Mustafa SPAHIU: SHTREZET E KËNGËS NË BRIGJET E DRITËS
Mustafa SPAHIU
NISMA E KËNGËVE
Shpërgjumur e flasim lojën djerrakote përzemërsisht
nëse në mes të dhembjes vazhdon nisma e këngëve, dhe –
mashtrimi me lëmoshë shprangohet, fatet kujtojmë
të liruar dëgjojmë organo ndokujt i dërgojmë letër me T
mos burgëto dritat heshtë mandej urreje pak vetveten
me breshërimë rrëmeti është thirrje, mashtrim
e, të themi mirë u pafshim pa kthyer kokën, dhe –
ti heqim helmet fytyrës pa lot, ngjeshur n’përdëllim
nëpër etje këndojmë, ta dua(m) lumin – këngëve nismë…
(Fyelltari)
Orfeu ik nga hisja e fyellit që rrisin gjelbërimin,
Euridika në amshim kot me burimet nis vajtimin
është mendim i kërthneztë kur vjeshta të nënqesh
me gishtat mërdhezur pak ta thuash dashurinë, e –
këmbëhakilçe të shkosh me mllef duke buzëqesh
në mes të shpresave të etjesuara peng të pa fund
kërko sisën e diellit, ujërat nëntokësor dhe bukurinë
pa sytë e kaprollit larg harkut mos u nis askund –
pjalm e zulm përtëriten zgalemin flatrimi e shpjerë
agsholit të paaguar plle nga cegmat sjell pranverë.
(Shtatori)
Në fund të prekjes së verës vreret marrin guxim
shtatori t’ia kapërdinë vetes fundin e bëhet mallkim
ngeli ose iku në ndonjë breg tjetër duke shteritë
prej mëkatit’Adamit e epshit’ Evës pemët janë tharë
si toka që sillet rreth diellit me tëra fatkeqësitë, guri plas –
dhe pylli po shkalloset si argjendti në gjunj
sa i purpurt nga marazi në rrashtë përhënet zjarr
kështu një ditë dhéu i kërthizës shkallmohet në hunj
Shtatori me vetëtimë bjeshkës javët ia përcolli
dallëndyshet të përlotura n’Ekuator i dërgoi
(Vetmia)
Mikpritja e diellit të vetmisë gand më keqtrajton
vetmia kjo bukuroshe e fjetur në zanore më torturon
më duhet ta pikturoj vetminë pasojë e mirësisë
këto m’i tha toka e nxehtë me vesë deri në agim
çelen trëndafilat e vyshkura tevona ëndërrat e rinisë
plot shpresa nëpër bashkëtingëllore s’kërkoj mëshirë
do të mërgohem më në jug se vera zog pa ngushëllim
me njohuritë e vjelura një jetë me fanar mbi errësirë
vetmia ekstreme bulkthi natën mëkon në pagjumësi,
ndërkohë ndodh diçka fatësimi mua më bën shoqëri.
(Mesditë)
Po të mundem thertë të bëj gjumë në kopshtim tim
atëherë ujëvara e ëndërrave të derdhet – ngazëllim
çudi kaleidoskopi i një kënge yshtet në heshtje
që pa u shpreh kredhet në zjarr të ndritshëm
dikush më – tha – se jam i mallkuar për asnjë çështje, se –
rrufeja shkrepi qielli të kthjelltë të syrit magji
plagën e moçme – kjason – ma goditi idhshëm, me –
një mijë gozhda nëse më mbërthejnë s’çirrem n’agoni
mesditës si shmangëm do ta zbardhë natën e zezë
vatrën s’kam për ta harruar synorit e kam ndezë.
