Albspirit

Media/News/Publishing

GJAKU I POLICISË ËSHTË GJAK I SHTETIT

 

Me rastin e 5 Majit, ditës së dëshmorëve, ku mes mijëra dëshmorësh të Shqipërisë përkujtohen edhe dëshmorët e Policisë së Shtetit shqiptar

Zaho Golemi | ILLYRIA

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Mirënjohja e përbotshme ndaj dëshmorëve!

Historiani francez Filip de Komini, e krahason një betejë shqiptare me një “fushë të mbuluar me lulëkuqe”. Ndërsa francezi flet për imazh historik të mbijetesës me orientim nga liria, të betejave shqiptare nëpër shekuj, duke ardhur deri tek “britmat e çlirimit”, heroizmin e shqiptarëve në shekuj, për atë që ishte deviza e shekujve: “pushka të mos pushojë deri sa të ketë liri…”.

Shqiptarët e shkruan historinë përmes gjakut në beteja dhe mbritën në nëntorin e 1912-tës mbijetues dhe të sfilitur nga pushtimet. Shteti në mbi një shekull ekzistencë pati  sërish të rënë në dy luftra botërore dhe luftrat ballkanike, por pati edhe shumë gjak të derdhur në paqe, në mbrojtje të jetës, rendit e zhvillimit. Shqiptarët kanë një datë të shenjtëruar për të rënët, heronjtë e dëshmorët janë vetë historia e shtetit, historia e kombit shqiptar. Edhe kombet më të zhvilluar të erës së re të qytetërimit kanë nderimin më të madh për të rënët.

Kështu Francezët janë të vëmëndshëm që varrëzat e ushtarëve të saj  të rënë në LIB në tokën tonë dimër e behar ngjajnë si kopësht me trëndafila, britanikët kanë bijtë në parkun e madh të Tiranës, të rënë si aleatë kundër fashizmit, gjermanët si pushtues në shenjë nderimi kanë ngritur memoriale që respektojnë bijtë e kombit gjerman. Për Luftën e Çanakalasë ose beteja e Gallipolit janë shtatë komplekse varrezash për bijtë e popujve anglezë, francezë, austrohungarezë, gjermanë, neozelandezë, australianë, turq e shqiptarë…, që ranë nga e gjithë bota. Amerikanët nga 25 deri 31 maj çdo vit nderojnë dëshmorët në “Javën e dëshmorëve”, me angazhim maksimal nga të gjitha shtresat e popullsisë si nderim përjetësie për bijtë e rënë në gjithë botën. Dëshmorët janë ata që u flasin të gjallëve, sepse idealet e tyre janë gdhendur në lapidarë e memorialë. Për betejën në grykën e Termopileve 2500 vjet më parë ka një memorial me mbishkrimin: “O udhëtar që kalon pranë, shko lajmëro laçedemonasit se për lavdinë e Spartës kemi rënë këtu të vdekur, të bindur ndaj ligjeve të shtetit”. Ndërsa në varrezat e dëshmorëve të italisë është shkruar ky epitaf: “O të gjallë, që vizitoni këto varreza: nëse nga ju nuk zgjatet e nuk rritet lavdia e atdheut, ne kot paskemi vdekur. Në Çarnakala, ku më 1915, tre vjet pas pavarësisë shqiptare  ranë mëse 25 mijë shehitë nga rreth 35 mijë luftëtarë shqiptarë, ka një pllakë mermeri ku shkruhet një thënie e hazretit Mehamed: “Dëshmorët nga zoti kërkojnë: “Na kthe edhe një herë o Zot, në këtë botë, që të bëhemi përsëri dëshmorë për vendin tonë…”.

