Tenderi i tabutëve trondit Tiranën
Një procedurë e dyshimtë tenderi është hapur ditët e fundit nga Agjencia e Shërbimeve Funerale, pasi kërkohet blerja e 136 arkivolëve, për viktimat e Covid-19. Nga kjo sasi, autoriteti kontraktor kërkon që arkivolët të jenë të përmasave të ndryshme. Konkretisht, kërkohet të blihen 56 arkivolë të vegjël, për fëmijë deri në 1 vjeç; 75 copë arkivolë të mëdhenj të madhësive standarte dhe 5 copë arkivolë më të mëdhenj se standarti. Deri mesditën e kësaj të mërkure, Shqipëria numëron 27 persona që kanë humbur jetën nga Covid-19. Por, shifrat e parashikuara në tender dhe sidomos llojet e arkivolëve, ngrenë dyshime të forta, jo për mënyrën e realizimit të këtij prokurimi, por për specifikimet. Kjo pasi, deri tani nuk kemi asnjë fëmijë të ketë humbur jetën nga Covid-19, por nga ana tjetër janë porositur 56 arkivolë për të mitur deri në 1 vjeç, nga Agjencia e Funeraleve, një ndërmarrje shtetërore në varësi të Bashkisë së Tiranës. Sipas dokumentacionit që gjendet në Agjencinë e Prokurimeve Publike, këto blerje janë për viktimat që humbin jetën nga Covid-19. Duke qënë se është vendosur me ligj që viktimat e Covid-19, duhet të varrosen nga Agjencia e Funeraleve, atëherë ky institucion ka zhvilluar këtë tender. Agjencia e Shërbimeve Funerale nuk ka vendosur fond limit për këtë tender. Megjithatë, mungesa e shifrës financiare është problemi më i vogël në këtë “tender horror dhe të dyshimtë”. Shifrat e arkivolëve që ajo ka porositur, nuk lidhen aspak me situatën aktuale të pasojave të Covid-19 jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Në bazë të të dhënave zyrtare, Tirana, territor në të cilën vepron Agjencia e Shërbimeve Funerale që ka shpallur tenderin, numëron, në total që nga dita e parë, 256 persona të prekur, nga të cilët 15 kanë humbur jetën, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë shëruar. Nuk dihet nëse ky është një lapsus i Agjencisë Funerale, por megjithatë tenderi ka shkaktuar debat të madh në opinionin publik./gazeta shqip/