(Mashtrim)
As në gishtat e mi s’i lëshoj vend për rrënjë mashtrimit
rrallë krijohet margaritari në guacën e ngushëllimit
kallamboçet kur na mbikalojnë me kallamet e tyre
thashë: kur kundërmon kraharori i gjerë i arave
në pranverë kur barërat çmenden në njëfarë mënyre
Anamorava s’e mbëlton, as se rrit kurrë mashtrimin
kalon udhëtari rrufeplasur me strajcën e farërave
tre litarë të gramit në maje do shtrydhin mallkimin
mashtrimi është shkëmb ajror i padukshëm dorës sime
është lulekuqe e mërisë para stinës lëngatë e ngrime.
(Hakmarrja)
– Poetit Trifon Xhagjika (1932-1963) –
Një pak, dy hak – hakmarrja – është tragjikë
dy pëllumba të bardhë në fluturim, t’i vëmë Pikë!
ajo që na plagos për vdekje nga pusia, prita
ndodh shpesh një vëlla dëshiri, një motër hastreti
si me shpatën e rrufesë, variacioni: se dita, pse –
bie viktimë nga xhelozia, serbosllavi pas shpine –
tri deri pesë të shtëna janë shkrepë, ka rënë poeti
nga hakmarrja që s’merr lëvdatë as kurorë dafine
këtë shëmti, o miq, më thuani kush e ka shpikë
të ndalim lumin e gjakut, pa qenë melankolikë.
(Bulkthi)
Nga qetësia lind e vërteta dhe bukuria e vargut
në këto ditë tetori kënga jehon brendë ose jashtë pragut
besoj as ti, as unë s’mashtrohemi, kënga s’është mëkat
nëse këndojmë secili pas gjakut dhe avazit të vet
ndaj më blirojnë mijëra tinguj për ty, më sjellin fat, e –
sytë e mi me shkëndija, vrap shiu i shkriftë ngutet
po e ndiejë aromën këndellëse, pasi të dy jemi poet
ti këndon pa ndal muzgut të etur, zemra s’të lutet
dhe në buzëmbrëmje më gërget trishtili: ciriliu,
nëpër mëri i ndjekur të mbështet Mustafa Spahiu.
(Zogjtë)
Prapseprapë, një ditë, vijnë zogjtë me rrësk fluturim
n’dritaret e zemrës – thurin çerdhe prapakthim
o, së bashku me këngën e gjakut të tyre notojnë
reve horizonti vetmitar përndrizet dhe shuhet
në livadhin e rinisë sime gjakun tim emitojnë, dhe –
gjuhëthyer më zgjojnë, koha gjatë më ka thirrë:
bari, zogjtë dhe bletët askush nga unë mos të druhet –
nëpër grykën e shpirtit – se shes shpirtin me xhevahirë…
Në qoftë se deri dje krenarinë ma kanë quajtë “zhgënjim”
ndoshta nesër (zogjtë) këngën do ma gdhendin: GËZIM!
MOSPËRFUNDIMI I KËNGËS
Mes dy rrugësh me sharje të panjohura
e futi në fyell si brengë enigmën e kontinentit
blasfemojnë ujëvaret e largëta të kujtimeve, sepse –
mbi trupin e peshkut të ëndrrës me dallgët përqafohen
një kapiten i vaporit rri në flatër të albatrosit
ndërsa pulëbardhat shkruajnë fatin rreth kokës –
spirancat e meditimeve i kam ankoruar në amfora
Dielli është dirigjent si maestro Mustafa Kranjta,
palmet i kanë shpalosur motet dhunti pahitëse të urta
algjet këndojnë serenatë me Tanushën e argjendtë
buzët dhe bari gërryejnë etjen e gjumit të rërës
në mes të qiellit e tokës përhapet vetëm simfonia e verës
lavërtar i shpirti tim, errësirës së dhembjes xehetar…
P.S.
Më shoqëron vetmia ekstreme vetmi gjellnimi
të gjitha shortet i kam shpërlarë në Ujin e Bekuar,
Në retinë të syve fotografitë tua i kam –
mos frikësoni atentatorë, jam ky që jam – jam…
Ajme! Ave!
Në vendlindje, E martë, 24 shator, E diel, 29 dhjetor 2013.