Prandaj dëshmorët janë dëshmi e përjetësisë së kombeve, kudo ku ata kanë rënë. Sot këto varreza-memoriale të kombeve janë vend peligrinazhi me turistë nga e gjithë bota. Lavdia dhe nderimi për kombet është matur historikisht me gjakun e derdhur në beteja. Vetëm në dy shekujt e fundit shqiptarët në beteja brenda Shqipërisë londineze dhe jashtë saj në Kosovë, Luginën e Vardarit, Tivar, Ulqin, Plavë, Guci, Çamëri, kanë derdhur gjakun mbi 60 mijë shqiptarë; ndërsa në luftën e fundit të UÇK-së më 1998-1999, derdhën gjakun 2000 dëshmorë (sipas 16 vëllimeve “Feniksët e Lirisë”).

Në qindra beteja të shqiptarëve nëpër shekuj, që sot quhen “betejat shekullore të shqiptarëve”, përllogariten në mijëra të rënë, prandaj zëri i dëshmorëve të atdheut është zë perëndie dhe gjaku i tyre është i shenjtëruar. Gjaku i derdhur është vlaga e tokës, sepse çdo grusht i kësaj toke pikon e rrjedh gjak nga plagët e dëshmorëve të kombit. Ismet Toto më 1937 shkruante nga burgu: “I vdekur mund të jesh më i madh dhe më i fuqishëm se i gjallë. Më tepër na udhëheqin të vdekurit dëshmorë se të gjallët”. Janë me mijëra ata që ju kanë dedikuar shkrime dëshmorëve këtyre apostuj të tokës dhe të qiellit, sepse dëshmorët flasin me zërin e kombit,  me vepër, me trimëri, me mençuri, me vetmohim, me besë e shpresë, me nder e krenari, me fisnikërinë e shenjtorëve që dhurojnë më të shtrenjtën në jetë gjakun e tyre. Dëshmorët janë e vërteta e padiskutueshme historike e çdo kombi dhe kombet dinë t’i nderojnë të rënët.

 

Për të pavdekshmit, që gjakun e derdhën për shtetin

Në Shqipëri dëshmorët janë shtrirë në 34 varreza dëshmorësh. Ata erdhën në jetë në një tokë të përgjakur nga betejat dhe prehen të gjithë bashkë. Janë dëshmorët e të gjitha epokave. 5 maji është ditë gëzimi dhe mallëngjimi, ditë emocioni dhe që natyrshëm pikon loti, ditë kujtimesh për njerëzit e pavdekshëm, ditë e alternativës: “ja liri ja vdekje”. Për dëshmorët që nuk ranë në luftë por në paqe, për dëshmorët që gjakun e derdhën për të mbrojtur jetën në përleshje me kriminelët, në roje të rendit dhe sigurisë së jetës së komunitetit, nderimi është i thellë, i shprehur me mirënjohje nga i madh e i vogël i këtij vendi sepse ata ishin në pjesë e armatës policore shqiptare, që lufton përditë për një mision e detyrë të madhe ndaj shoqërisë, për ata që gjakun e derdhën në emër të shtetit dhe për shtetin.

Prandaj gjaku i Policisë së Shtetit është vetë gjaku i shtetit. Nderimi, respekti, mirënjohja, homazhet janë kaq të natyrshme dhe të domosdoshme jo vetëm në ditën simbol të dëshmorëve më 5 maj. Sot në këtë ditë nderohen ata bij e bija që gjakun e derdhen në betejë në luftën e madhe Nacionalçlirimtare, por sot nderohen të gjitha ata djem e vajza që gjakun e derdhën në kufirin shqiptar, në mbrojtje të hapësirës tokësore, detare dhe kaltërsive ajrore shqiptare, në mbrojtje të reparteve ushtarake më 1997, në mbrojtje të jetës qytetare në çdo skaj të Shqipërisë, për uniformat blu të papërtuara dhe trimërore që ndeshën përditë me krimin, trafikanët, hajdutët, të pabesët, çibanët e kësaj shoqërie, me egërsira të kohës sonë që për fat të keq kanë qenë gjithmonë si rrezik për komunitetin, shoqërinë, shtetin. Janë uniformat blu që janë ndeshur me dorën e zezë kriminale, që e diskretitojnë shtetin dhe emrin “shqiptar” me krimet e tyre brenda dhe sidomos jashtë vendit, duke i vendosur njollë jo të vogël Shqipërisë dhe shqiptarisë.

