndshme:

Ai mjeshtri i fotografisë që sapo shikove, është vetëm një vogëlush 7 vjeç!

Quhet Amal Mavriqi, nga Kamenica e Kosovës. E thërrasin edhe Zemra e Vogël e organizatës Albanian Wildlife Photographers, me qendër në Kosovë!

Kur e shikon me aparat në dorë dhe objektivin tele, që për tani, është diku në të njëjtën gjatësi trupore me Amalin, nuk ta mbush syun!

Por kur dëgjon breshërinë e shkrepjeve të aparatit të vogëlushit, dhe sheh fotografitë që nxjerr ky shpirt i vogël, atëherë ndryshon detyrimisht mendim!

Amali, 7 vjeçar, është djali i vogël i fotografit të rrallë shqiptar, mjeshtrit, Arian Mavriqi!

Djali tjetër Kejsani, është diç më i madh, 11 vjeç.

Edhe ai ka të  njëjtin pasion e talent të jashtëzakonshëm. Talent, që vetëm në raste të rralla si ky, e shohim të trashëgohet nga babai tek fëmijët!

Ata thonë se pasioni i babait është frymëzimi i tyre në përkushtimin ndaj botës së egër dhe fotografimit të sajë.

Marrja me fotografinë e natyrës, vetëm iu ka rritë dëshirën për të mësuar. Në fakt në shkollën ku studiojnë janë ndër më të mirët e shkollës, e me rezultate të shkëlqyera në të gjitha lëndët.

Ajo çka të surprizon dhe të habitë, është jo vetëm talenti dhe teknikat profesionale të fotografimit por edhe njohuritë e rralla që kanë këta dy djem fotografë, kundrejt faunës së trojeve shqipfolëse.

Shpesh në orët e mbrëmjes Amali dhe Kejsan  ulen bashkë më babën e tyre Arianin dhe diskutojnë njohuritë e tyre për botën e kafshëve dhe shpendëve, habitatin ku jetojnë, periudhat e shfaqjes se tyre.

Kejsani thotë se kur kthehen në shtëpi pas çdo daljejet në natyrë, ulen pranë kompiuterit për të thelluar dijet e tyre rreth asaj që panë dhe fotografuan.

Ai ndërkohë iu bën thirrje edhe moshatarëve të vet të zhvillojnë pasionin për natyrën dhe ti përkushtohen këtij hobi që të jep kënaqësi të jashtëzakonshme.

Pupeza (Upupa Epops) credit by Kejsan Mavriqi

Vëllezërit Mavriqi me talentin e përkushtimin e tyre kanë fituar respektin, e zemrën e grupit Wildlife -Albanian Photographers, grup që aktualisht mbledh mbi 14 mijë anëtarë në rrjetin social Facebook. Ata janë dy anëtarët në moshën më të re në këtë grup dhe në organizatën me të njëjtin emër që mbledh anëtarësi fotografësh shqiptarë të natyrës së egër nga e gjithë bota, e në mënyrë specifike antarësi nga trojet shqiptare të Kosovës, Malit të Zi, Shqipërisë, e Maqedonisë së Veriut.

Please follow and like us: