Bardhyl Berberi: Mitet dhe antimitet në shoqërinë e sotme
Bardhyl Berberi
Në çastin kur fillojnë demaskimet e të privilegjuarve që shijojnë pushtetin një kohë të gjatë dhe kur dalin në shesh intrigantët të cilëve ju mungon ndërgjegjia, ngrejnë zërin njerëz të shquar të cilët nuk thyhen kurrë dhe luftojnë për mirëqenie, për shtet ku nuk cenohet ligji, liria e mendimit dhe harmonia ndërnacionale. Këto njerëz besojnë me fanatizëm se edhe ndërgjegjia luan rol në funksionimin e një shteti demokratik. Populli i vetëdijësuar e kupton shkëlqyeshëm se ideatorët e së mirës dhe të drejtësisë nuk e zhbëjnë një shtet. Në shoqëritë e stërngarukara me idenë e të sunduarit, me idenë e të qenurit mbret absolut e dërgojnë popullin drejt një varfërie absolute. Njerëzit e jashtëzakonshëm dhe të virtytshëm e dashurojnë me pasion qenien njeri. Ata flasin ndryshe dhe nuk i shesin idetë me para. Gjithmonë punojnë duke përdorur logjikën e shëndoshë dhe nuk dëshirojnë të mbyllen në kullat e fildishta për të shpikur e fryer fantazma që njerëzimi të ndihej i pasigurt.
Rrugëtimi i një njeriu të virtytshëm nis që në në bërthamën familjare i rrethuar me njerëz të veçantë, inteligjent dhe patriot me vizione perëndimore. Djali i një familjeje të dalluar brez pas brezi si luftëtar për liri patriotizëm, sojliu i një familjeje patriote, ravijëzon tipare të kodeve me të shenjta. Tek njerëzit e tillë, shoqëria projekton besim, ndaj krijohet një mekanizëm për njohjen e veprimtarive që zhvillojnë ata. Kështu që ngadalë dhe sigurt, lind një figurë e pëlqyer që askush nuk mund t’ia zbeh shkëlqimin. Këta figura kaq joshëse shndërrohen në mite. Odisea e ngritjes së mitit dhe përbaltjes së tij lind në çastin kur ai vërtet ka lindur dhe nis e rritet nga populli pa akte zyrtare, pa bujë, pa fishekzjarre, pa pjesëmarrje kolltukaxhinjsh groteskë. Paskëtaj fillon varrosja dhe zhvarrosja nga delenxhinjtë, nga ata që nuk rreshtnin duke shkeluri dinjitetin, forcën kolosale, guximin e të mitizuarit, edhe pse nuk arrijnë ta prekin aureolën mbrojtëse. Të mitizuarit, piedestalin ia japin pikërisht ata që duan ta zhbëjnë figurën e tij.
I mitizuari, qoftë i gjallë apo i vdekur flenë pranë prirësve dhe gjigandëve që gjithmonë patën kohë të mbartin pastërtinë ideologjike nga një brez në tjetrin
I mitizuari nuk shkel mbi ndërgjegjen e tij nuk shkel mbi interesat e kombit, nuk e shet detin dhe pasurinë kombëtare dhe nuk trembet nga turma e çoroditur as nga pushtetarët e korruptuar dhe ushtria e të paaftëve dhe e delenxhinjëve të politikës.
Miti i lindur nuk i duron mbretërit absolutë që krekosen brenda një grupi të madh partiak për interesa vetiake, nuk i duron as ata që pjellin një histori sipas qejfeve të veta dhe ata që degradojnë historinë e të tjerëve, nuk duron ata që vjedhin djersën e popullit. Duam apo nuk duam ne, shkëlqimi i mitit mund të vijë vetëm nga një ngjarje e bujshme që shënon kthesë të madhe historike drejt një rruge të drejtë paqësore dhe drejt unitetit njerëzor që ka interesa të përbashkëta për të jetuar.
Mendime antilogjike dalin si kërpudhat pas rrebeshit, në çastin kur lind një mit i gjallë. Smirëzinjtë shqyejnë veten nga inati. Ata dalin me pamflete të ashpra denigruese dhe futen në stilin grotesk. Mistifikimet e tyre nuk i shërbejnë askujt. Unë nuk e kuptoj përse nuk dinë të heshtin. Ky soj që vetëshpallen liderë, a thuase ka frikë nga historia nacionale dhe nga dinjiteti kombëtar, nga burrat e rrallë që ka nxjerrë ky komb dhe e kanë udhëhequr nëpër shekuj.
Iluzionet e sherrxhinjve bëjnë përpjekje të shkatërrojnë kuptimshmërinë e të qenurit njeri i drejtë, njeri i sakrificave të mëdha, pasi që ata vetë, nuk kanë këllqe për të bërë punë profetike në interes të kombit.
Oratoria e lindësit përsëdyti është: njih dhe ruaj vlerat e kombit që të njohish dha ta ruash vetveten!
Bëmat e trimave mbrojnë kauzat në interes të popullit, kurrë nuk e zhbëjnë ardhmërinë. I mitizuari rikthen shkëlqimin e humbur. Ai nuhat të keqen që mund të rikthehet nga mbeturinat e politikës në kohën e kolerës së kuqe, ku e jetonin jetën vetëm kukullat e sistemit, kurse të tjerët vetëm merrnin frymë dhe nëse gjenin guximin të bëheshin të gjallë, përfundonin në qeli.
Në periudhën kohore kur lind një mit, bëhen transformime të mëdha në shoqëri. Sa më shumë heronj dhe mite, aq më shumë vetëdije historike do të kemi brenda nesh.
Legjenda thotë se, kur armiqtë natën vonë dëshiruan ta sulmojnë Romën, ushtarët e përgjumur i zgjuan sorrat. Shtrohet pyetja a duhet të shpallen heronj luftëtarët apo sorrat që me zërin e tyre i zgjuan ushtarët. Mendoj se zëri që zgjon të fjeturit e rrezikuar, është zëri i një heroi.
Varrmihësit e miteve që pandehin se janë gjithëtëditur, nëpërkëmbin interesat kombëtare. Ata realisht bëhen diskreditues të vetes së tyre. Në kohën kur objekt sulmesh bëhen të vdekurit dhe të gjallët dinjitozë që duhet të zënë vend të rëndësishëm në shoqëri, para se të shkruajnë ata farë ‘gjithëtëditur’ le të përpiqen të mendojnë sepse arsyeja ka epërsinë mbi cinizmin. Një fjalë e urtë thotë “Retë mund të zënë përkohësisht diellin, por vetëm për pak çaste sepse ai shpërthen më pas sjell shkëlqimin e tij…”. Në shoqërinë e sotme të diturit nga të paditurit dallojnë si të gjallët nga të vdekurit… Remarku thoshte “një poet, nje shkrimtar apo gazetar është shumë më i mencur dhe i zoti se një pushtetar…”.