Sot nderohen heronjtë e kohës sonë ata që derdhën gjakun në çdo front të sigurisë kombëtare, për të merituar pavdekësinë, aq sa poeti më të drejtë u këndonte: “…të pavdekur janë gjithë ata luanë,/ që për hir të kombit u grinë dhe u vranë..”. Dëshmorët e uniformave blu kanë rënë në çdo skaj të atdheut. Punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ushtarakëve të Ministrisë së Brendshme të shpallur dhe njohur statusin “Dëshmor i Atdheut” nga Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, janë të evidentuar dhe nderimi është i përvitshëm. Pavarësisht ristrukturimeve shtetërore polici i zjarrfikëseve që ishte tek MPB dhe kaloi tek pushteti vendor, polici i burgjeve që ka kaluar tek Ministria e Drejtësisë, Kufitari që ka qenë nga strukturat e Mbrojtjes dhe ka kaluar në strukturat e MPB-së, punonjës i Gardës së Republikës, dëshmori ngelet i popullit, i atdheut, i kombit dhe nderimi është i përbashkët në një ditë të tillë simbolike sikurse është edhe dita e 5 majit. Në çdo apel e rreshtim, në çdo detyrë e mision ata janë të gjithë bashkë me ne, gjithmonë vitalë e të palëkundur në ideale, në formacionet e Policisë së Shtetit, në vijën e parë të përballjes me krimin, janë frymëzim për trimëri e guxim të policisë në nderim të shtetit të së drejtës dhe lartësim të shqiptarizmës.

Dëshmorët këta bij e bija emërndritur të kombit shqiptar janë gjithmonë bashkë, nën një sigël, nën një emër: “Dëshmor i Atdheut”, me vendin gjithmonë të rezervuar në piedestalin dhe panteonin e burrave që i bëjnë nder kombit. Ata janë pjesë e përhershme e popullit që nuk mungojnë kurrë në çdo ditë në çdo apel, sepse gjaku i tyre është gjaku i shtetit në themel të ardhmërisë shqiptare. Prandaj çdo mendje e turullosur dhe e paorintuar drejt në këtë botë e ka për detyrë të shkojë në kodrën e nderit për t’u kthjelluar dhe mësuar se Shqipëria u ngrit me gjak dhe në themel të saj ka gjak të pastër dëshmorësh.

 

Apeli i dëshmorëve të policisë që jetojnë në përjetësi…

Burrat dhe gratë e uniformave blu që i bëjnë nder Shqipërisë me gjakun e tyre janë të pranishëm në çdo apel, në rreshtat e Policisë së Shtetit, në përballje me krimin në shërbim të jetës dhe sigurisë qytetare. Në çdo apek që kombi qën për dëshmorët kudo ku kanë rëna ata, nga zemra e tokës shpërthen zëri-oshëtimë e valëve të flamurit kombëtar me këngën simbol, “Rreth famurit të përbashkuar”.

