Albspirit

Media/News/Publishing

Enver Robelli: Fuqia e shtypit të lirë

The New York Times - Breaking News, World News & Multimedia

“New York Times” fiton çmimin Pulitzer për raportimet e guximshme mbi ndërhyrjen agresive të Rusisë në vende të tjera. Një sinjal i rëndësishëm në vitin elektoral në SHBA. Ekziston një paradoks sa i përket suksesit të “New York Times”: sa më cinike sulmet e Donald Trumpit, aq më i madh numri i lexuesve, sidomos i atyre që paguajnë për t’u informuar.Për Donald Trumpin gazeta “New York Times” (NYT) është as më pak, as më shumë se një çerdhe e lajmeve të rrejshme. “Fake News” – me këto dy fjalë Trump i ka përshkruar disa herë në Twitter artikujt kritikë të NYT. Në fund të shkurtit NYT njoftoi: “Ekipi elektoral i Trumpit padit New York Times”. Njohësit e rastit thanë se padia nuk ka gjasa të ketë sukses; bëhej fjalë për një tekst të botuar në mars të vitit 2019 në faqen e editorialeve. Teksti, i deklaruar qartë si koment, lë të kuptohet se në fushatën për zgjedhjet presidenciale në vitin 2016 ka ekzistuar “një ujdi gjithëpërfshirëse” mes ekipit të Trumpit dhe Rusisë. Ideja e kësaj ujdie ka qenë kjo: oligarkia e Vladimir Putinit e ndihmon Trumpin duke e njollosur kandidaten demokrate Hillary Clinton, e nga ana tjetër Trump zotohet se nëse fiton do të ndryshojë politikën e jashtme ndaj Rusisë.

Për raportimet mbi ndërhyrjen agresive të Rusisë në vende të tjera, e sidomos në SHBA, “New York Times” ka fituar tani çmimin Pulitzer, si të thuash Nobelin e gazetarisë. Juria njoftoi të hënën se “New York Times” me një sërë artikujsh mbi veprimet e Kremlinit është futur në rreziqe të mëdha, sepse, siç dihet, fjala është për një fushatë dezinformimi nga Moska, për ndërhyrje në zgjedhje dhe për vrasje.

Çmimi Pulitzer për “New York Times” është një sinjal i rëndësishëm në vitin elektoral në SHBA. Është dëshmi se, përkundër presionit nga Shtëpia e Bardhë, mediat e etabluara amerikane nuk dorëzohen. Për Donald Trumpin “New York Times” mund të jetë një gazetë që shquhet vetëm për “failing”, domethënë: një gazetë dështake. Për publikun e gjerë dhe mendjehapur “New York Times” përfaqëson diçka tjetër: një redaksi që nuk trembet dhe gjurmon të vërtetën.

Fushata e Trumpit kundër gazetave si “New York Times” apo “Washington Post” ka pasur efekt të kundërt. Prej se është zgjedhur Trumpi, numri i lexuesve të “New York Times” është shtuar dukshëm, përfshirë edhe numrin e lexuesve që paguajnë. Sepse si në çdo degë të ekonomisë edhe në gazetari, mbret i vërtetë është lexuesi që paguan. Vetëm ai është garanci për një gazetari serioze, të paanshme, por jo të paanshme ndaj të keqes, të pandikuar nga grupet e interesit dhe të udhëhequr nga interesi publik.

Gjuha polarizuese nga Shtëpia e Bardhë nxit gjithnjë e më shumë lexues të parapaguajnë gazetën. Vetëm në muajt e fundit të vitit 2019 “New York Times” ka fituar 273 mijë (!) parapagues të rinj. Numri i përgjithshëm i parapaguesve të gazetës së shtypur dhe asaj digjitale ka arritur në 4,9 milionë. Deri në vitin 2025 “New York Times” synon të ketë 10 milionë parapagues, prej tyre dy milionë jashtë SHBA-ve. Varësisht se cilën pako e zgjedhin lexuesit, parapagimi kushton mes 15 dhe 35 dollarë në muaj. Në tremujorin e parafundit të vitit 2019 gazeta fitoi 44 milionë dollarë, ndërsa rezervat financiare silleshin rreth 900 milionë dollarë.

Vitin e kaluar zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, tha se administrata e Trumpit i këshillon të gjitha autoritetet shtetërore të anulojnë abonimin e “New York Times” dhe “Washington Post”. Grisham tha se kështu do të kurseheshin para të taksapaguesve. Si përherë arsyet e vërteta i zbulon vetë Trumpi. Ai thotë se nuk po trajtohet “ndershëm” nga mediat, andaj nga raportimet kritike nxjerr përfundimin se “mediat janë të korruptuara”, për këtë nuk tregon asnjë fakt, por faktet dhe Trumpi kanë një raport armiqësor. Përndryshe Stephanie Grisham nuk është më zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë. I është thënë të punojë për ekipin e Zonjës së Parë dhe sllovenes me gjasë më të njohur në botë, Melanija Knavs, e lindur në Novo Mesto.

Please follow and like us: