Jeta ecën përpara, nga bikini te trikini
Koronavirusi i ri, i cili shpërtheu që prej dhjetorit të 2019, po sjell ndryshime të reja në jetën dhe stilin e jetesës së qytetarëve në mbarë botën.
Veç ndryshimeve që solli në jetën e përditëshme, me distancimin social dhe kufizimin e lëvizjeve, duket se edhe periudha e pushimeve verore në këtë sezon do të ndryshojë rrënjësisht.
Ekspertë të shumtë po japin udhëzime dhe hartojnë plane se si të pushojnë njerëzit në bregdet, por edhe njëkohësisht të mbrohen nga koronavirusi, deri sa shkencëtarët të arrijnë zbulimin e vaksinës.
Industria e modës filloi përshtatjen, ndërsa priten të dalin në treg modelet e reja të rrobave të banjos, duket se bikinit i kemi lënë në verën e vitit 2019, pasi 2020 do të jetë i “trikinit”.
Pra rrobat e banjos me dy pjesë do të duhet t’i harrojmë pasi vera e 2020 na pret që plazhi të bëhet me maskë, mjet i cili nuk do të hiqet deri sa vaksina të dalë në treg për të gjithë.
Kjo ide e “trikinit” erdhi pasi në shumë vende të botës maska është bërë e detyrueshme të mbahet, sidomos në vendet publike, ku ka shumë njerëz.
Siç shihet edhe në fotot e mëposhtme kostumet do të jenë të shoqëruara edhe me maska që do të mbahet në det, duke plotësuar kështu kompletin “trikini”.