Ata janë gati në çdo apel dhe ne po i rishkruajmë emër për emër, sepse ata me gjakun e tyre e kanë shkruar emrin e tyre njësh me emrin e dëshmorit të atdheut, me emrat që jetojnë në përjetësi dhe u përcillen brezave si amanet i jetëgjatësisë së kombit. Ata nuk janë vetëm emra por mbi të gjitha amanete: Abaz Balil Pasho, Abdyl Nuro Halaj; Adem Haxhi Tahiraj, Adrian Novruz Halimi, Avdyl Shyt Halilaj, Agron Mustafa Elezi, Agron Hodo Gjyrezi, Aleksandër Pal Filipaj, Ali Ramiz Shika, Ali Ibrahim Osmanaj, Alket Viron Muçaj, Allaman Nuh Dervishi (V.40, dt 16.11.2004), Altin Lazër Balozi, Altin Petrit Dauti, Altin Todi Mino, Altin Idriz Dizdari, Altin Selfo Mançellari, Andre Hasim Kanani, Aranit Zymer Toskaj, Arben Asllan Keqi, Arben Nikoll Ujka, Arben Gani Zhuzhi, Arben Llesh Lasku, Arben Shuaip Zyliftari, Ardian Halil Kodra, Arjan Pasho Shemun, Arshi Petref Bregasi, Artan Perik Doko, Artan Sulejman Cuku, Artur Bardhosh Resulaj, Asllan Sulo Selamaj, Astrit Skënder Hyka, Astrit Bashkim Rama, Azem Ali Meshi, Bajram Hysen Poshnjari, Bajram Sejdi Hoxhaj, Bajram Qazim Zaimaj, Baki Rakip Çela, Bardhok Bibë Marku, Bardhok Pashk Rica, Bardhyl Shefqet Kumbria, Bashkim Feim Tahiraj, Bashkim Bajram Mella, Bashkim Shefqet Gjoni, Bashkim Rrapo Bitaj, Baftjar Qemal Grëmshi, Baxhul Duro Nora, Baurend Xhovan Doga, Benedik Frok Brahja, Besim Xhemal Çera, Besim Zano Manoli, Besnik Haki Hidri, Besnik Muharrem Syla, Bektash Zenel Zhiva, Bujar Xhemal Hekuri, Bujar Xhevdet Kaloshi, Bujar Selim Peqini, Cel Shpend Rrustemaj, Cuf Oso Beqiri, Çelik Mehmet Taushllari, Demir Jakup Nazëraj, Demush Hajdar Hebaj, Ded Ndue Ndoja, Drini Mehmet Hoxhalli, Dritan Shema Lamaj, Driton Shefik Kambo, Edmond Marko Meçka, Elham Sulejman Elezaj, Enver Fuat Brahimi, Estref Myslim Bitro, Edmond Zenel Çuka, Fadil Novruz Adushaj, Fatmir Zejnulla Latifi, Fatmir Sali Shehu, Fatos Hair Xhani, Ferik Dalip Reçi, Flamur Besnik Popa, Fran Ndue Kaçorri, Fran Pal Piroli, Fran Bardhosh Lleshi, Fran Vesel Murrizi, Fruk Prenush Pacani, Fuat   Abas Shega, Gani Jaçe Malushi, Gëzim Musa Bushaj, Gëzim Qani Oshafi, Gjelosh Dedë Kola, Gjergj Thoma Palloj, Gjergj Hekuran Mehmeti, Gjon Gjergj Pacuku, Gjovalin Prend Mustafaj, Hajrulla Ali Aliu, Halit Ibrahim Haxhia, Hekuran Hajdar Kastrioti, Hilë Kolë Kola, Hysen Ismail Mella, Hysni Mehmet Kobila, Ibrahim Osman Basha, Ilia Islam Banaj, Ilir Thoma Ngresi, Ilir Isa Dashi, Ilir Ali Gjyrdedi, Ilirjan Bashkim Kalemi, Ilmi Isa Lilo, Ismail Arif Zika, Ismet Ukë Laçi, Jonuz Ram Hyka, Kastriot Çlirim Feska, Kastriot Ndue Çoku, Kastriot Fran Bruka, Kastriot Hajri Çiçi, Klenti Nini Bano, Kol Ndrec Froku, Krenar Islam Bako, Kristaq Kozma Mone, Kristaq Vasil Bregu, Lazër Kolë Thaçina, Lazër Zef Sokoli, Leka Fran Qokaj, Leonidha Hysen Begaj, Llambri Naun Bardhi, Llesh Gjok Koka, Llesh Preng Marku, Luan Ismail Haxhiaj, Lulëzim Izet Sadikaj, Lulëzim Ramadan Fikuri, Lumën Tajar Hasanbelli, Maliq Xhafer Miraka, Mark Pjetër Gjoka, Mark Ndue Nikolli, Mato Beqir Spiraj (Beqiraj), Medi Ismail Vatoci, Myftar Halit Krrashi, Miltiadh Jorgji Koço, Musa Bajram Skura, Musë Imer Dunisha, Mufit Bajram Hasaj, Muharrem Sabri Veizi, Murat Lutfi Merja, Namik Sabri Muçaj, Namik Ismail Osmënaj, Naim Xheladin Gjoni, Nazmi Idriz Kopshti, Nazri Gani Avdija, Gjokë Nik Gjoklaj, Nikoll Hilë Caka, Nikoll Ndue Lleshi, Nikollë Lazër Gjoka, Nikit Foto Andoni, Nuhi Bislim Voka, Nuri Hasim Kërcanaj, Nuri Qazim Muçolli, Nuri Mustafa Luçi, Oltion Flamur Sulovari, Pajtim Shaban Alistafa, Pal Lazër Mëhillaj, Pelivan Refit Derzhuni, Përparim Hakik Çanaku, Përparim Zaim Mullaj, Petrit Ndoc Ndoj, Petrit Rustem Lata, Petrit Mëhill Gugaj, Petrit Mhill Doçaj, Preng Bib Bushpepaj, Qako Mina Ballabani, Qazim Vesel Duka, Qazim Sahit Hyseni, Qazim Shqair Spahiu, Qemal Asllan Dida, Qemal Tahir Mehmeti, Qemal Bilal Koni, Qamil Rakip Ceka, Ramadan Sadik Hila, Ramadan Arif Zeka, Ramadan Adem Kopaçi, Ramadan Taip Rapollari, Ramazan Muhamet Metaj, Rrapo Islam Serani, Remzi Mingo Hasanaj, Remzi Smajl Hoxha, Remzi Arif Briçi, Rifat Shefik Iskurti, Roland Zaim Likaj, Rrustem Ali Goçi, Rufan Shaqir Hakrama, Rushan Hekuran Çuçllari, Rushan Luto Toska, Rustem Bajram Braha (Bajrami), Sabaudin Bajram Isufaj, Sabit Xhevair Caka, Sabri Xhevar Rustemi, Sabri Hamit Nelaj, Sadik Hasan Ruka, Saimir Islam Duçkollari, Sali Xhevair Shehu, Sali Rustem Sufaj, Sali Feriz Martinaj, Seladin Adem Lici, Selami Gani Memia, Selim Brahim Halili, Selman Hajredin Lena, Shaban Selim Hotaj, Shaban Sali Hoxha, Shaban Bajram Nure, Shaqir Dilaver Dedej, Shaqir Vath Lleja, Shaqir Adem Hoxha, Shezai Jashar Zanaj, Shkëlqim Muharrem Kuçi, Shkëlzen Destan Dobrushi, Shyqyri Muharrem  Dervishi, Selim Qazim Meta, Sihat Shahin Shehu, Simon Gjon Gjeta, Skënder Qemal Xhixho, Sokol Rauf Agaçi, Spiro Toli Toshi, Stavri Kristo Capo, Tasim Binjak Binjakaj, Valmir Halil Rama, Vangjel Rafail Papailija, Vangjel Kiço Çondi, Veledin Kadri Pashaj, Vladimir Ali Ismajluka, Vladimir Mersin Çala, Veli Arif Toska, Virjon Lutfi Ropaj, Vasil Josif Ziu, Xhelo Dulo Kananaj, Ylvi Abedin Brengasi, Ymer Idriz Kopshti, Zaçe Qerim Biraçaj, Zenel Kadri Çoba, Zef Preng Gjaci, Zef Nikoll Nikolli (Marku), Zylfi Qazim Sulmataj etj.

Dëshmorët e Atdheut kanë qenë, janë dhe do të mbeten nderi dhe krenaria e kombit. Kudo ku kanë rënë dëshmorët e policisë ata gjenden tashmë bashkë me dëshmorët e tjerë, bashkë me ata trima e trimëresha që jetën e falën në betejat e luftrave të shqiptarëve për liri e pavarësi dhe për çlirim kombëtar. Bashkë me këta djem e vajza që ishin ajaka e trimërisë shqiptare në shekuj janë edhe gjaku i derdhur në paqe dhe për paqen, gjaku i derdhur në emër të mbrojtjes së jetës, gjaku i Policisë së Shtetit, gjaku i dëshmorëve të saj. Janë 266 dëshmorë të Policisë së shtetit, ndërkohë që të rënë në krye të detyrës pas vitit 1990 e deri më sot janë 224 efektivë të policisë. Në kufirin e shqiptarizmës, në shtetin e ri të Kosovës ose në Shqipërinë e matanë Drinit, në dy dekada të shtetit kosovar janë 21 policë që ka humbur jetën në krye të detyrës,  ndërkohë që rasti i parë i vrasjes së një zyrtari policor, ishte në shtator 2001.

Të trupëzuar njësh me kodrën monumentale të dëshmorëve me “Nënë Shqipëri”

Punonjësi i policisë është mishërim i vullnetshëm i moralitetit të shtetit, i kodifikuar në sistemin e legjislativ, i çimentuar me krijesat e përjetësisë. Polici është zbatuesi praktik i ligjit dhe siguruesi i rendit dhe sigurisë publike si dhe reflekton vlerat e një kombi të tërë me profesionalizëm. Dora kriminale në vendin tonë ka guxuar të godasë pabesisht kundër uniformave blu të shtetit, që është goditje e drejtpërdrejtë kundër vetë shtetit. Prandaj çdo dorë kriminale goditëse nuk ka rrugë tjetër përveç ndëshkimit ligjor, institucional, por edhe reagimin më të ashpër shoqëror. Ata që i bien në qafë ligjit, duhet të përballen me ligjin në kufijtë më ekstremë të tij. E drejta e dëshmorëve që derdhën gjakun për shtetin nuk ka çmim dhe hakun e tyre detyrimisht duhet ta marrë vetëm shteti me profesionalizmin e tij. Është dita e dëshmorëve, edhe e dëshmorëve të policisë së shtetit.

Gjaku i policisë i derdhur në vitet e ngritjes dhe konsolidimit të shtetit  është gjaku i vetë shtetit. Në emër të jetës dhe për jetët e qytetarëve është derdhur gjak veçanërisht në këto tre dekadat e fundit. Por policia me misionin dhe funksionin e saj është siguria e përhershme e qytetarit në të gjitha kushtet e rrethanat, është arma pa kompromis e shtetit për jetën e publikut. Ajo është e para në çdo të keqe e hall qytetar, përballë kriminelit dhe organizatave vrasëse kriminale, në mot të mirë e të keq, kur ka fatkeqësi natyrale dhe epidemi e pandemi. Policia është mburoja e përhershme e jetës, prandaj edhe e ka paguar me jetë, me gjak kryerjen e misionit të saj. “Dëshmorët e policisë”, janë heronjtë e përhershëm të policisë, janë frymëzim i brezave për mbrojtjen e sigurisë komunitare, për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe për gjithcka për qytetarët.

Të kujtosh, të nderosh, të përulesh, të respektosh në mënyrë të sinqertë memorialet e atyre që sakrifikuan gjënë më sublime për t’i shërbyer ligjit dhe komunitetit, në përpjekje për të përmbushur detyrën primare të Policisë, garantimin e jetës së qytetarëve, është vlerë mbi vlerat dhe krenari për të gjithë shoqërinë në çdo skaj të vendit. Policia e shtetit shqiptar është organizata që e ka paguar më shtrenjtë se çdo lloj segmenti të shtetit përballjen me krimin, përpjekjen për të vendosur rendin dhe sigurinë, sakrificën për të mbrojtur jetën me jetë, me sakrificën që nuk njeh kufi.

Përkujtimi i ditës së dëshmorëve të policisë nuk është një ditë rutinë për të bërë detyrën, për të çuar në varrezat e dëshmorëve tufa me lule e kurora dhe as për të mbajtur fjalime, por kujtesë për misionin policor, një ditë e veçantë krenarie, obligimi, detyrimi e reflektimi. Vetë vepra e dëshmorëve të policisë është sa mijëra fjalë. Sot është ditë e dhimbjes së përbashkët sepse na mungojnë kolegë nga më të shtrenjtit, më trimat dhe më guximtarët, na mungojnë ata që jetën e bënë njësh me detyrën me atdheun me kombin. Akti sublim dhe sakrificat plot ndërgjegje i punonjësve të policisë së shtetit nuk kanë çmim e krahasim, prandaj meritojnë pavdekësinë. Dëshmorët janë në çdo kohë nderi i kombit që me shpirtin energjik, veprimin trimëror kanë lartësuar nderin e policisë duke ofruar krenari sublime në dekada. Ata vepruan në çdo situatë si bij të devotshëm të shtetit.

Sot është ditë kujtese sepse rendi dhe siguria, jeta e qytetarit kanë qenë ndërgjegjia policore e rënë në krye të detyrës dhe për shkak të detyrës. Dëshmorët ishin shtetarët e qelibartë, që e deshën rregullin dhe zbatuan ligjin, u ndeshën në rrethanat nga më të jashtëzakonshme me të keqen dhe krimin, pa marrë parasysh pasojat, bile as familjet dhe fëmijët. Aktet sublime që janë të shumta në një shoqëri që duhet të reflektojë si vlerësim për policinë, për nderin krenarinë dhe dinjitetin e saj dhe për më tepër ky reflektim nuk duhet të jetë vetëm në një ditë të vitit për në mënyrë të vijueshme. Elementët bazalë të policimit ngrihen mbi sakrifica të panumërta të përkushtimit në detyrë, vlera frymëzuese dhe motivuese për vijimësinë e përmbushjes së misionit sakrifikues.

Dëshmorët e Policisë së Shtetit do jetonë në përjetësi, sepse ata nuk i kujton vetëm familjarët dhe strukturat e Policisë së Shtetit, por mbarë populli e shoqërisë, sepse misioni i gjakut të derdhur në përballje me krimin do të mbetet përherë i shenjtë: “Siguria njerëzore e çdo shqiptari”. Vlerësimi i punonjësve të policisë me ngritje memorialësh për dëshmorët e Policisë, me përkrahje për familjarët, me angazhim nga ana e Policisë, për t’i mbajtur pranë organizatës së policisë gjithë familjet e të rënëve të policisë është obligim dhe ndnjenjë kulture e qytetarie, është respektim për gjakun e shtetit. Këtu është me vend që emrat e dëshmorëve të policisë mund e duhet të përjetësohen në rrugë, plaka përkujtimore, në libra e gazeta, në botime që të bëhen përkujtime të denja për shtetarët më të mirë e më të zgjedhur që në rastet më të jashtëzakonshme e më komplekse nuk i kurseu as dora kriminale në vite. Policia është dëshmia më e gjallë e papërkulshmërisë së shtetit me gjithë dëshmorët e saj. Djemtë më të mirë të saj nuk u përkulën, por i dolën ballazi plumbave e krimit. Ata ishin dhe mbetën yje të pashuar dhe të shndritshëm në krenarinë dhe shpresën e kombit për të ardhmen më të mirë të shqiptarëve.

Dëshmorët e policisë valviten përditë në valët e flamurit tonë kombëtar, sepse dëshmorët janë vetë flatrat e flamurit kombëtar shqiptar që në fakt ka ngjyrën e gjakut të dëshmorëve. Kujtesa për dëshmorët gjithmonë ka qenë dhe është e pamjaftueshme dhe kur ata janë të vendosur plot dinjitet në panteonin e burrave të kombit atje ku prehet lavdia e krenaria e çdo kombi. Dëshmorët e policisë sikurse gjithë dëshmorët e tjerë të atdheut janë trupëzuar njësh me kodrën monumentale të dëshmorëve me “Nënë Shqipëri”, me këtë emër sinjifikative që përfaqëson gjakun e dëshmorëve në shekuj, gjak që është në themelet e shtetit dhe lirisë së shqiptarëve, si dhe është kthyer në gur themeli i skalitur thellë në kurorën e kutesës kombëtare.

 

Mirënjohja – vlerë e popujve të civilizuar që e duan lirinë

Dëshmorët edhe pse mungojnë fizikisht qëndrojnë të gjallë të përhershëm në elitën e burrave dhe grave të kombit, duke ofruar frymëzim e shpresë me veprën e tyre trimërore. Shqiptarëve u është dashur të paguajë një çmim të rëndë në shërbim të mbijetesës, të lirisë dhe prosperitetit, bile u është dashur të paguajnë më shtrenjtë se kombet e tjerë. Emrat e qindra dëshmorëve të Atdheut nga radhët e Policisë së Shtetit, që jetën e dhanë në luftën kundër krimit, në mbrojtje të sigurisë publike, në frontin e brendshëm të jetës dhe sigurisë në Shqipëri. Realiteti shqiptar ka prodhuar në tre dekada situata kriminale të pazakonta. Aty ku krimi ka qenë i ashpër dhe i madh i është kundërvënë me sukses energjia, trimëria dhe heroizmi i policisë, i bijëve e bijave të popullit. Janë me qindra historitë dhe rrëfimet prekëse, e frymëzuese, të familjarëve të dëshmorëve e heronjve të Policisë shqiptare, por jo sa duhet janë shkruar e dokumentuar bindshëm në dokumentat themelore të shtetit shqiptar. Vlerat e larta morale të uniformës së shenjtë të Policisë së Shtetit, uniformës blu sikurse i njeh populli, mbi të gjitha është treguar në gjakun e derdhur në përballje me krimin, që mund e duhet ta vërë gjithë shoqërinë në mendime për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes për sigurinë publike. Ndërtimi i sigurisë publike është përgjegjësi e të gjithë aktorëve të shoqërisë shqiptare, ndërkohë që aktori dhe faktori themelor, Policia e Shtetit është përballur me nder dhe dinjitet me krimin dhe për këtë ka paguar edhe çmimin më të rëndë me gjakun e derdhur nga pjesëtarët e organizatës së saj, në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë publike kombëtare. Gjithë pjesëtarët e organizatës së policisë kanë një përgjegjësi dhe detyrim të përjetshëm për respektim të dëshmorëve të saj, si detyrim moral e ligjor, si domosdoshmëri në programimet themelore institucionale. Në rrugëtimin historik të Policisë Shqiptare janë fiksuar qindra punonjës policie të cilët janë bërë simbol sakrifice e vetëmohimi në kryerjen e detyrës, që me aktet e tyre të trimërisë, janë skalitur përjetësisht në altarin e trimërisë policore, në panteonin e nderit dhe respektimit të përhershëm që kombi u bën bijëve të vet. Në këtë ditë të nderimit të dëshmorëve të Policisë së Shtetit, ata meritojnë MIRËNJOHJE të përjetshme!.

Please follow and like us: